Emri i Ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON.Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura.
Me një histori enigmatike, Sazani është i vetmi ishull i mirëfilltë i bregdetit shqiptar. Një bukuri e pashoqe e natyrës sonë ujore, që përsëri mbetet në kuadrin e misteriozes.
Historia ka folur për Sazanin si një nga fortesat më të përshtatshme për të mbrojtur qytetin e Vlorës dhe brigjet përreth.
Sot, kjo histori ka përfunduar sepse Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe Sazani mund të kthehet në një nga perlat turistike më interesante të Mesdheut.
Emri i Ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON.
Gjatë mesjetës, ishulli kaloi në zotërimin Venecian ndërsa gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, ishulli u pushtua nga Italia.
Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë.
Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar.
Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura.
Një pjesë relikesh nënujore si amfora e objekte të tjera janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë arkeologjik në Durrës.
Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasiluruese, artilieria bregdetare etj.
Gjatë asaj periudhe, ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Gjatë luftës së Ftohtë, ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për Ushtrinë Shqiptare.
Për këtë arsye, njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe.
Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katrorë dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër.
Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë.
Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut.
Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit.
Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra. Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti, të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës.
Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra.
Duke qenë një zonë e mbrojtur ushtarake, flora dhe fauna e ishullit kanë ngelur të paprekura. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera.
Periferia e ishullit ka shumë plazhe të bukura e të pashfrytëzuara.
Dhe vërtet, po t’i hedhësh një sy brigjeve të këtij ishulli, mrekullohesh nga bukuria e plazheve, shpellave, guvave dhe historisë së tij.
Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.
Ishulli i Sazanit, sot vizitohet nga eksploratorë amatorë nënujorë, spelologë, admirues të natyrës por së fundmi, ishulli është kthyer në një atraksion për turizmin e lirë.
Sazani mbetet një mundësi e re për turizmin shqiptar.
Historia e tij si zot brigjeve detare shqiptare, madje edhe gjithë Mesdheut për shumë vite, është e dokumentuar nga kundërshtarët e tij, venetikasit, në raportet që jepeshin në atë kohë. Ndërsa në anën tjetër, në atë shqiptare, në mungesë të letrave, ai u përjetësua në tregimet, legjendat dhe këngët e folklorit popullor. Edhe sot, pas 4 shekujsh, detarët shqiptarë apo të huaj kur kalojnë afër shpellës me emrin e tij në Karaburun iu bien sirenave të anijeve, hedhin në det bukë, shishe me vaj apo me verë në kujtim të Haxhi Aliut.
Kush ishte Haxhi Aliu
Haxhi Ali Ulqinaku ishte një nga kapedanët më të shquar të detit Mesdhe. Ai u lind në Ulqin rreth vitit 1569, por origjinën e kishte nga shqiptarët e Kalabrisë, në vitet 1587-1593, kreu shërbimin ushtarak në Forcat Detare osmane. Gjatë viteve 1594-1597, vazhdoi studimet në shkollën ushtarake të Detarisë në Stamboll. Disa vite shërbeu në Flotën Detare Ushtarake të Perandorisë Osmane në Mesdhe. Në ato kohë Mesdheu rrihej kryq e tërthor nga piratët e huaj: italianë, grekë,portugezë, spanjollë e francezë që popullli i njihte me emrin “frëngj”. Pikërisht të njëjtën gjë rrëfen edhe misionari italian De Camilis, udhëtues në brigjet tona e gati në gjithë Mesdheun. “Gjatë udhëtimit tim në këto vise nuk hasa pengesa, megjithëse Deti Mesdhe gjatë asaj kohe ishte plot me piratë” – do të shkruante ai, për udhëtimin e tij në brigjet tona. Bëhet fjalë për vitin 1668, kur De Camilis udhëtoi nga Italia për në Dhërmi e Himarë, ku edhe shërbeu si misionar.
