Aurora

Sa më shumë like në Instagram? Ja kur duhet t’i postoni fotot

Të gjithëve na ka ndodhur që në disa foto marrim shumë like në Instagram, e në disa të tjera “dështojmë” plotësisht. Por mos u shqetësoni, pasi nuk është as faji juaj, e as i fotos.

Një hulumtim i fundit që ka analizuar 61,000 postime në Instagram ka arritur në konkluzionin se orari kur hidhen fotot luan një rol kyç në suksesin e saj. Por më e çuditshmja është se në ditë të ndryshme, fotot duhen hedhur në orare të ndryshme.

Ditën e diel dhe të mërkurë momenti perfekt për të hedhur një foto është ora 17:00, ndërsa të hënën mund ta postoni në orën 19:00 ose 22:00. Të martën postoni gjithmonë foto ose në orën 15:00 ose në orën 22:00, ndërsa të premten në 13:00 dhe 20:00.

Ndërsa ata që pëlqejnë ta gdhijnë të shtunën në diskoteka, mund t’i postojnë fotot në 12 të drekës ose në 2 të mëngjesit.

Këtu është ndarja:

E hënë: 19:00-22:00
E martë: 15:00-22:00
E mërkurë: 17:00
E enjte: 07:00-23:00
E premte: 13:00-20:00
E shtunë: 12:00-2 të mëngjesit
E diel: 17:00

Sa më shumë like në Instagram? Ja kur duhet t’i postoni fotot Read More »

Shqipëria “thyen” një rekord, ja për çfarë zë vendin e parë në botë

Shqipëria përgjithësisht është nga fundi për çdo renditje, si p.sh. për të ardhurat për frymë, për cilësinë e ajrit, për keqqeverisjen, për ambientin për të bërë biznes e kështu me radhë.

Por, ka një renditje ku ne “shkëlqejmë”, atë të kafeneve, – që i gjen me shumicë dhe shpesh të mbushura plot në çdo cep të kryeqytetit dhe të Shqipërisë – për numër popullsie. Sipas të dhënave më të fundit të Anketës Strukturore të INSTAT-2016, në Shqipëri numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18,795 (14,200 bare dhe 3,965 bar restorante), me një rritje prej 6.3% në raport me vitin e mëparshëm (janë hapur rreth 1200 bar-kafe të reja në një vit dhe janë mbyllur 96 bar-restorante)

Në raport me popullsinë prej 2.87 milionë banorësh, në Shqipëri ka 654 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, ose 1 bar kafe për 152 banorë.

Shqipëria ia kaloi në 2016-n edhe Spanjës, e cila deri tani mbante rekordin në Bashkimin Europian (BE) dhe në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banorë, me 592 bar kafe për 100 mijë banorë, ose një bar-kafe për 169 banorë, sipas një studimi të fundit të BE.

Deri një vit më parë, Shqipëria ishte në vend të dytë në botë pas Spanjës, por në Spanjë katër vitet e fundit janë mbyllur rreth 70 mijë bare e restorante për shkak të krizës, sipas mediave spanjolle (Spanja ka 47 milionë banorë).

Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta. Në katër vjet 2013-2016, sipas të dhënave të INSTAT, janë hapur 4,569 bar-kafe dhe 1,160 bar-restorante të reja (shiko grafikun për tendencën e çdo viti), ndërkohë që popullsia është në tkurrje. Me krizë apo pa krizë, baret vazhdojnë të hapen, njerëzit vazhdojnë t’i frekuentojnë, duke bërë që të huajt të habiten me numrin e madh të tyre dhe kohën që shqiptarët shpenzojnë në to sidomos përgjatë ditës.

Nëse bëhet sërish një krahasim me Spanjën, baret atje janë të përhapura në zonat turistike, p.sh., në Gran Canaria, ka 547 pabe dhe kafe për vetëm 23,000 rezidentë – pra një për çdo 43 persona. Në Shqipëri janë në mes të qytetit dhe më shumë se gjysma në kryeqytet.

