Aurora

Po na pret acari, ky është parashikimi i motit në ditët në vijim

Pavarësisht se dimri erdhi me vonesë këtë vit, reshjet e shiut, dëborës e temperaturat e ulëta, nuk kanë ndërmend të ndalen.

Ashtu si sot, edhe përgjatë ditës së nesërme në të gjithë territorin do të ketë vranësira dhe reshje shiu, ndërsa në zonat malore nuk do të mungojnë as reshjet e dëborës.
Meteorologët parashikojnë që gjatë ditës së mërkurë të kemi kthjellim të motit dhe reshje lokale shiu në zona të caktuara, ndërsa e enjtja do të rikthejë diellin por na presin temperatura shumë të ulëta. /Lajmifundit.al

Po na pret acari, ky është parashikimi i motit në ditët në vijim Read More »

Nis protesta e madhe e banorëve të Unazës së Re

Ka nisur prap protesta e banorëve të Unazës së Re për të mos lejuar prishjen e banesave dhe të pronës së tyre.

Në mbështetje të protestuesve kanë shkuar edhe deputetët e opozitës.
Edhe sot banorët kërkojnë që të dëmshpërblehen 100 për qind për pronën e tyre.

Ditën e sotme gjykata vendosi burg pa afat për të riun Daniel Dobra që i hodhi kapsollen në dorë polices Ina Nuka.

“Shtëpitë tona do t’i mbrojmë me gjak”, dëgjohen në kor të gjithë banorët, ndërsa lëshojnë edhe thirrje në mbështetje të 18-vjeçarit Daniel Daniel Drobaj, i cili u la sot në burg për plagosjen e polices Ina Nuka. /Lajmifundit.al

Nis protesta e madhe e banorëve të Unazës së Re Read More »

Ish-zbuluesi: Tre ministrat e Enverit bënin qejf dhe blinin parfume të shtrenjta në Paris

Një ide e kremi krijuar por një njeri që e ka jetuar atë sistem mund të dijë shumë sekrete e të pathëna.

Flet Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Ish-ministri i Jashtëm, Behar Shtylla blinte parfume të shtrenjta; Halim Budo hahej me Beharin se kush e dinte më mirë frëngjishten që t’i bënte qejfin Enverit, kurse Nesti Nase qe një diplomat i sprovuar që e pësoi nga sistemi.

Ministrat shqiptarë vinin shpesh në Paris, për të qëndruar tek selia diplomatike shqiptare atje, teksa e përdornin këtë qytet evropian kryesisht si tranzit.

Pikërisht, gjatë këtyre vizitave, ata kishin rastin që të shfaqeshin përtej kostumit zyrtar, mes eposideve të ndryshme që krijoheshin me punonjësit e ambasadës sonë atje.

Disa prej tyre, na tregon në këtë rrëfim të posaçëm për “Albanian Free Press”, ish-zbuluesi politik i Shqipërisë në Francë, Hasan Luçi…

Intervistoi Albert Zholi

Si do ta risillnit para lexuesit ish-ministrin e Jashtëm, Behar Shtylla përmes kujtimeve tuaja?

Ai më priti pak minuta në nëntor 1961, për të më dhënë porosi dhe uruar për detyrën e re në legatën tonë në Paris, i përgatitur si atashe shtypi. Më la përshtypje të mira për bukurinë e tij fizike (e shihja për herë të parë kaq afër), për udhëzimet lakonike e serioze, duke vënë theksin tek dinjiteti i diplomatit shqiptar dhe puna e palodhur për ta bërë vendin tonë të njohur dhe për ta përfaqësuar me dinjitet. Gjatë vajtjes dhe kthimit nga sesioni i OKB-së në tetor të çdo viti, Behar Shtylla kalonte dhe qëndronte në Paris 2-3 ditë, herë shkonte në Nju Jork me anijen “Kin Meri” nga Bretanja dhe zakonisht, kthehej me avion. Në dhjetor 1964, u kthye vetëm nga Nju Jorku në Paris. Zakonisht, ai bënte një mbledhje në legatë me personelin për të dëgjuar mendimet e hallet e tona dhe dhënë udhëzime për punën e mëtejshme.

