Aurora

Ballokume Tradicionale – Receta sekrete nga nenat e Elbasanit

Ballokumja është një nga ëmbëlsirat autentike shqiptare, traditë e qytetit të Elbasanit dhe simbol i Ditës së Verës gjithashtu.

Pavarësisht se kjo ëmbëlsirë shijon përherë në çdo kohë, tradita e përgatitjes së saj me rastin e Ditës së Verës vijon edhe sot të jetë një traditë e të gjitha amvisave.

Kjo recetë kërkon durim dhe kujdes duke nisur nga përzgjedhja e përbërësve dhe deri tek përpunimi i tyre, e mandej procesi i fundit i pjekjes.

Receta autentike e përgatitjes së ballokumes, të cilën  e sjellim më poshtë, ka disa elementë specifikë të cilët bëjnë diferencën në shijen perfekte të saj.

Një nga përbërësit unik të ballokumes është finja. Ajo përgatitet nga hiri i zjarrit, e madje nënat e gjyshet e vjetra elbasanase kujdesen që të marrin hi nga zjarri me dru ahu.

Finja i jep ballokumes shkriftësinë tipike.

Edhe ena ku përgatitet ballokumja është tipike në përgatitjen e kësaj ëmbëlsire. Ajo duhet të jetë prej bakri, madje në disa zona thuhet se ena prej bakri duhet të jetë e pa kallaisur, ndërsa në disa të tjera ena duhet të kallaiset. Në mungesë të kësaj ene mund të përdorni një tas të madh prej qelqi.

Ndiqni më poshtë  recetën autentike të përgatitjes së Ballokumeve sipas traditës së amvisave të Elbasanit.

Përgatitja e Ballokumeve të Elbasanit në Shtëpi

Përbërësit

1 kg sheqer (jo i bluar)

1 kg mielli misri i situr

500 gr gjalpë i freskët (sipas këshillës së amvisave të Elbasanit gjalpi duhet të jetë dhie)

8 kokrra vezë

Gjysmë filxhani kafeje me ujë finje (përgatitet përmes hedhjes së dy-tre lugë gjelle nga hiri i zjarrit në një gotë me ujë, e cila lihet përreth 30 minuta dhe më pas kullohet me kujdes)

Përgatitja

Si fillim, në enën e bakrit apo të qelqit, hidhet sheqeri dhe gjalpi i shkrirë, temperatura e të cilit duhet të jetë e vakët.

Përzihet përmes një luge druri përreth 25-30 minuta derisa masa të bëhet kremoze.

Më pas shtojmë një vezë dhe vijojmë përzierjen me lugë druri. Shtojmë vezën e dytë dhe vijojmë përzierjen me lugë druri, vijojmë po kështu me vezën e tretë dhe me rradhë.

Vijojmë pa ndërprerje përzierjen ndërsa shtojmë ujin e finjës ose në mungesë të tij shtojmë pak qumësht.

AgroWeb.org ju sugjeron të shtoni miellin e misrit me dorë gradualisht duke vijuar pa ndërprerje përzierjen me lugë druri derisa të keni mbaruar gjithë masën e miellit.

Trazohet fort me lugë druri që të mos krijohen kokërriza dhe masa të bëhet krejtësisht e njëtrajtshme.

Masa nis të punohet me dorë derisa brumi të jetë aq i plotë sa të mos rrafshohet kur e mban në dorë.

Brumi ndahet në copa të cilave u jepet forma e rrumbullakët. Më pas vendosen në një tavë të lyer me gjalpë dhe pudrosur me miell misri. Ballokumet vendosen me një distancë nga njera tjera pasi vëllimi i tyre do rritet gjatë pjekjes.

Vendoset në furrë të parangrohur në temperaturën 180-200 gradë.

Ballokume Tradicionale – Receta sekrete nga nenat e Elbasanit Read More »

Quhet ndryshe si dita e largimit te Dimrit : Ja historia e ‘Dites se Veres’

Që në kohët antike, tempulli i 14 Marsit, festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit, veçanërisht në Tiranë.

Zanafillën, “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 marsit.

E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore.

Por festa e verës, që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit.

Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone, si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, “goditen” ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.

Të parët tregojnë se një natë para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit, herët në mëngjes, hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehronin portokallet dhe ullinjtë. Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët, zakonisht, e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore. Në Elbasan festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë, elbasanllinjtë urojnë njëri-tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.