INSTAT raportoi se në Shqipëri ka gjithsej 108 mijë biznese aktive, dhe bar-restorantet përbëjnë rreth 17.5% të tyre. Kapaciteti total i gjithë bareve e restoranteve në Shqipëri është 726 mijë vende (28% e tyre në restorante), çka do të thotë që në gjithë baret e restorantet e vendit mund të ulet njëkohësisht më shumë se një e katërta e popullsisë së vendit.

Hapja e bareve e kafeneve ka qenë një alternativë e lehtë biznesi për këdo, pas viteve ’90. Të hapje një bar-kafe, edhe poshtë pallatit, ka qenë forma më e thjeshtë që shumë shqiptarë menduan të bënin para, apo thjesht edhe të mbijetonin. Ndonëse shumë falimentojë, edhe më shumë hapen të reja.

Në Europë, pas Spanjës dhe Shqipërisë, për nivel të lartë baresh renditet edhe Qipro, me rreth 470 bare për 100 mijë banorë (edhe në Qipro ka pasur mbyllje për shkak të krizës).

Në fqinjin Itali, sipas FIPE (Federazione Italiana Pubblici Esercizi) ka rreth 250 bar-kafe për 100 mijë banorë, apo gati sa gjysma e Shqipërisë. Pjesa më e madhe e bareve e restoranteve përqendrohen në qendër të qytetit, ku është përqendrim i lartë i turistëve, por vështirë të gjesh një bar në çdo cep, siç ndodh në Shqipëri.

Në Amsterdam ka 63.5 bare për 100 mijë banorë, sipas Trade Association for Horeca and Catering, në Berlin 36, në Bruksel 148.3, në Londër 32, në Stamboll vetën 2.1, në Nju Jork 32.5, në Paris 27.2, Stokholm 19.1, në San Paolo 133.3. Më i lartë është në Seul me 186.4, Tokio 216.5, Rio De Janerio 191 etj.

Në botë, bar-kafetë po ndryshojnë përtej tradicionales, për t’iu përshtatur shijeve të reja të konsumatorëve. Shumë po ofrojnë mëngjes, lëngje frutash e perimesh dhe të kombinuara, produkte pa gluten, ushqim vegjetarian dhe vegan, xhin të specializuar, kokteje, birrë artizanale, etj.

Edhe në Shqipëri ka disa tendenca për të futur risi, si lokalet e ëmbëlsirave, apo yogurt, lëngjet e koktejet, lokale të specializuara për lëngje të freskëta, por në pjesën më të madhe ato mbeten tradicionale, ku produkti më i konsumuar është kafeja, që kushton mesatarisht 60-80 cent të euros, ndër më të lirat në Europë. Linjat e lokaleve me hapësira të mëdha, po zgjerohen gjithashtu, duke u bërë më të preferuara në krahasim me baret e vogla të lagjeve.

Shqipëria “thyen” një rekord, ja për çfarë zë vendin e parë në botë Read More »

Bashkimi kombëtar/ Pas deklaratës së Ramës, Princ Leka bën një tjetër deklaratë surprizë

Nje dite me pare, kryeministri Edi Rama ishte ne Prishtine ne nder te festimeve per 10 vjetorin e Kosoves si shtet i Pavarur, nga ku tha edhe se Shqiperia e Kosova do te kene nje president simbol te unitetit kombetar.

Kjo ide ka ngacmuar edhe pasardhesin e Lek Zogut te Pare.

Ja cfare shkruan ai ne rrjetet sociale:

Bashkimi Kombëtar ka qënë, është dhe do të jetë ëndra dhe përpjekja e Familjes Mbretërore brez pas brezi, madje edhe kur nuk guxonte askush tjetër ta artikulonte! Realizimi arrihet me Kurorën Mbretërore në dy shtete si simbol i këtij uniteti. Kjo do të ishte logjika e stabilitetit real, traditës dhe prosperitetit të vërtetë, sic e sygjerojnë shembujt e padiskutueshëm të suksesit në vendet më të zhvilluara perëndimore.

princi-leka

Bashkimi kombëtar/ Pas deklaratës së Ramës, Princ Leka bën një tjetër deklaratë surprizë Read More »

Deklarata e Ramës në Kosovës. Reagojnë Krasniqi dhe Berisha: Matrapaz…

Dy profesorët e Universitetit të Prishtinës, Milazim Krasniqi dhe Ibrahim Berisha kanë dalë kundër idesë së Edi Ramës për një President të përbashkët për Kosovën dhe Shqipërinë.
Krasniqi e ka quajtur Kryeministrin e Shqipërisë aventurier, të pabesë dhe përçarës derisa Berisha ka thënë se udhëheqja e Kosovës nuk duhet të nënshtrohet para matrapazve qeveritarë nga Shqipëria.

