Aurora

AMA dënon dhunën ndaj Ismet Drishtit

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA ka reaguar sot për dhunën ndaj gazetarit Ismet Drishti.
Në një njoftim për mediat AMA shprehet se “dënon me forcë dhunën ndaj gazetarit dhe drejtuesit të Televizonit “Zjarr TV” Ismet Drishti.

AMA u kërkon autoriteteve përkatëse që të kryhet një hetim i thelluar për gjetjen e autorëve të ushtrimit të dhunës, që ka sjellë dëmtimin fizik të Z. Drishti, por dhe që përbën alarm për lirinë e medias në Shqipëri.

Ky është sulmi i dytë që kryhet ndaj “Zjarr TV” dhe drejtuesit të saj. Pak ditë më parë u dhunuan ambientet e këtij televizioni dhe pajisje të shumta u dëmtuan ose u vodhën nga persona ende të pazbuluar nga policia.

AMA apelon fuqishëm ndaj autoriteteve përgjegjëse të sigurisë në vend që të bëjnë të gjitha përpjekjet që ata që kanë ushtruar dhunë ndaj gazetarit Ismet Drishti të përballen me ligjin, si një garanci për krijimin e një mjedisi më të sigurtë për lirinë e medias dhe për të gjithë gazetarët”.

AMA dënon dhunën ndaj Ismet Drishtit Read More »

Masat për sezonin turistik – Muzika me orar dhe rojet bregdetare

Sezoni i kaluar veror shënoi një bilanc të pazakontë viktimash në det, për shkak të mungesës së rojeve bregdetare, por edhe nga motorët e ujit. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi kërkoi masa urgjente për përmirësimin e këtyre dy elementëve, duke ftuar edhe sipërmarrjet private që të kontribujojnë.

Blendi Klosi: “Është e pafalshme që të gjithë ambjentet publike dhe private, por sidomos këto që janë private: që kanë 5-6 djem që heqin dhe vënë shezlong, që shërbejnë në plazh, të mos kenë një prej tyre të trajnuar, të liçensuar, të veshur me uniformën përkatëse dhe të mos kenë roje deti. Problematika e mjeteve motorrike të ujit në det, të cilët tashmë janë shtuar shumë dhe ne vjet kemi patur edhe humbje jete. Edhe për këtë duhet të jemi shumë transparent, me përdoruesit e këtyre mjeteve.”

Gjatë takimit me kryetarët e bashkive në vend, Klosi kërkoi nga kryetarët vendorë që të marrin masa për një sezon sa më të mirë. Në këtë aspekt ministri kërkoi që brenda muajit prill kryebashkiakët të jartojnë një fashë orari për lejimin e muzikës në lokalet e natës.

Blendi Klosi: “Brenda muajit prill, çdo vend që do të lejojë muzikën me orare dhe me fasha oraresh, nëse do të vendoset që muzika gjatë javës të jetë deri në 23.00 dhe në fundjavë mbase deri në 00.00, duhet t’ia bëjmë të qartë dhe me dije që në orën 00.00 mbyllet dhe mbyllet”

Ministri Klosi kërkoi nga bashkitë që të kujdesen që panairet e ndryshme të ushqimit të jenë më të shpeshta.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=UDPAxVujYUI?feature=oembed]

Oranews

Masat për sezonin turistik – Muzika me orar dhe rojet bregdetare Read More »

Orikumi nxit interesin e të huajve !Turistët e huaj dhe ekspeditat që vizitojnë Orikumin shprehin gjithnjë e më shumë interes

Gërmimet arkeologjike vazhdojnë të kenë një impakt dhe interes të madh për vizitorët vendas e sidomos për ata të huaj. Këto gërmime tregojnë histori dhe vlera, ndoshta disa dhe të panjohura për historinë e vendit tonë.

Turistët e huaj dhe ekspeditat që vizitojnë këto site arkeologjike shprehin gjithnjë e më shumë interes për to e së shpejti, do të përgatitet një film dokumentar, nga radiotelevizioni zviceran RTS, mbi gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Orikumit dhe punën tashmë disavjeçare të projektit arkeologjik shqiptaro-zviceran në këtë sit të jashtëzakonshëm.

Ky film dokumentar do të ketë një impakt të rëndësishëm për promovimin e Parkut Arkeologjik të Orikumit dhe pasurive kulturore të zonës, në botën frankofone.

Qyteti antik i Orikumit shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Limani).

Në qytetin e Orikumit, vizitori mund të shohë edhe shumë objekte kulti apo vepra të tjera me vlerë historike e kulturore. Një monument kulture i veçantë është dhe kisha e Marmiroit.

Ajo gjendet në fund të gadishullit të Karaburunit, aty ku ai bashkohet me luginën e Dukatit, është një objekt kulti i vetmuar, i ndërtuar mbi një kodër fare pranë bregut të detit.

Është një kishë bizantine me kupolë, ndërtimi i së cilës datohet diku në shek. XII. Kisha e Marmiroit, siç e quajnë banorët e zonës, ka narteksin si dhe tri hyrje, nga veriu, perëndimi dhe jugu.

