Aurora

Basha: PD në qendër të vëmendjes ka rimëkëmbjen e ekonomisë

“PD ka në qendër të vëmendjes rimëkëmbjen e ekonomisë”, tha sot kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë takimit me bizneset dhe qytetarët në Njësinë Administrative Nr.9 Tiranë.

Në bashkëbisedim me qytetarët, Basha shprehet se xhiro e biznesit ka rënë në 1/3.

Ai shton se “PD kur të të vijë në pushte do zbatojë ligjin, nuk do ua japë paratë 5 oligarkëve, por qytetarëve dhe biznesit.

“Ky dyqan është një nga pikat më të frekuentuar të qytetit dhe xhiro ka rënë me 1/3. Ndërkohë nuk arrin të paguajë as qiranë dhe qiradhënësi nuk merr qiranë. Dhe lajmi i keq që kam marrë sot është se numri i dyqaneve që mbyllet është 60 biznese në ditë. Kjo është drama e madhe që Rama i ka shkaktuar vendit. Ky është fronti i vërtetë i shqiptarëve, gjithçka tjetër është për t’u tërhequr vëmendje”, tha ai.

Basha thekson se “ne si opozitë dhe PD në qendër të vëmendjes kemi ekonominë e saj, punësimin dhe luftën kundër varfërisë. Zgjidhjet nuk janë të lehta, por të mundura. Hapi i parë është që lekët që sot u shkon oligarkëve sot apo përdor për carter do ua japim familjeve dhe bizneseve”.

“Ka vetëm një rrugë dalje, të bashkohemi të gjithë dhe të ia kthejmë qeverisjen e marrë peng shqiptarëve dhe të ndërtojmë së bashku një ekonomi të fortë”, tha ai./atsh

Basha: PD në qendër të vëmendjes ka rimëkëmbjen e ekonomisë Read More »

Reforma Zgjedhore/ Marrëveshja e re konfirmon se humbja e PD në 2017 s’kishte lidhje me integritetin e zgjedhjeve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me kundërshtitë e shprehura pas marrëveshjes së arritur një ditë më parë nga Këshilli Politik për reformën zgjedhore.

Rama shprehet se “padyshim që s’jam dakord me ata që thonë se marrëveshja e re me Lulzim Bashën ishte një humbje për të, se gjoja hoqi dorë nga kauza dhe nuk fitoi asgjë!”.

Kreu i Ekzekutivit nënvizon se ndonëse kauza ishte imagjinare, marrëveshja është konkrete.

Ai thekson se marrëveshja e re konfirmon se humbja e PD në 2017 s’kishte lidhje me marrëveshjen e parë dhe as me integritetin e zgjedhjeve.

“ Jo, sepse kauza ishte imagjinare, kurse marrëveshja është konkrete – pas djegies së kohës, mandateve, bashkive është një rikthim në realitet. Por marrëveshja e re ka edhe anën tjetër pozitive, që konfirmon se humbja e PD në 2017 s’kishte lidhje me marrëveshjen e parë dhe as me integritetin e zgjedhjeve, përderisa administrimi zgjedhor ekzistues mbeti kusht i panegociueshëm i LBPD, edhe në zhgjëndrrën pa qeveri teknike”, deklaron Kryeministri Rama.

Në një reagim Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi tha se “nuk do ketë më mundësi t’i fshihet kushtit nr.5 të BE për hetimin dhe dënimin e hajdutëve të zgjedhjeve të 2017-ës”.

“Mbrëmë i çmontuam kapjen e komisioneve zgjedhore. Bashkë me shqiptarët do të mbrojmë çdo votë dhe do të fitojmë!”,- tha Bardhi./atsh

Reforma Zgjedhore/ Marrëveshja e re konfirmon se humbja e PD në 2017 s’kishte lidhje me integritetin e zgjedhjeve Read More »

Kim: Marrëveshje e rëndësishme, do vazhdojmë t’ju mbështesim drejt BE-së

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim u shpreh e kënaqur nga marrëveshja e arritur sot me palëve politike për Reformën Zgjedhore.

“Jemi shumë të kënaqur që kemi parë sot që Këshilli Politik ka marrë këtë vendim dhe është bërë kjo marrëveshje e rëndësishme. Kjo në sajë të gjithë atyre orëve pune nga të gjithë ata që kanë qenë pjesë”.