Pasha i deteve
Trimëritë dhe bëmat e Haxhi Aliut ishin të njohura nga shumë detarë të huaj. Kapedanët e deteve e kishin si një kryekapedan. Një ndër legjendat e shumta tregon se një pirat osman me orgjinë algjeriane nga Afrika i dërgon një letër Haxhi Aliut, ku e kërcënonte se po e ndeshi në ndonjë nga udhët e detit do t’ia rripte lëkurën dhe do ta shtronte mbi syret e kuranit. Haxhi Aliu në përgjigjen që i jepte piratit algjerian shkruante: “Kafkën tënde unë do ta bëjë kokë për çibukun dhe do të pi duhan me të”. Për merita të posaçme që i atribuoheshin këtij kapedani në zhdukjen e piraterisë venedikase, greke e malteze, Sulltan Selimi e gradon pasha (admiral) që është grada më e lartë në veprimtarinë e detarisë.
Mes të vërtetës dhe legjendës
Thuhet se varri i tij dhe i të birit është në Sazan, ndërsa gojëdhëna të tjera thonë se varri i tyre ndodhet në det të hapur, aty ku nxin fundi i detit midis Kepit të Karaburunit dhe Ishullit të Sazanit. Në tokë, barinjtë e Karaburunit deri vonë në vjeshtën e dytë të vitit, në shënjë kujtimi dhe respekti të kapedanit të shquar, u hiqnin zilet dhe këmborët bagëtive, gjë që e bënin rrallë për ndonjë fatkeqësi tepër të madhe. Rapsodët vlonjatë në kujtesën e tyre kanë ruajtur kujtimet lidhur me veprimtarinë e këtij kryepirati. “Kush e njeh Haxhi Alinë/ Ky në det kishte kufinë/ Haxhi Alia, kaçak i detit/ I doli zot tërë miletit/ Midis detit të Sezanit/ Luftoi e vdiq kapidani. Në shpellë xhind u ba Limani…”. “Haxhi Aliu me të birin/porsi mbreti me vezirin”, thotë një këngë tjetër e vjetër për atë pirat madhështor. I frymëzuar nga legjenda e Haxhi Aliut dhe Shpella e tij, shkrimtari i njohur i Bregut, Petro Marko bëri romanin “Shpella e Piratëve”.
Për vite me radhë zot i vetëm i Otrantos
Në vitet 1609-1624, në Kepin e Karaburunit, Haxhi Ali Ulqinaku u vendos së bashku me te birin dhe dy testana (anije me vela), që përdoreshin nga detarët shqiptarë në shekujt XVI-XVIII. Ai luftoi kundër Ushtrisë franceze e veneciane që kërkonin zotërimin e brigjeve të Adriatikut e Jonit. Në të dy anët e Karaburunit, Haxhi Aliu bashkëpunoi me kapedanët himariotë të detit dhe me barinjtë vendas kundër piratëve të huaj që sulmonin këto brigje. Pylli i Karaburunit ishte furnizuesi i Haxhi Aliut me lëndë druri për ndërtimin e anijeve luftarake, anije, të cilat me veprimtarinë e tyre ishin përqendruar kryesisht në mezokanal. Sipas gojëdhënave, Haxhi Aliu me anijet e tij të shpejta rrihte brigjet veriore të Afrikës deri në Misir e Spanjë. Vendi ku ai strehohej në Karaburun ishte një shpellë karstike, prej tij ajo mori edhe emrin Shpella e Haxhi Aliut. Rreth viteve 1623-1624, në brigjet e Otrantos u ndesh me anijet e Venedikut dhe të Anglisë, në një ekspeditë ushtarake të pabarabartë, e cila kishte për qëllim eleminimin e të gjitha mjeteve lundruese rebele nga brigjet e Mesdheut. Megjithëse ata ishin të shumtë e të pajisur me mjete të fuqishme lundrimi, Haxhi Aliu u rezistoi dhe ata nuk arritën ta thyenin apo ta zinin rob.