Një nga çështjet e mprehta që ne ngrinim ishte çështja e rrogave të vogla, pas tre gërshërësh në vitet ‘60-të, pajisjeve të banesave e selisë etj., që ishin të vjetra e të pamjaftueshme. Si gjithnjë, ai hidhej në sulm duke thënë pothuajse çdo herë, se ne nuk e justifikonim as aq sa na jepej. Kështu edhe në 1964-tën bëri vetëm kritika, asnjë fjalë të mirë. Më shumë kritikoi Myslim Sinoimerin, sekretar i parë. Pastaj kritikoi Theofan Nishkun, atashe, i cili qe dërguar nga MPJ-ja në Paris të ndryshonte gjendjen. Mua më kritikoi për punë të dobët me kolonitë, në fushën konsullore e të propagandës etj. Na kritikoi të gjithëve gjithashtu për moszotërim siç duhej të gjuhës frënge, pasi na dëgjonte, qëllimisht si përgjigjeshim në telefon, si i bënim përkthimet nga shtypi frëng etj. Ne thoshim ndonjë fjalë për mbrojtje me arsyet tona të drejta, por më kot. Asnjë kurs i organizuar, se nuk paguhej asnjë dyshkë për mësimin e gjuhës me mësues atje, por të bazoheshim në forcat tona, pasi në fakt ne kishim bërë vetëm kurse të shkurtra frëngjisht.

Gjatë qëndrimit në Paris, ai dilte në dyqane dhe blinte dhurata për gruan e fëmijët. Zakonisht e shoqëroja unë, edhe si shofer. Ai pazarin e bënte zakonisht në dyqanin luksoz “Aux Trois quartiers” karshi kishës “Madëlen” dhe në “Lafajet”, prapa Operës. Rregullisht blinte parfume të shtrenjtë. Për të ngrënë hante në restorantin “Simplon” (kuzhinë italiane) në shëtitoren e italianëve (bulevardet e mëdha të Parisit). E kishte bërë zakon të mos pranonte ftesa nga personeli i përfaqësisë për dreka e darka. Kur iku kësaj here në Romë, unë do ta shoqëroja deri atje me avion e do kthehesha në Paris. Në aeroportin e Orlis ishte kohë e keqe dhe nisja u shty.

Vajtëm në një kafe, ku na shoqëronte Theofan Nishku. Ministri filloi të na fliste hapur të dyve pa doreza. Mua më tha se ende e flisja frëngjishten si negër. Unë ia ktheva se kishte të drejtë, por unë po e mësoja vetë frëngjishten dhe se kursi që pata bërë qe i shkurtër. “Mua më duhet të punoj e jo të bëhem shkrimtar i frëngjishtes”, i thashë. Ai u nxeh më tepër dhe nisi se “diplomati pa gjuhën e vendit…”, por unë e ndërpreva pa takt, shqiptarçe: “Ne jemi diplomatë që më shumë bëjmë punë teknike në legatë, merremi me ata që vijnë e hedhin barin e minjve, u përkthejmë shoferëve për punët e tyre, bëjmë tre ditë roje natën e ditën etj.”, duke mos e lënë të fliste derisa të shfryja ato që doja t’i shoshja, se na kishte ardhur në majë të hundës me punë të rëndomta, duke qenë personel kaq i vogël.

Ai më la mua, se më pa që u hodha në sulm dhe filloi me Theofanin: “Po ti, që të kemi dërguar me perspektivë se je goxha djalë dhe mund të bëhesh ministër, të dhamë 6 muaj kohë provë, po ti s’ke ecur fare”. I gjori Theofan u habit dhe u skuq me atë shfryrje ndaj tij, prandaj i vajta në ndihmesë: “Po Theofanin e ka bërë sekretar ambasadori, një teknik të thjeshtë të mbyllur në seli, ku të bëjë përpara?! Na fal shoku ministër, por po ta dinim kështu, ne nuk do të vinim këtu, bile më mirë të kthehemi sesa të na bëni leckë pa e merituar, se ju nuk jetoni këtu tani, nuk dimë si ka qenë kur ishit ju këtu me punë”. “Asnjë justifikim, -klithi ai dhe m’u drejtua mua, – dhe ti mos u bën kaq trim, por shtroju punës dhe mëso!”. Ndërkohë na thirrën për t’u nisur në Romë.

Theofani iku e shpëtoi, ndërsa me mua biseda betejë vijoi, se u kthyem edhe pak kohë në kafe, se koha ishte e keqe dhe na dhanë drekën… “Neve mezi na del edhe lokacioni (rroga), -i thashë, -mezi blej një gazetë, jetën diplomatike nuk e bëjmë dot siç duhet. Edhe kur kemi ftesa nuk marrim dot frakun të vemi në pritje”. Ai ma preu shkurt: “Te rroga e kini fjalën ju, -kërciti dhëmbët ai, – por sa të ngjishen valixhet tuaja, le të ngjishet arka e shtetit!”. “Kini të drejtë shoku ministër, -shtova unë, -se në Kuç nuk më kanë ngrënë çimkat se nëna ime i përvëlonte me finjë, kurse në Paris s’kam ç’t’u bëj me këto mobilje të vjetra etj. Ju vetë blini edhe parfume e hani në restorante…”. Por ma preu ashpër: “Mos e tepro, mos hyr në punë që s’të takojnë, mos më detyro…!”. Por ndali pa thënë gjë, se vërtet edhe unë e shkela, por s’isha pishman që ia thashë. “Do bëni mirë, sh. ministër, -shtova, -të më ktheni!”.