Në pjesën lindore të saj gjendet absida e cila merr dritë nga një dritare e vogël. Kishat me kupolë në formë kryqi janë tipike për komplekset manastirore. Dhe në fakt, rrënojat e një oxhaku, një dritareje dhe disa kamare lënë të kuptohet se aty dikur mund të ketë qenë një manastir.

Teatri i gurtë i ndërtuar në shek. I p.e.s me kapacitet 600 spektatorë, mendohet se në kohën e lulëzimit të qytetit përdorej për shfaqje teatrale e ndeshje gladiatorësh. Ekzistenca e këtij teatri mbart jo vetëm vlera historike dhe arkeologjike, por edhe kulturore.

Teatri i Orikumit është monumenti kryesor i zbuluar në kodrën e Paleokastrës. Aty bien në sy shkallët antike të gdhendura në shkëmb që të çojnë në Akropol. Nën ujë gjendet një strukturë guri 1,80 m e gjerë, çka konsiderohet si bankina për ankorimin e anijeve antike. Për të shkuar në parkun arkeologjik të Orikumit ndiqet rruga që të çon për në bazën ushtarake detare të Pashalimanit.

Në qoftë se do të vizitojmë Orikumin e sotëm që në antikitet njihej si Oriku, jo vetëm do të gjejmë një natyrë të bukur dhe shlodhëse, por mund të njihemi edhe me historinë e këtij vendi dhe veprat monumentale të tij. Këtu mund të zhvillojmë jo vetëm një turizëm natyror me det e me plazhe të bukura, por edhe një turizëm kulturor të pasur./Atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/1275610719239897/?t=0

Orikumi nxit interesin e të huajve !Turistët e huaj dhe ekspeditat që vizitojnë Orikumin shprehin gjithnjë e më shumë interes Read More »

Orgjina e fjales ‘Shqiperi’ – Ky emer rrenjet i ka ne antikitet

Shqiptari i thotë vetes shqiptar, vendit të vet Shqipëri, Shqipni, po populli njihet në botë, sikundër dihet, lashtërisht si Albanais, Albanese etj., dhe vendi i tij si Albanie, Albania. Ky emërtim i dyfishtë ka arsyet e veta. Ai ka lidhje me disa rrethana të karakterit etnografik, të cilat janë specifike për Shqipërinë e për të kaluarën historike të saj.

Duke u nisur nga faktet, vihet re pikësëpari që vërtet në Shqipëri vetë si emër nacional i popullit zotëron sot gjithkund shqiptar, e si emër i vendit Shqipëri, Shqipni, po që m‘anë tjetër në kolonitë shqiptare që gjinden n‘Itali e në Greqi ky emër nuk njihet.

Shqiptarët e Italisë jugore e të Siqelisë, pasardhës të shpërngulurish prej Shqipërie kryesisht gjatë luftërave të para me turqit nën flamurin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) në shekullin e XV e të XVI, e quajnë veten e vet dhe përgjithësisht popullin e atdheut të tyre të vjetër arbëresh, dhe këtë atdhe Arbër, Arbëri.

Këto emra përdorin gjer më sot dhe pasardhësit e atyre shqiptarëve që u shpërngulën pak më parë, në shekullin e XIV e të XV, prej Shqipërie për në Greqi, të cilët edhe ata nuk e kanë në përdorim emrin që zotëron sot në Shqipëri; edhe ata përdorin rregullisht arbëresh për “shqiptar”, arbërishte për “gjuhë shqipe”, arbërisht për “shqip, në gjuhën shqipe”.

Këto të dhëna tregojnë qartë që emri i sotëm shqiptar, Shqipëri, Shqipni, në kohë të Skënderbeut ende nuk kishte dalë, ose të pakën nuk ish përgjithësuar, e që ky gjithsesi është më i ri se emri i parë. Kjo do të thotë që emri i vjetër nacional i vendit e i popullit ka qenë arbën, arbër, arbëresh, arbëresh. E meqë ky emër, sikundër shihet me vështrimin e parë, është identik me Albania, Albanese etj. që u përmendën më sipër, nga gjithë këto rezulton që shqiptarët në mesjetë e kanë quajtur veten e tyre ashtu si quhen edhe sot te popujt e tjerë.

Kjo pamje etnografike gjen vërtetimin e plotësimin e saj më një anë me disa të dhëna të vjetra e më të reja prej Shqipërie, më anë tjetër me dëshminë e gjuhëve të popujve fqinj me shqiptarët, e m‘anë tjetër me emrat e Shqipërisë e të shqiptarëve në burimet e ndryshme europiane të mesjetës.

Sikundër është vënë re që nga gjysma e shekullit të kaluar, emri i vjetër i vendit, përveç se në kolonitë shqiptare, që sapo u zunë ngoje, është ruajtur edhe vetë në Shqipëri. Një trevë fushore e pjesës perëndimore të Shqipërisë së mesme ç‘merr prej Kurbini e gjer poshtë në pllajat e Durrësit e të Tiranës, pra fusha midis lumenjve Mat dhe Erzen, quhet edhe sot Arbën, dhe mal e arbën përdoret atje për “male e fusha”.

Një katund në perëndim të Liqenit të Shkodrës mban emrin Arbnesh, dhe Arbënesh quhet edhe ishulli gjuhësor shqiptar që gjindet afër qytetit të Zarës në Dalmaci, themeluar në gjysmën e parë të shekullit të XVIII, prej të shpërngulurish nga anët e katundit në fjalë. Arbanë është një katund afër Tiranës.

