Aurora

Skema Kombëtare/ 360 mijë lekë subvencion fermerëve për tufa blegtorale mbi 70 krerë

Deri 360 mijë lekë subvencion përfitojnë fermerët që kanë tufa blegtorale mbi 70 krerë dele ose dhi, nga Skema Kombëtare e mbështetjes në bujqësi 2020.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) ka çelur aplikimet nga data 29 maj deri më 19 qershor. Pas këtij procesi AZHBR nis disbursimin e financimit për fermerët fitues.

Implementimi i masës mbështetëse për blegtorinë parashikon: financim për tufën bazë të matrikulluar, për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe ose dhi, në vlerën 1 200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10 000 lekë/krerë, por jomë shumë se 500 000 lekë për subjekt. /atsh

Skema Kombëtare/ 360 mijë lekë subvencion fermerëve për tufa blegtorale mbi 70 krerë Read More »

Si të mbrohemi nga COVID-19 ndërsa bëjmë pazar

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përcolli disa këshilla që duhet të respektojnë qytetarët për të ruajtur shëndetin në kushtet e pandemisë, kur bëjnë pazar, duke filluar që përpara se të dalin nga shtëpia, në dyqan dhe kur kthehen në shtëpi.
Pazari është një pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme, sidomos kur mëngjesin, drekën dhe darkën i përgatisim në shtëpi.
Në mes të pandemisë së COVID-19 është jetike t’i kryeni aktivitetet e përditshme, si blerjen në pazar, me më tepër kujdes se zakonisht, sidomos nëse nuk keni mundësi që të blerat e pazarit t’jua sjellin në shtëpi.
Thjesht kur mendon se duhet të dalësh e të bësh pazar, të vijnë në kokë një sërë pyetjesh: A është i pastër dyqani i lagjes, sidomos kur bëhet fjalë për sipërfaqet që preken vazhdimisht, si koshat lëvizës apo makineritë e kartave të bankës? A është i sigurt ushqimi?
Ministria e Bujqësisë njofton për respektimin e rregullave të higjenës dhe masave të mbrojtjes që duhet zbatuar kur bëjmë pazar që konsistojnë në larjen e duarve para se të dalim për pazar dhe pasi kthehemi nga pazari në shtëpi, mbajtja e maskës dhe ruajtja e distancimit fizik. /atsh

Si të mbrohemi nga COVID-19 ndërsa bëjmë pazar Read More »

Basha, takime me bizneset në Elbasan: Vëmendja jonë do mbetet ekonomia

“Vëmendja jonë do mbetet ekonomia”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha në takim me bizneset në Elbasan.

“Sipërmarrësit e vegjël në Elbasan vuajnë mungesën e ndihmës, si gjatë, dhe pas pandemisë. Faturat e larta të energjisë dhe të ujit, tatimet dhe taksat lokale po i detyrojnë bizneset e vogla të ulin qepenat dhe të shtojnë radhët e të papunëve. Vëmendja jonë është dhe do të mbetet tek ekonomia, sepse për ne është jetike garantimi i një jete normale për të gjithë shqiptarët”, tha ai.

Po ashtu, Basha shtoi se “ne do t’i fitojmë zgjedhjet me shqiptarët e për shqiptarët, në mënyrë që me planin tonë të ndërtuar bashkë me shqiptarët, t’i japim zgjidhje krizës së rëndë ekonomike, të krijojmë mundësi për punë e mirëqenie e t’ua kthejmë Shqipërinë, shqiptarëve”. /atsh

Basha, takime me bizneset në Elbasan: Vëmendja jonë do mbetet ekonomia Read More »

Thaçi: Kosova është gati për dialog me Serbinë, por kërkohet unitet politik

Dy ditë pas largimit të masave të reciprocitetit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se vendi është gati për dialogun me Serbinë, me qëllim njohjen reciproke dhe përshpejtimin për anëtarësim në OKB.

Për të arritur këtë, i pari i shtetit në një konferencë për media, kërkoi unitet nga spektri politik.

Ai u shpreh se Kosova do të punojë për zbatimin e marrëveshjes së fundit të arritur me Serbinë.

Kreu i shtetit në këtë konferencë foli edhe për pandeminë COVID- 19, ku kërkoi respektim të masave preventive.

Kreu i shtetit tha se përballë Serbisë do të jenë të bashkuar me të gjithë, ndërsa tha se nuk janë në garë për të marrë primatin se kush do të kryesojë këtë dialog.