“Do ta shoh edhe këtë mundësi, por ju nuk bëni aq sa duhet, -vijoi ai, -për t’u bërë kuadro”. “Kur ishit ju këtu, sh.ministër, e kishit rrogën katërfishin tonë, hanit e kërcenit në lokale me gjithë gra e fëmijë, siç më tregojnë bashkëkohësit…”. Por ai ma preu sërish fjalën: “Atëherë qe atëherë, tani edhe ju s’jeni aq keq, shteti bën shumë ndërtime, ka shumë halle pas prishjes me BS e demokracitë etj.”, e uli ai tonin. Me këtë yrysh në bisedë, të dyve dreka na vajti në kurriz, se të dy ishim nevrikosur dhe njëri i binte gozhdës e tjetri potkoit.

Të nesërmen në mëngjes u përshëndetëm në legatë, ai më bëri një shenjë qortimi, se dukej s’i kishte dalë ende inati, por më uroi rrugë të mbarë. Nuk pata ndonjë rrjedhojë nga biseda e ashpër që bëra me ministrin Behar Shtylla, as nuk mora vesh nëse kishte raportuar ndonjë gjë, por marrëdhëniet tona nuk u ngrohën më. Theofanin e transferuan në atdhe më vonë, pasi duket se i lanë edhe ca kohë prove, por gjendja në legatë nuk ndryshohej hiç, ai trajtohej si teknik i thjeshtë dhe s’dilnim dot nga ky rreth vicioz atje. Nuk u ndesha më me ministrin se e pashë që ishte e kotë. Vijova punën si mundja në ato kushte që kishim në seli, pak veta, shumë punë, por pa bereqet shumë, se punët rutinë s’na linin mundësi për më tepër diplomaci.

Por në vërën e vitit 1969, unë shoqëroja një grup zviceran me në krye sekretaren e parë të asaj partie, kur gjatë përkthimit, Behar Shtylla, drejtor i Drejtorisë së Jashtme të KQ të PPSH, e nxori pak mllefin me mua. Atje ishin shumë grupe, të cilëve u mbante konferencë dhe unë përktheja në frëngjisht, se ai fliste shqip. Në një rast ai tha se De Goli, si gjel, po u bënte karshillëk amerikanëve, por unë nuk përdora fjalën “gjel” dhe ai klithi: “gjel, gjel, thuaje!”. Të gjithë qeshëm, por unë edhe sot mendoj, se francezët nuk e kanë shprehjen si tonën për gjelin komandant.

Ndërsa kur shkruaja në shtypin tonë në vitet ’80-’90, Behar Shtylla më përgëzoi njëherë që shkruaja për probleme ndërkombëtare. E dija se ai shkruante, por unë nuk isha i sigurt nëse shkruante kujtime apo gjë tjetër. Njëherë e pyeta, por më tha shkurt: “shkruaj diçka”. Unë i thashë se s’i mbaj sekret gjërat, por i shkruaj edhe kujtimet, se mendoj se kam diçka për të thënë, veç të tjerave. “Ti në tënden ke ngulur këmbë me kohë!”, qeshi ai. “Jo më shumë se ju”, -e ngava unë. Të them të drejtën, nuk më pëlqente ajo mënyra e paraqitjes së vetes e shkëlqyer prej tij, se unë nuk gjeta ndonjë gjurmë të rëndësishme në Paris nga puna e tij, megjithëse kam parë arkivin e punës së tij, por atje gjeta nënvizime të shumta në disa libra, bërë prej tij.

Mësova nga shqiptari Jakup Mahmuti, ish-kafaz në kohën kur Behari ishte titullar atje, se ai grindej pothuajse më të gjithë diplomatët e tjerë. Dukej se s’qe tolerant kur duhej dhe ishte i hidhur me kritikat e tij. Ai kishte njohuri të mira kulturore në tërësi, fliste mirë shqip e frëngjisht, qe njeri i gjallë. Ai kishte një hije të Molotovit, ishte ambicioz e punëtor, në përgjithësi i sjellshëm, sidomos xhentil me gratë, i butë, jo i vrazhdët si disa shqiptarë. Në familje nuk e di mirë, pori shikoja të dy në vizita e shëtitje me humor të mirë. Shkurt, qe diplomat i zoti, fliste qetë e me gjeste, pa i hequr kurrë syzet, ku sytë e tij të mëdhenj e të lëvizshëm shumë dukeshin të bukur. Ai u shpreh njëherë në mirëbesim, se frëngjishten e njihte më mirë se ndonjë tjetër, që mburrej ose i kishte dalë nami. Kjo m’u duk vërejtje me vend. Atëherë njerëzit flisnin jo pak për këtë garë në frankofoninë shqiptare, mes udhëheqësve.

