Aurora

Besimtarë ortodoksë të qytetit të Vlorës kanë kremtuar të Premten e Zezë

Besimtarë ortodoksë të qytetit të Vlores kanë kremtuar të Premten e Zezë, e cila simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq.

Gjatë pasdites se te premtes, nga kisha e Shen Theodhorit ne Vlore është organizuar riti i kalimit nën epitaf dhe varrimi i Krishtit, pjesë e të cilës janë bërë qindra qytetarë të Vlores .

Me një marshim të heshtur, qindra persona kanë bërë parakalimin tradicional në rruget kryesore të qytetit. epitafi ka dale nga kisha per te vijuar me pas me ritualin ne rruget e qytetit te Vlores,ndersa kesaj ceremenoie i jane bashkuar dhjketra qytetare te Vlores.

Procesionin e ka udhëhequr At Konstandin Prifti,ndersa E premtja para Pashkës, e cila njihet si e Premtja e Zezë, shënon ditën e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjeve të tij me kryqin mbi shpinë, duke ecur drejt vendit ku u kryqëzua, për t’u ringjallur të dielën e Pashkës.

Besimtarë ortodoksë të qytetit të Vlorës kanë kremtuar të Premten e Zezë Read More »

I mori 65 mijë euro dhe u zhduk, administratori sot rishfaqet drejtor i Patentave Vlorë (Video)

Bezhan Rexhaj tregon se në vitin 2010 ka blerë një dyqan me vlerë 65 mijë euro nga Kreshnik Tepelena. Në kontratë thuhej se dyqani do të ishte gati për 6 muaj, por muajt u bënë vite dhe Kreshniku u zhduk, për t’u rishfaqur sot si drejtor i Drejtorisë së Patentave në Vlorë.

“Iu drejtova emisionit “Stop” për arsye se kam marrë një dyqan në lagjen “24 Maj” nga firma me administrator Kreshnik Tepelenën. Në momentin që bëmë akt – marrëveshjen, e bëmë se do të ma kthente dyqanin për 6 muaj. I pagova në dorë 55 mijë euro dhe 10 mijë euro ia kam dhënë me mandat arkëtimi. Në momentin që i dhashë paratë e fundit, më tha që brenda pak ditëve do ta mbaronte. Nga ky moment Kreshniku mu zhduk.

Pas vitit 2015 e hodha në gjyq dhe i kam marrë një shumë parash prej 20 milionë e 300 mijë lekësh si fitime të humbura”.

I mori 65 mijë euro dhe u zhduk, administratori sot rishfaqet drejtor i Patentave Vlorë (Video) Read More »

Dhia e zezë e Dukatit, kafsha që po ruhet nga zhdukja

Historia e fshatit të Dukatit sot është më shumë se ekzistuese në mendjet e banorëve të zonës. Rrëfenjat flasin për këtë fshat si një nga më të mëdhenjtë në gjithë Shqipërinë. Udhëtimi në ditët e sotme bëhet lehtazi pasi janë rrugët e shtruara me asfalt, ndërsa më parë, njerëzit janë munduar ta bëjnë këtë rrugë në këmbë, ose me kuaj kush kishte mundësi, deri në qendrën e fshatit. Në këtë vend ishte këneta dhe kullotat e Dukatit dhe asgjë tjetër. I gjithë vendi ishte një pyll i përzier me hilqe, frashër, që e bënte të pakalueshëm për njerëzit. Këneta vetë, kishte puse dhe vende ku uji ishte deri 1 deri 2 metra ujë. “Ishte e pashfrytëzuar se e bënin vetë kushtet që kombinonte me detin dhe ushqehej dhe me puset vetë. Deri në vitin 1956  nuk kish gjë prej gjëje përveç një poste policie.

Për herë të parë u ndërtuan rreth 20 apartamente ku do strehoheshin rusët që do të vinin për bazën e Pashalimanit dhe shqiptarët gjithsej 72 familje të tyre”, thotë Selami, banor i fshatit. Qyteti i Orikumit është banuar që prej 2500 vite më parë, ndërsa dukati është banuar që në kohën e Ilirëve. Në fillim, gjithë fshati  është marrë me blegtori. “Blegtoria ka qenë orientim kryesor. Ishte deti afër, por s’ka pasur peshkatarë të shquar. Blegtoria është të jesh edhe punëtor edhe dembel. Ka qenë e përhapur që në cep të Karaburunit deri në Llogara sipër. Kur u kolektivizua  në vitin 1955 u grumbulluan fshatrat.  Pastaj ishte nevoja e një qendre urbane dhe u krijuar Orikumi”, thotë Skënderi, blegtor i Dukatit. Fshati i Dukatit në blegtori është i dalluar ende sot. Dhia e zezë që vazhdon të rritet në kullotat e maleve të Llogarasë mban kurorën e mbarë Shqipërisë për cilësinë e mishit dhe prodhimin e qumështit.

Ndërsa, blegtorët gjenden përditë në male. Dita e tyre nis që me zbardhjen e diellit. I vetmi pushim është ai i drekës, ku edhe dhitë mbyllen për pak orë në stane. Pastaj, rutina vazhdon po njësoj. Sapo kalon piku i vapës, fillon edhe ngjitja në male. Llogaraja ka kullotat më të mira për dhinë e zezë, jo vetëm për shkak të bimësisë, por edhe të detit. Përmbajtja e jodit dhe përthithja e tij nga kafshët ndikon pozitivisht në pjellorinë e dhive të zeza të Dukatit. Tringëllima e këmborës njofton që jemi afër një kopeje. Tanush Bodoj, blegtorin më të madh të Dukatit e takojmë në mes të maleve. Ndonëse gjithë ditën në lëvizje ai nuk dukej i lodhur. “Mirë se erdhët. Më në fund miq për mua se vetëm dhi dhe cjep kam pasur deri më sot”, thotë Tanushi me humor, teksa ngrihet  nga vendi ku ishte ulur dhe merr në duar shkopin e çobanit. Muzika labe e shoqëronte kudo. Simfonia e saj dëgjohej nga një radio e vogël, të cilën Tanushi e mbante përherë me vete. “Ja, kjo traditë na mban gjallë, si në muzikë dhe kudo. Blegtoria është një traditë më vete.

Brezat sa vijnë e ndryshojnë, por disa vlera duhet të mos i zhdukim”, thotë ai, ndërsa na tregon edhe për aktivitetin e tij në blegtori. “Unë kam pasur përherë në tufat e mia dhinë e zezë të dukatit. Është një racë autoktone, e cila duhet ruajtur. Ka ardhur në  këtë vend që në vitin 1944 dhe që prej asaj kohe nuk është larguar. Megjithatë, numri i krerëve ka qenë më i madh. Numëroheshin rreth 120 mijë krerë dhi të zeza. Unë, sot kam në kopenë time rreth 1300 krerë, prej të cilave marr rreth 150 litra qumësht në vit nga një dhi. Është me leverdi, pavarësisht lodhjes që ka. Mbi të gjitha është traditë. Pjellshmëria e kësaj race është 97 % dhe kjo është pozitive. Nuk i shes dhitë e zeza të gjitha sepse i mbaj, i rinoj, i shtoj akoma më shumë.  Ne, vlonjatët,  jemi pak krenarë për gjërat tona. Kudo e tregojmë, por dhe e ruajmë të veçantën që kemi”. Dhia e Dukatit është me trup të shkurtër. Manteli i kësaj dhie është kryesisht i zi, për ka edhe individë të zinj me lara të bardha, apo krejtësisht me ngjyrë bezhë.