Fundi i Haxhi Aliut
Beteja e fundit ka qenë ajo e vitit 1625 në Kanal të Otrantos, ku kundërshtari ishte superior në mjete dhe forca. Në këto kushte të vështira Haxhi Alia me anijen e tij të shpejtë mundi ta çajë rrethimin dhe t’i afrohet kepit të Gjuhzës, i ndjekur hapa pas hapi nga kundërshtarët, deri tek vendi i quajtur “Maja e Frengut”, mbi shpellë në Karaburun, ku edhe u vra së bashku me të birin duke luftuar me shpatë në dorë…
Në tetor 1962 detarët shqiptarë (pjesëtarë të marinës luftarake) i ngritën një bust brenda repartit, përballë hyrjes në portin e Ishullit të Sazanit, duke e konsideruar kështu si një shëmbulltyrë të detarisë së vjetër shqiptare. Busti u hoq pa asnjë arsye në vitin 1974 – 1975!…
Piratët ulqinakë, tmerri shumëshekullor i Mesdheut
Çfarë grabitnin kusarët e anijeve ulqinake? Njerëz, gjahu kryesor i tyre ishin robërit. Ulqini rreth vitit 1650 u bë treg i rëndësishëm i robërve të krishterë. Në Ulqin silleshin robër të cilët i kishin rrëmbyer nga vende të ndryshme të Mesdheut, por edhe vende të tjera të Perandorisë Osmane. Tregu më i madh turk i robërve ishte në Vlorë. Nga ana tjetër e Adriatikut, panairet ishin rasti më i mirë për shitjen e robërve.
Shumica e robërve në Ulqin, pothuaj tre të katërtat, ishin nga Mbretëria e Napolit dhe nga Shteti i Papës; të tjerët ishin nga Dalmacia dhe Republika e Dubrovnikut. Kusarët ulqinakë në brigjet e Apulisë dhe Sicilisë kryesisht plaçkitnin vilat e pasura, ndërsa me vete merrnin pronarët e tyre të cilët pastaj i shitnin si robër. Ulqinakët robërit i mbanin si të burgosur dhe nuk i shfrytëzonin si fuqi punëtore. Robërve u mundësonin lidhjen me shtëpinë ose me kushërinjtë, në mënyrë që familja apo komuna të marrin vesh që anëtari i saj gjendet i robëruar në Ulqin, për të ardhur pastaj dhe për ta blerë, si kundërvlerë për lirinë e tij. Kjo shpesh bëhej në terren neutral, kryesisht në Dubrovnik.
Në jehonën e Luftës së Kandisë, më 1662 në Ulqin qëndroi udhëpërshkruesi i njohur osman Evliha Çelebi, i cili na njofton se në këtë qytet “vijnë djem guximtarë arnautë nga kasabatë tjera, vendosen në fregata dhe konfiskojnë, plaçkitin dhe shkretojnë bregdetin e armikut, duke sjellë thesar të panumërt dhe robër të zgjedhur kthehen në Ulqin si fitimtarë dhe i japin sanxhakbeut të dhjetat nga plaçkat e grabitura. Kështu unë, si i gjorë, isha në këtë qytet dhe derisa shikoja, erdhën nga Pula e kaurëve shtatë fregata me plaçka lufte. Nga ato shtatë fregata me plaçka Jusuf Beut i takonin 91 mijë grosh të të dhjetave mbretërore dhe 17 robër”, thekson Çelebiu. Pra, vetëm në këtë aksion kusarët ulqinakë në jug të Italisë zunë 170 robër!
Pronarët më të vegjël të robërve ishin kryekomandanti i Ulqinit, Murati, emini i Shkodrës, Ali Begu, jeniçeri i Shkodrës, Halil Aga, Hysein Korza, Bali Begu, Çaush Murati, Sulejman Berberi, Sule Raboti, Mustaj Basta, Abdi Skura, Kara Kurti, Elez Qehaja, Sulejmani i Gjatë, Hajredin Oruç Hoxha, Ibro Haraliu, njëfarë Mustafë, Resul Agë Sori dhe vetëm një kusar i vërtetë, Reis
Tregtia me robër arriti kulmin në fillim të shek. të 18-të. Ulqinakët në qershor të vitit 1715 e sollën si të zënë rob nga Korçulla famullitarin Mark Bonin. U shit për 100 florinj. Pas dy viteve kur farefisi i tij mori vesh vendndodhjen e tij e bleu për 141 florinj. Bashkëshortet e fisnikëve Vicko Xhamari (Dobrula) dhe Vicko Kushelit (Nika) nga Venediku ishin robëresha në Tunizi në vitin 1740 sepse i kishin grabitur ulqinakët 15 vjet më parë.