Po Nesti Nasen, si e keni njohur?

Për herë të parë, ministrin Nesti Nase e njoha kur ai ishte ambasador në Moskë në vitet 1956-1958, me një grup studentësh, kur e vizituam ambasadën dhe në 2-3 raste të tjera, ku shokët e mi qenë më shumë korçarë, me të cilët ai takohej më shpesh, unë nuk e njoha mirë. Më mbeti në kujtesë fytyra e tij e verdhë, disi e hutuar, sytë e mëdhenj, goja disi e hapur me buzëqeshje, me shikim vëngër. Kur u bë ministër i Jashtëm, u takuam në Paris sa herë shkonte në OKB. Pata lehtësi të diskutoja krejt pa ndrojtje me të, se ta jepte mundësinë, bile edhe e teproja, duke ngulur këmbë të na miratonte projekte zyrtare për veprimtari në Francë dhe e dija mirë se i kaloja caqet diplomatike, por bëja presion, ndryshe bëheshe vulëhumbur.

Jo pak herë ai më thoshte se e kupton, ka lexuar propozimet tona, por nuk miratohen. Miqësisht më thoshte: “kërko pak, ji më diplomat”. Unë ia prisja: “më ka zënë rrota bishtin, por ka vërtetë punë në marrëdhëniet tona kulturore, ndërsa ne po ngurrojmë kot, pastaj diplomati kërkon gjithmonë shumë, që të fitojë një qime”. Në të vërtetë. Nesti bëri shumë në këtë fushë: miratoi botime, ekspozitën e artit shqiptar në shekuj, javën e filmit, shtimin e bursave për studentë dhe pasuniversitarë, miratoi vizita jo vetëm të miqve por edhe të gazetarëve, grupeve të shoqatave e turistike në Shqipëri, etj. E kuptoja se ai qe për hapje serioze në favor të vendit tonë, por çelësin e shtëpisë e kishte tjetërkush.

Njëherë më tha: “Je i kënaqur me kaq?”. “Jo, jo!, – iu përgjigja, -jam i pangopur, dua të punoj shumë dhe gjynah që bëjmë ende kaq pak në krahasim me mundësitë që kemi në disa fusha, veç tregtisë, ku francezët kanë caktuar kufi të vogël; kultura e shtypi, shoqata, kanë hapësira me rrymat e majta këtu, miqtë e dashamirësit e vendit tonë, edhe nga vende të tjera të botës”. “Do të doja të të bëja ambasador pa asnjë mëdyshje, -na tha ai një herë kur po bisedonim me Javer Malon për punët e ambasadës, -por s’të lë dikush! (E kishte fjalën për Kadri Hazbiun e Hysni Kapon nga varesha direkt për hallet e tjera të shtetit tonë). Javeri e mbështeti duke thënë: “punon shumë, ka ide, kërkon dhe ka guxim labi”. Nesti qeshi. Unë duke qeshur e shkelur syrin, thashë: “Ishalla!”, dhe shtova: “Po e bëre këtë do të gjesh belanë, jam shumë mirë kështu, se s’më zënë plumbat”.

Qeshëm me lot. Nesti të kritikonte, të lavdëronte me fjalë, por nuk të dekoronte. Me raste edhe na mbronte se kishim disa rezultate të mira në vitet ’70 dhe unë e Javeri kishim ç’të na kritikonin, se guxonim të ngrinim ide e bënim punë edhe pa miratim, ose na bënin kritika se tek ne shihnin edhe qimen në qull, kur të tjerë vegjetonin për bukuri, se përdornin peshqeshe për të mos i vënë në shënjestër. Ah varfëria e shkretë të vithis!

Njëherë, Nesti Nase vinte nga Nju Jorku dhe u njoftua ambasada se vinte në aeroportin “Sharl dë Gol” herët në mëngjes të nesërmen. Hysen Malaj, atasheu tregtar, u ngarkua ta priste, se unë isha në shoqërim të një udhëheqësi, por ndodhi që Hysenin e kishte zënë gjumi. Ministri kishte ardhur dhe priste në sallonin e nderit, siç i thoshin francezët, në aeroport nga ai telefonoi. Vajta dhe e mora. Qe inatosur pak, por prapë nënqeshte duke thënë: “Ama diplomat!”. “Por duhet prishur syri”, -ia prita unë. Kështu e bëra për të qeshur fort. Ai rrinte pak në Paris dhe kishte kënaqësi të kaloje kohën me të, bënim edhe shaka, edhe për hallet e ambasadës, qe më realist, ndërsa Reis Malile të bënte“prit gomar të mbijë bar!”.