I pyetur për mundësitë e shpalljes së gjendjes jashtëzakonshme, i pari i shtetit, tha se e urren fjalën gjendje e jashtëzakonshme, por sipas tij, rrethanat ishin të tilla dhe tani është e përmbyllur kjo ide./KosovaPress/

Thaçi: Kosova është gati për dialog me Serbinë, por kërkohet unitet politik Read More »

Basha uron maturantët nga Elbasani: Sfida jonë t’ju japim një të ardhme sa më të sigurt

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka uruar sot nga Elbasani maturantët.

Në urimin e tij Basha shprehet se sfida juaj është të dilni sa më mirë, sfida jonë është t’ju sigurojmë një të ardhme sa më të sigurt.

“Sot dua t’u uroj të gjithë maturantëve suksese në provimet që kanë nisur pak minuta më parë nga qyteti i Normales, nga zemra e Shqipërisë, nga Elbasani, qytet në të cilin kam patur nderin t’i përfaqësoj për disa vite në parlamentin e Shqipërisë. Sot ndodhem prapë në mesin e elbasanllinjve, këtij qyteti me tradita të jashtëzakonshme të qytetarisë. Por mbi të gjitha me një vend të veçantë në historinë e arsimit shqiptar, Elbasani i Pedagogjikes, Elbasani i Normales, Elbasani i intelektualëve që kanë dhënë kaq shumë për arsimin dhe për breza të tërë mësuesish anembanë vendit. Ndaj është edhe vendi më i përshtatshëm për t’iu uruar dhjetëra mijëra maturantëve suksese në provimet e maturës! Sfida juaj është të dilni sa më mirë në këtë provime”, shprehet ai.

Po ashtu Basha shtoin se “sfida jonë është t’ju sigurojmë një të ardhme sa më të sigurt në karrierën tuaj të mëtejshme si studentë në universitete dhe t’ju sigurojmë një ekonomi që të punojë për ju dhe që t’ju japë vende pune e sa më shumë kënaqësi dhe shanse për të ardhmen për ju dhe sa më pak stres dhe mundime për prindërit tuaj.Ju përshëndes dhe ju uroj shumë suksese nga Elbasani i Normales, sot ditën e provimeve të Maturës, të gjithë maturantëve shqiptarë”. /atsh

Basha uron maturantët nga Elbasani: Sfida jonë t’ju japim një të ardhme sa më të sigurt Read More »

Klosi: Në fillim të javës tjetër çarterat e parë me turistë në Shqipëri

“Në fillim të javës tjetër do të fillojnë dhe çarterat e parë të cilët janë dedikuar për turizëm nga vendet të cilat ne tashmë kemi një marrëdhënie bilaterale”, deklaroi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë mbledhjes së Task Forcës së Turizmit i cili zhvilloi takimin e parë për këtë vit, në ambientet e Manastirit ‘Fjetja e Shën Mërisë’ në Parku Arkeologjik Kombëtar Apoloni, në fokus të së cilit ishin masat e marra dhe ecuria e turizmit gjatë këtij sezoni turistik të ndikuar nga COVID-19.

Me pjesëmarrjen e tour operatorëve dhe hotelierëve, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti bënë të ditur detaje nga paketa e përbashkët turistike me kosto të ulët.

Ndonëse një vit i vështirë për shkak të pandemisë, Klosi shprehu besimin se “në qoftë se ne ofrojmë rregulla në plazhe, garantojmë higjienë, garantojmë mbrojtje nga pandemia, mund t’ia dalim që të kemi një sezon të pranueshëm turistik edhe në 2020-ën”.

Në fjalën e tij, Klosi tha se edhe pse po përballemi me pandeminë sikurse e gjithë bota, duhet të bashkëpunojmë jo vetëm për Fierin si destinacion turistik, por edhe për një fushatë të madhe për të vizituar Shqipërinë turistike nga turistët vendas dhe të huaj.

“Duke qenë të parët që hapëm edhe kufijtë dhe duke promovuar Shqipërinë turistike në rajon, duhet të përfitojmë një turizëm rajonal u cili ka qenë jo aty ku duhet duke menduar që kemi shumë më tepër, duhet të afrojmë turizëm për vëllezërit tanë të Kosovës, të cilët kanë qenë gjithmonë mbështetësit kryesorë të turizmit të huaj që vinin në Shqipëri, por po ashtu me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën, Bullgarinë, Turqinë për të qenë më rajonal dhe me një ofertë të re turistike”, tha ministri.

Gjithashtu, ministri Klosi u ndal edhe në sistemin e ri të menaxhimit të vijës bregdetare duke përmbushur një nga kërkesat e vet komunitetit të hotelierëve, të operatorëve tanë turistikë si një nga prioritetet e menaxhimit të ekonomisë së jetës sonë.