Një karakteristikë tjetër e këtij individi të botës shtazore në dallim nga speciet e tjera, është edhe fakti se femrat dhe meshkujt janë të pajisur me brirë, gjë që u jep atyre një pamje tërësisht të veçantë. “Në tufën time janë më së shumti femra, por kohët e fundit kam shtuar edhe cjepët. Mbaj rreth 80 cjep çdo vit. Shitja, më tej ka rendimentet e saj, por deri më sot ka qenë në nivele të mira. Unë, shes rreth 400 keca në vit. Përafërsisht një kec mund të më japë rreth 6000 lekë. Keci është 10 kg më e madhi në peshë, por është sipas periudhës. Mesatarja e peshës është 8 kg. E rëndësishme është që ka kërkesë. Jo vetëm mishi i dhisë, por edhe qumështi tregtohet. Djathi ka kërkesë akoma më tepër sepse e përpunojmë vetë në mënyrë artizanale, pa baxho. Njerëzit vijnë dhe e kërkojnë në shtëpi. Nuk ka si bulmeti që bën vetë”, thotë Tanush Bodoj.

Kërkesa për certifikim

Një prodhim i mirë, megjithëse njeh shitje duhet të japë edhe siguri. Agronomi i fshatit të Dukatit, Selim Askoçela thotë se veçantia e këtij fshati në mbarështimin e dhisë së zezë të Dukatit si edhe prodhimit të mishit dhe bulmetit të marrë prej tyre, duhet të marrë një pullë të kontrolluar, e cila të tregojë prejardhjen e produktit dhe cilësinë e tij. “Raca e tufave është e përzier, por dominon dhia e zezë. Ka prodhimtari të lartë. Dukati i ka marrë përmasat dhe mendohet të kapë shifrat e periudhës së mëparshme duke plotësuar nevojat. Kemi hedhur idenë që zona të bëhet jo vetëm turistike, por edhe të ketë patentën e saj në produkte, duke garantuar prodhim të kontrolluar dhe e certifikuar. Të njihet me emrin e Dukatit”, thotë Selim Askocela.

Trim Askocela: Blegtorët po tregojnë kujdes për dhinë autoktone

Cilësitë pozitive të dhisë së zezë së Dukatit, e mirënjohur në gjithë vendin për vlerat e saj si në prodhimin e qumështit dhe të mishit duket se janë nën një kujdes të mirë. Blegtorët zotërojnë mesatarisht 700 krerë dhi në fermat e tyre. Megjithatë, edhe pse me një eksperiencë të gjatë në këtë fushë, sërish kujdesi për kafshët duhet t’i kalojë një personi të specializuar. Trim Askocela, veterineri i zonës, tregon rëndësinë që ka kjo racë e rrallë e dhisë si edhe përse blegtorët po kujdesen kaq shumë për mbarështimin e tyre. “Nuk janë thjesht kafshë dhe sektor blegtorie për këtë vend. Është traditë e rrallë, e cila duhet ruajtur. Mbi të gjitha, ka vlera të mëdha dhe shumë fitim. Është me leverdi për fermerin pavarësisht vështirësive që ka.

Në krahasim me dhitë e tjera normale, këto të Dukatit prodhojnë më shpejtë dhe kanë prodhimtari më të lartë.  Në periudhën e majit është mishi më i kërkuar se në atë periudhë zhvillohet dhe bimësia. Faktori i rëndësishëm është edhe fakti që ndodhet buzë detit sepse ndikon shumë jodi i detit. Edhe kur janë në shtim, riprodhim i nxit të kenë prodhim më të shpejtë se ai normal. Ndër të tjera, bimësia është shumë e zhvilluar dhe e përshtatshme për dhitë e zeza. Ka shkurre dhe përrallë që janë shumë të nevojshme për një ushqim të shëndetshëm”, thotë veterineri Askocela.  Ndër të tjera, ai shton se edhe kujdesi që tregojnë çobanët e dhive ndaj mjedisit është një faktor që përbën rëndësi, duke theksuar që nuk ka pasur raste zjarri si në zonat e tjera të vendit. “Çobanët edhe janë kujdesur mirë për zonën. Nuk kemi pasur raste zjarri. Vështirësia e terrenit është e madhe, duke qenë se zona ndodhet rreth 1100m mbi nivelin e detit”, përfundon Trim Askoçela.

PicMonkey Collage

Dhia e zezë e Dukatit, kafsha që po ruhet nga zhdukja Read More »

Historia e trishtë e 13 vjeçares, mjeku nga Zagrebi sjell lajmin e mirë

Historia në emisionin ‘Shqiptarët për shqiptarët” e 13-vjeçares nga Lezha e cila vuan nga skolioza (shpina e deformuar) dhe ka nevojë për operacion ka prekur mbarë opinion publik, jo vetëm në Shqipëri por edhe në trojet e tjera ku jetojnë shqiptarë.

Mjeku shqiptar në Zagreb, Gëzim Rexhepi pasi është njohur me rastin e Dianës ka telefonuar në emisionin ‘Shqiptarët për shqiptarët’ për të dhënë lajmin e mirë.

Ai tha se 13-vjecarja do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në datë 11 prill në një klinikë në Zagreb, ndërsa një pjesë e kostos që kushton minimalisht 30 mijë euro do merret përsipër nga komuniteti shqiptar që jeton në Zagreb.

“Unë për fat të keq i takoj një grupi që shumë pak kohë të lirë kanë dhe jam fans i rregullt i emisionit tuaj. Mbasi pashë historinë e Dianës vendosa të ofroj ndihmë, pasi kam fëmijë dhe vetë. Unë e thirra Elvisin dhe komunikova me një mjek që Diana të operohet në Zagreb. Me zotin para, në datën 11 prill do fusim Dianën në operacion.

Unë nuk merrem me këto lloj operacionesh, por janë koleget e mi. Diana duhet të mbarojë moshën e pubertetit dhe do shohim nëse do ketë nevojë për operacion të dytë. Një pjesë të kostos së operacionit do e sigurojë komuniteti shqiptar në Zagreb. Ky operacion kushton minimumi 30 mijë euro për 12 ditë që do rrijë në spital. Rëndësi ka që Diana të mos ketë komplikacione të tjera”, tha mjeku Gëzim Rexhepi./News24

Historia e trishtë e 13 vjeçares, mjeku nga Zagrebi sjell lajmin e mirë Read More »

Parashikimi i Paolo Fox këtë muaj është “bombë”. Ndryshime të mëdha për të 12-ta shenjat