Pas Kadri Hazbiut, për mua, Nesti Nase qe ministër me të cilin punoje me qejf se të linin të notoje në punë e të kishe rezultate, nuk të thoshin: “kjo s’bëhet!”. Por kur e thoshin se s’bëhej, ata kishin të drejtë ose ta bënin të qartë vështirësinë a rrezikun, shpesh të mbronin edhe kur bëje gabim pa dashje, nuk mendonin e vepronin pa menduar edhe për ndonjë masë disiplinore. Jepnin të kuptoje kufizimet nga lart.

Në një takim në verën 1975, Nase më dha shkurt këto udhëzime: Të sqaroheshin mirë çështjet me specialistët që bënin stazh studimore në Francë dhe t’u dërgohej me doemos programi. Kjo kishte të bënte me dobishmërinë e studimeve, por edhe për të parë realisht përse punonin në realitet që studimet e tyre t’i vlenin vendit kur të ktheheshin dhe jo vetëm palës universitare franceze. Nase kërkoi gjithashtu që të gjenim dhe të merrnim një apartament bosh për shokët e udhëheqjes dhe për shoqëruesit e tyre, se deri atëherë ne lironim banesat tona, por kjo nuk u realizua asnjëherë për arsye financiare e administrimi, se duheshin ruajtur në mungesë të tyre, probleme zinxhir.

Kur u arrestua Nesti, u ndodha në kafen “Tymi” (siç i thoshim kafes në rrugën “Hoxha Tahsim”, ku shërbente shumë e sjellshmja e gazmore Sherifja). Kur erdhi Pelivan Luçi me shokë për ta arrestuar, më kishin kërkuar, meqenëse mbaja miqësinë me të edhe pasi u hoq si ministër dhe punonte në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare me jashtë në MPJ. Ata donin që ta nxirrja në korridor për ta arrestuar. Por fati e solli që këtë punë e bëri një tjetër. Kur po zbrisnin shkallët e hyrjes së ministrisë, u përballa me këtë pamje: Nesti mbahej nga dy vetë për krahësh, duke e tërhequr bosh sa dëgjoheshin përplasjet e këpucëve në boshllëk e pllakave. Ai kishte po atë fytyrë që përshkrova në fillim më sipër, por kësaj here shtrëngonte dhëmbët fort dhe gulçonte nga inati. Më pa duke më thënë me mimikë: “e sheh, ja ç’po bëhet”.

Ai e tundi dy-tre herë kokën kur unë i bëja shenjë të bëhej i fort, pastaj duke përshëndetur me kokë, kaloi gjithnjë i tërhequr si zvarrë. Të nesërmen dhe disa ditë më pas erdhi hetuesi Florian Kolaneci, i cili më kërkonte t’i flisja përsa dija për Nestin. Unë i flisja aq sa dija për të në marrëdhëniet e punës dhe se nuk dija ndonjë veprimtari armiqësore të tij. Për ta hequr nga vetja, se ai s’shqitej, i thashë se ndofta shoku i tij Ksenofon Nushi mund ta ndihmonte. Më pas, kur e takoja më thoshte: “Si nuk më dhe gjë për Nestin?!”. “T’i kam thënë ç’dija, si mund të gënjej?!”, i thoja. Po ai bathë, bathë, siç thotë populli!. U takova përsëri me Nestin kur doli nga burgu në vitet ’90. U takuam me atë ngrohtësi pa komplekse asnjeri. Pimë disa herë kafe së bashku, ose edhe me Peçi Mandin. Nuk kujtonim të kaluarën e hidhur për të, por e ngushëllova për vdekjen e gruas në mënyrë tragjike. Bënim biseda për të tashmen e të ardhmen. E pyeta si jetonte dhe më tha se banonte te kushëriri, se askush tjetër s’i jepte shtëpi.

Edhe ai më pyeti si jetoja dhe ç’plane kisha. I thashë se jetoja me pension dhe po merresha me shkrime, pasi s’kisha patur kohë më para. “Ti ke mundësi, -tha ai, -mbase bën edhe para për t’i botuar. “Paratë nuk vijnë tek unë, -shtova, -por diçka të vogël po bëj me ca miq belgë, të shoh se ç’do dalë”. Ai qeshte e tundte kokën me nënqeshjen karakteristike duke iu dukur dhëmbët e mëdhenj. Një ditë mësova se ai vdiq në vetmi, pa përfituar asgjë nga ardhja e demokracisë.