Ai tha se vija bregdetare, një pasuri e jashtëzakonshme që ne kemi, duhet mirëmenaxhuar që të prodhojë më shumë para në radhë të parë për Bashkinë dhe nëpërmjet këtyre parave plazhi të pastrohet dhe të mirëmbahet më mirë si dhe të rritet siguria në plazhet tona.

“Së bashku me Bashkitë kemi monitoruar të gjithë vijën tonë edhe në kuadër të luftës së përhapjes së pandemisë, por dhe në kuadër të masave që duhet zbatuar për higjienën, plazhet tona duhet të administrohen shumë më mirë, që të sigurojnë drejt për së drejti dy problem të mëdha që ka patur gjithmonë plazhi, higjienën dhe vendosja e ruajtësve të plazhit, tha ai.

“Parimet e ndarjes së re të plazheve bregdetare dhe nga 400 km vijë bregdetare që bregu shqiptar ka, vetëm 10 deri 12% e saj shfrytëzohet, prandaj kemi hapësira të mëdha pa fund të cilat i kemi akoma si ofertë të re për turizmin për t’u zhvilluar bregu shqiptar, por që s’mund të lejohet që të vazhdojë të zhvillohet dhe menaxhohet pa asnjë kriter”, deklaroi Klosi.

Ai tha se “së bashku me forcat e ruajtjes së rendit, me inspektoriatet e ndryshme të qarkut të Fierit nën drejtimin e Prefektit do të ndërmarrim një situatë shumë më të kontrolluar të plazheve tona për të pasur mundësi që ndarja e plazheve të realizohet mbi dy parime. Parimin e administrimit nga operatorët turistikë dhe Bashkia të jetë përfituese e drejt për drejt e të ardhurave që mblidhen nga plazhet. Dhe e dyta parimi kryesor, tha Klosi është ruajtja e mos përhapjes së pandemisë në plazh dhe sigurimin nëpërmjet këtij menaxhimi të higjienës dhe të sigurisë.

Ai tha se “skema e re është realizuar dhe në plazhet e Divjakës dhe të Fierit ku kemi bërë një ndarje sipas vendimit të bashkisë se kë kemi përcaktuar zonë të gjelbër, zonë e cila do të jetë në plazhe e përcaktuar si plazh për publikun, pra si plazh që nuk do të lejohet të vendosen shezllon edhe çadra, zonë e cila do të jetë për qytetarët e tjerë që vijnë dhe duan të bëjnë plazh në mënyrën e tyre pa qenë të detyruar që të shkojnë te shezlloni dhe të paguajnë çadrën dhe zona e cila konsiderohet si zonë për t’u menaxhuar është ndarë në parcela të cilat do t’i ofrohen atyre”.

Gjithashtu, Klosi tha se kemi edhe një përmirësim të jashtëzakonshëm sa i përket sigurisë në plazhe.” Padyshim kemi përmirësim të jashtëzakonshëm, kemi ulur me 3 herë numrin e jetëve të humbura në plazhet shqiptare, por këtë vit duhet të jetë shumë më i sofistikuar”.

Klosi apeloi edhe për pastrimin e plazheve duke shtuar se “kemi nevojë që të bëjmë një operacion të madh pastrimi për të shkuar në korrik dhe gusht në një sezon intensiv më të stabilizuar”. /atsh

Klosi: Në fillim të javës tjetër çarterat e parë me turistë në Shqipëri Read More »

Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore /Pesë këshillat për një ushqim të sigurt

Në Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit apelon për pesë këshilla që mundësojnë për një ushqim të sigurt.

Mbajeni ushqimin të pastër; Lani duart përpara trajtimit të ushqimit dhe shpesh gjatë përgatitjes së ushqimit; Lani duart pas përdorimit të tualetit; Lani dhe dezinfektoni të gjitha sipërfaqet dhe pajisjet e përdorura për përgatitjen e ushqimit; Mbroni zonat e kuzhinës dhe ushqimet nga insektet, dëmtuesit dhe kafshë të tjera.

Sipas AKU-së, ndërkohë që shumica e mikroorganizmave nuk shkaktojnë sëmundje, mikroorganizmat e rrezikshëm gjenden më së shumti në tokë, ujë, kafshë dhe njerëz.

Këto mikroorganizma mbarten nga duart, copat e pastrimit dhe enët, veçanërisht banaqet e prerjes pasi kontakti sa më i vogël mund ti transferojë ato në ushqim dhe mund të shkaktojë sëmundje që derivojnë nga ushqimi.