Më anë tjetër, në pjesën jugore të vendit, Arbër e Arbërí quhen krahina të ndryshme të trevës malore të Labërisë midis qyteteve të Vlorës dhe të Gjirokastrës e të Delvinës dhe arbëreshë e arbërorë banorët e tyre. Në vise të tjera të Shqipërisë, po ky emër, me trajta të ndryshme (arbën arbër, arbënesh arbëresh, arbnuer arbëror), përdoret në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin në dallim nga aromuni ose nga anëtari i ndonjë tjetre popullsi ballkanike. Sikundër shihet, emri i lashtë, në rrjedhë të kohës erdhi e u mbulua nga emri i ri shqiptar, Shqipëri, po ka mbijetuar gjer sot nëpër krahina të ndryshme të vendit.

Që ai ka qenë në përdorim me përmasa nacionale, në mbarë territorin gjuhësor të shqipes, këtë e vërtetojnë ndër të tjera edhe vargje popullore si Dalin zojat arbëneshe të anëve të Kosovës. M‘anë tjetër burimet historike të vendit e plotësojnë këtë pamje edhe për të kaluarën. Në monumentet letrare të shqipes së vjetër, të cilat rrjedhin nga shekulli i XVI e i XVII, vendi del rregullisht me emrin Arbënë , populli me arbënesh, arbëruer, dhe gjuha e tij me arbënisht.

Me këto të dhëna të brendshme në lidhje me emrin nacional të Shqipërisë e të popullit të saj, pajtojnë burimet e jashtme, dëshmia e gjuhëve të popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Edhe atje vrehet prania e këtij emri, i cili në rrymë të kohëve rrezatoi prej Shqipërie tek ata popuj. Në serbokroatishten popullore shqiptari quhet arbanas, në dokumentet mesjetare të asaj gjuhe arbanasin.

Arbananu quhet ai dhe në bullgarishten popullore, arbanas në rumanishten e vjetër, dhe tek aromunët e Shqipërisë e të Maqedonisë arbines, arbinesi, të gjitha reflekse të shqipes arbënesh e të varianteve të saj. Duke u ngjitur te burimet historike të mesjetës, në dokumentet e shkruara latinisht të vendeve perëndimore të kohës para dinastisë së Anjouve, të cilët patën marrëdhënie politike me disa treva të Shqipërisë, shqiptarët quhen arbanenses, e më vonë albanenses, dhe vendi i tyre Albania, ashtu si edhe sot.

Duke i shikuar këto dëshmi, të brendshme edhe të jashtme, me një vështrim përmbledhës, rezulton se emri nacional i hershëm i popullit shqiptar e i vendit të tij është arbën arbër me variacionet e tij, dhe se ky ka mbizotëruar në Shqipëri gjer në shekujt e parë të sundimit osman.

Ky emër rrënjët ndërkaq i ka që në kohën antike.

Sikundër dihet, astronomi e gjeografi Klaud Ptolemeu i Aleksandrisë së Egjiptit, në shekullin e dytë të erës së re, në hartën e tij botërore shënon emrin e një fisi Albanói dhe qytetin Albanópolis në një trevë të Shqipërisë të mesme, afërsisht midis Durrësit e Dibrës së sotme e në lindje të Leshit.

Prej këtij emri rrjedh rregullisht Arbën Arbër i shqipes, një dëshmi, ndër të tjera, që shqiptarët janë anas, autoktonë në vendbanimet e sotme dhe që aty ka një vazhdimësi, një kontinuitet gjuhe të pakën që prej antikitetit.

Nga Arbën, si u tha, ka dalë në analizë të fundit emri i Shqipërisë e i shqiptarëve te popujt e Gadishullit Ballkanik e të pjesëve të tjera të Europës. Historikisht ky emër, mbi dëshminë e përbashkët të Ptolemeut, të burimeve mesjetare të vendeve të ndryshme dhe të përhapjes së sotme popullore në Shqipëri, në krye të herës pas gjithë gjasësh i ka përkitur një treve e një popullsie të Shqipërisë së mesme; ai u përgjithësua pastaj si emër nacional në mbarë vendin që në kohën para Skënderbeut.

Përsa i përket emrit shqiptar, Shqipëri, Shqipni, ky si emër populli e vendi, si rezulton nga sa u shtjellua më sipër, zuri vend gjatë kohës së sundimit turk, pas shpërnguljes shqiptare për në Greqi e n‘Itali. Përhapja e tij si emër nacional dhe zhdukja e emrit të vjetër si i tillë, ka lidhje pas gjase me lëvizjet etnike e sociale të populli gjatë mesjetës dhe kohës së parë turke, me shtegtime të brendshme, me formime fisesh të reja në ato perioda historike, veçse shtysat konkrete për një zëvendësim të tillë nuk mund të ndiqen.

