Aurora

Administrata, asnjë regjistër për emërimet dhe shkarkimet e nëpunësve

Ende sot — një ndër pikat kyçe të reformës — ndërtimi i një baze të dhënash qendrore të të gjithë nëpunësve civilë mungon.

Gjetjet e raportuara më herët u konfirmuan nga Raporti i përpiluar nga SIGMA, nisëm e BE-së dhe  Forumit për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD) për monitorimin e ecurisë së reformës në administratën publike për 6 vendet kandidate në BE, përfshirë dhe Shqipërinë.

Raporti, “Parimet e Administratës Publike: Shqipëria” shkruan se në Shqipëri nuk ka të dhëna në lidhje me “qarkullimin vjetor të nëpunësve civilë në nivelin e administratës qendrore”, që do të thotë se qeveria nuk ka të dhëna se sa nëpunës janë punësuar ose shkarkuar që nga fillimi i reformës.

Me tej, raporti tregon se në vitin 2015 nuk ndryshoi asnjë prej drejtuesve të lartë  (0 përqind) të qeverisë, ndërsa në vitin 2016 u ndryshuan vetëm 2 përqind e tyre. Ndërkohë që 16 për qind e drejtuesve të lartë u shkarkuan dhe pastaj u rishfaqën në institucione të tjera shtetërore.

Ky “rikthim” ka qenë një model i përdorur nga qeveria Rama, i cili vazhdoi edhe pas bërjes publike të Listës së Zezë nga Kryeministri Rama. Ku në bazë të së cilës Kryeministri shkarkoi publikisht drejtorët e institucioneve pa asnjë hetim apo kontroll. Shumica e atyre që u shkarkuan u rikthyen sërish në zyrat e shtetit, thjesht u zhvendosën në pozicione e institucione të tjera.

Raporti gjithashtu thekson se:

“…mungesa e rregullave specifike për të siguruar rekrutimin e bazuar në meritë, integritet dhe procedurë disiplinore, për disa grupe punonjësish që ushtrojnë autoritet publik dhe që nuk mbulohet nga Ligji për Shërbimin Civil pas ndryshimeve të miratuar në vitin 2014, mbetet një çështje shqetësuese. […]

Nuk ekziston një kuadër ligjor i njëtrajtshëm dhe gjithëpërfshirës për të siguruar rekrutimin dhe shkarkimin në bazë të meritës të atyre punonjësve publikë që nuk mbulohen nga Ligji për Nëpunësin Civil.”

Për shembull, në shumë drejtori si në atë të Doganave, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Komisionit të Prokurimeve — drejtuesit emërohen drejtpërdrejt nga Këshilli i Ministrave pa asnjë lloj vlerësimi formal paraprak.

Për më tepër, kriteret e emërimit të inspektorëve të Autoritetit Mbikëqyrës të Lojërave të Fatit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit nuk parashikohen në Ligjin për Nëpunësin Civil dhe prandaj ata nuk merren në punë bazuar në konkurse apo testime, pra në bazë të meritës.

Ky përjashtim nga ligji, sidomos në rastin e këtyre dy institucioneve shkakton qartazi keqadministrimin e institucioneve, të raportuar gjërësisht në media.

Raporti gjithashtu konstaton se është ” përmirësuar përqindja e  vendeve të lira të punës të plotësuara, por ka pasur një rënie të konsiderueshme në numrin e kandidatëve pjesëmarrës”, që do të thotë se ka më pak kandidatë që aplikojnë për një pozicion të hapur.

Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i përshtypjes së qytetarëve se është e pamundur të fitosh punë në një institucion të administratës publike, pa pasur lidhje a njohje me drejtuesit e lartë.