“Edi Rama është aventurier. Është përçarës. Është i pabesë. Të tilla i ka të gjitha iniciativat e deritashme në drejtim të Kosovës. Të tillë e pati propozimin edhe sot në Prishtinë. (Sapo BE-ja e ka veçuar nga Serbia rrugën e Kosovës drejt integrimit, ky tipi synon ta mjegullojë e të mbulojë atë rrugë me dilema të tjera.Synon të frikësojë BE-në, me gjoja “qëllimet e fshehta” të Kosovës!!!) Pra, iniciativat e tij kanë vetëm një qëllim: të dobësojnë shtetin tonë e të inkurajojnë armiqtë e tij. Qaq. Prandaj askush nuk duhet ta marrë seriozisht, asnjë propozim të Ramës. As këtë të fundit, sepse edhe ky është hileqar”, ka shkruar Krasniqi, në një reagim, pas propozimit të Ramës.

Edhe profesori i Sociologjisë, Ibrahim Berisha ka thënë se përpos matrapazëve qeveritarë nga Shqipëria kujdes duhet patur edhe nga dinakëve nacionalistë të Serbisë.

“Shoqëria, shteti i Kosovës, meriton qeveri dhe udhëheqje të dinjitetshme që nuk është inferiore dhe e nënshtruar ndaj matrapazve qeveritarë të Shqipërisë dhe dinakëve nacionalistë qeveritarë të Serbisë”, ka shkruar Berisha,

Edhe Partia më e madhe në Kosovë, LDK, ka dalë kundër një ideje të tillë. Madje, Avdullah Hoti e ka quajtur një mosrespket ndaj Kosovës një ide të tillë të ardhur nga udhëheqësi i Shqipërisë.

“Propozimi i Edi Ramës për president mbarëkombëtar është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në BE dhe NATO”, ka shkruar Hoti, në një reagim në FB.

Ndërkohë, avokati Dastid Pallaska, Avokati Dastid Pallaksa ka reaguar ndaj idesë së Edi Ramës për një President kombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë si ide e cila mund të realizohet në dhjetë vitet e ardhshme.

Por, Pallaska thotë se Kosova dhe Shqipëria në dekadën e ardhshme mund të krijojnë vetëm një institucion që mund t’i pensiononte patriotët e karrierës. Pastaj të njëjtit të përfundonin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyzë ose në Burrel.

“Të vetmin institucion të përbashkët që munden me e kriju Kosova dhe Shqipëria në 10 vitet e ardhshme është një “dhomë e lartë e dy parlamenteve” ku do të kishin mundësi me u pensionu të gjithë patriotat e karrierës nga të dy vendet. Për seli mundemi me bisedu. Është Dyzi por edhe Burreli nuk është vend i keq”, ka shkruar Pallaska.

Shefi i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka propozuar një President gjithëkombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

Këto dy propozime, Rama i ka bërë gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, për nder të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta po pse jo një president simbol të unitetit kombëtarë dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, ka thënë Rama, në fjalimin e tij, shkruan Gazeta Express.

E ka pranuar se një ide e tillë nuk është e realizueshme tash po ka thënë se edhe dicka që ëndërrohet mund të realizohet.

“Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, ka shtuar ai.

Deklarata e Ramës në Kosovës. Reagojnë Krasniqi dhe Berisha: Matrapaz… Read More »

Rama manipulon me ndjenja kombëtare në Kosovë

1. Kur gjuha e politikës nuk ka më kuptim

Çfarë pamë këtë fundjavë të shënimit të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës? Pamë, sërish, se si kjo klasë sunduese dhe eksploatuese politike ka arritur ta degradojë gjuhën. Ta zhvlerësojë atë. T’ia humb kuptimin.