Vetëm një gjë mund të thuhet me gjasë të madhe, që shqip në krye të herës ka qenë emri i gjuhës. Ky si i tillë ka qenë mbase me përdorim më të moçëm, mbase paralel me emrin arbën arbër si emër etnik, dhe pastaj do të ketë shtrirë fushën e përdorimit, duke përfshirë edhe popullin e vendin. Shihet kështu se më i vjetri shkrimtar shqiptar që njihet, Gjon Buzuku, i vitit 1555, krahas ndë Arbanit “në Shqipëri” ka shqip “në gjuhë shqipe”; ashtu dhe Pjetër Budi (1621) shqip të na e thotë, e Pjetër Bogdani (1683) një gramatikë latin e shqip. Përdorimi etnik i këtij emri rreth vitit 1700 kishte zënë rrënjë, sepse në Vendimet e Koncilit provincial të vitit 1706 krahas Arbëni “Shqipëria” dhe i Arbëneshi “shqiptari” del edhe gjuhë e Shqipëtarëvet.

Mendimi që emri shqiptar të ketë ekzistuar në Shqipëri veriore që në shekullin e XIV, e të jetë identik me emrin familjar Schivipudar, Schepuder, Schapudar, Scapuder të një banori të qytetit të Drishtit afër Shkodrës që përmendet rreth vjetëve 1368-1402 në arkivat e Raguzës, mbetet një hipotezë që meriton të gjurmohet më tej.

Në lidhje më në fund me burimin e dy emravet arbën edhe shqip, do pasur parasysh se shumë emra të popujve, të vjetra e më të reja, që njihen nga historia, mbeten me domethënie e burim të paditur. Një kusht paraprak i domosdoshëm në këtë fushë kërkimesh është konstatimi i formës së kryehershme të emrit përkatës. Në lidhje me këtë, për emrin e vjetër nacional të shqiptarëve mund të thuhet me siguri që nga dy format e tij, arb- dhe alb-, e para është forma e mirëfilltë, sikundër del dhe nga dëshmitë vendëse së bashku me dëshmitë popullore ballkanike që u zunë ngoje më sipër.

Prandaj kërkimi i një rrënje alb- me kuptimin e pretenduar “mal”, krahasimi me emrat topike Alba- të Italisë e të viseve të tjera, me emrin e Alpeve etj., nuk kanë ndonjë bazë solide. Duke u nisur përkundrazi nga forma arb-, e nga kuptimi “fushë, rrafshinë”, i cili ruhet në mal e arbën të përmendur më lart, mund ta afrojmë këtë emër me latinishten arvum “arë, tokë e punuar, fushë”, greqishten e vjetër aroura “arë, tokë buke”, me fjalën kelte të irlandishtes së mesme arbor, shumës arbanna “drithë”. Me emrin e Arbënit mund të ketë një lidhje të moçme edhe emri i ishullit Arbe të Dalmacisë.

Përsa i takon emrit shqip, shqiptar, Shqipëri Shqipni, prej nga ka dalë edhe folja shqipëroj, shqipëlloj “spiegoj, sqaroj” e gjuhës popullore, ky emër mbetet me gurrë të dyshimtë. Mendime që të ketë dalë nga emri i shqipes, duke e pasur pra shqiptarët emrin e tyre prej këtij shpendi, qysh në kohën e Skënderbeut, duke e vënë në lidhje m‘anë tjetër këtë emërtim me fjalët e Plutarkut, që Pirroja pas fitores që korri mbi makedonët u kremtua me epitetin “shqiponjë”, nuk duket t‘i rezistojë kritikës, po të nisemi nga trajtat e këtyre dy emrave.

Në të vërtetë, tek autorët e vjetër shqiptarë, shqip, shkruar me këtë trajtë, dallohet dukshëm nga emri i shpendit, që shkruhet tek ata rregullisht shqype, gjë që tregon se kemi të bëjmë me dy fjalë të ndryshme. Jo bindëse paraqitet dhe afrimi me qipi “mullar bari”, me paravendim (presupozim) të një kuptimi të hershëm “grumbull, popull”.

Të dyshimta mbeten dhe interpretimet e tjera të këtij emri, ai si “banor shkrepash, malesh” dhe ai si “pushkatar” prej greqishtes së re skippetto(n) “pushkë” (kjo prej italishtes schioppetto), një fjalë që dëshmohet për greqishten sëpari me shekullin e XVI-XVII. I pabesueshëm mbetet mënëfund edhe spiegimi i fjalës shqip nga latinishtja excipio; fjala latine nuk do të thotë: “kuptoj”, si kanë thënë, po “marr; vë më njanë; përjashtoj; pranoj”. Kështu, duke përfunduar, puna e burimit të fjalës shqip mbetet një çështje e hapët. /Eqerem Çabej/Kultplus

Orgjina e fjales ‘Shqiperi’ – Ky emer rrenjet i ka ne antikitet Read More »

Qindra qytetarë marshojnë në Vlorë me flamuj të BE e SHBA – ‘Çamëria Republikë’

Qindra çamë të ardhur nga Vlora në Fier dhe jugu i vendit kanë marshuar në rrugët e Fierit paraditen e sotme, duke brohoritur “Çamëria Republikë”.

Marshuesit kanë përshkuar të gjithë qytetin nga hyrja deri në qendër, dhe duke përfunduar në periferi.