Dashi

Çdo situatë që jetoni ju është e përkohshme, por ju jeni të shqetësuar, sikur jeni duke pritur një ndryshim krejt të papritur në jetën tuaj. Ose ndoshta jeni ju vetë që e dëshironi diçka të tillë. Kjo vlen sidomos për ata që punojnë prej shumë vitesh në të njëjtin vend. Duhet të keni parasysh se ky nuk është momenti të hidhni hapa të gabuar, të tregoheni më të vendosur. Të tjerët mund t’ju keqkuptojnë, edhe pse keni të drejtë. Dielli dhe Mërkuri në shenjën tuaj do t’ju ndihmojnë, megjithatë kjo nuk do të thotë se do të mungojnë situatat stresuese në punë. Po filloni të ndieni se jeni viktimë e një padrejtësie. Sigurisht që tani nuk e dini se çfarë do të bëni pas stinës së verës, pasi edhe kompania ku punoni është në një gjendje konfuzioni. Kjo gjendje në vendin e punës ndikon shumë edhe në humorin tuaj. Ata që janë në prag provimesh, duhet të përgatiten mirë. Do të arrijnë rezultate të mira, por jo të shkëlqyera, edhe pse jo për fajin e tyre. Kush nga ju që ka gjetur dashurinë këta muajt e fundit janë duke e përjetuar si argëtim? Historitë e lindura së fundmi nuk janë mjaftueshëm të besueshme për të përfunduar deri në martesë apo bashkëjetesë. Muaji prill duket se do të jetë problematik për çiftet, sidomos konfliktet verbale do të jenë kryefjala e marrëdhënieve. Njësoj si edhe gjatë marsit, edhe në prill fundjavat do të shoqërohen nga shqetësime. Edhe atmosfera në familje do të jetë paksa stresuese, sidomos me familjarët që s’janë dakord me idetë tuaja. Datat 14 dhe 15 do të jenë të tensionuara, po ashtu edhe 28 dhe 29. Gjendja juaj fizike do të jetë disi më e mirë se muajt e fundit, por Marsi në shenjën tuaj do të ndikojë negativisht deri më 16 maj. Nervozizmi duhet mbajtur në kontroll. Sa më shumë t’i afroheni gjysmës së dytë të vitit, aq më mirë do të shkojnë gjërat. Bëni kujdes me problemet e gjunjëve dhe të dhëmbëve.

Demi

Venusi, Marsi dhe Saturni ndikojnë të gjithë pozitivisht në jetën tuaj. Dielli do të hyjë po ashtu në shenjën tuaj më datë 20. Kombinimi i planetëve këtë muaj është shumë i bukur; ndaj dhe do të gjeni zgjidhjen e një problemi që ju ka shqetësuar muajt e fundit. Nuk mund të them se gjithçka do të zgjidhet sa hap e mbyll sytë, sepse Jupiteri është gjithnjë kundër. Megjithatë ky planet më së shumti reflekton probleme që i përkasin së shkuarës. Yjet janë shumë të rëndësishme më datë 16 dhe 26 prill. Një mbledhje e rëndësishme, një projekt i ri që kërkon shumë kurajë ose një telefonatë interesante për ju këtë muaj. Nuk do të jetë muaji i fitimeve të mëdha, por mund të investoni të sigurt për të ardhmen, sepse në fund të vitit do të keni më shumë. Nëse dikush ka tradhtuar besimin tuaj, me këto yje që ju rrethojnë s’do të keni mëshirë. Në fund të fundit, jeni ju që vendosni gjithmonë dhe kjo ka rëndësi. Venusi kalon transit në shenjën tuaj dhe kombinohet me Marsin. Ky mund të jetë një muaj i bukur për ata që duan të martohen, gjithnjë nëse nuk përsëritin gabimet e së shkuarës. Bëni kujdes nëse keni ndonjë raport që s’i keni dhënë fund plotësisht apo nëse tundoheni ende nga një ish i/e dashur. Pasioni do të jetë i madh te çiftet e konsoliduara. Ju jeni nga ata njerëz që doni ta thoni me çdo kusht atë që mendoni. Nuk do të toleroni më. Nëse jetoni prej kohësh me dikë që s’e dashuroni më, do të përpiqeni ta gjeni dashurinë diku tjetër. Gjatë muajit prill do të vihet në provë besnikëria në çift. Ata që janë në kërkim të një dashurie të re, nuk duhet t’ia mbyllin derën fatit. Yjet na ndihmojnë në jetën tonë, por jemi ne ata që vendosim. Dielli hyn në shenjën tuaj këtë muaj, ja pse energjitë tuaja do të shtohen. Marsi dhe Saturni do të përpiqen të parandalojnë efektin negativ të Jupiterit. Gjendja juaj psikologjike do të jetë më e mirë. Terapitë janë të favorizuara pas datës 20.

Binjakët

Nëse keni lidhur një marrëveshje deri në verë, duhet të përvishni mëngët që ta rinovoni sërish. Sa më parë t’i lidhni këto marrëveshje, aq më mirë, sepse vera do të shoqërohet nga një gjendje statike. Duhet të shfrytëzoni aftësinë tuaj për të marrë vendimet e duhura në momentet e duhura. Studioni terrenin. Jupiteri është kundër shenjës suaj dhe ju e dini se pa ndihmën e tij, jeni krejtësisht të pambrojtur. Ndaj, nëse mendoni se keni nevojë për ndihmë, bëni çmos që tani për të krijuar aleanca të reja. Ata që janë transferuar në kërkim të një pune të re, brenda nëntorit duhet të vendosin nëse do të qëndrojnë aty apo jo. Ata që punojnë për llogari të tyre, janë futur në disa borxhe prej vitesh. Ky do të jetë një muaj interesant për ata që janë në kërkim të një profili të ri profesional apo të një pune me kohë të pjesshme. Lajmi i mirë është se Venusi nis një kalim transit në shenjën tuaj gjatë muajit prill duke nisur nga data 24. Jeta në familje dhe marrëdhëniet brenda saj do të jenë më pak të tensionuara. Vitin e kaluar keni humbur shumë për shkak të Saturnit, por nuk duhet të rifitoni gjithçka me çdo kusht. Të paktën jo tani për tani. Nëse dikush është larguar prej jush, mos u përpiqni ta afroni sërish. Nëse bashkëjetoni me dikë prej më shumë se tre vjetësh, ta dini se është i duhuri, sepse nuk është e lehtë të kapërcesh prova të tilla si ato me të cilat jeni përballur. Këtë muaj, rëndësi për ju do të ketë jeta në familje dhe përgjegjësitë brenda saj. Yjet do të favorizojnë edhe çiftet që duan të martohen në maj, sepse ky i fundit është një muaj i rëndësishëm për ndjenjat. Pas datës 23 do të shtohen rastet për të gjetur një dashuri të re apo për të përjetuar aventura të veçanta.
Prilli do të shënojë një fazë rikuperimi të formës fizike, pavarësisht nga lodhja e madhe gjatë dy javëve të fundit. Yjet në datën 25 dhe 30 janë shumë interesantë. Nëse disa probleme shëndetësore vazhdojnë t’ju shqetësojnë, kjo do të thotë se jeni shumë të stresuar dhe nervozë, edhe pse është mjeku ai që e thotë fjalën e fundit. Bëni gjëra të bukura për të luftuar stresin. Mos nënvlerësoni angazhimet e reja.

