Shisha është kthyer në shoqëruesin e preferuar të njerëzve jo vetëm nëpër clube, por edhe në ambiente më të vogla apo edhe thjeshtë në shtëpi.
Por edhe pse ju duket një mënyrë mjaft argëtuese për të kaluar kohën e lirë dhe krejt e padëmshme për shëndetin, me siguri shumë prej jush nuk i dinë efektet negative të saj.
Tymosja e Shisha-s mund të jetë po aq e dëmshme dhe e rrezikshme sa konsumimi i duhanit. Kjo sepse tymosja në argjile nuk mund të jetë më pak toksike në një tub uji.
Madje një konsumues i rregullt i Shisha-s mund të thithë më shumë helme tymërash gjatë konsumimit të Shisha-s sesa një duhanpirës brenda pak ditësh.
Kjo shkakton rreziqe afatgjata për shëndetin duke përfshirë edhe kancerin e zemrës, lëkurës si dhe sëmundje të gojës.
Shumë persona që e parapëlqejnë Shisha-n mund të thonë se mund ta lënë kur të duan dhe vazhdojnë sërish ta konsumojnë për kënaqësi.
Nikotina në Shisha i bën njerëzit po aq të varur sa nikotina në cigare ndaj lënia e saj mund të marrë pak kohë.
Pak ditë pasi ta keni lënë do të vini re ndryshimet dhe përmirësimet në shëndetin dhe cilësinë e jetës suaj.
Arsyet pse duhet ta lini Shisha-n:
Zvogëloni shanset për infektimin e gojës nga bakteret
Zvogëloni shanset për t’u prekur nga kanceri dhe turbekulozi
Parandaloni sëmundjet e zemrës
Bëni një jetë më të shëndetshme
Më parë turbekulozi në vendet e Lindjes së Mesme lidhej me Shishën
Monoksidi i karbonit (nga qymyri) është 30 herë më i vështirë për tu tretur në ujë,sesa oksigjeni.
Në një thithje të vetme ata që konsumojnë shisha thithin deri në 200 herë më shumë tym se nga një cigare.
Pirja e duhanit vret rreth 114,000 njerëz në Britani të Madhe çdo vit.
Sa më e gjatë seanca me nargjile, aq më shumë nikotinë dhe toksina merrni.
Moderatorja e njohur e emisionit “Why Not”, Roza Lati dje e nisi ditën me një kërcënim nga e ëma, Rita Lati.
Pas deklaratave të Rozës në Instagram se po mendonte që së shpejti të bënte një tatuazh të ri, aktorja e njohur me shaka e kërcënoi duke i thënë se nëse do të bënte një gjë të tillë, ajo do ta mohonte si fëmijë.
“Kuptimi i gjes. Mos do bësh ndonjë zhgaravin tjetër të kam mohuuu, s’kam fëmi mendohu mirë. Viiz”, i shkruan Rita të bijës.
Mesazhi i Ritës, të cilën Roza e postoi në Instastory dje bëri xhiron e rrjetit dhe të gjitha mediat shkruan se aktorja e njohur mohon të bijën. Menjëherë pas këtyre lajmeve ka ardhur reagimi i Rozës, e cila nëpërmjet një postimi në ‘Instastory’ tregon marrëdhënien e veçantë që ka me të ëmën.
“O mamo qenkan mbush portalet që do më mohosh si fëmi… Nxehet…shpërthen…acarohet Rita.. Unë dhe Rita kemi sens humori përtej mediokritetit..”, shkruan Roza në postimin e saj në Instastory duke iu kundërpërgjigjur të gjitha portaleve për shkrimet ku thuhej se ajo mohohej nga e ëma.
Pas këtyre lajmeve nuk ka munguar as një reagim nga ana e aktores së njohur, e cila jo vetëm që i ka dhënë lejë Rozës të bëj një tatuazh të ri, por me humor ka thënë se e dëshiron edhe ajo një të tillë.
“O sa u kënaqa me këto portalet, bëj çfarë të të dojë kokrra e qejfi mam dhe më lër një orar se do e bëj një zhgaravin edhe unë”, i ka shkruar Rita, Rozës pas lajmeve ku thuhej se ajo e mohonte si fëmijë.