Sipas organizatorëve të këtij marshimi paqësor kërkohet sensibilizim, tanimë jo vetëm i popullit shqiptar, por edhe politikaneve të majtë dhe të djathtë, që t’i bashkohen kësaj kauze e cila kërkon trojet shqiptare në Çamëri.

Në duart e marshuesve janë valëvitur flamujt kombëtarë të disa vendeve të Europës dhe Shteteve të Bashkuara.

Qindra qytetarë marshojnë në Vlorë me flamuj të BE e SHBA – ‘Çamëria Republikë’ Read More »

“Mos i fut delet në tokën time”, plagoset rëndë i riu

Një 23-vjeçar është plagosur me armë zjarri në oborin e shtëpisë së tij, teksa autori është vënë në pranga menjëherë. Sipas policisë së Dibrës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.00 në fshatin Nezhaj, ku i plagosur rëndë ka mbetur E.Ç, 23-vjeç, i cili është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë. Policia e Dibrës me të marrë njoftimin, ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku ka vënë menjëherë në pranga si autor të dyshuar të ngjarjes, Rr. K., 25-vjeç.

“Në këtë ngjarje dyshohet se janë përfshirë dhe vëllezërit e shtetasit Rr.K, shtetasit K.K. 35 vjeç, A.K, 27 vjeç, ku po krihet zona për kapjen e tyre. Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta”, thuhet në njoftimin e policisë së Dibrës.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur për motive banale, pasi delet e 23-vjeçarit kanë hyrë në tokën e vëllezërve dhe debati ka degjenuar në konflikt me armë. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja dhe 1 plumb i pa plasur.

Disa metra larg vendit të ngjarjes është gjetur arma e zjarrit tip automatik, që dyshohet se është përdorur nga autorët. Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

“Mos i fut delet në tokën time”, plagoset rëndë i riu Read More »

Dokumente të rralla të vitit 1955, ja si ndikoi Moska për zhdukjen e fesë në Shqipëri

Feja dhe besimet në Shqipëri u paraqitën si shqetësim për regjimin komunist që në vitet e para të pasluftës.

Besimi në Zot dhe të gjithë praktikat fetare nuk shkonin paralel me ideologjinë komuniste.

Ndaj, drejtuesit e regjimit, të orientuar kryesisht nga Moska kishin ndërmarrë herëpasherë disa ndërhyrje në politikat qeveritare ndaj feve, madje në disa raste edhe në çështjet e brendshme të komuniteteve.

Enver Hoxha i kamuflonte ndërhyrjet e qeverisë së tij në punët e fesë në emër të emancipimit të popullit.

Dhe deri në vitin 1955, ishin bërë jo pak ndërhyrje. Por në vitin 1955, ndikimi i Bashkimit Sovjetik në çështjet e fesë në Shqipëri kishte qenë mjaft i dukshëm.

Dy dokumente që ruhen në fondin arkivor të Këshillit të Ministrave në AQSH zbulojnë përveç ndikimit dhe ndërhyrjeve të Moskës në çështjet fetare në Shqipëri edhe përmasat reale të “reformave” të regjimit komunist në drejtim të feve në vendin tonë.

Dokumenti i pari i cili mban datën 28 dhjetor 1955 është një raportim i vizitës së sekretarit të I-rë të Ambasadës Sovjetike, Vasil Siminev në zyrat kryeministrisë në Tiranë, me 27 dhjetor 1955, i cili ka kërkuar shpjegime për një varg të gjatë çështjesh që lidheshin me gjendjen e fesë në Shqipëri në vitin 1955.

Reshat Gërmenji, kryetari i Komitetit për çështjet fetare e njoftonte kryeministrin Mehmet Shehu për listën e kërkesave dhe pyetjeve që kishte drejtuar Vasil Siminev, rreth gjendes së feve dhe besimeve në Shqipëri.

Ai interesohej se në ç’bazë ishte e organizuar feja dhe a kishte një ligj për fetë, a ishin autoqefale apo me lidhje nga jashtë, çfarë ndikimi kishin në popull, a merrnin subvencione nga shtetit apo si kontrollohej buxheti i tyre e deri tek interesimi për mbajtjen e perçes, apo statistikat e sakta për përqindjen e popullsisë sipas besimeve në qytetet e mëdha…

Pyetjet që ai i drejton kryeministrit Mehmet Shehu synojnë të zbulojnë përmasat reale të ndikimit të fesë në Shqipëri.

Mes listës së gjatë të pyetjeve të sekretarit rus, bie në sy interesimi i tij se “çfarë kuadri kanë dhe a kanë shkollë për klerikë?”.

Kjo çështje është parë nga regjimi që nga kjo kohë e deri në mbylljen e plotë të kishave dhe xhamive si ”thembra e Akilit” për të minimizuar maksimalisht forcën e komuniteteve fetare. Dhe duket se kjo “detyre shtëpia” nga Moska është zbatuar me rigorozitet prej Enver Hoxhës.

Në vitin 1967 para se të niste goditjen finale Enver Hoxha e veçon çështjen e kuadrit të fesë si një shtyllë ku duhet të mbështetej regjimi, pasi pa kuadro dhe arsim fetar, fetë në shqipëri gradualiasht do të shkonin drejt eleminimit të tyre.