Gaforrja
Më në fund po arsyetoni. Në jetën tuaj po ndodh diçka e mirë dhe keni vendosur të mos hapni polemika për gjithçka. Yjet gjatë muajit mars jua kanë vështirësuar disi punët, ndaj mund të ndiheni të rraskapitur pasi pranvera për ju ka nisur në mënyrë kaotike, ja pse duhet të vini rregull në jetën tuaj. Venusi dhe Jupiteri ndikojnë pozitivisht këtë muaj. Ata që kanë lënë pas dore një kompani për të hapur një të re, nuk janë shumë të kënaqur. Mund të nxitoni dhe të gaboni në përpjekje për t’i zgjidhur gjërat shpejt e shpejt. Përpiquni që ta çoni gjithmonë rrogën tuaj në shtëpi. Në pranverë do të ndryshojnë shumë gjëra për shkak të nevojave që keni. Zgjidhjet më të mira do t’i gjeni pas datës 20. Përmirësimi i gjendjes në punë do t’ju ndihmojë të mbani në kontroll edhe nervat. Bëni kujdes me çështjet që kanë karakter ligjor, sidomos nëse kanë lidhje me taksat. Çiftet që i kanë mbijetuar muajit mars, tani po shkojnë më mirë. Sigurisht që jo të gjithë kanë debatuar me njëri-tjetrin, por jeni përballur me situata të vështira familjare që kanë pasur lidhje me shpenzimet . Krizat për çështjet praktike apo ekonomike janë të shumta, ndaj duhet të ndryshoni strategjitë tuaja. Ankthi juaj rritet edhe më shumë nëse partneri/ja juaj nuk ju mbështet në aspektin financiar. Shtrëngojeni pak më shumë dorën. Edhe pse qielli i prillit është i bukur, nuk mund të shërojë plagët e atyre që sapo janë ndarë. Merreni më shumë me çështje praktike, ja pse dashuria kalon në plan të dytë për ju. Shumë nga ju kanë edhe lidhje jashtëmartesore. Kërkoni pak më shumë qartësi në jetën tuaj. Krahasuar me marsin, gjendja juaj fizike do të jetë shumë më e mirë këtë muaj. Luhatjet e humorit dhe stresi do të jenë më të pakta këtë muaj. Në datën 15 do të keni një dëshirë të pashpjegueshme për të ndenjur për të bërë çfarë dëshironi. Të lindurit në shenjën e Gaforres ua nxjerrin inatin të gjithëve kur nuk janë të kënaqur me jetën që bëjnë. Në fund të muajit një rikuperim i lehtë.

Luani
Nuk mund të flas për rezultate konkrete, sepse do t’i shohim gjatë gjysmës së dytë të vitit, por shpresat që të merrni një lajm të mirë në aspektin profesional janë shumë të mëdha. Duke marrë parasysh se viti 2018 nisi me shumë ankth dhe me pak rezultate, tani gjërat shkojnë shumë më mirë. Nëse doni të diskutoni një marrëveshje të rëndësishme, ju ftoj ta bëni në datën 5, 6 ose në mëngjesin e datës 16. Yjet ju falin aftësinë për të bindur bashkëpunëtorët dhe kolegët tuaj. Edhe pse shpenzimet këtë muaj do të jenë të mëdha, në fund të muajit keni edhe mundësi që të kurseni. Disa persona të tretë kanë përfituar nga besimi juaj. Problemet me kreditë do të mbeten gjithmonë të tilla për ju. Historitë e dashurisë që kanë lindur gjatë muajit mars mund të jenë aventura të bukura. Shumë nga ju janë në kërkim të një raporti fizik. Yjet e prillit i kushtojnë po ashtu rëndësi situatës në familje, e cila shoqërohet nga nervozizmi për shkak të disa ngjarjeve të papritura apo nga shpenzimet e pakontrolluara. Një familjar juaji kërkon që të përfshihet më shumë në jetën tuaj. Nëse ky person është një ish i dashur, edhe mund të mërzitesh. Mos u përgjigjni në mënyrë agresive, përndryshe do të jeni ju që do ta pësoni. Bëni kujdes rreth datës 10. Ka shumë kaos në jetën tuaj, por kjo s’do të thotë se keni dashuri. Çiftet që do të kalojnë këtë periudhë të vështirë, do të shpërblehen pas verës. Disa nga ju po mendojnë të ligjërojnë lidhjet e tyre, por për martesën duhen shumë para. E ardhmja është një barrë e madhe për ju. Ja pse disa do ta vonojnë zyrtarizimin e marrëdhënieve. Duhet të tregoheni të duruar. Ky do të jetë një muaj i qetë për sa i përket gjendjes shëndetësore. Disa probleme të vogla me alergjitë që do të zgjidhen me kura natyrore. Data 17 do të jetë e tensionuar. Do të shiheni në pasqyrë dhe do të kuptoni se ndiheni shumë të lodhur.

Virgjëresha

Yjet këtë muaj do të jenë në favorin tuaj, plot me propozime të vlefshme, sidomos për ata që kanë punuar shumë muajin e kaluar. Energjitë e kësaj periudhe do të jenë të jashtëzakonshme. Një rizgjim në aspektin profesional. Për ata që kanë marrë një refuzim, gjërat do të ndryshojnë krejt papritur me anë të një telefonate. Ata që janë në prag pensioni janë duke vënë në vijë gjithçka në jetën e tyre. Nëse jeni të rinj, yjet ju ndihmojnë në intervistat e punës, në takimet apo edhe në iniciativat e reja që do të ndërmerrni. Këtë muaj do të tregoni aftësitë tuaja. Dhuntia juaj për të komunikuar apo idetë e reja do të jenë shumë joshëse. Rezultate të rëndësishme do të arrini në datat 4, 16, 17, 25 dhe 26, kur Marsi dhe Saturni kombinohen në mënyrë të shkëlqyer.
Zemra ju rreh fort… sidomos gjatë prillit, që do të jetë magjik për ju. Ata që kanë pasur probleme kohët e fundit, tanimë i kanë thënë partnerit/es gjithçka që mendonin dhe kanë gjetur dikë që do t’i zëvendësojë. Ka dhe nga ata që rrinë me sytë nga qielli dhe presin që dashuria t’u trokasë në derë. Këta të fundit nuk duhet t’i dramatizojnë shumë problemet e së shkuarës. Data 13 do të jetë e rëndësishme në fushën e ndjenjave, sepse do të sjellë takime interesante, qoftë edhe me një “ish” shumë të dashur për ju. Nëse keni një marrëdhënie që e vazhdoni vetëm për hir të rutinës apo të fëmijëve, do të tundoheni për t’u lidhur me dikë tjetër, sepse pasioni do të jetë shumë i madh. Parashikohen emocione të mëdha. Yjet këtë muaj do të favorizojnë edhe kurat e ndryshme. Do të ndiheni plot energji që në ditët e para të prillit, përpiquni vetëm të mos pini duhan dhe të ndiqni një dietë të lehtë ushqimore. Krahasuar me muajin e kaluar, prilli do të jetë më pak melankolik dhe më pak stresues. Të lindurit në shenjën e Virgjëreshës duhet të kujdesen më shumë për shëndetin mendor. Përpiquni të mos trembeni nga e ardhmja.