Tregtia e jashtme ishte e para që vuajti pasojat e krizës ekonomike. Gjatë kësaj periudhe importi dhe eksporti i mallrave do të arrinin nivelet e viteve të para të pasluftës së parë Botërore.
Shkruan Kreshnik Kuçaj
Kriza ekonomike botërore e njohur si “Depresioni i Madh” filloi në tetor të vitit 1929 me kolapsin e Wall Street në Shtete e dhe shumë shpejt u përhap në mbarë botën. Efektet që solli kjo krizë ishin papunësia e lartë, varfëri, përfitime të ulëta, deflacion, ulje të të ardhurave në bujqësi e rënie të theksuar ekonomike. Por mbi të gjitha, kjo krizë solli një humbje të besimit për një rritje ekonomike në të ardhmen. Kriza e nisur në vitin 1928 do të zgjaste deri në vitin 1933.
Por si u ndje në Shqipëri “Depresioni i Madh”?
Në fakt, Shqipëria do të përjetonte një krizë të thellë e më të zgjatur në kohë, deri në atë pikë sa mund të konsiderohet katastrofë si për ekonominë shtetërore, ashtu edhe për familjare. E kësaj krize, që ndikoi negativisht te dërgesat e emigrantëve e te tregtia e jashtme, me pasoja zinxhir në ekonomi më pas, do t’i shtohej edhe një periudhë e keqe stinore e prodhimit të drithit për bukë e një periudhë e tensionuar e marrëdhënieve politike të Shqipërisë me Italinë. Marrëdhëniet e tensionuara do të sillnin më pas edhe ndërprerjen e një burimi të rëndësishëm që kishte shërbyer si “oksigjen” për balancën që vinte nga këstet e kredisë të cilat përdoreshin edhe për financimin e deficitit buxhetor.
Rënie e dërgesave të emigrantëve
Dërgesat e emigrantëve, sidomos e atyre nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbënin një zë të konsiderueshëm në ekonominë shqiptare. Para krizës ekonomike, emigrantët dërgonin mesatarisht 10 milionë franga ari në vit. Gjatë krizës, ata dërgonin më pak se 4 milionë franga, çka dobësoi më shumë fuqinë blerëse e paguese të detyrimeve fiskale nga ana e familjeve shqiptare. Në këtë mënyrë, kriza u ndje në buxhetet familjare, me ndikim direkt edhe në arkën e shtetit.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe Shqipëria njohu edhe një kthim të emigrantëve në vendlindje ndërsa emigracioni në vetvete nuk konsiderohej më një alternativë. Pasojat që do ta shoqëronin këtë periudhë do të ishin lëvizjet nga qyteti në fshat për të siguruar nevojat bazë të jetesës por edhe thellimi i papunësisë në vend.
“Zhdukja” e parasë dhe fajdet
Pasojat e krizës ekonomike do të ndjeheshin edhe në zhvlerësimin e frangut shqiptar. Zhvlerësimi i tij në këtë periudhë arriti në 5-6 % çka shkaktoi panik te tregtarët e biznesmenët e tjerë të cilën shkëmbyen kartëmonedhat me monedha ari duke ndikuar negativisht te politika e bankës për kontrollin e parasë në qarkullim. Mbushja e sporteleve të bankës qendrore për shkëmbimin e parave solli një pakësim të parasë në qarkullim me 4 milionë franga; nga 14 milion ra në rreth 10 milionë franga.
Nga ana tjetër, u rrit ndjeshëm edhe fenomeni i fajdeve ku kamata arriti deri në 100 %.
Pasojat në tregtinë e jashtme
Tregtia e jashtme ishte e para që vuajti pasojat e krizës ekonomike. Gjatë kësaj periudhe importi dhe eksporti i mallrave do të arrinin nivelet e viteve të para të pasluftës së parë Botërore.
Në vitin 1929 kur filloi kriza, eksportet ishin në nivelin e 14.6 milionë franga ari ndërsa një vit më pas ato do të nisnin serinë e përvitshme të rënieve përkatësisht 12.3 milion franga ari në 1930, 7.5 milionë franga ari në 1931, 4.5 milion franga ari në 1932, 5.7 milion franga ari në në 1933 për të rënë në 4.3 milionë franga në vitin 1934. Brenda një periudhë të shkurtër, eksportet e mallrave shqiptare drejt vendeve të tjera shënojnë rënie të konsiderueshme me 10 milion franga më pak.