Në shumicën e pozicioneve më të larta në qeveri, nëpunësit janë emëruar “përmes përdorimit të procedurës së jashtëzakonshme”

Administrata, asnjë regjistër për emërimet dhe shkarkimet e nëpunësve Read More »

Tre të vegjlit ngelen jashtë në rrugë mes varfërisë, të ftohtit dhe sëmundjeve

Tre fëmijëve të Lulëzime dhe Blerim Xhafës nuk ju mungon vetëm ushqimi por gjithçka për të jetuar. Të papunë, pa ndihmë ekonomike e sociale, pa asnjë të ardhur, familjes 5 anëtarëshe ia pagoi “Fundjavë ndryshe” dy muaj qeranë e shtëpisë prej fillim janarit.

Por me të mbaruar kontrata e qerasë ata përfunduan në rrugë ditën e sotme, dhe për të mos i lagur shiu i kësaj fillim jave, po qëndrojnë në strehën e shkallëve të pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”.

Që në mëngjes “frymën” e mbajtën në bashki për të gjetur sikur edhe një ndihmë minimale, por nuk gjetën asgjë. Fëmijët po ushqehen me ato që ju falin kalimtarët në rrugë.

Fytyra u është skuqur nga të ftohtët, ndërsa prej banesës ku jetonin deri mbrëmë, kanë marrë vetëm një jorgan të cilin e kanë edhe shtroje edhe mbulesë.

Lulëzimja kërkon vetëm një kasolle mbi kokë, ku mund të fusë fëmijët e saj që i kanë përfunduar në rrugë. Blerim Xhafa tha se vuan nga turbelukozi, duhet të shkonte për mjekim në spital, por nuk ka ku lë fëmijët.

I dorëzoi dokumentet që i kërkuan për të përfituar ndihmë ekonomike, por në fund i kthyen përgjigje negative. Familja e tij nuk mund të përfitojë ndihmë financiare nga shteti.

Ata kërkojnë vetëm ndihmë, që dikush tu mundësojë qoftë edhe një kasolle mbi kokë, të mos ngrijnë së ftohti.

Të gjithë ata që munden dhe duan të ndihmojnë sado pak familjen Xhafa, të kontaktojnë në numrin e telefonit të kryefamiljarit: 0699369655

Tre të vegjlit ngelen jashtë në rrugë mes varfërisë, të ftohtit dhe sëmundjeve Read More »

Ja dieta për të prekurit nga diabeti – Mos e neglizhoni

Simptomat e diabetit përfshijnë ndjenjën e etjes, më tepër urinim, por këto janë ushqimet të cilat ju duhet t’i konsumoni çdo javë për të reduktuar shenjat e gjendjes.

Sipas Diabetes UK, menaxhimi i diabetit mund të përmirësohet duke ngrënë ushqimet e duhura. Sasia që duhet ngrënë varet nga mosha juaj dhe nga ajo se sa shumë ushtroni.

Asnjë ushqim nuk përmban të gjitha ushqyesit që ju nevojiten, kështu që gjetja e balancës ndërmjet llojeve të ndryshme të ushqimeve është kruciale.

Kjo është arsyeja pse ju duhet ngrënë çdo javë për të marrë ushqyesit e nevojshme dhe për të ulur nivelin e sheqerit në gjak.

Sipas studimeve, është e nevojshme të merren ushqime me proteina, të cilat japin energji dhe rregullojnë sistemin e tretjes.

Këtu përfshihen pastat ose orizi i egër, pasi përmbajnë më shumë fibra, të cilat ndihmojnë të mbani sistemin tuaj të tretjes që të funksionojë ashtu siç duhet.

Pacientët e prekur nga diabeti duhet të marrin çdo ditë proteina dhe të paktën dy porcione me peshk në javë. Po ashtu edhe arrat dhe farat duhet të jenë pjesë e rëndësishme e dietës, si dhe fasulet.

Pjesë e ushqimeve duhet të jenë edhe qumështi, djathi dhe jogurti, për shkak se përmbajnë kalcium, i cili është esencial për të pasur eshtra dhe dhëmbë të shëndetshëm. Po ashtu, pjesë e dietës duhet të jenë edhe perimet, të cilat janë të pasura me vitamina, minerale dhe fibra.