Ballokumet

Për të kuptuar ndryshimin midis kremtimit “alla-elbasançe” të Ditës së Verës, me atë që bëhet gjetkë, nëpër Shqipëri apo ndër shqiptarë, mjafton t’u referohemi ballokumeve.

Në Elbasan përgatitjet për ballokumet të bëhen me kohë. Dihet se ku do të merret mielli i misrit për to, ku do të merret gjalpi, ku do të merret sheqeri. Dihet si do të rrihen, si do të shtrihen, si do të piqen. Me ç’gradacion, me ç’ritëm kohor. Të gjithë e dinë, për shembull, se ballokumet bëhen me miell misri. Por pak e dinë se një kg miell ballokumesh del (pas një cikli sitjesh) nga 7-8 kg miell misri. Edhe sheqeri ndryshon (është i imët), edhe gjalpi… Pra recetat për ballakumet nuk funksionojnë kudo. Unë kam vrojtuar, madje prej shumë vitesh, përgatitjen e ballokumeve të Elbasanit

. Dhe mund të pohoj me bindje se edhe sikur gjithçka materiale të jetë njësoj (duke përfshirë edhe profesionalizmin e atij që i përgatit), përsëri ballokumet e Elbasanit ndryshojnë.

Ato kanë gjithnjë diçka më shumë. Sepse Elbasani fut një “element” plus në recetën e ballokumeve. Kjo është dashuria. Ballokumet e Elbasanit kanë brenda shumë, shumë dashuri.

Sikurse vetë Dita e Verës në Elbasan është një ditë e vërtetë dashurie. Dashuri për njeriun, për natyrën, për jetën. Le të përpiqemi që t’i afrohemi Elbasanit në dashurinë që jep ai në Ditën e Verës. Sado vështirë që është.

Pse kur themi Dita e Verës mendja na shkon tek Elbasani

Sepse gjatë shekujve Dita e Verës erdhi duke u zbehur. Aq sa diku ajo u harrua krejtësisht e nuk kremtohej më. Ndërsa në Elbasan ajo nuk u zbeh kurrë. Nëse Dita e Verës erdhi deri në ditët tona merita i takon kryesisht Elbasanit. Tani ajo është zyrtarisht një festë kombëtare. Por ndryshe është të festosh e ndryshe është të bësh një pushim zyrtar. Madje ndryshe është të festosh, ndryshe të ndjesh me të vërtetë.

Elbasani, pra ende shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, është vendi ku Dita e Verës ndjehet dhe përjetohet në kuptimin më të plotë të fjalës.

Në ç’masë Dita e Verës është një festë e mirëfilltë (mbarë)shqiptare?

Të paktën në atë masë që ajo (referuar prof. Kristo Frashërit), ka qenë pjesë përbërëse e identitetit tonë etnik. Edhe nëse në disa vise ajo filloi të venitej, përsëri duhet të rigjallërohet dhe të kthehet në një festë mbarëshqiptare, mbasi është më tradicionale se të kremtet fetare. Dita e Verës, ashtu sikurse edhe Viti i Ri, është festë e të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine, ideje, bindjesh, përkatësish, apo besimi fetar.

Dita e Verës sipas Kristo Frashërit

Dita e Verës ka qenë e lidhur me ditën e parë të marsit. Në antikitet marsi ishte muaj i parë i vitit. Kjo sipas kalendarit Julian. Siç dihet, në Evropën Perëndimore, kalendari Julian u zbatua derisa në vend të tij u vendos kalendari Gregorian. Por në gjuhën e sotme shqipe ruhen ende gjurmë të kalendarit Julian.

Duhet që viti kalendarik të fillojë me marsin që muaji i shtatë të jetë shtatori, i teti tetori, i nënti nëntori dhe i dhjeti dhjetori. Të tillë kanë mbetur emrat e tyre edhe pse, nga 15 tetori i vitit 1582, kohë në të cilën hyri në fuqi reforma gregoriane, ata janë respektivisht, muajt e nëntë, i dhjetë, i njëmbëdhjetë dhe i dymbëdhjetë. Por, siç argumenton akademiku i mirënjohur, prof. Kristo Frashëri, kalendari i vjetër i shqiptarëve është edhe më i hershëm se kalendari Julian, i cili u shpall nga Jul Qezari, në vitin 46 para lindjes së Krishtit.