Situata ishte e ngjashme edhe me importet. Në vitin 1929 importet ishin në nivelin e 38.6 milionë franga ari për të zbritur në vitin 1930 në 33.2 milionë franga ari, e për të vijuar rënien e përvitshme përkatësisht 29.5 milionë franga në 1931, 22.8 milionë franga në 1932, 15.9 milionë franga në 1933 dhe 12.3 milionë franga në 1934. Rënia e importeve në këtë periudhë është me tre herë krahasuar me vitin e parë të krizës. Shkëmbimet tregtare do të vijonin me këtë tendencë deri në mesin e vitit 1935.
Goditja e bujqësisë, zija e bukës e vetëvrasjet
Goditjen më madhe nga kriza do të merrnin fermerët e fshatarët të cilët në pamundësi për të shitur produktet e tyre jashtë vendit, ku kishte rënë kërkesa, u detyruan të ulnin çmimet me ritme të shpejta. Por paratë në qarkullim ishin pak. E kësaj krize do t’i shtohej edhe një krizë tjetër, ajo e të korrave të pakta të misrit që do të reflektohej në zi buke në mbarë vendin, sidomos në zonat e thella malore.
Banorët e këtyre zonave u detyruan të shisnin gjithçka kishin për t’i shpëtuar urisë. Misri përbënte ushqimin kryesor për një pjesë të madhe të popullsisë dhe vonesat që pati në fillim qeveria për importin e misrit do të sillnin një shtrenjtim të çmimit të tij në treg e abuzime gjithashtu. Në vitin 1931, qeveria u detyrua të marrë masa duke importuar misër por sërish nuk do të kishte një zgjidhje të problemit për faktin se familjeve shqiptare u mungonin paratë për blerjen e tij. Në këtë periudhë nuk mungojnë as rastet e vetëvrasjes si pasojë e dëshpëruimit për pamundësinë e sigurimit të jetesës.
Në këtë periudhë, nuk mungojnë as fushatat për të ndihmuar të uriturit. Sa i përket blegtorisë, ajo do të përballej me një pakësim për faktin se kafshët do të pakësoheshin nga nevoja për t’u ushqyer familjet.
Falimentimet në industri dhe lindja e karteleve
Në vitin 1930-1931 kriza goditi rëndë industrinë e ndërtimit. Fabrika e çimentos e Shkodrës, për arsye teknike por edhe financiare ndali prodhimin dhe falimentoi. Po ashtu, nga 10 fabrika cigaresh, 5 prej tyre mbyllën aktivitetin në vend.
Një goditje të rëndë mori edhe artizanati dhe degët e tjera të industrisë gjithashtu, produktet e të cilëve konkurroheshin fort nga mallrat e eksportit. Gjatë kësaj periudhë nuk u hapën fabrika të reja, ndërsa ato ekzistuese e ngadalësuan veprimtarinë e tyre ekonomike apo e ndërprenë përkohësisht atë. Me mijëra zejtarë nuk arrinin të paguanin taksat e të shisnin produktet e tyre, çka solli një varfërim të thellë të kësaj kategorie, duke i detyruar ata që të mbyllnin dyqanet e punishtet.
Për t’i bërë ballë situatës së vështirë ekonomike, ku eksportet kishin mungesë të theksuar e tregu i brendshëm ishte i vogël për të përballuar vijimin e aktivitetit ekonomike, disa sektorë të industrisë ushqimore si industria e miellit apo ajo e alkoolit do të bashkoheshin në formën e karteleve duke ndarë mes tyre tregun.
Pamundësia e mbledhjes së taksave dhe e dhënies së pagave
Arkat e shtetit do të përballej në këtë periudhe me problematika serioze, aq sa nuk do të arrinte dot as të paguante pagat e nëpunësve. Në rrethe, vonesat shkonin deri në 6 muaj. Nga ana tjetër, kishte shumë vështirësi për mbledhjen e taksave, pavarësisht masave shtrënguese që u ndërmorën.
Politikat fiskale të kësaj periudhe rezultuan të pasuksesshme. Mallrat e sekuestruara si rrjedhojë e detyrimeve të prapambetura nuk kishin ku shiteshin si rrjedhojë e pamundësisë që kishte në vend për blerjen e tyre. Po ashtu, edhe alternativa e burgosjes nuk funksionoi e madje u konsiderua si një zgjidhje edhe më e kushtueshme pasi të burgosurit duheshin ushqyer e si rrjedhojë kostot rriteshin edhe më tej për arkën e boshatisur të shtetit.