Nga mesi i shek. XVIII ndryshojnë edhe shijet, andaj oborrtarët gjithnjë e më shumë kërkojnë robër nga Afrika. Ulqinaku Ali Basha, në vitin 1775, solli nga Egjipti dy robëresha, ndërsa një grup i cili në vitin 1775 u kthye nga Afrika Veriore solli me vete 13 robër dhe robëresha zezakë.
Konsulli francez në Durrës, në shtator të viti 1716, me dhimbje të thellë shkruan: “Ulqinakët bëjnë çudira në Adriatik me 25-30 anijet e tyre me rrema dhe askujt nuk i përulen. Nëse nuk i pengojmë këto dukuri të përditshme, kusarët ulqinakë do të krijojnë këtu një armatë anijesh franceze dhe angleze”, paralajmëronte konsulli francez në Durrës.
Në mars të vitit 1718 një anije ulqinake me 180 marinarë dhe 10 topa zuri rob kapiten Botenin nga Marseja duke theksuar si shkak flamurin maltez, të cilin ata e vendosën vetë në anijen franceze. Boteni dhe ekuipazhi i tij u dërguan në Ulqin si robër. Konsulli francez në Durrës Zhoze Isnar pohon gjithashtu që kusarët ulqinakë nuk respektojnë as sulltanin dhe as cilindo pushtet tjetër në botë! Aksionet e tyre janë të përmasave aq të mëdha saqë kanë ndikuar jo vetëm në tregtinë që bëhet në Detin Adriatik, por edhe në Mesdhe, theksonin përfaqësuesit diplomatik të Francës.
Shpella e Haxhi Aliut
Gadishulli i Karaburunit është gadishulli më i madh i jugut të Adriatikut lindor dhe një nga pikat më strategjike në rrafshin ushtarak, që ndan Kanalin e Otrantos midis Shqipërisë dhe Italisë. Karaburuni është gadishulli më i pasur me shpella të lashta në të gjithë Shqipërinë. Rreth 20 shpella të shoqërojnë në të gjithë gjatësinë e Karaburunit në të dyja anët e deteve Adriatik dhe Jon. Shpella më e madhe që i ngjan një katedraleje gjigante është ajo e Haxhi Aliut, e cila përbënë një dukuri të pazakontë të këtij gadishulli. E lartë sa një pallat 20 katësh, ku thellësia e shpellës shkon në rreth 40 m, kjo shpellë të ofron një magji të vërtetë pasi brenda saj ujërat e errëta nga thellësia dhe të qeta nga magjia të krijojnë përshtypjen e zhytjes në pjesën tjetër të botës, apo në botë paralele. Shenjat dhe dëshmitë që gjenden brenda Shpellës së Haxhi Aliut, tregojnë për një aktivitet të dendur njerëzor. Faqet e shpellës janë të nxira nga tymi i zjarreve. Quhet shpella e Haxhi Aliut për shkak se ka qenë bazë e këtij pirati të tmerrshëm të deteve, aktiviteti i tij piratesk u zhvillua në shekullin e XVIII-të. Kjo bazë piratësh që Haxhi Aliu dhe njerëzit e tij shfrytëzuan, u përdorë për tu strehuar së bashku me anijet e tija, pasi sulmonin dhe plaçkitnin karvanët e tregtarëve venecian, apo të kombësive të tjera që përdornin ngushticën e Otrantos për të kaluar.
Shpella e Piratëve në Vuno
Duke lundruar në këto brigje, veç Shpellës së Karaburunit, Haxhi Aliu ka përdorur edhe Shpellën e Piratëve të Vunoit, një shpellë e famshme, jo vetëm për historinë e saj, por edhe nga libri me të njëjtin titull i Petro Markos, si edhe filmi i Kinostudios “Shqipëria e Re” që bazohet në këtë libër të shkrimtarit të njohur. Kjo shpellë përbën një nga objektet më me vlerë në bregdetin e Himarës. Ajo ndodhet pranë plazheve të Dhërmiut, në një breg shkëmbor tepër të thyer që bie pingul mbi det dhe gjendet shumë pranë Manastirit të Shën Theodhorit, gjë që e pasuron më tepër gjeografinë dhe historinë e kësaj pjese tërheqëse të bregdetit shqiptar.