Nga foltorja e parlamentit dhe nga studiot televizive sunduesit flasin për qeverisje të mirë dhe qytetarëve para syve u shfaqen hotelet e shtrenjta në St. Moritz, këta flasin për prosperitet ekonomik dhe qytetarët i shohin aferat korruptive, këta flasin për barazi sociale dhe qytetarët i shohin (edhe në Instagram) pinjollët e sundimtarëve të Kosovës nëpër pista skijimi në Zvicër dhe plazhe të Floridës, këta flasin për demokraci dhe qytetarët shohin degradimin institucional, këta përbetohen se «tani do të qeverisim vërtet në interes të qytetarëve» dhe qytetarët këtë e përjetojnë si fyerje, sepse tashmë i kanë parë që nga viti 1999 se çfarë kanë bërë dhe çfarë nuk kanë bërë, kur këta thonë «kemi ndërtuar një shtet demokratik, funksional, efektiv» qytetarëve u kujtohen njerëzit me muskuj që kurdisin tenderë me fjalët «Mshoj gjanarski jarani jem» ose «Kqyre se s’mujta me të thirrë… m’u ka zbraz krejt fyti…».

Zhvlerësimi i gjuhës është pasojë e korruptimit të sistemit. Nuk kemi të bëjmë vetëm me politikanë të korruptuar, por me sistem të infektuar nga korrupsioni dhe me jo pak qytetarë të gatshëm të bashkëjetojnë me këtë sistem dhe ta shohin atë si kësmët, jo si kiamet. Kësisoj gënjeshtrat e pushetit janë shndërruar në hata parazitare, të cilat gërryejë e shkatërrojnë besimin dhe ia humbin gjuhës karakterin komunikues.

2. Rrëmuja retorike e Ramës

Gjatë fundjavës nuk pamë vetëm zhvlerësues të gjuhës, pamë edhe një mjeshtër të retorikës si Edi Rama, i cili talentin e tij e keqpërdorë për mesazhe populliste.

Ndërsa vendi i tij që nga viti 1945 ka nënshkruar pothuaj çdo akt ndërkombëtar që garanton kujfijtë në Ballkan dhe që nga viti 1990 me devotshmëri ka pranuar çdo marrëveshje ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve në Ballkan (Daytoni, Rambouillet, Ohri, Vjena), kryeministri i Shqipërisë kur vjen në Prishtinë ose kur jep intervista përherë sillet si njëfarë «babai i kombit» – pa mandat. Dhe çka duhet pritur nga baballarët e kombit?

Natyrisht gjëra të mëdha. Edi Rama po sillet si inxhinier që cakton kufijtë dhe manipulon me ndjenja kombëtare. Këtu nuk dallon shumë nga popullistët e tjerë ballkanikë, të cilët po ashtu ëndërrojnë të ndajnë Kosovën. Është një retorikë tashmë bajate: «Do të kemi një president të përbashkët», «do të jemi bashkë», «kemi një ëndërr».

Ndërkohë që te Kukësi lopët ende dalin në korzo në autostradë, sepse shteti nuk është në gjendje të rregullojë atë pjesë të autostradës, ndërkohë që revista gjermane si «Stern» e përshkruajnë Shqipërinë si vend në duar të bandave të drogës dhe si shtet ku baronët e drogës me pëlqimin dhe përkrahjen e politikës shndërrohen në pronarë të bashkive, zonave turistike, hoteleve, ndërkohë që qindra shqiptarë po ikin nga parajsa e Edi Ramës dhe paraardhësve të tij në post dhe me javë të tëra po presin në tenda në fshatra të Spanjës për t’u futur në kamionë dhe kaluar ilegalisht në Britaninë e Madhe. Në paradën e tij për vizatim të kufijve Rama nënçmon secilin.