“Të gjitha palët, të gjithë personat e pranishëm kanë dhënë kontributet e tyre, por edhe kanë hequr dorë ose kanë dhënë nga diçka. E bënë këtë në mënyrë që të jetë Shqipëria ajo që përfiton nga kjo gjë”, tha Kim.

“Disa do ta kritikojnë këtë marrëveshje si jo të mjaftueshme. Por po ta shikojmë në një kuadër të gjerë, kjo është një gjë për të cilën unë shpresoj që të gjithë do të japin mbështetjen e tyre”, u shpreh Kim.

“Sa i përket SHBA, jemi krenarë për këtë marrëveshje dhe do vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugëtimin drejt BE”, tha Kim.

Edhe, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, pas takimit përshëndeti sot marrëveshjen e arritur mes palëve politike për Reformën Zgjedhore.

“Ne e kemi mirëpritur këtë marrëveshje. Është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës, i cili ka filluar në janar”, tha ai.

Në fakt, theksoi Soreca, “të mërkurën kemi pasur një marrëveshje të mirë pas disa diskutimeve të mira, por ju e dini që ka qenë Opozita e Bashkuar ajo që ka kërkuar që të shikonte dhe shqyrtonte më tej detajet e tjera, si për shembull depolitizimin e administratës zgjedhore, gjë e cila është në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe ne e mbështesim këtë ecuri që është arritur”.

“Në emër të BE dëshiroj të them që Shqipëria tashmë është më pranë BE, sonte pas kësaj marrëveshjeje. Kjo për arsye se një nga kushtet për çeljen e negociatave të aderimit do të përmbushet së shpejti”, tha Soreca.

“Kjo vjen dhe në momentin e duhur, për arsye se javën që vjen KE do të propozojë dhe kuadrin negociator që do të jetë baza e negociatave mes BE dhe Shqipërisë. Kështu që tani le të ecim përpara”, theksoi Soreca.

Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Bashkuara, Duncan Norman tha se, “kjo është një ditë vërtetë e mirë në fund të një jave mjaft të gjatë dhe të vështirë negociatash”.

“Të gjithëve iu është dashur të japin diçka. Marrëveshja u bë e mundur vetëm për arsye se të gjithë patën dëshirën dhe vullnetin që të bënin kompromis. Ky është mesazh i rëndësishëm për politikën në Shqipëri. Kjo marrëveshje është një hap shumë i rëndësishëm sa i përket negociatave me BE dhe po ashtu një hap tejet i rëndësishëm sa i përket zgjedhjeve në Shqipëri dhe për vetë zgjedhësit. Megjithatë ky është vetëm fillimi që do të thotë që thelbi do të jetë tek zbatimi, tek implementimi. Megjithatë në rast se kjo frymë kompromisi dhe bashkëpunimi që kemi parë gjatë kësaj jave do të vazhdojë atëherë unë jam besimplotë dhe shpresëplotë për të ardhmen”, u shpreh ambasadori Norman./atsh

Kim: Marrëveshje e rëndësishme, do vazhdojmë t’ju mbështesim drejt BE-së Read More »

Forcat Ajrore të SHBA-së, misione stërvitore në Shqipëri

Njësia e 352-të e operacioneve speciale të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara ka kryer javën e kaluar misione stërvitore të rëndësishme në qiellin e Shqipërisë.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, ndau sot momente nga ky mision i rëndësishëm stërvitor në kuadër të NATO-s.

“Forcat ushtarake të NATO-s stërviten krah për krah me aleatët për të perfeksionuar ndërveprueshmërinë dhe për të mbetur gjithnjë të gatshëm për të parandaluar dhe mbrojtur”, thuhet në një njoftim të Ambasadës amerikane në Tiranë./atsh

Forcat Ajrore të SHBA-së, misione stërvitore në Shqipëri Read More »

Matura Shtetërore, Vrapi: Protokoll strikt, distancë prej 2 metrash nga njëri-tjetri

Data 5 qershor është dhe dita e fundit e të gjithë maturantëve në ambientet e shkollave.

Pas tre javëve mësim dhe konsultim, të rinjtë nesër i japin fund ciklit të shkollës së mesme. Në datën 8 qershor, mijëra maturantë do t’i nënshtrohen provimit të parë, që është gjuha e huaj.

Rezana Vrapi, Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore në një nga mediet e vendit u shpreh se testet janë gati.