Dihet se marrja e një doze të vogël aspirine çdo ditë i ndihmon ata që kanë patur goditje në zemër. Një studim i ri tregon se nga përdorimi i aspirinës rreziqet janë më të pakta se sa përfitimet
Ndërsa shumë njerëz përdorin aspirinën kur kanë dhimbje koke apo të muskujve, mjekët prej kohësh rekomandojnë marrjen ditore të një doze të vogël aspirine për parandalimin goditjeve në zemër, tru apo problemeve në zemër për ata që janë prekur nga këto sëmundje. Mjekja Holly Anderson është me qendrën mjekësore Weill Cornell në spitalin Presbyterian të Nju Jorkut.
“Është e qartë se njerëzit që kanë patur goditje në zemër, apo e goditje në tru, përfitojnë nga marrja e përditshme e një doze të vogël aspirine. Është shumë e rendësishme sepse redukton rrezikun nga një tjetër goditje në zemër apo tru dhe mund të zgjat jetën.”
Një hulumtim i ri madhor ka testuar nëse aspirina mund të ndikojë në parandalimin e problemeve të para në zemër. Rezultatet e tre studimeve të veçanta japin një përgjigje negative.
Tregu shqiptar është i mbushur me kungulleshka, perimet e pasura me vlera ushqyese e shije të lehtë pavarësisht mënyrës se si i përgatit.
Të mbushura me oriz, sipas traditës së amvisave shqiptare, kjo recetë është ideale sidomos për vaktin e drekës.
Është një nga recetat më të shijshme në përgatitjen e kungulleshkave, të cilat pa dyshim janë fantastike në çdo gatim.
Një gatim special, i cili shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, por edhe me zahiretë e shijshme të nënave shqiptare, speca me gjizë, turshi të ndryshme etj.
Ndiqni më poshtë, recetën e sugjeruar nga AgroWeb.org për të përgatitur këtë gatim të mrekullueshëm në shtëpinë tuaj.
Përgatitja e Kungulleshkave të Mbushura
Përbërësit
1 kg kungulleshka
2-3 kokrra qepë
1 filxhan çaji oriz
3-4 kokrra domate
1 filxhan çaji mish të grirë
Kripë
Piper
Kopër
Përgatitja
Kungulleshkat pastrohen, lahen dhe përmes një thike të mprehtë u hiqet pjesa e brendshme dhe krijohet një boshllëk për mbushjen.
Më pas, kalohen për skuqje të lehtë dhe lihen mënjanë.
Në një enë kaurdisen qepët e grira, shtohet mishi i grirë dhe kaurdiset, më pas shtohet orizi dhe kaurdisen së bashku për disa minuta.
Më pas, shtohen domtatet e qëruara dhe të grira në kubikë të vegjël, kripa dhe piperi.
Më pas hidhet ujë në masën sa dyfishi i orizit të përdorur. Pra, raporti i masës për orizin dhe ujin do jetë 1 me dy.
E lëmë masën të ziejë derisa orizi të përthithë krejt lëngun dhe të shkriftohet.
Pastaj hiqet nga zjarri, përzihet me kopër të grirë dhe ftohet pak.
Mbushen kungulleshkat me masën e përgatitur.
Sipër tyre, nëse preferoni hidhet salcë e kuqe e përgatitur me qepë të grira dhe më pas tava vendoset të piqet në furrë.
Nëse preferoni bashkë me kungulleshkat mund të mbushni edhe disa speca apo domate. Një mënyrë për ta bërë këtë pjatë edhe me më shumë larmi në shije./AgroWeb.org
Patëllxhani është perimja e duhur për të përgatitur këtë recetë të lehtë.
Mund t’i shërbeni me salcë për makaronat e shpejta, apo dhe me salcë kosi me hudhra dhe vaj ulliri.
Ky gatim është një mënyrë e mirë për të sjellë diçka të re në tryezat tuaja mjafton të ndiqni hapat nga AgroWeb.org më poshtë.