Dhe gjithnjë dita e parë e marsit shënonte, sikurse edhe sot, fillimin e stinës së pranverës. Ishte koha kur stinët ishin më të dallueshme nga njëra-tjetra se në kohën e sotme (ngrohja globale nuk kishte filluar ende). Njerëzit mezi prisnin që të dilnin nga dimri, të shkrinte bora, të gjelbërohej natyra, të çelnin lulet, të blegërinin qengjat, të loznin fëmijët fushave e kodrave, të gëzonin të gjithë.

Faik Konica: Ç’është Dita e Verës?

Botuar më 1911

Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare “Verore”, u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S’e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po në mos e festuam me trup, do ta festojmë me zemër.

Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve.

Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe e që quajmë Dit’ e Verës.

Quhet ndryshe si dita e largimit te Dimrit : Ja historia e ‘Dites se Veres’ Read More »

Caji qe sjell gjumin e qete …

Është koha perfekte për ta shijuar. Një çaj fantastik me aromë ndjellëse për shijen, humorin e mirë e mbi të gjitha energjinë pozitive që çliron në të gjithë trupin, mendjen dhe shpirtin.

Me përbërës që gjenden lehtë në kuzhinë, me erëza fantastike dhe një kombinim perfekt i disa prej produkteve të mrekullueshme të natyrës.

Një filxhan çaj magjepsës që qetëson të gjithë muskujt, shtendos nervat dhe sjell qetësinë në mendje e shpirt.

Është pikërisht magjik nga kombinimi perfekt i erëzave më të mira në shije dhe aromë, si xhenxhefili, kanella dhe karafili, të përzjera me shijen unike të kakaos e qumështit dhe ëmbëlsuar me mjaltë.

Ideal për t’u përgatitur gjatë mbrëmjeve për një gjumë të qetë dhe relaksues gjatë natës.  Por sigurisht, ky çaj mund të përgatitet dhe konsumohet në çdo kohë të ditës, madje edhe për mëngjes.

Shoqërohet në mënyrë fantastike me biskota të ndryshme por edhe ëmbëlsira të lehta gjithashtu.

Më poshtë keni përgatitjen e këtij çaji unik krejt lehtë në shtëpi.

Çaji i Lumturisë Krejt Lehtë në Shtëpi 

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për dy filxhanë çaji)

1 gotë e gjysmë qumësht

Gjysmë gote ujë

3 lugë të vogla kakao

Një degë çaj mali

4 feta të holla xhenxhefil

5 karafila

Pak kanellë

2-3 lugë të vogla sheqer ose mjaltë

Përgatitja e Çajit  

Në një tenxhere të vogël ngrohni qumështin dhe ujin në nxehtësi të ulët derisa të ngrohet.

Bëni kujdes që të mos e ngrohni në nxehtësi të lartë.

Sapo të ngrohet shtoni pluhurin e kakaos derisa të tretet tërësisht.

Më pas shtoni, çajin e malit, xhenxhefilin, karafilat, kanellën dhe lërini të marrin një valë për maksimumi 10 minuta.

Largojeni nga zjarri dhe shtoni dy lugë sheqeri ose mjaltë sipas preferencës.

Nëse preferoni edhe më shumë aromë ndjellëse mund të shtoni edhe pak vanilje.

Çajin e përgatitur hidheni në filxhan dhe pijeni ngadalë sa është i ngrohtë.

Caji qe sjell gjumin e qete … Read More »

Vlerat dhe cfare i ndodh organizmit nese konsumoni veze te zier

Veza është padyshim përbërësi kryesor i një mëngjes të shëndetshëm.

Një nga mënyrat më të zakonshme të konsumimit të vezës është sigurisht përgatitja e saj në formën e zier.

Por cilat janë vlerat e vezës së zier dhe çfarë i ndodh organizmit kur ajo konsumohet e zier.

Më poshtë njiheni me përfitimet shëndetësore të vezës së zier dhe ndikimin e saj në organizëm.

Veza përmban 210 miligramë kolesterol. Zierja konsiderohet mënyra më e sigurt për gatim sepse yndyrnat që përdorni në skuqje rrisin kolesterolin në organizëm.

Ekspertët thonë se vezët janë të mira për shëndetin dhe një i rritur mund të hajë një vezë në ditë pa u shqetësuar shumë për kolesterolin.

Sipas të dhënave , ngrënia e vezës në mëngjes si pjesë e një regjimi të kujdesshëm shëndetësor mund t’ju ndihmojë të humbisni në peshë.