Peshorja

Meqë po i afrohemi gjysmës së dytë të vitit, yjet do të tregohen më mirëkuptues për të lindurit në shenjën e Peshores. Tre muajt e parë të vitit kanë qenë një luftë e madhe për ju. Edhe pse ndiheni ende të zemëruar, do të filloni të shikoni disa rezultate të mira. Do të përballeni me disa probleme ekonomike apo me shpenzime të paparashikuara. Ata që kanë ndër mend të shpërngulen diku tjetër, janë shumë të shqetësuar. Duhet të keni parasysh se jo të gjitha ngjarjet duhet të shoqërohen nga ankthi. Si gjithmonë, fundjavat janë më të vështirat për ju. Nëse punoni të shtunave dhe të dielave, bëni kujdes në marrëdhëniet tuaja me klientët dhe mos mendoni për gjërat që nuk shkojnë. Nëse jeni në kërkim të një pune të re, do ta gjeni, por vetëm me kohë të pjesshme. Nuk do të arrini dot rezultatet e dëshiruara. Problemet financiare në shtëpi vazhdojnë të jenë të mëdha. Bëni kujdes të dielën e datës 15, pasi gjithë këtë nervozizëm mund t’ua përcillni dhe të tjerëve. Marrëdhëniet sentimentale nuk ju kënaqin plotësisht. Kryefjala e debateve në çift është sjellja ndaj njëri-tjetrit. Një orar i ri në punë apo një ngritje në detyrë mund të jenë shndërruar në çështje polemikash. Nuk do ta keni të lehtë të ruani qetësinë, sepse Marsi, Dielli dhe Mërkuri janë në çekuilibër. Duhet të bëni shumë kujdes, sidomos nëse ndikoheni nga persona të tretë. Shmangni konfliktet për arsye banale. Në një klimë kaq të tensionuar, disa mund të mendojnë edhe ndarjen. Gjithçka mund të zgjidhet thjesht me një buzëqeshje. Tradhtia është shumë tunduese për disa. Kjo nuk është një zgjidhje e mirë, përkundrazi… Probleme me shëndetin mendor apo edhe me stomakun. Nuk ju këshillojmë të sforcoheni shumë, sidomos të dielave. Kujdes në datën 15. Meqë jeni shumë të kujdesshëm për aspektin estetik, bëni kujdes, sepse ky i fundit ndikon shumë në humorin tuaj në mëngjes. Nëse nuk ju pëlqen vetja, e gjithë dita do të shkojë keq.

Akrepi
Yjet këtë muaj do të jenë shumë frytdhënës, sidomos në aspektin profesional. Për pasojë, edhe ju do të ndiheni më mirë. Disa nga ju kanë kërkuar të transferohen diku tjetër, një ngritje në detyrë apo një ndryshim për të vënë veten në provë. Për ju është e rëndësishme të punoni me njerëz të rinj. Nëse nuk ndryshoni dot ju, atëherë duhet të ndryshojë bota për ju. Nëse punoni prej kohësh në një vend, tani jeni në kërkim të një stimuli të ri. Marsi, Saturni, Neptuni dhe Jupiteri janë në favorin tuaj. Edhe ata që kanë një aktivitet privat dhe gjenden përballë një problemi, do të gjejnë një zgjidhje duke hequr një barrë nga supet. Marrëveshje me leverdi, sidomos për aktivitetet e reja që do të hapen tani në pranverë. Të lindurit në shenjën e Akrepit kanë gjithmonë idenë që të nisin një aktivitet me siguri të plotë, që të mos përballen me asnjë problem në të ardhmen apo me shefa që t’u kërkojnë llogari. Yjet e muajit prill do të jenë të qetë në fushën e ndjenjave. Duket qartë që këtë muaj për ju ka përparësi diçka tjetër, jo dashuria. Nëse diçka nuk shkon në marrëdhënien tuaj, përpiquni të vendosni një dialog konstruktiv apo bëni realitet ide të reja që jeta në çift të mos jetë monotone. Datat 16 dhe 17 do të shoqërohen nga polemika, por dihet që ju këto zënka i konsideroni si “kripa dhe sheqeri” në një marrëdhënie. Nëse nuk do të ishte kështu, nuk do t’i kritikonit kaq shpesh të dashurit tuaj. Ju ngjisin më shumë personat që janë problematikë, ja pse bini në dashuri pikërisht me ata që ju ngrenë nervat. Në momentin që ju mërzitet, e largoni, por më pas ndiheni bosh, duke mos ditur se kujt t’ia shkarkoni gjithë tensionin tuaj. Nëse keni një raport të konsoliduar me partnerin/en, qëndroni larg polemikave vetëm e vetëm për ta vënë në provë. Datat 22 dhe 25 do të jenë më delikatet. Gjatë kësaj periudhe duhet të kujdeseni më shumë për lëkurën tuaj. Disa probleme duhen trajtuar me kujdes, përndryshe do të vuani nga shqetësime psikopatike. Shmangni tensionet në datat 21 dhe 30.

Shigjetari

Kalimi transit i Mërkurit në shenjën tuaj është i shkëlqyer. Ky planet do të qëndrojë gjatë gjithë muajit në shenjën tuaj. Ndikimi i tij do të ndihet më shumë pas datës 15. Do të shërbejë si një element force në të gjitha marrëveshjet që do të kryeni. Jeni detyruar të tregoni se sa vleni që në fillim të vitit 2018. Sigurisht që dikush është përpjekur t’ju pengojë apo t’ju kalojë në plan të dytë, por tani do ta largoni nga vetja pikërisht siç hiqni një guriçkë që ju ka mbetur në këpucë. Datat 4, 5, 14 dhe 23 do të jenë shumë të favorshme dhe do të arrini rezultate frytdhënëse. Gjatë këtij muaji do të zgjidhni edhe një problem që ka lidhje me pronat. Një propozim që e prisnit pas disa muajsh, mund të vijë menjëherë. Yjet janë interesantë për ata që punojnë jashtë apo për ata që duan të provojnë diçka që s’e kanë eksperimentuar më parë. Paratë nuk do të mungojnë. Yjet do t’ju ndihmojnë edhe këtë muaj në fushën e ndjenjave, por pasioni do të jetë disi më i zbehtë se në mars. Historitë e lindura gjatë marsit do të vazhdojnë, edhe pse ju po tregoheni paksa të ftohtë, sepse po merreni me shumë gjëra njëherazi. Puna dhe çështjet praktike janë përparësia juaj. Qetësohuni, gjeni pak kohë për të dashuruar, sidomos nëse partneri/ja ankohet për mungesën tuaj të vëmendjes. Fundjava e datës 14 dhe 15 do të jetë e favorizuar për të forcuar marrëdhënien tuaj. Pas datës 24, polemikat në çift do të shtohen, qoftë këto të shkaktuara nga arsye banale. Çiftet në krizë duhet të bëjnë shumë kujdes, sidomos më datë 24. Problemet s’do të jenë të pakapërcyeshme, e megjithatë këto sprova i bëjnë mirë jetës në çift. Kujdes me tradhtitë apo me xhelozitë, sepse mund të hapni probleme më të mëdha. Fillimi i muajit do të jetë i duhuri për të gjetur energjitë që ju kanë munguar apo dëshirën për të ecur përpara. Lodhja do të shtohet pas datës 24. Në fund të muajit do të ndiheni disi të ndrydhur dhe ky është problem i madh për të lindurit e kësaj shenje, sepse Shigjetarët duan gjithmonë të ndihen të lirë dhe të bëjnë atë që besojnë.