Politikanët e Prishtinës? Lopë e loparë! Vjen në parlamentin e Kosovës, mban fjalim dhe nuk e përmend ideatorin e shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Pastaj ka kosovarë, si ndonjë këshilltar të kryeministrit kosovar, që e humbin kontrollin dhe e quajnë Edi Ramën jo më pak se të droguar – një akuzë që e ka dëgjuar shpesh edhe nga Sali Berisha.

Kështu vërtet jemi një: vokabulari politik po harmonizohet. Ndërkohë që klanet ekonomike dhe oligarkët i favorizojnë prodhimet e Serbisë në tregun e Kosovës – të asaj Serbie që ka vrarë së paku 10 mijë shqiptarë, shumica civilë.

E bllokuar mbetet edhe linja e interkoneksionit. Kush po e bllokon? Beogradi. Kush po hesht? Sundimtarët e Tiranës dhe Prishtinës.

3. Himni

Albin Kurti sot ishte në seancën solemne të Kuvendit – ndonëse sipas dëshmitarëve ai erdhi me vonesë, me gjasë për të pritur derisa të intonohet himni i Kosovës. A keni parë këso situatash absurde në ndonjë vend të botës?

Opozitari që dëshiron të bëhet kryeministër nuk vjen me kohë për shkak se nuk i pëlqen himni. Sepse ai çohet në këmbë vetëm kur intonohet himni i Shqipërisë!

Disa mbështetës të Kurtit madje nuk u panë fare në seancë. Ndoshta kanë shkuar në zonat e tyre elektorale në Skrapar, Kurvelesh e Mallakastër për të përgatitur kandidaturat për Kuvendin e Madh Kombëtar.

Çdo tendencë e Vetëvendosjes për të bojkotuar shtetin e Kosovës mund t’i kthehet asaj si bumerang. Sepse shteti kurrë nuk duhet ngatërruar me kusarët e cubat që mund ta sundojnë. Nuk është Kosova projekt i përkohshëm.

Mund të shndërrohet nëse ka pajtim shoqëror në Kosovë për ta shkatërruar atë dhe për ta ndarë territorin mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Ndërkohë që Shqipëria si anëtare e NATO-s ka garantuar kufijtë dhe këtë po e bën çdo ditë në procesin e integrimit në BE. Njerëzit në Kosovë nuk janë budallenj.

Duan të jetojnë të qetë, pa konflikte dhe të pashqetësuar nga Serbia dhe nga përrallat për bashkim kur shteti i Kosovës për shkak të zhvillimeve gjeostrategjike nuk është konsoliduar ende dhe me këto telashe do të ballafaqohet edhe në të ardhmen.

Si të bindet një shtet të pranojë Kosovën kur ka politikanë që këtë shtet e shohin si diçka të përkohshëm?

Deri dje u zhvillua loja me flamur, sot lojërat me himn. E Kosova ka halle tepër më të mëdha. Por ndoshta pas një kohë edhe Albin Kurti e kupton se pavarësia e Kosovës e forcon Shqipërinë.

Titulli është i redaksisë. Titulli origjinal “Mirëdita, Absurdistan!

Rama manipulon me ndjenja kombëtare në Kosovë Read More »

Policia merr urdhër urgjent për operacionin e pazakontë, shikoni çfarë liroi në Pukë

Padyshim që ka qenë një aksion tepër i pazakontë ai që ka zhvilluar Policia e Pukës në fshatin Berishaj të këtij rrethi.

Ai ishte një operacion jo për të kapur ndonjë të kërkuar, por për të liruar një shqiponjë.

Ky aksion policor mori shkas nga denoncimet në rrjetet sociale të ambientalistëve, të cilët kishin nxjerrë një video të një shqiponje të lidhur nga këmbët.

Pas denoncimit, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, urdhëroi një grup të gatshëm të komisariatit të Pukës, që të verifikonte rastin në fjalë.

Pas mbërritjes së efektivëve në fshatin Berishaj u bë i mundur lirimi i shqiponjës, moment i cili është fiksuar në një video.

Ky është nga aksionet e rralla të policisë.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=8gw2OY5u10o]

Policia merr urdhër urgjent për operacionin e pazakontë, shikoni çfarë liroi në Pukë Read More »

FBI ka zbuluar 5 miliardë euro pasuri të vjedhura/ Avokati plas ‘bombën’: Rama po kërkon ndihmën e Erdogan për ti shpëtuar embargos së SHBA

Avokati Spartak Ngjela ka sulmuar sërish elitën politike duke theksuar se po bllokojnë integrimin e Shqipërisë.