Një tjetër ministër i asaj kohe ka qenë edhe Halim Budo. Çfarë përshtypjesh ruani prej tij?

Halim Budon e njoha së pari në Paris kur shkonte në OKB.

Kisha dëgjuar për të që hahej me Behar Shtyllën se kush e dinte më mirë frëngjishten, do të radhitej pas Enver Hoxhës. Trup e hundëmadh, i kuq në fytyrë, bukurosh, kishte një zë tingëllues, kishte humor, por nxehej shpejt dhe përsëriste fjalët gati sa s’i merrej goja. Edhe Halimi kishte sëmundjen e parfumeve për gruan, por nuk ia kalonte Beharit. Njëherë donte të blinte një pardesy për veten e vet dhe rrahëm dyqanet një ditë e gjysmë dhe mori atë që i pëlqeva unë, mall i shtrenjtë, por i prerë për ambasador në magazinën luksoze “Aux Trois Quartiers” në Paris, pranë kishës Madelenë.

Më ka bërë përshtypje edhe një qëndrim i tij. Në një mbledhje ditore në MPJ kur po bëheshin debate mbi politikën tonë të jashtme, rastisi që për njohjen e Bangladeshit si shtet pati dy rryma, njëra për pavarësi e tjetra kundër. Halimi u ngrit pak i skuqur, se u mërzit nga kohëzgjatja e debatit dhe tha: “Ne duhet të mbrojmë vetëvendosjen e popujve. Ju më thoni tani çfarë doni, argumentet i gjej lehtë unë për të dyja palët!”. Plasi gazi dhe mbledhja u mbyll se vërtet nga ato mbledhje ditore vetëm mërzia e debatit shterp më kanë ngelur në mëndje, se vendimet merreshin gjetkë. Ai vdiq nga hemorragjia cerebrale, më edhi keq, vajta në varrimin e tij dhe për ngushëllim në familje se vërtet humbëm një diplomat të aftë dhe trim në mbrojtje të pikëpamjeve të vendit se kishte përgatitje, aftësi e përvojë të gjatë. Ylvi Lulo ia afronte si diplomat, kurse Reiz Malile qe larg të dyve kur bie fjala për gjirokastritët diplomatë të asaj kohe, veç Enver Hoxhës i kalibrit ndërkombëtar.

Ish-zbuluesi: Tre ministrat e Enverit bënin qejf dhe blinin parfume të shtrenjta në Paris Read More »

Babai i polices që humbi gishtat: Na kanë dhënë një fare shprese, po presim që…

“Është e patolerueshme ajo që ndodhi”, ka thënë babai i efektives së policisë që humbi dje dy gishta pas shpërthimit të një kapsolle në protestë,

Ditën e djeshme, gjatë protestës së banorëve të Unazës së Re, e cila degradoi në përleshje të ashpra me policinë, efektivja Ina Nuka humbi dy gishta nga dora e saj e majtë.

Ajo iu nënshtrua një operacioni të vështirë dhe mes të tjerëve, edhe Kryeministri Rama e vizitoi atë në spital. Ai i dhuroi një Iphone X dhe i dha fjalën polices se do ta nisë shumë shpejt për një operacion në Stamboll.

Për ‘Report TV’, babai i Inës, Gashi Nuka, ka folur për herë të parë për ngjarjen e rëndë që i ka ndodhur vajzës së tij.

“Gjendja po përmirësohet për momentin. Problemi është tek gishtat, i janë këputur dy gishta. Na kanë dhënë një fare shpresë për jashtë vendit në Turqi. Do të niset nga momenti në moment, sapo të jetë gati. Kryeministri na tha që do të bëjmë çfarë është e mundur për vajzën që të rregullojmë gishtat sikur i pati. Jemi me shpresë.”- është shprehur ai.

“Është e patolerueshme ajo që ndodhi dje, për çdo person. Ajo po ushqehet, është në punë, është në detyrë. Mesazhi im është që të mos ndodhë më ajo që ndodhi, pasi dje ishte vajza ime, nesër mund të jetë një tjetër. Kushdo ka të drejtë për protestë, por pa dhunë.”- ka përfunduar Gashi Nuka.

Babai i polices që humbi gishtat: Na kanë dhënë një fare shprese, po presim që… Read More »

Hyn në fuqi ligji, së shpejti ndalohen për personat nën 18 vjeç këto pije

U mendua se ishte një deklaratë e kryeministrit për të tërhequr vëmendjen por jo.

Tashmë pijet alkoolike dhe ato energjike nuk do të lejohen ligjërisht të konsumohen nga të miturit. Kuvendi i Republikë së Shqipërisë ka sjellë madje disa ndryshime në ligjin nr 9518 “Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit” ku theksohet se përveç pijeve alkoolike do të ndalohet edhe përdorimi i pijeve energjike dhe atyre të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar.