Yndyrnat e mira

Vezët e ziera nxisin krijimin e yndyrnave të mira të cilat ndihmojnë në ruajtjen e nivelit të kolesterolit në gjak ndërsa ulin rrezikun e problemeve dhe sëmundjeve në zemër.

Këto yndyrna të shëndetshme për shëndetin e zemrën ndikojnë gjithashtu në rregullimin e nivelit të insulinës në gjak, e për rrjedhojë nivelin e sheqerit në gjak.

Proteinat

Vezët e ziera natyralisht përmbajnë një nivel të lartë proteinash.

Organizmi ka nevojë për proteina për forcimin e muskujve. Por mbi të gjitha proteinat ndihmojnë gjithë organet e trupit dhe mundësojnë një strukturë të posaçme mbrojtëse në muret e qelizave.

Shëndeti i syve

Një nga vitaminat më të rëndësishme tek veza është vitamina A.

Kjo vitaminë është thelbësore në ndihmën që i ofron retinës së syve për thithjen e dritës, mbron membranat dhe ul riskun e prekjes nga dobësimi i shikimit apo verbëria.

Kocka Të Forta

Vezët e ziera janë të pasura me vitaminën D, vitaminë e cila është e rëndësishme për kocka dhe dhëmbë të fortë gjithashtu.

Vitamina D u mundëson kockave përthithjen e kalçiumit dhe rregullon nivelin e kalçiumit në gjak.

Ky proces garanton që skeleti i trupit të marrë sasinë e duhur të kalçiumit për të qenë i fortë.

Këshilla për Vezët e Ziera

Vezën e zier mund ta kombinonin në sallatat me spinaq, patate, pulë apo peshk si një element i domosdoshëm i ushqyerjes së shëndetshme.

Vlerat dhe cfare i ndodh organizmit nese konsumoni veze te zier Read More »

Zbulohet lidhja e këngëtares shqiptare me modelin portugez

Kushdo që e ndjek këngëtaren Daniela Kamberi – Fifi në rrjete sociale mund ta kujtojë në një periudhë jo fort të largët kur ajo bëri publik të dashurin e saj.

Lidhja përfundoi shpejt dhe nga ajo periudhë më s’dëgjuam gjë mbi statusin e këngëtares.

Por, Fibi duket të mos ketë vonuar shumë për të gjetur dashurinë. Ajo tash e një kohë është në një lidhje me një model portugez.

Prive.al mëson se djaloshi në fjalë quhet Fabio dhe është mjaft i famshëm në Portugali, por edhe në vendet frankofone për shkak të aktivitetit të tij si model dhe pjesëmarrës në një prej spektakleve parallel të Big Brother në Francë.

Çifti kanë një kohë që janë bashkë teksa Fabio ka ardhur disa herë edhe në Kosovë për t’iu gjendur pranë të dashurës së tij.

Më poshtë disa fotografi të modelit që i ka marrë zemrën Fibit, krahas fotos së përbashkët të shkrepur këtë Shën Valentin në Prishtinë të cilën e pamë më lartë.

Zbulohet lidhja e këngëtares shqiptare me modelin portugez Read More »

Edi Rama: Sali Berisha është kokrra e budallait

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, te studio e Eni Vasilit në news24 i pyetur ndër të tjera se pse ishte natën te spitali amerikan, pra për të takuar Saimir Tahirin apo prej overdozës, akuzuar nga ish-kryeministri Berisha, ai tha: Sali Berisha është kokrra e budallait! 

Ishte ish-kryeministri Sali Berisha ai që publikoi foton e famshme të eskortës së kryeministrit Rama në spital duke aluduar se shkak ishte bërë një “overdozë”. I pyetur për këtë çështje, kryeministri Rama lëshoi një sërë akuzash fyese ndaj Berishës, por pranoi se kishte qenë vërtet në spital javën e kaluar.

“Kjo e spitalit është një tjetër arsye për të thënë se ku jemi katandisur. Ju thoni “Sali Berisha publikoi…” jam unë ai që duhet të përgjigjet për këtë? Ju pse nuk e verifikoni. Sali Berisha publikon çdo ditë lloj lloj maskarallëqesh” – tha Rama duke sqaruar edhe arsyet e vizitës në spital.