“I kemi marrë parasysh të tëra. Tashmë ka një lehtësim të programit mbi të cilin bazohet testi i Maturës Shtetërore. Janë hequr tema të cilat ne gjykuam në kushtet e shtëpisë nuk do të ishin të realizuara ashtu siç do të realizoheshin në kushtet e klasës pavarësisht se në këto tema që duhet të punohen nga maturantët sidomos nga ata që synojnë degë ku të mësuarit ndikon shumë si: inxhinieria, mjekësia etj dhe unë gjykoj që maturantë shumë të mirë që investojnë në dijen e tyre, nuk besoj se i kanë lënë jashtë vëmendjes gjithçka që kanë mësuar edhe në kushtet e shtëpisë”, u shpreh Vrapi.

Për shkak të pandemisë, janë vendosur rregulla edhe më strikte të zhvillimit të testimeve të maturantëve, që nga mënyra e hyrjes në ambientet ku ata do të kryejnë provimet, qëndrimin në klasa, mbikqyrjen nga ana e administratorëve gjatë zhvillimit të testimit.

Vrapi sqaroi se “ka një protokoll shumë strikt, ashtu siç është respektuar edhe në periudhën 3-javore në klasa”.

“Ka një distancë që nuk do të preket mes njëri-tjetrit. Ata do të futen me fasha orare, ata do të jenë në një distancë prej 2 metrash, janë llogaritur deri në një distancë ekstreme në këto 2 metra. Pra nuk është toleruar 1.5 metra. Nëse më parë ka pasur 11, 12 veta, tani do të ketë 9 veta. Në rastet kur një shkollë, për shembull ka 500 maturantë dhe nuk u dalin klasat, do të shfryëzohen ambientet e një shkolle shumë pranë saj”, tha Vrapi./atsh

Matura Shtetërore, Vrapi: Protokoll strikt, distancë prej 2 metrash nga njëri-tjetri Read More »

“Të presim ata që kanë topin”/ Vota e emigrantëve është një sistem, KQZ-ja merr detyrën ta realizojë

“Ne e kemi vendosur në draft që KQZ-ja merr detyrën të realizojë votën e emigrantëve”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Rama foli për votën e emigrantëve, duke theksuar se, “realizimi i votës së emigrantëve është një sistem dhe ti nuk mund ta fillosh punën kur të vjen në fund veza, midis dilemës a të hyj, apo të mos hyj në kotec”.

“Vota e emigrantëve. Se pashë emigrantë që i kemi këtu në Tiranë që shkruanin: ‘ne emigrantët duam votën’. Pashë edhe mediat që thonin ‘mashtroi’. Se këto fjalët e mëdha që kanë humbur çdo kuptim në Shqipëri, që fjala krim është njësuar me fjalën ajër i kondicionuar, ujë, drita. Fjala korrupsion, vjedhje, grabitje, hajdut mashtrues, janë njehsuar me fjalën zonjë, zotëri, si jeni nga shtëpia e këto”, tha Rama.

“Mashtroi emigrantët Partia Socialiste. Si i mashtruam? Ne njësoj si për elektronikën, edhe për këtë e dimë shumë mirë që nuk është thjesht ta thuash, por duhet ta bësh dhe ne e kemi vendosur në draft që KQZ-ja merr detyrën të realizojë votën e emigrantëve”, u shpreh Rama.

“Të presim ata që kanë ‘topin’, sipas asaj që u tha. Të thonë se ku e do e çojnë topin. Do e nxjerrin nga stadiumi? A do e krosojnë? A do e kapin do thonë ‘topi është i imi, penalltinë do e gjuaj unë’? Po të presim. Po t’i referohemi Bibliotekës së Fëmijëve në Kamëz, topi nuk do gjuhet, po do mbahet poshtë fanellës”, tha Rama.

“Nuk e dimë se si do shkojë procesi. Ajo që dimë është që ne nuk e kemi harruar, të tjerët mund ta kenë harruar, ne s’e kemi harruar që ka dhe një opozitë tjetër këtu dhe që duhet të votojë këtu dhe procesi do të vazhdojë duke ndarë draftin e marrëveshjes me ju. Pa ju lënë që ta merrni këtë nga mediet, nga gazetarët, nga analistët, nga moralistët që e keni parasysh na akuzojnë të gjithëve që jemi të gjithë njësoj”, tha Rama. /atsh

“Të presim ata që kanë topin”/ Vota e emigrantëve është një sistem, KQZ-ja merr detyrën ta realizojë Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 20 raste të reja dhe 7 të shëruar në 24 orët e fundit

Në 24 orët e fundit janë kryer 297 testime nga të cilat janë konfirmuar 20 raste pozitivë, përkatësisht, 15 raste në Tiranë, 2 raste në Krujë, 2 në Durrës, dhe 1 rast në Kamëz.

Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha sot në komunikimin e përditshëm se “janë testuar 65 personel shëndetësor nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 4 raste. Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kryesisht kontakte të rasteve të zbuluara nga hetimi i kryer, dhe disa raste të reja për të cilat po vijon hetimi epidemiologjik”.

“Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 21 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Rreth 8% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes”, – tha Cami.

Sipas saj, në vendin tonë janë 253 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë.

“Në 24 orët e fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar në 898 numrin e të shëruarve. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1184 raste”, – theksoi Cami.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar rregullat e vendosura, për të ruajtur veten dhe të afërmit.

Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID-19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (3 Qershor 2020)
Testime totale 16817
Testime molekulare 15365
Testime serologjike 1452
Raste pozitive 1184
Raste të shëruara 898
Raste Aktive 253
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 172
Krujë 22
Durrës 15
Kamëz 12
Shkodër 10
Mat 9
Lushnjë 6
Berat 2
Fier 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 20 raste të reja dhe 7 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për shërbimet e pagesave”

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekretoi kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për shërbimet e pagesave”.

Meta u shpreh se disa nga arsyet e kthimit të ligjit janë mospërcaktimi i kritereve të qarta të licencimit të institucioneve të pagesave; mospërcaktimi i shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave; mospërcaktimi i funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje.

Ligji është propozim i Këshillit të Ministrave dhe ka për qëllim krijimin e kuadrit ligjor për funksionimin e shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë, duke e përafruar pjesërisht me Direktivën 2015/2366 BE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, të datës 25 nëntor 2015, “Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm”.

Presidenti shprehet se e shqyrtoi ligjin “Për shërbimet e pagesave” duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke bërë një vlerësim dhe analizë të kujdesshme të parashikimeve të aktit, edhe në raport me rekomandimet që duhet të përmbushë Republika e Shqipërisë në kuadër të raporteve të organizmave ndërkombëtare për eleminimin e rreziqeve për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës së financimit të terrorizmit, përfshirë rekomandimet e Komitetit të Moneyval të Këshillit të Evropës.

“Rregullimi i shërbimeve të pagesave me ligj të posaçëm është shumë i mirëpritur, veçanërisht kur ky ligj, duke parashikuar mundësinë e operatorëve të tjerë ekonomikë për të zhvilluar aktivitet në fushën e shërbimit të pagesave përkundrejt licencës përkatëse, rrit konkurrencën në treg. Rritja e konkurrencës patjetër që do të ndikojë si në uljen e kostos së transaksioneve të pagesave, si në rritjen e cilësisë së shërbimit, ashtu dhe në rritjen e aksesit në informacion të qytetarëve mbi mundësitë e kryerjes së pagesave përmes këtij shërbimi. Gjithashtu, ky ligj vlerësohet pasi ofron një mundësi më shumë zgjedhjeje për konsumatorin. Ndërsa parashikimi i krijimit të një zyre të veçantë për shqyrtimin e ankesave të konsumatorit, forcon edhe më shumë mbrojtjen e tij”, u shpreh Meta.

Por nga ana tjetër, sipas tij, në raport me vetë procesin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të licencuara që do të zhvillojnë aktivitetin në fushën e shërbimit të pagesave, ligji paraqet disa problematika të cilat krijohen nga paqartësia e disa dispozitave; mungesa e harmonisë së tyre me legjislacionin ekzistues; apo nga hapësira që disa dispozita krijojnë për keqzbatim në praktikë, të cilat do të shtjellohen në vijim.

“Reflektimi mbi këto problematika dhe adresimi i tyre nga Kuvendi i Shqipërisë do të ofrojë një terren më të sigurtë ligjor për operatorët ekonomikë dhe në ruajtjen të pacenuar të interesit publik në tërësi”, shprehet Meta. /atsh

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për shërbimet e pagesave” Read More »