AKU këshillon që të ndahet ushqimi i pagatuar nga ai i gatuar.

Konkretisht thekson AKU, ndani mishin e pagatuar, shpendët dhe frutat e detit nga ushqimet e tjera; Përdorni pajisje dhe enë të veçanta, si thikat dhe banaqet e prerjes për përpunimin e ushqimeve të pagatuara dhe lëndëve të para; Ruajeni ushqimin në enë për të shmangur kontaktin ndërmjet ushqimeve të pagatuara dhe atyre të gatuara.

Ushqimi i pagatuar, veçanërisht mishi, shpendët dhe frutat e detit dhe lëngjet e tyre, mund të përmbajnë mikroorganizma të rrezikshme që mund të transefrohen në ushqim gjatë përgatitjes dhe ruajtjes.

AKU sjell në vëmendje që gatimi i ushqimit të bëhet me kujdes, veçanërisht mishi, shpendët dhe frutat e detit.

Suprat dhe lëngjet e mishrave duhet të arrijnë zierjen në mënyrë që të garantohet se kanë arritur temperaturën 70°C. Për mishin e shpendëve, sigurohuni qe lëngu i tyre është i qartë dhe jo rozë. Në mënyrë ideale, përdorni një termometër.

Ringroheni me kujdes ushqimin e gatuar.

Gatimi i duhur vret pothuaj të gjithë mikroorganizmat e rrezikshëm. Studimet kanë treguar se gatimi i ushqimeve në temperaturën 70°C mund të ndihmojë të siguroheni që është i sigurt për konsum.
Ushqimet që kërkojnë një vëmendje të veçantë përfshirë mishin e grirë, rosto role, pjesë të mëdha mishi dhe shpendë të tërë.

Mbajeni ushqimin në temperatura të sigurta

Mos e lini ushqimin e gatuar në temperaturë dhome për më shumë se 2 orë;
Mbajini në frigorifer të gjitha ushqimet e gatuara dhe ato artikuj që prishen shpejt (e preferueshme nën 5°C). Ushqimin e gatuar mbajeni të nxehtë (më shumë se 60°C) përpara servirjes; Mos e shkrini ushqimin e ngrirë në temperaturë ambienti.
Mikroorganizmat mund të shumohen shumë shpejt nëse ushqimi ruhet në temperaturë dhome. Duke e mbajtur në temperaturë nën 5°C ose mbi 60°C, rritja e mikroorganizmave ngadalësohet ose stopohet. Disa mikroorganizma të rrezikshme rriten edhe nën 5°C.

Përdorni ujë dhe lëndë të para të sigurta

Përdorni ujë të sigurtë ose trajtojeni atë që të jetë i sigurt;
Përzgjidhni ushqime të freskëta dhe të plota; Zgjidhni ushqime të përpunuara për siguri, siç është qumështi i pasterizuar; Lani frutat dhe perimet, veçanërisht nëse konsumohen të gjalla;

AKU këshillon të mos përdoret ushqimi përtej datës së skadencës.

Lëndët e para, duke përfshirë ujin dhe akullin, mund të jenë të kontaminuara me mikroorganizma të rrezikshme dhe kimikate. Kimikatet toksike mund të formohen në ushqime të dëmtuara ose të mykura. Tregoni kujdes në përzgjedhjen e lëndëve të para dhe masa të thjeshta si larja apo qërimi i tyre mund të reduktojnë riskun, thekson AKU./atsh

Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore /Pesë këshillat për një ushqim të sigurt Read More »

15 të shëruar në 24 orët e fundit/ 925 pacientë kanë fituar betejën me COVID-19

Në 24 orët e fundit janë shëruar 15 qytetarë, duke e çuar në 925 numrin e të shëruarve, që nga fillimi epidemisë.

Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tha sot në komunikimin e përditshëm se “deri tani janë kryer mbi 18 mijë testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1232 raste”.

“Ndërkohë në Laboratorin e Virologjisë në ISHP kanë vijuar testimet për të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve në të gjithë vendin”, – tha Beqo.

Në vendin tonë janë aktualisht 273 persona aktivë me COVID-19, rreth 70% e të cilëve janë në Tiranë. Në 24 orët e fundit janë kryer 253 testime nga të cilat janë konfirmuar 20 raste pozitive, përkatësisht, 10 raste në Tiranë, 3 raste në Shkodër, 3 në Krujë, 2 në Durrës, 2 në Tropojë./atsh

15 të shëruar në 24 orët e fundit/ 925 pacientë kanë fituar betejën me COVID-19 Read More »