Bricjapi
Pas muajit mars, i cili është karakterizuar nga nervozizmi dhe lodhja, prilli do të jetë plot energji dhe jeta juaj do të ndryshojë. Pas disa javësh, Saturni dhe Marsi do të formojnë një aleancë të shkëlqyer, e cila do të sjellë të reja të mëdha në jetën tuaj dhe jo vetëm në aspektin profesional. Nëse jeni të rinj dhe jeni duke luftuar kundër të gjithëve me idetë tuaja, ka ardhur momenti që të tregoheni më këmbëngulës. Do të merrni një përgjigje pozitive pas datës 20. Ky është një horoskop i rëndësishëm për ata që po shtyjnë një çështje me rëndësi prej kohësh apo që kanë qenë përballë një dileme të madhe. Ambiciet tuaja janë të mëdha. Do të arrini një ngritje në detyrë brenda pak muajsh. Kush nga ju ka një aktivitet privat, do ta ketë më të lehtë të bëjë përpara. Do të jetë një periudhë krijuese për ata që merren me pikturë apo me muzikë. Projektet e reja janë të favorizuara gjatë gjithë muajit, por më premtueset do të jenë dhjetë ditët e fundit të muajit.
Projekte të mëdha për ata që janë dashuruar së fundmi. Vetëm ata që kanë kohë që janë lidhur dhe që kanë frikë nga dashuria nuk do t’i shijojnë këto yje të bukura. Urojmë që ky të mos jetë rasti juaj! Shumë nga ju mezi presin të bëhen me fëmijë dhe këtë gjë do t’ia kërkojnë partnerit/es. Lidhjet e krijuara këta tre muajt e fundit mund të bëhen të rëndësishme. Mund të takoni personin e duhur në mënyrë krejt të rastësishme. Do të njihni shumë njerëz të rinj. Ata që janë në kërkim të një shtëpie të re, do të gjejnë shumë shpejt të duhurën. Edhe aventurat kalimtare do të jenë shumë të bukura. Ky është një muaj i mbushur me energji dhe forca. Kurat e nisura tre muajt e fundit do të japin rezultatet e para. Si gjithmonë, problemi i zakonshëm për të lindurit e Bricjapit është cervikalja. Për shkak të punëve të shumta, nuk i keni kushtuar rëndësi aktivitetit fizik. Probleme me gjymtyrët për shkak të mungesës së lëvizjes. Shfrytëzoni periudhën e pranverës për t’u tonifikuar.

Ujori
Do të projektoni diçka të re, do të mendoni për ndryshime, por gjithmonë duke pasur parasysh gjysmën e dytë të vitit. Për të lindurit në shenjën e Ujorit, ky muaj do të shënojë një revolucion të madh. Kush nga ju ka disa kursime mënjanë, mund të hapë një aktivitet privat. Edhe artizanët janë shumë të favorizuar. Bëni kujdes, sepse Jupiteri po përpiqet t’ju thotë të tregoheni më dorështrënguar me shpenzimet dhe të mos jepni hua. Bëjini mirë llogaritë para se të bëni ndryshime të mëdha në jetën tuaj. Mërkuri vazhdon të kalojë transit në shenjën tuaj dhe do të ndikojë te ju deri në mes të majit. Ata që duan të ndryshojnë kolegët, mund të bëjnë zgjedhjet e tyre në datat 19, 23 dhe 24. Do të përballeni me një bllokim nëse keni probleme burokratike. Pas verës, gjërat do të shkojnë më mirë. Fusha e ndjenjave gjatë prillit do të jetë në një gjendje statike. Ju këshilloj të ndiqni gjithmonë instinktin tuaj. Nëse jeni të martuar apo të lidhur prej kohësh, do të shpërqendroheni nga dikush tjetër, por është e kotë t’ju këshilloj se dashuria është më e rëndësishme. Do ta keni të vështirë të bini dakord për një marrëveshje nëse po bashkëpunoni me partnerin apo me një pjesëtar të familjes suaj. Një nga ditët më të vështira do të jetë ajo e datës 2 dhe të gjitha të hënat e muajit prill. Lidhjet e krijuara këtë muaj nuk do t’ju çojnë askund. Edhe aventurat nuk janë të favorizuara. Marrëdhëniet tuaja këtë muaj do të shoqërohen nga debate për paratë, trashëgimitë, pronat. Edhe me familjarët do të diskutoni vetëm për çështje ekonomike. Bëni kujdes në datën 17, pasi tensionet do të rriten.
Fizikisht ndiheni mirë, vetëm se ndiheni të lodhur mendërisht nga zënkat në familje apo kur dikush ju përfshin në debate edhe kur ju nuk doni. Bëni kujdes në raportet tuaja me dikë më të madh në moshë që i përket shenjës së Bricjapit apo Akrepit. Pika juaj e dobët është stomaku. Të dielave rrethoheni nga njerëz që ju nervozojnë shumë. Përpiquni t’i shmangni ose të mendoni për diçka tjetër. Bëjini bisht realitetit. Nëse e dëshironi, mund t’ia dilni.

Peshqit
Për të lindurit në shenjën e Peshqve vazhdon vala e energjisë dhe entuziazmit. Shumë nga ju kanë ndaluar në vend këtë muaj, por për një arsye të fortë. Kanë punuar aq shumë në të shkuarën sa kanë lënë pas dore familjen. Kjo është arsyeja e vetme që disa nga ju s’do të marrin frytet e duhura në aspektin profesional, pasi dëshira për intimitet me partnerin është më e madhe. Propozime të reja për ju falë pozitivitetit që sjell muaji prill. Gjatë kësaj periudhe do të ndieni se idetë tuaja do të realizohen më kollaj. Ndiheni më të gjallë, ja pse do të ndërmerrni iniciativa të reja. Nëse jeni në kërkim të një pune, do të merrni shumë shpejt një telefonatë pozitive. Shfrytëzoni këtë periudhë të favorshme, mos prisni që të mirat t’ju bien nga qielli. Duhet të veproni. Shumë nga ju ëndërrojnë një shtëpi në det, por bëni kujdes përpara se ta blini ,se mos keni pagesa të pashlyera.
Takimet e reja janë të favorizuara rreth datës 17. Nëse nuk jeni duke përjetuar një dashuri të madhe, kjo do të thotë se keni qëndruar shumë të mbyllur në të shkuarën. Çlirojeni mendjen dhe mos mendoni gjithmonë më të keqen. Dashuria e vërtetë është ajo që të shqetëson më shumë. Pikërisht kështu e shikoni ju dashurinë. Rrezikoni të dashuroheni me persona që janë shumë të ndryshëm nga ju, ja pse shpesh ndiheni të lodhur nga marrëdhëniet tuaja. Venusi mbron dashurinë. Ky është një muaj i rëndësishëm për të harruar të kaluarën. Mos iu ktheni pas problemeve të vjetra, sidomos pas datës 24, kur do të nisë edhe një fazë shumë e tensionuar. Kujdesuni më shumë për problemet me karakter ligjor apo për trashëgimitë. Diskutoni me qetësi dhe të gjitha vendimet merrini pas datës 20 maj. Yjet ju favorizojnë shumë për të kaluar problemet e së shkuarës. Kujdesuni më shumë për veten, sidomos nëse vuani nga dhimbjet e shpeshta të kokës apo të gjymtyrëve. Këmbët janë pika juaj e dobët. Në datat 4, 5, 18 dhe 19 tregohuni më vigjilentë. Mos u mendoni dy herë për të nisur një kurë apo një terapi. Deri në tetor duhet të jeni në formë të mirë fizike për të shmangur çdo vështirësi në të ardhmen.

Parashikimi i Paolo Fox këtë muaj është “bombë”. Ndryshime të mëdha për të 12-ta shenjat Read More »

PD në kërkim të një lideri “popullor”

Thirrjet e Lulzimit për “mosbindje civile, mospagimin e taksave dhe tatimeve” si dhe thirrjet e tjera sa luftënxitëse aq edhe banale për një lider parti apo dhe grupim deputetësh, treguan se kjo opozitë ndodhet pa “kokë”, pa liderin e saj, pa drejtuesin e saj.