Mospagimi i taksave në këtë periudhë vetëm në fshat vlerësohej se ishte kishte krijuar një borxh në nivelet 20 milionë franga ari.
“Oksigjeni” i munguar nga jashtë
Në dy vitet e para të krizës, qeveria bëri përpjekje për të luftuar pasojat e krizës përmës politikës së rritjes së shpenzimeve. Kjo i mundësohej edhe nga fakti se ishte nënshkruar marrëveshja për një kredi nga Italia, që parashikonte ndër të tjera edhe krijimin e një mekanizmi ekonomik për zhvillimin e vendit të emërtuar SVEA. Marrëveshja ishte nënshkruar në vitin 1925 dhe parashikonte një hua 50 milionë franga ari për të financur veprat publike të cilat i nevojiteshin Shqipërisë.
Për formimin e kapitalit të këtij mekanizmi do të kontribuonin bankat e nivelit të dytë të Italisë dhe Instituti Italian për Kolonizimin dhe Ndërmarrjet e Punëve Italiane jashtë Vendit e si rrjedhojë marrëveshja parashikonte edhe koncesione në territorin shqiptar për kompanitë italiane.
Por krahas investimeve, këstet e kredisë që merreshin nga ky mekanizëm do t’i shërbenin qeverisë për të kuruar “sëmundjen kronike” të deficitit buxhetor.
Gjithsesi marrëdhëniet e disbursimit të kredisë dhe pagesa e kësteve u përballen me tensione të shumta e bllokime për shkak të pamundësisë së Shqipërisë për t’i paguar e për shkak të politikës së zgjerimit të prezencës së kapitalit të saj që ndiqte Italia në ato vite në Shqipëri.
Ndërsa vendi ndodhej në krizë, në vitin 1931, Italia kërcënoi me mosrinovimin e marrëveshjes financiare me Shqipërisë, çka nënkupton ndërprerjen e financimeve nga jashtë. Kjo e detyroi qeverinë shqiptare që jo vetëm të shkurtonte shpenzimet por edhe të shihte mënyra të tjera financimi; mes të cilave edhe opsioni i një kredia nga Lidhja e Kombeve, emetimi i kartëmonedhave apo edhe një hua e brendshme.
Asnjëra nga këto tre të fundit nuk u realizua dot duke vështirësuar në këtë mënyrë edhe më shumë pasojat e krizës ekonomike me të cilën po përballej vendi. Tensionet diplomatike mes dy vendeve, bllokimi i i financimeve nga jashtë e kërkesat e shumta që vinin nga Italia do të zgjidheshin në vitin 1936 por ndërkohë kishin përkeqësuar edhe më shumë pasojat ekonomike në vend e kishin krijuar dëshpërim jo vetëm në popullatë por tashmë edhe te shtetarët-negociatorë.
E kjo zgjidhje do të funksiononte deri në vitin 1939 kur vendi u pushtua nga Italia./SCAN/
Kulinaria shqiptare spikat në shijen e saj në çdo gatim.
Receta të kripura e të ëmbla tradicionale mahnisin me shijet dhe aromat e tyre duke tërhequr këdo drejt tryezës.
Më poshtë keni një recetë fantastike të përgatitjes së pulës me lakër arme, një traditë fantastike e nënave dhe gjysheve shqiptare, e cila të përfshin tërësisht me shijen e saj.
Receta e saj është shumë e thjeshtë në përgatitje si dhe është ideale për një drekë të plotë dhe të shijshme.
Përgatitja e Pulës së Pjekur me Lakër Arme
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
1 pulë 1 kg
1 kokërr qepë mesatare
2-3 lugë gjelle me vaj ulliri
1 lugë gjelle me salcë domate
1-2 gjethe dafine
Një tas i madh me lakër arme
Kripë
Piper
Spec djegës (sipas dëshirës)
Përgatitja
Pula e prerë në thela ose nëse preferoni mund ta lini edhe të paprerë, vendoset në një tenxhere në zjarr dhe kaurdiset me vaj ulliri dhe me pak gjalpë.