Masat dhe gjobat
Në ligj bëhet me dije se ndalohet ofrimi i pijeve alkoolike dhe energjike të miturve nga personi madhor që e shoqëron atë në vende publike. “Ofrimi i pijeve alkoolike dhe pijeve energjike nga personat madhorë që shoqërojnë të miturit në njësi tregtare, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë. Ofrimi i pijeve alkoolike dhe pijeve energjike nga personat madhorë që shoqërojnë të miturit në baret, restorantet, kinematë apo klubet e natës përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 20 mijë deri në 30 mijë lekë.”,-theksohet në ligj.

Gjithashtu, në këtë të fundit bëhet me dije se shitja e alkoolit dhe pijeve energjike te personat nën 18 vjeç ndalohet rreptësishtë nga të gjitha dyqanet, marketet apo njësitë e tjera të shitjes. Të gjithë personat e dyshuar si minorenë do të kontrollohen nëpërmjet mjetit të identifikimit për të ndaluar përdorimin e lëndëve të sipërpërmendura.

Gjithashtu, do të ndalohet çdo lloj reklamimi i pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar në institucionet arsimore për të mitur. “Ndalohet transmetimi i publicitetit për pijet alkoolike, pijet energjike dhe pijet e gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar në brendësi të këtij programi drejtuar të miturve, si dhe 60 minuta para dhe pas këtij programi”,-thuhet në ligj. Ndërkohë, radiotelevizionet, mediat e shkruara publike ose private, si edhe agjencitë publicitare, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, duhet të miratojnë rregulla për përmbajtjen e mesazheve publicitare që kanë të bëjnë me pijet energjike dhe pijet e gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar.

Synimi
“Ky ligj ka si qëllim parandalimin e pasojave shëndetësore nga konsumi i alkoolit, pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar nëpërmjet përdorimit të tyre nga të miturit”,-theksohet në ligj. Në këtë të fundit bëhet me dije se “pije energjike” konsiderohen ato pije joalkoolike, në të cilat përmbajtja totale e kafeinës tejkalon sasinë 150 mg/l dhe që në përbërje të tyre kanë të paktën një ose më shumë substanca stimuluese ose tonike, të tilla si: taurinë, D-glukuronon y-lakton, guaranë, maltodekstrin, xhensen, karnitinë, kreatinë dhe gingko biloba. Ndërkohë, “pije të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar” konsiderohen ato pije joalkoolike, të gazuara, që përmbajnë sheqer, agjentë të tjerë ëmbëlsues apo aromatizues, natyral apo artificial, si dhe acid ushqimor, përjashto ujin mineral dhe ujërat e gazuara, lëngjet e frutave dhe pijet e bëra me qumësht ose produktet e qumështit.

Çfarë ndalon ligji, masat administrative
Ndalohet ofrimi i pijeve alkoolike dhe energjike të miturve nga personi madhor që e shoqëron atë në vende publike.

Ofrimi i pijeve alkoolike dhe pijeve energjike nga personat madhorë që shoqërojnë të miturit në njësi tregtare, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 10 mijë deri në 20 mijë lek?. -Ofrimi i pijeve alkoolike dhe pijeve energjike nga personat madhorë që shoqërojnë të miturit në baret, restorantet, kinematë apo klubet e natës përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 20 mijë deri në 30 mijë lekë

Shitja e alkoolit dhe pijeve energjike te personat nën 18 vjeç ndalohet rreptësishtë nga të gjitha dyqanet, marketet apo njësitë e tjera të shitjes.

Të gjithë personat e dyshuar si minorenë do të kontrollohen nëpërmjet mjetit të identifikimit për të ndaluar përdorimin e lëndëve të sipërpërmendura.

Do të ndalohet çdo lloj reklamimi i pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar në institucionet arsimore për të mitur.

Ndalohet transmetimi i publicitetit për pijet alkoolike, pijet energjike dhe pijet e gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar në brendësi të këtij programi drejtuar të miturve, si dhe 60 minuta para dhe pas këtij programi

Radiotelevizionet, mediat e shkruara publike ose private, si edhe agjencitë publicitare, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, duhet të miratojnë rregulla për përmbajtjen e mesazheve publicitare që kanë të bëjnë me pijet energjike dhe pijet e gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar. /GSH/

Hyn në fuqi ligji, së shpejti ndalohen për personat nën 18 vjeç këto pije Read More »

Humbi gishtat në protestë, flet efektivja e plagosur: Plasësja më ra në qafë, por… si ndodhi ngjarja (video)

Të gjithë ata që nuk ishin aty apo e panë nga jashtë ngjarjen kanë folur dhe dhënë versionin e tyre për policen e plagosur në protestën e banorëve të Unazës së Re. Por se çfarë ka ndodhur në të vërtetë e tregon vetë Ina Muka. Ajo ka ka folur sot për Top Channel në emisionin “Open”, për situatën që ka ndodhur në protestën ku ajo humbi gishtat e njërës dorë nga shashka që i plasi në dorë.