Shkruan Artur Ajazi

Më në fund Lulzim Basha i ka dhënë fund hamendësive të një pjese të deputetëve të rinj të grupimit të tij parlamentar, se “kryetari nuk ulet gjallë në tokë sepse do keqkuptohej nga Rama”. Por Lulzimi u ul, madje në mes të autostradës, duke e mbajtur fjalën për “protestën popullore dhe bllokimin e rrugëve”, por sërish duke mos u konfimuar si “lider popullor”. Partia Demokratike ka vite që kërkon një lider karizmatik, një lider që të jetë popullor, serioz dhe i pranueshëm nga shumica e anëtarësisë së zhgënjyer. Edhe Kukësi e ka nxjerrë bllof PD dhe shpurën e Lulzimit që edhe pse morën rrugën drejt verilindjes, edhe pse “protestuan”, edhe pse dhunuan uniformat blu ditën e gjyqit, duket se asgjë nuk ka ndryshuar.

Thirrjet e Lulzimit për “mosbindje civile, mospagimin e taksave dhe tatimeve” si dhe thirrjet e tjera sa luftënxitëse aq edhe banale për një lider parti apo dhe grupim deputetësh, treguan se kjo opozitë ndodhet pa “kokë”, pa liderin e saj, pa drejtuesin e saj. Madje thirrjet e tij nuk i dëgjuan dhe nuk ju bindën as deputetët e opozitës. Gjithçka në PD-në e Lulzimit është spontane, është kuturru, madje gjithkush vendos me iniciativën e tij, vendos Ervini, vendos Grida, vendos Flamuri, vendos Mziu dhe Strazimiri.

Gjithçka duket sikur është një garë e shfrenuar mes tyre, për ti zënë vendin Lulzimit ndoshta pas Kuvendit Kombëtar, ose deri para zgjedhjeve lokale, periudhë në të cilën edhe Berisha ishte dakort që ai të largohej. Brënda selisë blu, përshfaqen shumë mendime dhe ide për “liderin” e të ardhmes, më të vjetrit mendojnë se “ai duhet të jetë si Berisha dikur”, të rinjtë mendojnë se “ai duhet të jetë si Lulzimi”. Por ka edhe prej tyre që mendojnë se lideri duhet të jetë “shumë popullor”, pasi Lulzimi nuk i përmbush kriteret e duhura, sepse ka dështuar, dhe kjo e bën edhe më të vështirë gjetjen e tij.

Partia Demokratike e Lulzimit, edhe kësaj here u mundua maksimalisht të organizonte “protestat popullore”, ashtu siç bëri në 18 dhjetor 2017 dhe 27 janar 2018, u mundua të bënte opozitën, dhe t’i mbushte mëndjen demokratëve se “erdhi ora e marrjes së pushtetit ndaj të ngrihemi kundër kësaj qeverie”.

Askush nuk e ka besuar dhe nuk do ta besojë PD dhe opozitën e Lulzimit, përsa kohë asaj partie i mungojnë gjithçka, duke nisur nga serioziteti drejtimit, programi i detajuar për të bërë opozitën në 4 vjet, i mungojnë strukturat legale të zgjedhura sipas statutit, forumet e dala nga Kuvendi Kombëtar, etj. PD sot gjendet në krizën më serioze të saj si forcë politike, pasi i mungojnë alternativat kunkuruese, që do ta bënin të besueshme si opozitë serioze, përballë një qeverisje që ka shumicën në Parlament.

Duke i dalë në mbrojtje gjithmonë personazheve të dhunës ndaj pronës dhe institucioneve publike dhe private, duke i dalë në mbrojtje gjithmonë fajtorit dhe jo viktimës, duke i dalë në mbrojtje antiligjit , madje edhe prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë rezultuar nga Vettingu si “të korruptuar dhe të inkriminuar” me pasuri marramendëse, PD e Lulzimit ka denigruar gjithçka me vlerë që mund të besohej se kishte ajo forcë politike që pretendon se është e djathtë.

Gjithçka ka qenë rezultat i mungesës së një lideri apo “timonieri” të aftë, që PD-së ka vite që i mungon. Ajo parti, nuk dihet sepse mund të quhet akoma politike, kur veçse politikë nuk prodhon, nuk dihet sepse mund të quhet opozitare kur veçse opozitë nuk prodhon, nuk dihet sepse quhet demokratike kur atje veçse demokratike nuk janë as mbledhjet, as takimet, as zgjedhjet, dhe as ata që zgjidhen për të drejtuar forume fantazëm.

Në situatën në të cilën ndodhet kjo parti opozitare, duket se zgjidhja më e mirë për të ardhmen e saj, do të ishte dorëheqja e gjithë stafit drejtues të përfaqësuar nga Lulzim Basha, dhe ftesa publike drejtuar çdo qytetari dhe intelektuali të këtij vendi, që e ndjen se duhet të kontribojë në ringritjen e një partie të djathtë, që është goditur ashpër nga një grupim me mentalitet të theksuar marksist.

Por PD e Lulzimit, nuk ka gjasa ta bëjë këtë revolucion demokratik, që do ta shpëtonte këtë forcë politike nga asgjesimi politik, pasi ajo është marrë peng nga njerëz kokëfortë që janë betuar ta shkatërrojnë atë nga themelet. PD duhet të hapë “tender publik” deri në gjetjen e një lideri popullor, dhe mundësitë natyrisht janë të shumta, ndryshe ajo parti do të rrënohet jo vetëm nga humbjet në çdo zgjedhje, por edhe nga largimet e përvitshme të atyre që dikur u anëtarësuan 27 vjet më parë atje me shpresën e madhe se “liria dhe demokracia tashmë e kanë simbolin e tyre në Shqipëri”.

PD në kërkim të një lideri “popullor” Read More »

Vlora eshte mbreteresha!Vlora dhe s’ka tjeter !

Nga Rudina Xhunga

“Unë kam në Vlorë një apartament shumë të vogël, që më mjafton të pushoj dhe mësoj time bijë me dashurinë për qytetin ku linda.

Dikur nga ballkoni shikoja detin, perëndimi mbi Sazan më derdhej në shtëpi, tani e marr me mend që është, aty pas pallateve, ngjeshur e plasur, të gjitha bosh, me tabela mbi dritare, shitet.

Sa herë vij këtu, e vëzhgoj qytetin, ia dalloj dhe tregoj mungesat, më mërzit e trishton çdo kujtim që më kanë prishur e zëvendësuar me asgjënë.

Siç bën një njeri me gjënë që do më shumë. Duke dashur ta shohë më mirë, ta shohë aty ku duhet të jetë, aty ku ti ëndërron për të.

Por tani, kur dëgjoj aq shumë njerëz të thonë se Vlora kaq mundet, kaq di, se ja shikoni Korçën çfarë mrekullie, më kap inati.

Ç’lidhje ka Vlora me Korçën? Përvec faktin që ata kishin Peleshin dhe Vlora Gjikën. Tani Korça ka po Peleshin dhe Vlora Dritanin, fakt që ka të bëjë me qeverisjen dhe fondet për qytetin, asgjë tjetër nuk flet në favor të Korçës.

Keni parë korçar që mendon përveç se për hallet e veta?

Ja shikoni Peleshin, po për Korçën i dhemb zemra, edhe pse është zv/kryeministër.

Ndërsa një vlonjat mendon për të gjithë botën.

Pyesja komshiun dje si ia bën tani,  që nuk ka më gruan,  atë zonjën e shtatpakët, që dikur mbushte me buzëqeshje gjithe pallatin. Më tha: “Ah, ajo ç’më bëri, po ç’bëhet kështu moj vajzë, është zënë Haxhinasto me Ahmetaj, si zihen këta, këta duhet të shkojnë mirë. Do të na sjellin Berishën këta prapë?”