Ja dieta për të prekurit nga diabeti – Mos e neglizhoni Read More »

Rritet papunesia ne 5 Qarqe.Ja cili qytet kryeson …

Norma e papunësisë ra me rreth 1.2 pikë përqindje në shkallë vendi vitin e kaluar, por përkundrejt 2016-s papunësia u rrit më tej në 5 qarqe të vendit nga 12 gjithsej.

Sipas të dhënave të INSTAT, norma e papunësisë shënoi rritje më tej gjatë vitit të kaluar në qarqet e Lezhës, Vlorës, Beratit, Shkodrës dhe Fierit.

Normën më të lartë të papunësisë e ka Qarku i Vlorës, me 23.9% të forcës së punës mbi 15 vjeç. Kjo normë është gati 10% mbi mesataren kombëtare, teksa qyteti bregdetar ka të zhvilluar turizmin dhe industrinë për shkak se është edhe zonë portuale. Treguesi i papunësisë u përkeqësua më tej gjatë vitit 2017, duke shënuar rritje me 1 pikë përqindje në raport me vitin 2016.

Pas Vlorës, qarqet e Tiranës dhe Lezhës patën normat më të larta të papunësisë më 2017, me përkatësisht 16.1% secili.

Në Qarkun e Tiranës, papunësia gjatë 2017 ra me 3.4 pikë përqindje, ndërsa në Lezhë ky tregues pësoi rritje me 1.2 pikë përqindje. Sipas të dhënave të INSTAT, papunësia në Tiranë u ndikua nga rritja e numrit të të punësuarve në sektorin e bujqësisë dhe atë të industrisë, teksa punësimi në sektorin e shërbimeve ka rënë.

Po normat më të larta të rritjes se papunësisë i ka përjetuar Qarku i Beratit, ku treguesi shënoi 12.8%, duke pësuar një kapërcim 4.1 pikë përqindje brenda vitit. Sipas të dhënave të INSTAT, papunësia në këtë qark është ndikuar nga ulja e punësimit në sektorin e bujqësisë me rreth 7 pikë përqindje brenda vitit. Megjithëse në këtë qark punësimi në sektorët e industrisë dhe shërbimeve është përmirësuar, rënia në sektorin e bujqësisë nuk u kompensua.

Papunësia u rrit me 2 pikë përqindje edhe në Qarkun e Shkodrës, duke shënuar 12.4% në vitin 2017. Sipas të dhënave të detajuara nga INSTAT, në Qarkun e Shkodrës ka rënë punësimi në sektorin e industrisë.

Ndërsa qarqet që kanë shënuar rënien më të madhe të papunësisë ishin, Kukësi (4.3%), Elbasani (4.2%) dhe Durrësi (3.4%). Sipas të dhënave të INSTAT, papunësia në Kukës ra prej nxitjes së punësimit në sektorin e shërbimeve me rreth 7 pikë përqindje. Ndërsa në qytetin e Durrësit punësimi është nxitur nga sektori i shërbimeve.

Dibra, Korça dhe Elbasani janë qarqet me normat më të ulëta të papunësisë në vend, përkatësisht me 7, 7.5 dhe 8.2%.

Rritet papunesia ne 5 Qarqe.Ja cili qytet kryeson … Read More »

13 dhe 14 marsi e gjen qeverinë në qytetin e Elbasanit

13 dhe 14 marsi e gjen qeverinë në qytetin e Elbasanit, ku do të zhvillojë mbledhjen e radhës në kuadër të nismës së mbledhjeve në 12 qarqet e vendit.

Qeveria do të mblidhet mesditën e 13 marsit në një hotel në qytetin e Elbasanit. Pas përfundimit të mbledhjes, që pritet të zgjasë rreth 30 minuta Kryeministria do të dalë me deklaratë për vendimet e marra.

Pas kësaj, Qeveria niset për në fshatin Tregan, në një takim dhe drekë pune me sipërmarrësit e zonës në turizëm dhe agro-turizëm. Në orët e pasdites, qeveria rikthehet në qytetin e Elbasanit në aktivitetin “Bashkëqeverisja”, ku do të flitet për zhvillimet e Elbasanit nga 2013 deri në 2017 dhe planet deri në 2021.