Në vijim shtohet qepa e grirë hollë, salca e domates, kripa, piperi dhe dafina.
Për më shumë shije nëse preferoni mund të shtoni edhe pak spec djegës.
Në vijim,duhet që t’i kaurdisni të gjitha bashkë dhe më pas t’i hidhni ujë derisa thelat e mishit të mbulohen.
Lihet të ziejë derisa mishi i pulës të zbutet dhe të mbetet me pak lëng.
Më pas, thelat e mishit të pulës me lëngun e mbetur kalojini në një tavë ose tepsi.
Ndërkohe duhet të prisni lakrën arme të rripa apo copa të vogla dhe ta shtoni në tavën me mishin e pulës.
Futeni tavën në furrën e parangrohur dhe lëreni të piqet derisa lakra arme të zbutet dhe të mbetet me shumë pak lëng.
Ky gatim special shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës, me sallata jeshile, rukola apo edhe bukë të thekur, salcë kosi, djathë si dhe perime të ndryshme të marinuara me limon e vaj ulliri.
Si shija e prodhimeve shqiptare nuk ka. Ndaj dhe, që bujqësia është kthyer në trend dhe në një minierë ari kjo është e dukshme. Kjo, faktuar edhe nga shifrat në rritje.
Interesi i tregut evropian për fruta perimet shqiptare po vjen gjithnjë e në rritje, kjo falë shijes së mirë, cilësisë dhe standardeve që produktet shqiptare plotësojnë.
Perimet janë ato që i kanë dhënë shtysë shifrave të eksportit, duke shënuar rritje dyshifrore, ku janë edhe kryesuese në vlerë ndaj produkteve të tjera.
Në grupin e perimeve kryeson eksporti i domateve, kastravecave, specave, sallatës jeshile por edhe lakrës së bardhë etj.
Përsa i përket frutave, kryesojnë portokallet, luleshtrydhet, mollët etj.
Sipas të dhënave , krahas prodhimeve tradicionale, shumë fermerë shqiptarë janë duke kultivuar varitete të reja perimesh dhe frutash me qëllim furnizimin tregun vendas e të huaj.
Vitet e fundit, shumë fermerë kanë pasuruar sipërfaqet e tyre me produktet që më parë vinin nga importi siç janë avokadot dhe kivit por edhe kultura të tjera.
Shifrat optimiste
Vitin që kaloi, eksportet e fruta perimeve arritën një shifër rekord me 14 për qind më shumë se importet e këtij grupi.
Sipas INSTAT, rritja me ritme dyshifrore vitet e fundit ka bërë që tregtia me jashtë në këto produkte të jetë më e lartë në 2017.
Po sipas INSTAT, eksportet e frutave dhe zarzavateve arritën në 9.6 miliardë lekë me një rritje 21 për qind krahasuar me vitin 2017.
Në pesë vitet e fundit eksportet e frutave dhe zarzavateve janë pesëfishuar, nga 1.8 miliardë lekë më 2012 në 9.6 mld lekë në 2017.
Interesi në rritje
Bujqësia dhe agro përpunimi janë sektorët që pritet të kenë një kontribut domethënës në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë (PBB). Këto dy sektorë konsiderohen të rëndësishëm edhe përsa i përket potencialit të madh të punësimit.
Partnerët kryesorë të Shqipërisë në eksportimin e produkteve agro-ushqimore janë vendet e Bashkimit Evropian, dhe veçanërisht Italia, Greqia dhe Gjermania.
Por aktualisht, sipas të dhënave të AgroWeb.org shumë vende të tjera Evropiane kanë kthyer sytë nga produktet shqiptare, duke kërkuar që ato të kenë standardet dhe çertifikimin e duhur.
Gjermania, Italia, Hollanda, Franca janë tepër të interesuar për të blerë prodhimet tona të freskëta, kryesisht domaten, specin, kastravecin, duke i ofruar sektorit të bujqësisë një domethënie më të madhe për rolin që ka si shtylla kryesore e ekonomisë sonë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar pranë Tregut Agro-Ushqimor në Tiranë një sasi prej mbi 1 ton bulmet të cilit i mungon origjina se ku është prodhuar.
Për më tepër analizat kanë treguar se shumica e produkteve të bllokuara dolën me përmbajtje më të lartë mikrobesh se normat ligjore.