Në një postim në rrjetin social ‘facebook’ Ngjela shënjestron Metën, Berishën për të cilët thotë se po i vinë qark e vërdallë për të gjetur mbështetje në Beograd dhe Athinë, e ndërsa për Ramën duke thënë se është lëshuar drejt Stambollit.

Ngjela gjithashtu bën me dije se sipas tij deri tani, FBI ka gjetur mbi 5 miliardë Euro e Dollarët të korrupsionit shqiptar; ajo ka identifikuar mijëra hektarë te grabitura me imponim shtetëror.

Postimi i plotë:

Midis kohës që vjen dhe kohës që ikën, është një veprim i dukshëm dhe me sukses shoqëror ai që e bën një njëri të panjohur të njohur.

Por, që koha të ndryshojë për një shtet a për një komb, në mënyrë që ky të dalë pastaj nga stanjacioni ekonomik: forca duhet të flakë njerëzit që e bllokojnë gjendjen me stanjacion të imponuar.

Shqipëria sot është në stanjacion, dhe ka njëzet vjet kështu.

Ç’duhet bërë?

l.

Korrupsioni ka bllokuar gjithçka. Është nivel i i ulët i intelektit politik shqiptar që ka sjellë këtë gjendje. Por, edhe pse sot, me ndihmë ndërkombëtare është formuluar juridikisht deri në një kushtetutë të re Reforma shqiptare, sërish ajo ka pengesa.

Pengesat vijnë nga pushtetarët e korruptuar, të cilët tani, edhe pse zihen në debate fyese me njëri-tjetrin, janë të bashkuar kundër Reformës.

Ata që nuk kanë pushtet ekzekutiv, Meta dhe Berisha, vinë qark e vërdallë për të gjetur mbështetje në Beograd dhe Athinë, kurse Edi Ramë është lëshuar drejt Stambollit, për të garantuar mjete financiare që, nëse do t’i vihet embargo nga Uashingtoni dhe Berlini për bllokimin e Reformës nga ai vetë, ky ta gjejë mundësinë e sundimit me paratë e Erdoganit.

Rama është jashtë çdo arsyeje politike, ai sot është një nën mediokër keqdashës që, në jerm, mendon se sundimi i tij është vlerë më e madhe se pasuria dhe jeta me mirëqënie e shqiptarëve.

Ja, kjo është gjëndja e sotme në Shqipërinë që po pret të reformohet.

Atëherë:

ll.

Pyetja që duhet ngritur këtu është kjo: nëse Rama e thellon këtë rrugë për të bllokuar Shqipërinë dhe për të dalë jashtë doktrinës politike perëndimore të Shqipërisë postkomuniste, për të shkuar në Lindje, çfarë pritet të bëjë kundër tij politika amerikane?

Politika amerikanë tani e ka të zgjidhur se, duke pasur me vete e në mënytë krejt të qëndueshme edhe Prokuroren e Përgjithshme, edhe ministrin e Brendshëm, madje edhe Kryetarin e Kuvendit, e ka gjithçka të zgjidhur me procedurë ligjore, pasi korrupsioni duhet të goditet me arrestimin e personave të rangjeve të larta. Rama nuk ndërhyn dot këtu.

Plus kësaj, duhet që edhe organet e vetingut të eliminojnë me veprime drastike gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

lll.

Deri tani po kuptohet se nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar gjendjen veç aksiomës së famshme të Fushesë: Arrestoni !

Në fakt kjo ka qënë rruga e ndjekur edhe në Rumani, edhe në Bullgari, por edhe në Kroaci. Prandaj sigurisht që kjo duhet të jetë edhe rruga shqiptare

Menjëherë pas pastrimit të gjyqtarëve të korruptuar, dhe pas zëvendësimit të shpejtë të tyre, duhet të nisë goditja penale drastike bashkë me konfiskimin e parave dhe pasurive të korrupsionit.