Apo të jesh në Vlorë të shikosh ndeshjen mes Italisë dhe Gjermanisë, ti harron që je vërtet në Vlorë, qyteti befas shndërrohet në Bari, është më italian se çdo qytet italian, për nervin dhe të sharat që hanë gjermanët, kur shënojnë gol.

Ky është qyteti i  njerëzve që nuk rrinë dot pa u bërë merak për çdo hall global. Të vetat iu duken të vogla, por kur nxehen të vënë para, e të mundin, siç kanë bërë me pushtues dhe pushtete.

Qyteti i dhjetëra mrekullive që ankohet se lungomare nuk po ecën dhe harron se thesarin e ka te deti.

Qyteti unik që laget nga dy dete, aty ku Adriatiku përqafohet me Jonin dhe një tunel të çon nga një parajsë te tjetra.

Është qyteti që ka det për gjithë shqiptarët.

Kur i shoh sesi mpleksen e përplasen,  kurriz me kurriz,  në Sarandë, më vjen të bërtas, po ejani në Vlorë.

Ka plazhin e vjetër me rërë e kum, ku mund të lahen e lozin gjithë ditën, gjithë fëmijët tuaj, ka Ujin e Ftohtë, Radhimën, Orikumin, ka Karaburunin, ka shpella,  plazhe të bardha, për nudistet që zhvishen nç Ksamil, duke shijuar më shumë se diellin, aparatet që çojnë fotot e tyre në portale.

Ka restorantet më të mira të jugut, sepse ushqimi këtu nuk gënjen, është si njerëzit e këtij qyteti, i vërtetë.

Mjafton të çohesh në mëngjes dhe shikon peshkatarët plot me merlucë e karkaleca, që në drekë t’i sjellin në tavolinë, pa i ndërruar rrugës me ato që vijnë nga jashtë.

Nëse do të hash peshk,  eja vetëm në Vlorë.

Ka restorantet më të bukura ne vend, luksoze dhe të bukura, për kë harxhon më pak e do ta shijojë ushqimin për vete, jo për në instagram, ka Nartën dhe Zvërnecin, plot taverna me ngjala dhe midhje. Ka Italinë dhe Greqinë, bashkë në një qytet.

Ka hotelet më të bukura, në vend, të gjitha me detin në dhomë.

Ka Liron që është unik, edhe pse të pushtuar nga të huajt që ia njohin Vlorës, bukuritë, më shume se ne.

Ka Bolonjën plot histori, buzë shëtitores, ka qindra hotele me emër dhe nam të mirë.

Ka hotele e komplekse pafund nga Radhima në Orikum, është plot plazhe private dhe publike për të gjithe, ka afër Llogaranë, për të ndryshuar klimë, si me thikë, një lagje qyteti është Kanina, ku nuk të ngop, as uji, as ajri.

Pse piktorët më të mirë në Shqipëri janë nga Vlora?

Sepse kanë treguar,  çfarë kanë parë. Det, mal, perëndime dielli që nuk i sheh dy mbrëmje njësoj.

Kur thonë Saranda, mbretëresha e verës, e them dhe vetë në te vertetë, habitem sesi nje mbretereshë mund të ketë aq pak det e tokë.

Ajo është ndoshta një princeshë, mbretëresha është Vlora, me shtirjen, me detet, me malet, me peshkun dhe mishin në hell, me këngët, me lulet, me njerëzit.

Vlora është mbretëresha, që pret e përcjell çdo verë e më shumë, duke të magjepsur sesi nuk plaket, nuk ndryshon, nuk mburret, nuk bërtet.

Është si argjinaret e saj, me ngjyra dhe gjemba për kë nuk di ta trajtoje, por për kë di, të jep zemrën, zemrën e madhe të një mbretëreshe.

Nuk ka qytet të bërë për turizmin si Vlora. Unë e shoh çfarë ishte dhe do të jetë, sicc shoh detin, pas këtyre pallateve. E di që ai det, ka qenë dhe do të jetë, ndërsa këto ndërtime janë çeshtje kohe.

Siç po ju gërryhen fasadat e bëra me nxitim dhe leje ndërtimi të dyshimta, ashtu do të përfundojnë, të pavlera.

Vlera e vërtete e qytetit do të dalë, kur rrugët të sistemohen, kur të rritet pisha bregdetare, kur të mbushet me lule, si dikur avllitë e vlonjatëve.

Atëherë çdo njeri do të punësohet në një mënyrë apo tjetër, në të vetmen  industri që mund ta zhvillojë Vlorën, turizmi.

Deri sa kjo të ndodhë, çdokush mund të përmirësojë shtëpinë e tij, veten e tij.

Kur shoh peshkatarët ngarkuar për tavernat familjare, mendoj për gratë e tyre, që lajnë peshkun e ujisin luleboret.

Pse nuk bëjnë liko si dikur, kur qyteti i portokalleve e nerenxave, ia kalonte Përmetit, që nuk e bën dot kurre likonë, aq të ëmbël sa duhet, aq të hidhur sa durohet.

Një liko në fund të ushqimit, një fjalë e mirë në fillim të tij, kaq e bën diferencën, ca detaje. Nuk mungon uji, as dritat, as siguria.

Po dëgjove që ankohen, duhet të jenë nga Vlora, ata që e duan të gjithë detin për vete. Por e kemi bashkë dhe do ta kemi plot, më shumë në det, se në rrugë këtë sezon.

E di që kjo verë do të jetë e tejmbushur, e di që ata që ikin do të kthehen sërish, sepse Vlora është e tillë,  që ka vend për të gjithë, që ke çfarë të bësh e ku të shkosh, që nuk të mërzit kurrë, sa herë të shkosh e ta shijosh.

Ndaj kur dëgjoj Korça ia doli, e bëri, aty ke ku çon njerëzit, kur të vijnë, nuk e pranoj dot.

Sepse Korça është e bukura e një dite, Vlora është gjithë pushimet e tua, Vlora të mëson notin, detin, të mëson peshkun, të mëson malin, të mëson të ecësh, të mëson të shijosh verën e të ikësh i lumtur.

Ndaj, për këto pushime,  mos ia kurse vetes Vlorën!

Vlora eshte mbreteresha!Vlora dhe s’ka tjeter ! Read More »

Letra e trishtë brenda shishes në Vlorë: Jam Landi po mbytemi, amanet fëmijët, lekët…

Mesditën e sotme u gjet një varkë e braktisur në plazhin e Zvërnecit në Vlorë.

Dyshimet e para flasin për persona të mbytur, ndërsa më vonë mjeti lundrues është nxjerrë nga dallgët në bregun e detit.

Brenda varkës është gjetur edhe një letër që ngre dyshime të forta për këtë pistë.

“Unë jam Landi, po mbytemi. Nuk kam më kohë. Nënë Jorgjia të kujdeset për fëmijët. Lekët i keni tek pllakat e fundit të banjos”,- shkruhet në letër.

Policia e Vlorës po heton për të bërë të mundur identifikimin emrave të mundshëm të gjetur në letër.

Por gjithashtu kjo histori mund të lidhet edhe me personin tjetër Santo Ymeraj, që u zhduk ditën e enjte teksa përpiqej të lundronte drejt Italisë.

Kjo për faktin se të dy personat mund të jenë zhdukur në të njëjtën ditë.

Letra e trishtë brenda shishes në Vlorë: Jam Landi po mbytemi, amanet fëmijët, lekët… Read More »