Mbrëmja mbyllet me një darkë me 10 personalitetet e spikatura të qytetit, në një nga hotelet e qytetit.

Dita e Verës nis me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro që pritet t’i dorëzojë certifikatën e pronësisë Kishës Katolike dhe më pas vijon me vizitën e Ramës dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë në panari. Mesditën e 14 shkurtit është parashikuar rikthimi në Tiranë.

13 dhe 14 marsi e gjen qeverinë në qytetin e Elbasanit Read More »

70-vjeçari bëhet Hero! Rruga si i shpëtoi jetën 4 të rinjve

Lefter Gogën 70-vjeç, u bë hero për katër alpinistët e rinj të bllokuar në shpatin e thepisur të malit të Murganës. I moshuari nga fshati Vrisera në Dropull, i dha zgjidhje një situate të cilës nuk mund t’i jepnin as forcat Delta e zjarrfikësit.

Lefteri iu rikthye shpatit të thepisur pas 30 vitesh që jetonte në emigrim dhe udhëhoqi forcat e shpëtimit në një rrugëtim që kërkoi rreth 5-6 orë ecje me këmbë.

“Në atë vend nuk shkonte asnjeri, vetëm unë dhe një tjetër, pasi e dinim rrugën se punonim atje. Ata kishin një zjarr të ndezur.

Ne zbritëm poshtë të lidhur”, u shpreh 70-vjeçari për Top Channel.

Katër të rinjtë ishin nisur prej fshatit Selo për të mbërritur në Sotirë nëpër një terren të thepisur malor me thyerje të forta dhe dëborë të dielën në mëngjes.

Me rënien e errësirës grupi humbi orientimin brenda një pylli të njohur si “Gështenjat e Djegura”.

Të rinjtë treguan se kishin ndezur zjarr për të përballuar natën dhe të ftohtin por u detyruan të kërkojnë ndihmë për shkak se po dehidratoheshin pas mungesës së ujit prej 12 orësh.

Një helikopter ushtarak që u thirr për ndihmë arriti vetëm të lokalizojë territorin, por nuk mundi të ulet edhe pse tentoi disa herë.

Prefekti i qarku që drejtoi gjithë operacionin tha se pa ndihmën e 70-vjeçarit gjithçka do ishte më e vështirë.

70-vjeçari bëhet Hero! Rruga si i shpëtoi jetën 4 të rinjve Read More »

BIRN:Mediat në Shqipëri uzurpim nga katër familje të mëdha. Kontroll politik

Biznes familiar – Miti i medias pluraliste në Shqipëri. Prezantohen gjetjet e studimit investigativ “Monitorimi i Pronësisë së Medias- Shqipëri. Një treg mediatik i deformuar, në duar të disa familjeve, ku pluralizmi po asfiksohet, ku nuk ka rregulla mbrojtëse per gazetaret që për të ruajtur vendin e punës përdorin autocensurën. Kjo është tabloja e zymtë e tregut mediatik në Shqipëri, mbi të cilën hedh dritë studimi investigativ,  ”Monitorim i Pronësisë së Medias – Shqipëri” i kryer brenda 3 muajve të fundit nga Rrjetet Ballkanike të Raportimit Investigativ në Shqipëri (BIRN Shqipëri) dhe Reporterët pa Kufij. Rezultatet e studimit u publikuan sot,( 13.03.2018) në Tiranë. Studimi zbulon kush e zotëron dhe kontrollon tregun, cilat janë interesat e ekonomike dhe politike të pronarëve.

Kristina Voko, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN, Shqipëri, gjatë prezantimit të studimit në fjalë, tha se ky studim shpartallon mitin sipas të cilit ” pavarësisht mangësive, mediat shqiptare përfaqësojnë një shumëllojshmëri pikpamjesh. Një grusht familjesh  arrijnë më shumë se gjysmën e publikut dhe marrin 90% të të ardhurave në tregun tonë mediatik ” theksoi ajo.