Deri tani, FBI ka gjetur mbi 5 miliardë Euro e Dollarët të korrupsionit shqiptar; ajo ka identifikuar mijëra hektarë te grabitura me imponim shtetëror. Nga kërkimet deri tani janë të gatshme për t’u konfiskuar me ligj 5 miliardë dollarë dhe euro, të depozituara nëpër banka jashtë Shqipërisë. Por janë po kështu në rrugën e konfiskimit edhe mijëra hektarët e grabitur, shumica të rregjistruarë me emra të varfërish që befas iu ka mbirë te dera një pronë.

Sigurisht që, mbi të gjitha duhet të vihet sekuestro ndërkombëtare, se në fakt këto janë para të popullit shqiptar, dhe është provë e pakundërshtueshme që këta pushtetarë të mund të depozitojnë 5 miliardë Euro nëpër bankat e huaja, pa pasur lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Është e kuptueshme gjithashtu që ky proces do të fillojë bashkë me proceset penale të krimit të organizuar shqiptar, i cili është i vërtetuar që ka qenë në partnership me korrupsionin e lartë shtetëror të të dy krahëve të politikës Shqiptare.

Kurse, Uashingtoni duhet ta ketë qartë, dhe sigurisht që e ka të qartë, që, shqiptarët do ta presin me eufori, me shprese, me besim dhe me përkrahjen e tyre masive goditjen antikorrupsion të niveleve të larta shtetërore.

Në një vështrim historik, përsëri Uashingtoni po del çliruesi i shqiptarëve; sepse sot është mëse e kuptueshme që, shpëtimin nga korrupsioni banditesk shtetëror i niveleve të larta, shqiptarët do ta konsiderojnë si një çlirim nga një zgjedhë vdekjeprurëse, njëlloj si edhe çlirimin e shqiptarëve të Kosovës nga rreziku i genocidit serb.

Në të vërtetë, ky është gjykimi më i saktë për historinë e miqësisë strategjike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

FBI ka zbuluar 5 miliardë euro pasuri të vjedhura/ Avokati plas ‘bombën’: Rama po kërkon ndihmën e Erdogan për ti shpëtuar embargos së SHBA Read More »

Babai i lutet të birit me lot në sy: Të lutem hiq dorë nga bixhozi dhe alkooli, po shkatërron familjen

Historia e parë në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, te “E diela shqiptare”, ka sjellë në studio një baba të vuajtur, jeta e vështirë e të cilit i lexohet në portret. Kjo është historia e Halimit, babait i cili si çdo prind, nuk reshti kurrë së sakrifikuari për fëmijët e tij.

Në studio ai ka thirrur të birin, Flamurin, i cili është viktimë e vesit të bixhozit dhe alkoolit. Pavarësisht këmbënguljeve të shumta të Halimit, Flamuri i ka mëshuar edhe më shumë veseve të tij, duke lënë pas dore gruan, fëmijët dhe babain i cili shpreson dhe këmbëngul që jeta e të birit të marrë një rrjedhë tjetër, duke ia bërë publikisht këtë kërkesë.

Halimi: Unë jam Halim Kapri nga Pogradeci, lindur dhe rritur atje. Historia ime është pak e trishtë. Si fillim në vitin ’93, ndërtova shtëpi në fshat, me duart e mia për qejfin tim, për të jetuar atje.

Ardit Gjebrea: Shkonte gjithçka mirë…

Halimi: Në vitin 2005, një fatkeqësi për mua, një rrëshqitje masive e tokës, një hektarë e gjysmë, brenda natës, u gjenda nja 10 metra poshtë me gjithë shtëpi brenda. Zgjohem në mëngjes, nuk i besoja vetes, nuk po i besoja syve. Gjatë natës nuk ndjeva asgjë kur rrëshqiti toka. U detyrova erdha në Durrës, u rritën kalamajtë, dy djemtë. Vetë isha në punë, kam punuar gjithë kohën në ndërtim. U shpërngula nga Pogradeci në Durrës me duar në xhepa, s’kisha asgjë me vete. Në 2010, martova djalin e parë, i tretë nga fëmijët, Flamur e quajnë.