Pas këtij informacioni për këtë vizitë, Komiteti për Çështjet Fetare kishte përgatitur një raport të hollësishm për gjendjen e feve në Shqipëri. Raporti është dokumenti i dytë për të cilin folëm më lart.

Në të gjejmë të dhëna të vyera për statistikat e kësaj periudhe në drejtim të besimeve fetare por edhe përmasat reale të tendencës të regjimit për të ndërhyrë sa më thellë në punët e brendshme të komuniteteve fetare.

Më poshtë i sjellim ekskluzivisht dy dokumentet e dhjetorit 1955 për gjendjen e feve në Shqipëri, që zbulojnë një stacion të rëndësishëm në luftën kundër fesë, që përkon me kohën kur ndikimi i Moskës në regjimin komunist shqiptar ishte në kulmin e tij.

Dokumenti i parë

INFORMACION MBI SEKRETARIN E I-rë TË AMBASADËS SOVJETIKE, QË KËRKON DISA TË DHËNA MBI FENË NË VENDIN TONË

S H O K U

K R Y E M I N I S T Ë R

Në datën 27/XII/1955 Sekretari i I-rë i Ambasadës Sovjetike Shoku Vasil Siminev bëri takim me mua këtu në Kryeministri. Unë si përkthyes kisha Qemal Shehun.

Ay kërkoj disa të dhëna mbi fenë në vendin t’onë:

1) Në ç’bazë është organizuar feja dhe a ka ligjë.

2) Sa lloj feje janë e si janë të organizuara.

3) A janë autoqefale, apo jo, dhe a kanë lidhje nga jashtë.

4) Influenca që kanë në popull.

5) Çfar kuadri kanë dhe a kanë shkollë për klerikë.

6) Çfarë kulture kanë dhe kush ka më shumë.

7) Ku e kanë marrë kulturën.

8) A u jepet subvencion nga Shteti dhe pse u jepet.

9) Nga kush i kanë të ardhurat e tyre.

10) A ka ligjë që shteti duhet t’i ndihmojë.

11) Si kontrollohet buxheti i tyre nga shteti.

12) Kur kanë festa zyrtare dhe për vdekie a u bienë kambanave.

13) Rajonet (qarqet) që janë më fetarë.

14) Perçia që vazhdon a është influencë fetare apo zakon.

15) Nëse venë të rinj në kisha e xhamira.

16) Në qytetet më të mëdhenj cila fe ka popull më shumë.

17) Si është vënë në praktikë propaganda anti-fetare nga ana shkencore.

Përveç pikës së parë, për pikat e tjera nuk i kam përgjegjur. Ai më tha kur do më përgjigjesh? Unë i thashë, do t’u njoftoj unë kur t’i bëj gati.

Lutemi më urdhëzojni si do t’i përgjigjem, t’ja u ap të shkrojtur apo të mbajnë shënime dhe a do t’u përgjigjem me hollësi pyetjeve.

Për propagandën anti-fetare me mjete shkencore si do t’i përgjigjem.

Për komitetin për çështje klerike:

(Reshat Gërmenji)

(firma)

28/XII/1955

Më d. 3/I/956 m’u kthye nga Shoku Beqir Balluku, duke ju dhënë një kopje

Dokumenti i dytë

R E L A C I O N

MBI GJENDJEN E KISHËS NË SHQIPËRI

E gjithë Shqipëria ka një popullsi prej 1.394.310. Nga këto janë 71.20% mysliman, 18.56% orthodhoks, 10.18 katolik, 0.06 të ndryshëm.

1) Në ç’bazë është organizuarë feja dhe a ka ligjë.

Në Republikën Popullore të Shqipërisë janë katër komunitete dhe pesë sekte fetare, të cilat kanë qenë të organizuar qysh prej kohe. Në vitin 1949 ka dalë dekret-ligja mbi komunitetet fetare Nr. 743 datë 26/XI/1949 që flet mbi organizimin e komuniteteve fetare.

2) Sa lloj feje janë e si janë të organizuara.

Janë tre lloj feje Mysliman, Orthodhoks e Katolik. Myslimanët ndahen në dy komunitete, të cilët janë Bektashinjtë që e kanë komunitet më vete, këta kanë qenë sekt, por më 1928 kryetari i bektashinjve që e kish qendrën në Stamboll (Turqi) në këtë vit u përzu nga Turqia dhe erdhi u vendos në Shqipëri mbasi ky ishte shqiptar dhe fitoj të bëhet komunitet dhe botëror i cili quhej Niazi Sali Dedej, ky ka qenë i zgjedhur nga gjithë besimtarët bektashianë të botës, ky është vrarë prej fashistave Italianë në vitin 1941.

Në komunitetin mysliman janë të mvarur pesë sekte fetare të tjerë, të cilët quhen Alveti, Rrufai, Kadri, Sadi e Tixhani.

Të katër komunitetet janë të organizuarë, ku kanë nga një këshillë të përgjithëshme, i cili është organi më i lartë i komunitetit, ky mblidhet njëherë në vit dhe mer vendime, për emërime ose pushime të kuadrove të larta (dioqezave) shikon dhe aprovon buxhetin vjetor. Të gjithë komunitetet kanë statutet dhe rregulloret administrative të tyre.