Ku po shkon media në Shqipëri?

E  zotëruar dhe kontrolluar nga disa familje, media po humbet vlerat dhe rolin e sa në një  vend demokratik, si Shqipëria që aspiron hyrjen në BE. Olaf Steenfadt, Drejtor i studimit investigativ “Monitorim i Pronësisë së Medias-Shqipëri” e sheh me shqetësim atë që po ndodh sot në Shqipëri me median.

Logo Reporter Ohne Grenzen englisch

“Pas dekadash të tranzicionit dhe përpjekjeve të shumta nga aktivistë të shoqërisë civile brenda Shqipërisë si edhe të kontributeve të konsiderueshme të bashkësisë ndërkombëtare, peizazhi i medias duket se rrëshqitet dhe po ikën larg nga rruga e pavarësisë, pluralizmit dhe qëndrueshmërisë “, theksoi ai në prezantimin e gjetjeve të studimit të përbashkët të BIRN dhe Gazetarëve pa Kufi..

“Ne u bëjmë thirrje elitave politike të Shqipërisë të kuptojnë vlerën e një sektori mediatik vërtet të shëndetshëm dhe të veprojnë si duhet duke pasur parasysh përpjekjet e vendit për të hyrë në Bashkimin Evropian.” theksoi Olaf Steenfadt

Autoriteti i Mediave Audio-Vizuale firmos monopole me licensat dixhitale

Gjetjet e studimit tregojnë nivele jashtëzakonisht të larta përqendrimi të tregut mediatik shqiptar. Katër pronarët kryesorë në median televizive kapin gjysmën e publikut/audiencës totale, nga 48.93% në 58.60%. Tri familje mbajnë pesë licensat e transmetimit digjital, nga të cilat vetëm një familje ka marrë tri licensa. Në këtë mënyrë Autoriteti Rregullator i Medias, praktikisht, ka nënshkruar një monopol, vëren studimi i sapopublikuar.

Symbolbild Medien (picture alliance/dpa/Jörg Carstens)

Në Radio, përqëndrimi i publikut është edhe më i lartë, me katër pronarë, që kontrollojnë pothuajse dy të tretat (63.69%) e audiencës. Një nivel mesatar përqëndrimi, studimi vëren vetëm në shtypin e shkruar ku katër pronarët kryesorë kanë lexues të kombinuar në masën 43.29%. Tetë pronarë kryesorë në TV, median e shkruar, radio dhe internet kapin një audiencë nga 72,1% në 80,1%.

Përqëndrimi i lartë i tregut mediatik vetëm në disa pronarë

Tregu shqiptar i medias është i vogël dhe i mbingarkuar dhe si pasojë ndodhet nën një  presion të ashpër ekonomik, vëren studimi. Mediat e shkruara rezultojnë të kenë më shumë se 200 tituj. 12 të përditshme kanë një pronar të vetëm, që zotëron mbi 54% të tregut. Botuesit e katër gazetave kryesore kontrollojnë 86.5% të tregut të shtypit të shkruar , të kombinuar. Të dhënat financiare tregojnë se pjesën e luanit nga të ardhurat e  marrin disa familje të fuqishme, që zotërojnë grupet e medias. Përqëndrimi në tregun komercial të  katër pronarëve më të mëdhenj shkon në 89.6% – ku vetëm dy më të mëdhenjtë kontrollojnë më shumë se dy të tretat e tregut ose 71.7% të tregut – dhe arrijnë në 94% nëse përfshihen edhe ofruesit e rrjeteve digjitale dhe transmetuesi publik.

Ligje që anashkalohen, nene që shfuqizohen

Megjithëse tregu audio-vizual rregullohet me ligj, shumica e ekspertëve të medias e perceptojnë organin e tij rregullator, Autoritetin e Mediave Audio-Vizuale, (AMA) si një institucion nën ndikimin e drejtpërdrejë ose të tërthortë të aktorëve politikë dhe të korporatave.