Ardit Gjebrea: Të cilin e ke thirrur sot këtu.

Halimi: E martova, për një shkak sepse filloi të merrej me lojra fati me alkool. Linte punën, ikte. Mua nuk më pëlqente sepse isha përpjekur t’i rrisja ndryshe. E shikoja që nuk ishte në rrugë të mbarë, i flisja, herë më kuptonte, herë s’më kuptonte, herë bënte sikur s’dëgjonte, herë ulte kokën…

Filloi edhe alkoolin, punonte një muaj të tërë pastaj e merrte paratë, i fuste atje, pas 24 orësh bëhej i gjallë.

Ardit Gjebrea: Ku i fuste paratë?

Halimi: Në loto. Luante bixhoz, filloi edhe alkoolin, ishin të dyja ato që unë urreja më tepër. Ka shpenzuar në loto rreth 35 milion lek që për mua janë shumë, jashtëzakonisht shumë. Për punëtor është një punëtor që s’ka shok, po ashtu edhe specialist. Nuk arrija ta shkëpusja dot nga ai ves, herë me të mirë, herë me të keq…

Nuk donte t’ia dinte as për nuse as për fëmijë, se u bë edhe me një fëmijë pas një viti.

Ardit Gjebrea: Sa fëmijë ka Flamuri?

Halimi: Tani ka tre fëmijë, dy vajza, një djalë.

Ardit Gjebrea: Bashkëshortja i ka folur?

Halimi: Jashtëzakonisht i flet, madje që të jem i sinqertë, në korrik të vitit 2012, u shkëput nga nusja, u ndanë gjashtë muaj. Kisha shkuar në fshat, për të vjelë qershitë që kisha mbjellë vetë, vij në shtëpi marr vesh që janë ndarë.

Siç tregon edhe babai i tij, edhe sot e kësaj dite situata është po e njëjtë. Flamuri është ende viktimë e vesit të bixhozit dhe alkoolit, ndërkohë që ka lënë pas dore të shoqen dhe fëmijët. Halimi ka ardhur në studion e së dielës shqiptare t’i kërkuar që të heqë dorë nga veset e tij dhe të kujdeset për fëmijën e vogël që e ka edhe të sëmurë me sindromën down.

Mesazhi në studio:

Flamur, sido që kanë shkuar gjërat deri më tani, do t’ia lëmë së shkuarës. Sot nga ty unë kërkoj që të shkëputesh në mënyrë kategorike, nga lojrat një, nga alkooli së dyti, dhe të bësh letrat e Kempit për djalin e sëmurë. Asgjë nuk të kërkon babi tjetër, puno, jeto për vete.

Flamuri: Unë po mundohem shumë të siguroj letrat për djalin por e kam shumë të vështirë. Sa për alkoolin dhe bixhozin, si gjithë të tjerët, nuk është se e teproj…

Ardit Gjebrea: Kur është njeriu beqar, ndodhin gjëra dhe ikin me beqarinë, dhe në momentin që martohesh, ka një përgjegjësi njeriu, ndaj bashkëshortes, pastaj bëhesh me fëmije dhe disa gjëra duhet të ndryshojnë apo jo? Fillojmë nga gruaja që meriton kujdesin dhe gjithë dashurinë. Ato para që t’i bën i bën me gjak, por babait nuk i mbushen kot sytë me lot. Ai një ditë nuk do jetë më se ky është ligji i jetës, kështu do ta mbash mend…?

Pas ndërhyrjes edhe të moderatorit Ardit Gjebrea, duket se Flamuri u ndërgjegjësua për përgjegjësitë dhe situatën e familjes së tij. Ai premtoi se nuk do të konsumonte më alkool, do të braktiste vesin e bixhozit dhe do të kthente sytë nga bashkëshortja e tij dhe fëmijët të cilët kanë aq shumë nevojë për presencën dhe rolin e babait në shtëpi./tvklan.al

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=pSUEGZStxYM]

Babai i lutet të birit me lot në sy: Të lutem hiq dorë nga bixhozi dhe alkooli, po shkatërron familjen Read More »