Përgatitja e Qofteve me Patuellxhanë
Përbërësit
½ lugë gjelle me vaj ulliri
500g patëllxhanë
Kripë
¼ lugë gjelle me piper të zi të bluar
2 thelpinj hudhër të shtypura
1 ½ gotë me bukë të thekur të thërrmuar
1 vezë
5 lugë gjelle djathë i bardhë i thërrmuar
1 lugë gjelle me majdanoz të grirë
4 domate për salcë (sipas preferencës mund t’i shoqëroni me salcë)
Përgatitja
Si fillim AgroWeb.org ju udhuezon që patëllxhanët t’i prisni në kubikë të vegjël afërsisht 1cm bashkë me lëkurën dhe spërkatini me pak miell.
Ndërkohë ngrohni furrën në 200 gradë.
Në një tigan që nuk ngjit hidhni ½ e lugës së gjellës me vaj ulliri dhe vendoseni në zjarr me flakë të mesme.
Kur të nxehet mjaftueshëm, hidhni kubikët e patëllxhanëve dhe ¼ gotë me ujë.
I marinojmë më kripë dhe piper për t’i dhënë shije, dhe i trazojmë ngadalë deri sa të shohim që janë zbutur.
Ky proces mund të zgjasë rreth 10 ose 12 minuta.
I kalojmë patëllxhanët në grirësen elektrike (mikser) dhe i grijmë derisa të bëhen në formën e një brumi.
Në një tas shtojmë brumin e patëllxhanëve të sapo përgatitur, shtojmë aty dhe bukën e thekur, vezën e rrahur, djathin, majdanozin, hudhrën. I hedhim kripë dhe piper sipas shijes.
Me ndihmën e një luge druri e përziejmë derisa të formohet një masë homogjene.
Me një lugë gjelle marrim pak masa e përgatitur dhe me duart e spërkatura me pak miell, formojmë topëza të vegjël.
Në një tavë hedhim pak vaj ulliri dhe e lyejmë më dorë, më pas vendosim me radhë të gjitha qoftet e përgatitura.
I vendosim në furrë për 20 deri në 25 minuta, derisa të kenë marrë një ngjyrë të artë.
Domatet pasi i kemi larë, i presim në disa pjesë dhe i vendosim tek grirësja elektrike për të përgatitur salcën.
Vendosim në zjarr një tigan pak të thellë dhe hedhim pak vaj ulliri, një thelbi hudhër dhe kur të jetë ngrohur shtojmë domaten. E lëmë kështu të ziejë për 5 minuta.
Pasi qoftet të jenë bërë, i kalojmë pa u prishur formën në tiganin me salcën e domates dhe i lëmë aty derisa të kenë përthithur lagështirën e domates. Mund t’i shtoni dhe disa gjete të freskëta borziloku për t’i dhënë akoma dhe më shumë shije.
Nëse preferoni qoftet mund t’i konsumoni edhe pa salcë domateje por me gatime të tjera siç janë supat, sallatat e freskëta të stinës etj./AgroWeb.org
Dhimbjet në fyt, acarimi i tij dhe ngacmimet e kollës janë simptomat më të shpeshta që prekin shëndetin.
Është koha kur virozat, gripi dhe i ftohti kërcënon hapur organizmin tonë.
Problemet nisin me problemet në kapërcimin e ushqimit dhe sidomos kollën dhe teshtimat e njëpasnjëshme që shkaktohen pa pushim për shkak të acarimit të fytit.
Por nëse mendoni se mënyra më e shpejtë për të përballuar acarimet e fytit dhe dhimbjet e shkaktuara prej tij është një vizitë në farmaci, zgjidhja është edhe më e shpejtë brenda në shtëpinë tuaj.
AgroWeb.org u sugjeron një listë me kura natyrale, përbërësit e të cilave gjenden lehtë në kuzhinën e secilit prej nesh.
Mjaftojnë pak minuta në përgatitjen e secilës prej tyre dhe problemet me fytin do të largohen.
Është vet natyra që ofron zgjidhje të shumëfishta për çdo problem shëndetësor përfshirë këtu edhe problemet dhe komplikacionet që vijnë nga i ftohti.
Katër kura natyrale nga AgroWeb.org për lehtësimin e fytit të acaruar
Limoni
Përdorni një çaj të ngrohtë limoni me mjaltë.