Studimi investigativ i referohet një rregulloreje specifike në ligjin për media audio-vizive, e cila  kufizon sasinë e aksioneve dhe të drejtave të votimit në çdo kompani televizive shtesë, si dhe sasinë e reklamave, por këto kufizime duket të paqarta dhe në ligj nuk ekziston një përkufizim i qartë i monopolizimit të medias. Sipas studimit ka një sërë rastesh, ku, me anë të pronësisë së familjeve dhe strukturave të ndryshme të korporatave, synimi origjinal i ligjit është anashkaluar lehtësisht.

Symbolbild Reporter ohne Grenzen 2013 Türkei Platz 154 (Getty Images)Shumë gazetarë për shkak të presionit nga pronarët e mediave me interesa politike dhe ekonomke zgjedhin autocensurën.

Sipas gjetjeve të studimit, një nen i rëndësishëm, që kufizonte deri në 40%  sasinë e aksioneve që mund të merrte një personi apo entitet në një stacion televiziv kombëtar, u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016,

Presione ndaj gazetarëve – autocensura si mjet mbrojtës

Studimi investigative zbulon se në Shqipëri kontrolli politik mbi mediat është i lartë. Audienca që kapin pronarët e mediave me lidhje politike varion nga  65,18%  deri në 75,86% . Shumë gazetarë për shkak të presionit nga pronarët e mediave me interesa politike dhe ekonomke zgjedhin autocensurën. Klima e medias në Shqipëri është gjithashtu nën presion nga një sërë faktorësh, duke përfshirë kompanitë e mëdha të reklamave dhe institucionet qeveritare. Gjithsesi, asnjë nga këta faktorë të jashtëm nuk ndikon për t’i shtyrë gazetarët drejt autocensurës aq sa ndikojnë interesat politike dhe  ekonomike të pronarëve. Sipas studimit 80% e gazetarëve në Shqipëri e konsiderojnë të ulët sigurinë e punës së tyre duke lidhur në mënyrë të qartë kushtet e punës me fenomenin e përhapur gjerësisht të autocensurës, si një mjet mbrojtjeje. (DW)

BIRN:Mediat në Shqipëri uzurpim nga katër familje të mëdha. Kontroll politik Read More »

Deklarata e fortë në emision! “Rama do iki vetë, Xhafaj do bëhet kryeministër”

Një deklaratë e fortë është bërë nga avokati dhe kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar Idajet Beqiri që është në koalicion me Partinë Socialiste.

“Fatmir Xhafaj mund të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit”, u shpreh ai gjatë emisionit “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku.

1

 “Nuk është çudi që falë rezultateve që Xhafaj ka si ministër i Brendshëm në luftë ndaj krimit, por edhe nga mbështetja që ai ka marrë nga partnerët ndërkombëtarë të jetë një ditë kryeministër. Natyrisht që Edi Rama do ketë një ditë një fund kohor në detyrën e shefit të qeverisë dhe nuk është çudi që ai të ikë edhe vetë. Në këtë mënyrë, duket se Fatmir Xhafaj do jetë kryeministër” tha Idajet Beqiri gjatë emisionit.

Mik në rini me Xhafën, Beqiri tregoi se dikur ministri aktual i Brendshëm ka qenë vartësi i tij në gjykatën e Krujës kur Beqiri ishte kryetar i kësaj gjykate dhe Xhafaj gjyqtar.

“Kemi qenë të dy gjykatës, por edhe anëtarë të Byrosë së Komitetit Qendror të Rinisë së asaj kohe. Unë e njoh shumë mirë Fatmir Xhafën dhe kam vlerësimin maksimal për të. Gjithnjë ka qenë korrekt, i përkushtuar dhe i vlerësuar në punë”, tha Beqiri.

Deklarata e fortë në emision! “Rama do iki vetë, Xhafaj do bëhet kryeministër” Read More »