3) A janë autoqefale dhe a kanë lidhje nga jashtë.

Që të gjitha janë autoqefale, as njeri nuk kanë mvarie administrative nga jashtë. Katolikët para çlirimit Shqipërisë kanë qenë të mvarur nga papa i Romës, por në vitin 1952 dhe katolikët bënë statutin dhe rregulloren e tyre dhe administrohen vetë.

4) Influenca që kanë në popull.

Në pjesën më të madhe të popullit nuk kanë influencë qoftë si fe, qoftë si klerikë. Atë pakë influencë që kanë e kanë më të shumtën në fshatarësin e malësis që janë me pakë kulturë dhe këtu e ka më shumë si fe, e si klerikë e kanë më të pakët influencën.

5) Ç’far kuadri kanë dhe a kanë shkolla për klerikë.

Simbas rregullit të tyre kuadrot kryesore i kanë të plotësuarë p.sh. myslimanët kanë kryetarin dhe tre kryemyftinj të zonave dhe 7 myftinj të qarqeve si dhe 18 nënmyftinj të rretheve.

Orthodhoksit kanë kryetarin (kryepiskopin) dhe 4 episkopë të dioqezave si dhe 17 zv.lokalë.

Katolikët kanë kryetarin me një ndihmës ipeshkv dhe 6 vikar kapitullarë.

Bektashinjtë kanë kryetarin (kryegjyshin) dhe 6 gjyshër të zonave. Nga klerikët e ulët në përgjithësi kanë mungesa, por sidomos më shumë orthodhoksit e katolikët.

Shkolla për klerikë ka vetëm komuniteti mysliman me 60 nxënës ku vazhdojnë në ‘te 4 vjet. nxënësit kur merren duhet të kenë mbaruarë shkollën 7/vjeçare.

Në gjetien e nxënësve nga viti në vit gjejnë vështirësi, më të shumtit që venë janë bij fetarësh.

Orthodhoksit e katolikët kanë marrë nga njerzit që kanë qenë në fakultetin fetar e në seminare, pse para çlirimit katolikët kanë patur fakultet dhe orthodhoksit seminar.

6) Ç’far kulture kanë dhe kush ka më shumë.

Në përgjithësi me përjashtim të katolikëve nga kultura janë të ulët. Kurse katolikët në përgjithësi i kanë me kulturë, pse të gjithë kanë theollogji.

7) Ku e kanë marrë kulturën.

Myslimanët piesa më e madhe e ka marë në Shqipëri se ka patur shkolla fetare, piesa tjetër e ka marrë kulturën në Turqi (Stamboll).

Orthodhoksit afro gjysmët e kanë marrë në Shqipëri me anë të seminareve, piesa tjetër e ka marrë në Greqi e një pjesë e vogël Rumani.

Katolikët piesa më e madhe e ka marrë në Itali dhe një pjesë në Gjermani e Shqipëri.

Bektashinjtë në përgjithësi janë autodidakt, nuk kanë patur shkolla bektashiane, një pjesë e vogël kanë nga pakë arsim shtetëror.

8) A u jepet subvencion nga shteti dhe pse u jepet.

Nga shteti u është dhënë subvencion, masi kanë qenë shumë ngushtë nga buxheti për plotësimin e rrogave të personelit dhe ky subvencion nga viti në vit u është pakësuarë.

9) Nga kush i kanë të ardhurat e tyre.

Të ardhurat i kanë nga një pjesë të vogël toke që u është lënë, nga qirat e një pjes godina të vogla që kanë dhe nga ndihmat e besimtarëve në rast festash si dhe subvencioni i dhënë nga shteti.

10) A ka ligjë që shteti duhet t’i ndihmojë.

Nuk ka ligjë që kleri të ndihmohet, në statutet e tyre dhe në dekret-ligjën mbi komunitetet fetare thuhet se eventualisht shteti mund t’u japë subvencion.

11) Si kontrollohet buxheti i tyre nga shteti.

Buxheti i tyre nhuk kontrollohet nga shteti, por po të ketë të dhëna financa se ka viedhje, ndërhyn dhe ja jep gjygjit, të tillë raste ka patur në komunitetin bektashian e mysliman.

12) Kur kanë festa zyrtare dhe për vdekie a u bienë kambanave.

Rënien e kambanave e kanë patur shumë të egzaxheruar gati tërë ditën binin kambanat, këtë e kanë patur më të zhvilluar katolikët, bile ka patur ankim nga populli.

Në vitin 1955 u është lënë që t’i bien kambanave simbas rregullit të tyre, ditët e djelave dhe të kremteve që i kanë më të forta të cilat janë 10 ditë në vit, për vdekie nuk i bien. Kjo është në qytete, kurse në katunde u është lënë simbas rregullit të tyre.

13) Rajonet (qarqet) që janë më fetare.

Qarqet që janë më fetare është Shkodra, Elbasani, Durrësi, Tirana, Berati e Korça. Me përjashtim të Shkodrës dhe Elbasanit, qarqet e tjerë në qytet nuk janë shumë fetarë, si fetarë kanë popullsinë e katundeve.

14) Perçia që vazhdon është influencë fetare apo zakon.