Kombinoni lëngun e dy kokrra limoni dhe një lugë gjelle mjaltë në një filxhan çaji me ujë të ngrohtë.
Përzjeheni dhe pijeni ngadalë. Përsëriteni këtë 2 deri në 3 herë në ditë.
Uthulla e Mollës
Në një filxhan çaji, hidhni një lugë gjelle me uthull molle, një lugë gjelle lëng limoni dhe një lugë gjelle mjaltë.
Shtoni ujë të ngrohtë përzjeheni dhe pijeni ngadalë.
Përsëriteni këtë çaj dhe konsumojeni deri tre herë në ditë.
Shumë shpejt do të ndjeni lehtësimin e dhimbjeve nga fyti dhe inflamacioni.
Kanella
Në një gotë me ujë të ngrohtë shtoni një lugë gjelle kanellë pluhur dhe një lugë gjelle piper të zi pluhur.
Përzjeni solucionin dhe bëni me të gargare.
Përdoreni këtë kurë një herë në ditë, për një javë rresht dhe do të jeni tërësisht të shëruar.
Hudhrat
Konsumoni një thelpi hudhër çdo ditë në mënyrë që hudhra të çlirojë në trup përbërësin e fuqishëm të njohur me emrin acilinë.
Ajo do të vrasë bakteret që shkaktojnë dhimbjen e fytit.
Përdoreni këtë kurë çdo ditë për një javë.
Jo vetëm që fyti do të shërohet por organizmi do të përfitojë edhe shumë vlera të tjera shëndetësore./AgroWeb.org
Një recetë fantastike, tradicionale e përgatitur me dashurinë dhe ëmbëlsinë e nënave dhe gjysheve shqiptare janë padyshim bonbonet e dikurshme.
Një herë e një kohë, dëshira për ëmbëlsira shuhej kryesisht nëpërmjet bonboneve.
‘Copëza të vogla parajse’, kështu i përshkruajnë bonbonet e famshme tradicionale brezat e lindur gjatë periudhës së diktaturës komuniste.
Mund të kenë qenë të tilla, sidomos asokohe kur buka me sheqer dhe ujë apo vaj ulliri me kripë sillte një lumturi të pashoqe.
Ndonëse nuk bëhen me çokollatë të mirëfilltë nga ato të tregut, gatimi i këtyre bonboneve është një traditë e veçantë e një shtëpie të lumtur.
Bonbonet bëhen me qumësht , ndaj mund ta imagjinoni kënaqësinë e fëmijëve të atij brezi që nuk kishin asnjëherë të ngopur me to.
Këto ëmbëlsira shqiptare janë modeste në krahasim me atë që ofron tregu. Por në aspekt shijesh, përbërësish dhe pastërtie nga kimikatet nuk kanë të krahasuar.
AgroWeb.org ju sjell një recetë tradicionale të bonboneve shqiptare që do ju kënaqin shijen, nepsin dhe do t’ju ndihmojnë të kuptoni se ndonjëherë lumturia gjendet edhe në gjërat më të vogla, edhe në një bonbone.
Bonbonet mund të shoqërohen mjaft mirë me kafe apo çaj teksa mund të serviren gjithashtu për qërasje ndaj miqve dhe të ftuarve.
Receta e Bonboneve
Përbërësit:
2 gota qumësht
2 gota sheqer
20 gr gjalpë
1 lugë çaji me kafe ose kakao (sipas preferencës mund të mos i përdorni në mënyrë që bonbonet të jenë bardha)Përgatitja:
Hedhim qumështin një një tenxhere të vogël, sheqerin dhe më pas shtojmë gjalpin.
I trazojmë duke i lënë fillimisht në nxehtësi të lartë.
Më pas shtojmë edhe kafenë apo kakon, kjo sipas preferencës nëse dëshirojmë që bonbonet të marrin pak ngjyrë.
I lëmë të ziejnë derisa përbërja të marrë trajtën e një mase të trashë.
E ulim pak nxehtësinë, por jo deri në fund në mënyrë që masa e përgatitur mos të ngrijë.
Me anë të një luge hedhim pak nga brumi tek shtrydhësja e limonit për t’u dhënë formë një e nga një./AgroWeb.org