Sasia e bllokuar përbëhet nga 1,187 kg djathë të bardhë lope, djathë kaçkavall dhe gjizë në një subjekt tregtar, i cili është penalizuar për tregtim të pasigurt të produkteve të bulmetit.
Trupa inspektuese e AKU-së të Drejtorisë së Përgjithshme në bashkëpunim me inspektorët e Drejtorisë Rajonale Tiranë kanë inspektuar magazinat e një subjekti tregtar në tregun Agroushqimor përgjatë autostradës Tiranë Durrës.
Nga kontrolli ka rezultuar se produktet djathë i bardhë lope në fuçinë me sasi 440 kg, djathë dele në sasinë e 250 kg, djathi kaçkavall në sasinë e 137 kg dhe një sasi gjize prej 360 kg rezultuan pa etiketë dhe në mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë.
Për këto gjetje trupa inspektuese e AKU-së, ka marrë mostra për analiza, ku tre nga katër këto produkte të bulmetit rezultuan mbi ngarkesën e lejuar mikrobiologjike.
Për mungesë të etiketës dhe gjurmueshmërisë, rezultateve të analizave mbi normë të ngarkesës mikrobiologjike të produkteve të bulmetit dhe tregtim të produkteve të pasigurta në treg, nga trupa inspektuese e AKU-së ndaj subjekt u mor masa administrative me gjobë me vlerën e 500 mijë lekëve si dhe bllokimi i produkteve të bulmetit.
Ndërkohë nga trupa inspektuese e AKU-së ndaj po merr masat për asgjësimin e këtyre produkteve, sipas mënyrave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, për mbrojtjen e mjedisit nga operatori i biznesit ushqimor që ka kryer shkeljen.
A ndjehen të sigurt konsumatorët?
Të gjendur përpara informacioneve të shumëllojhsme, produkteve të shumëllojshme, mallrave të importuara pa cilësi, konsumatorët shqiptarë kanë si kryefjalë të përditshme sigurinë apo më saktë, pasigurinë ushqimore.
Në artikujt e vazhdueshëm të AgroWeb.org ka trajtuar gjerësisht çështje të sigurisë ushqimore, qoftë për produktet vendase ashtu edhe për ato të importuara.
AgroWeb.org ju fton të jepni mendimin tuaj faqen e Facebook, sa mendoni se është e mundur të zgjidhen një here e mire çështje të tilla dhe cilat janë mënyrat më efikase.
Lëngu i hudhrave është i jashtëzakonshëm për mbrojtjen e imunitetit dhe parandalimin e sëmundjeve kronike.
Ka njerëz që bëjnë be e rrufe kundër pirjes së lëngut të pastër të hudhrave. Por pa dyshim me të lexuar përfitimet e pamohueshme të kësaj pije unike, do të ndryshojnë mendje.
Lëngu i hudhrës nxirret duke shtypur ose shtrydhur thelbinjtë e hudhrës, që vjen nga bima me emrin shkencor Allium sativum. Hudhra ka ngjashmëri me qepën dhe është përdorur prej mijëra vitesh në të mirë të shëndetit të njeriut.
Përdorimet e saj jo vetëm në kuzhinë por edhe në mjekësinë popullore janë të panumërta.
Të shumtë janë ata që nuk heqin dorë së konsumuari lëngun e hudhrës për shkak se ajo lufton inflamacionin, bakteret, mykun por ka edhe shumë antioksidantë.
Ky lëng përgatitet krejt lehtë dhe është një burim i pasur i alicinës. Ky është përbërësi më aktiv i hudhrës.
Lëngu përmban një sërë vitaminash si ajo B dhe C, por edhe minerale si mangani, fosfori, kalciumi, hekuri, kaliumi, magnezi zinku dhe shumë acide yndyrore mirëbërëse.
Përfitimet shëndetësore
Përfitimet kryesore të lëngut të hudhrës qëndrojnë tek aftësia për të parandaluar rënien e flokëve, përmirësuar shëndetin e lëkurës, forcuar sistemin imunitar, ulur tensionin e gjakut, rritur qarkullimin e gjakut, pastruar trupin, qetësuar frymëmarrjen dhe ndihmuar në rënien në peshë.
Konsumi i lëngut të hudhrës e ushqen lëkurën me shumë antioksidantë dhe si rrjedhojë zbut efektet e plakjes, infeksionet dhe pezmatimin e saj.