Një pjesë e vogël grash që mbajnë perçe ka në Shkodër dhe në rrethin e Kavajës të qarkut Durrësit. Po të shikohen familjet e grave që mbajnë perçe janë mjaft të ulët nga ana e kulturës, kështu që presioni fetar qysh prej kohe u ka mbetur zakon që të mbajnë perçe.

15) Në se venë të rinj në kisha e xhamira.

Para çlirimit sidomos në kishat dhe xhamirat vinin më shumë të rinj se sa pleq, kurse mbas çlirimit e këtej janë pakësuar shumë vajtia e të rinjve e sidomos në xhamirat e kishat orthodhokse, kurse në kishat katolike ka akoma nga të rinjtë që venë e sidomos më shumë në katundet e malsive.

16) Në qytetet më të mëdhenj cila fe ka popull më shumë.

Tirana 80% është muslimane, 16% orthodhokse, 4% katolike.

Shkodra 53% është katolike,45% myslimane, 2% orthodhokse.

Durrësi 81% është muslimane, 15% orthodhokse, 4% katolikë.

Elbasani është 90% mysliman, 9.6% orthodhoks, 0.4% katolikë.

Korça është 61% mysliman, 39% orthodhoks.

Gjirokastra është 60% orthodhoks, 40% myslimane.

Vlora është 62% myslimane, 28% orthodhokse.

Berati është 85% mysliman, 15% orthodhoks.

17) Si është vënë në praktikë propaganda anti-fetare nga ana e shkencës

Për propagandën anti-fetare, kanë dalë libra (broshura) shkenca dhe feja, mbi katoliçizmin, janë vënë në revistën Hosteni dhe gazetën Bashkimi disa klerikë me raste bërie nuskash pse përkënduarie të sëmurish.

Në grumbuj punëtorësh (kampe etjera) janë spjeguarë mbi fenomenet e natyrës (dielli, hëna, toka, shiu etj.)

Kur ka patur filma si Zekthi etj. janë propaganduarë që i ka frekuentuar masa më shumë. (tesheshi)

Dokumente të rralla të vitit 1955, ja si ndikoi Moska për zhdukjen e fesë në Shqipëri Read More »

Sa shtrenjtë kushton argëtimi në Tiranë?

Në rast se një individi nga Tirana do të shpërngulej sot në një nga vendet e rajonit, në Prishtinë, Shkup ose Sarajeve, kostot e jetesës do të ishin më të lira se në Tiranë. Ndërsa në Beograd dhe Podgoricë jetesa do t’i kushtonte më shtrenjtë, sipas të dhënave të mbledhura nga portali që krahason kostot e jetesës në vende të ndryshme të botës, expatistan.com.  Kostot e jetesës janë një shumatore e kostove për ushqim, strehim, veshje, transport, përkujdesje personale dhe për argëtim. Krahasuar me Tiranën, Prishtina është rreth 18 për qind më i lirë.

Për t’u veshur në Prishtinë, një individ nga Tirana do të shpenzonte 19 për qind më pak, për t’u ushqyer 9 për qind, për strehim 1 për qind, për transportin 18 për qind, për kujdesin personal do të shpenzonte rreth 27 për qind më pak se në Tiranë, ndërsa për argëtim shpenzimet gati do t’i përgjysmoheshin  me 49 për qind më pak.

Qyteti i dytë ku kostot e jetesës janë më të ulëta se në Tiranë është Shkupi, ku ushqimi është 8 për qind më lirë, strehimi 11 për qind, veshjet kushtojnë 19 për qind më pak, dhe kujdesi personal së bashku me argëtimin kushtojnë përkatësisht 28 dhe 23 për qind më pak. Ndërsa sipas të dhënave të portalit, transporti në Shkup është rreth 10 për qind më i shtrenjtë se në Tiranë.

Kryeqyteti i tretë më i lirë se Tirana është Sarajeva. Në Sarajevë shpenzimet janë më të ulëta për veshje, kujdes personal dhe argëtim, me përkatësisht 13, 12 dhe 28 për qind. Ushqimi dhe strehimi kushtojnë më shumë se në Tiranë. Për t’u ushqyer në Sarajeve do të duhen rreth 6 për qind më shumë para se në Tiranë, ndërsa për t’u strehuar rreth 8 për qind më shumë.  Kostot e transportit janë të njëjta.

Por Tirana është më e lirë për sa i përket kostove të jetesës krahasuar me Beogradin dhe Podgoricën, me rreth 6%.

Strehimi në Beograd është rreth 30 për qind më i shtrenjtë, ndërsa transporti 23 për qind. Ushqimi dhe veshja është përkatësisht 6 dhe 10 për qind më shtrenjtë se në Tiranë. Ndërsa për sa i përket kujdesit personal dhe argëtimit, në Beograd një individ nga Tirana  17 dhe 23 për qind më pak.

Edhe Podgorica është më e shtrenjtë se Tirana. Më shumë ndikojnë kostot për ushqim, strehim dhe transport, ku një individi nga Tirana do t’i duhen përkatësisht 27, 18 dhe 14 për qind më shumë para. Ndërsa do të shpenzojë më pak për veshje (7%), për përkujdesjen personale (11%),  dhe argëtim (23%).

Sa shtrenjtë kushton argëtimi në Tiranë? Read More »