Pas pohimit të ashpër për ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e PD-së, Berisha, gazetarja Eni Vasili e pyeti edhe njëherë nëse i qëndron pohimit të mësipërm, duke shtuar se këtë akuzë të Berishës e ka theksuar edhe Lulzim Basha, ai përsëri insistoi në atë çka tha se:”Sali Berisha është kokrra e budallait!”. Por shtoi se edhe Lulzim Basha ka vrapuar për të gjetur një gur te hedhur në lumë nga një budalla…

Ndërsa kur gazetarja Eni Vasili nxori foton e Sali Berishës dhe shtoi se kur vjen Berisha në studio ka të njëjtën shikueshmeri si ju, kryeministri Rama tha me sarkazëm se “Edhe në një kopësht zoologjik njerëzit kanë shumë kureshtje për…”, duke aluduar keqas për ish-kryeministrin e vendit.

Kjo është e rëndë, pasi ish-kryeministrit Berisha mund ti thuash gjithçka si kundërshtar politik, porse “budalla” nuk mund ti thuash.

Gjithsesi kryeministri duhet ta ketë menduar edhe përgjigjen e pritshme të ish-kryeministrit Berisha.

Edi Rama: Sali Berisha është kokrra e budallait Read More »

A ka lidhje Trump me Rusinë? Irritohet Rama: Kam ardhur për Bashën unë këtu

Kryeministri Edi Rama ka folur sot në emisionin “Studion e Hapur” në News 24 në lidhje me dokumentet e publikuara në një media amerikane e cila tregon se kompania Biniata Trade me lidhje ruse ka paguar 150 mijë dollarë lobistin që punonte për Partinë Demokratike.

“të jeni e bindur se të tjera fakte do vazhdojnë të dalin se kjo është një sallatë aq e ububushme sa nuk mund të kalohet me një “ku di unë” “jo nuk i njoh”…”, u shpreh shefi i Qeverisë.

Por në momentin kur moderatorja Eni Vasili ka thënë se revista investigative “Mother Jones” shkruan për lidhje të Trump me Rusinë, duke shtuar se edhe Basha mund të jetë një nënprodukt i tyre, kjo pyetje e ka irrituar kryeministrin.

Ai i ka kujtuar Eni Vasilit “kafenenë e fshatit”.

“Mother Jones” është një gazetë e ekstremit të majtë, dhe shpeshherë flet për lidhe të Presidentit Trump me Rusinë. A besoni ju që Trump është i lidhur me Rusinë dhe Basha është një nënprodukt i tyre?

Rama: Kam ardhur në një studio serioze dhe jo në një kafene fshati.

Tani çfarë do të thotë kjo që qenka “Mother Jones” ekstremiste e majtë? Historia e gjatë e komunizit ka lënë gjymtime të mëdha në mënyrën e të menduarit tek ne, ne merremi me mesazhin dhe jo me mesazherin…

I besoni lidhet e Trump me Rusinë?

Rama: Kam ardhur për Bashën unë këtu, dua që të investigohet nëse ka lidhje mes tij dhe një politike për të futur në Shqipëri mollën e sherrit.

S’jam këtu për lidhjet e Trump.

Këto të tjerat janë muhabete kafenesh. Nuk po flasim për “Motherin” por për pjellën dhe pjella është ky investigim.

A ka lidhje Trump me Rusinë? Irritohet Rama: Kam ardhur për Bashën unë këtu Read More »

Meti i “On Records” kërkon 1.4 milion euro nga Mozzik dhe Getinjo

Vazhdon mos marrëveshja mes reperëve Mozzik dhe Getinjo me ish menaxherine tyre, Met Elshani.

Dy reperët prej kohësh kanë telashe me koncerte dhe në aspektin muzikor.

Dhe, krejt kjo po ndodh për shkak të mosmarrëveshjeve të të dyja palëve, që tash ka kaluar edhe në aspektin ligjor.

Ishte Met Elshani që fillimisht kërkoi një dëmshpërblim prej 1.4 milionë eurosh nga vëllezërit që thyen marrëveshjen e tyre me dikur kompaninë që përfaqësuan.

Vet Met Elshani publikoi fotografi nga momenti i paraqitjes në gjykatë ku ai u shfaq shumë i qetë.

Nuk dihet nëse edhe dyshja Mozzik dhe Getinjo janë paraqitur po ashtu në këtë seancë e cila po vazhdon në kuadër të konfliktit.

Në anën tjetër vazhdojnë në YouTube të mos shfaqen projektet muzikore që reperët i kanë punuar në On Records.

Meti i “On Records” kërkon 1.4 milion euro nga Mozzik dhe Getinjo Read More »