Shumë njerëz përdorin lëngun e hudhrës për të forcuar flokët, parandaluar rënien e tyre dhe ushqyer ato.
Kjo kurë natyrale mund të konsumohet e vetme ose të përzihet me produkte të tjera për flokët për të dhënë një rezultat të shkëlqyer.
Vlerat e forta të hudhrës kundër baktereve dhe mykut, por edhe prania e antioksidantëve ndihmojnë për mbrojtjen e imunitetit.
Si të përgatisni lëngun e hudhrës
Lëngun e hudhrës mund ta përgatisni vetë në shtëpi. Përbërësit e nevojshëm janë hudhra dhe shumë durim. 1 kilogramë hudhra do të gjenerojnë 2 filxhanë me lëng, të cilat mund t’i ruani për përdorim të gjatë.
Përbërësit
1 kilogram hudhër
Hapi 1 – Pastroni thelbinjtë e hudhrës dhe lajini mirë.
Hapi 2 – Hidhni në një mikser ose shtrydhëse për 2-3 minuta.
Hapi 3 – Tulin e mbetur në makineri kullojeni dhe shtrydheni në një enë qelqi.
Hapi 4 – Filtrojeni lëngun e akumuluar të hudhrës për të larguar mbetjet.
Hapi 5 – Hidheni lëngun në një enë për kuba akulli që të parandaloni oksidimin dhe futeni në ngrirje.
Këshilla për servirjen: Kubët e lëngut të akullt të hudhrës mund t’i konsumoni një e nga një nëpër supa, lëngje frutash ose ujë të ngrohtë për gargarë pse edhe për pirje.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka raportuar se kanë mbërritur pranë këtij dikasteri edhe aplikimet e para për ndërtimin e një impianti eolik në Shqipëri. Bëhet fjalë për shoqëritë “EURUS” Sh.P.K. dhe “WF ENERGY” Sh.P.K., të cilat kanë dërguar nga një kërkesë secila ku shprehin interesin për të ngritur një vepër të tillë energjetike.
Projekti duket se është i përbashkët dhe bën fjalë për një impiant, sepse zona, kapaciteti i instaluar dhe vlera e investimit është e njëjtë për të dyja aplikimet.
Kështu, zona e konsideruar e përshtatshme nga investitorët për vendosjen e turbinave të erës është një sipërfaqe prej rreth 450 mijë metra katrorë në gadishullin e Karaburunit në Vlorë. Kapaciteti i instaluar propozohet të jetë 10 MW, një sasi e konsiderueshme duke patur parasysh që shumica e aplikimeve për HEC-e dhe impiante diellore kanë një fuqi të propozuar nën 2 MW.
Po ashtu, e konsiderueshme është edhe vlera e investimit, e cila llogaritet në 20.83 milionë euro, gati 10-fishi i kostos së një impianti fotovoltaik.
Së bashku me aplikimet për impiantin eolik, pranë MIE ka mbërritur edhe një tjetër aplikim për ngritjen e një impianti diellore në Sheq Marinas, në Topojë të Fierit. Shoqëria “SMART WATT” propozon një projekt që zë një sipërfaqe prej 3 hektarësh dhe një kapacitet të instaluar prej 2 MW, me një vlerë investime rreth 2 milionë euro.
Nëse i krahasojmë këto dy teknologji të shfrytëzimit të burimeve të rinovueshme, impiantet eolike shfaqin vlera më të larta investimi se sa impiantet diellore për të njëjtin kapacitet të instaluar. Po ashtu, centralet e erës kërkojnë një sipërfaqe më të madhe dhe janë shpesh të zhurmshëm.
Por nga ana tjetër, pas realizimit të investimit, era ka një kosto më të ulët për prodhimin e energjisë (Greqi 96 euro/MWh, Kroaci 98 euro/MWh), krahasuar me diellin (Greqi 120 euro/MWh, Kroaci 185 euro/MWh)
Të dyja teknologjitë mbështeten nga qeveria shqiptare përmes skemës për burime të rinovueshme, ku shteti do të garantojë për investitorët e impianteve fotovoltaike një çmim prej 100 euro/MWh, ndërsa për ata të impianteve eolike një çmim prej 76 euro/MWh./scan.tv