“Kam lindur në Peqin jam banues në Tiranë kam mbaruar studimet te sportet pastaj shkova në polici. 1 vit e gjysmë kam punuar tek Komisariatin 3 dhe për 6 muaj punoj tek Drejtoria e Policisë. Ishim me shërbim te Parlamenti për protestën. Situata agravoi dhe turma nisi të shtynte. Isha në rreshtin e dytë dhe një nga këto plasëset më ra në trup dhe u mundova ta shmang me dorën e djathtë, pasi e kisha në pjesën e qafës”, tregon Nuka.

Humbi gishtat në protestë, flet efektivja e plagosur: Plasësja më ra në qafë, por… si ndodhi ngjarja (video) Read More »

Kujdes lidhjen tuaj! Ja çfarë parashikon horoskopi për sot

Horoskopi sjell parashikimin e yjeve për për ditën e sotme.

Dashi
Sot do të ndiheni shumë të lumtur. Do të keni energji mjaftueshëm për t’u argëtuar në mbrëmje me miqtë. Nëse dikush iu jep një ide të çmendur rreth diçkaje, mendojeni mirë dhe mos e refuzoni. Ecni përpara dhe ndiqni instinktet tuaja.

Demi
Nëse bëheni subjekt i kritikave nga miqtë dhe familjarët për veprimet tuaja të fundit rreth një divorci të mundshëm apo nisjen e një marrëdhënieje të re romantike, mos u përpiq të argumentosh. Ata janë të bindur për mendimin e tyre, megjithatë mos u shqetësoni dhe merrini me sportivitet komentet e tyre.

Binjakët
Disa persona të kësaj shenje mund të jetë të trishtuar sot sa i përket lidhjes së tyre romantike. Personi që keni pranuar në jetën tuaj mund t’ju zhgënjejë. Përpiquni të angazhoheni me diçka tjetër, në mënyrë që kjo gjë të mos ju prishë ditën.

Gaforrja
Nëse dëshironi të kaloni një ditë të qetë me familjen, duhet të rregulloni patjetër axhendën. Do ta ndjeni të nevojshme të shpreheni me familjarët tuaj. Mos u shqetësoni nëse refuzoni ftesën e dikujt. Fillimisht duhet të mendoni për veten tuaj.

Luani
Do të përballeni me një sfidë shumë të rëndësishme sot. Ndoshta mund t’i vërtetoni diçka dikujt. Duhet të jeni krenarë për suksesin tuaj. Relaksohuni dhe shijoni mbrëmjen.

Virgjëresha
Sot ka gjasa t’ju jepet një mundësi për t’u rritur profesionalisht. Të ardhurat ekonomike do t’ju rriten, por përpiquni të mos shpenzoni më shumë se buxheti juaj. Në mbrëmje mund të përjetoni një situatë të çuditshme dhe do ta keni pak të vështirë të dilni prej saj.

Peshorja
Mos humbisni kohë duke dhënë argumente në shtëpi. Nëse dikush ju kritikon, mos u shqetësoni dhe kthejeni këtë situatë në shaka. Do ta kuptoni që kjo mënyrë do të funksionojë më së miri. Në punë duhet të tregoheni shumë seriozë, përndryshe gjërat nuk do të funksionojnë.

Akrepi
Gjatë ditës së sotme do të ndiheni shumë optimist. Gjithçka do t’ju shkojë mirë si në jetën personale, ashtu edhe në atë profesionale. Nëse jeni të martuar, do të argëtoheni me partnerin/partneren tuaj.

Shigjetari
Nëse nuk keni besim te vetja, përpiquni ta fshihni këtë sepse mund të ndiheni më mirë. Në këtë mënyrë nuk do ta vënë re as të tjerët, çfarë do t’ju bëjë ju ta harroni. Nëse do të veproni kështu, do t’ia dilni mbanë gjatë disa negociatave në punë.

Bricjapi
Një ëndërr që e keni pasur që në fëmijëri mund të jetë drejt realizimit. Mund ta arrini këtë qëllim, por duhet të kuptoni se tashmë jeni rritur dhe nuk do t’ju falë të njëjtën kënaqësi që mendonit në fëmijëri. Do të ishte mirë të planifikonit diçka për t’u argëtuar në fundjavë.

Ujori
Do të qëndroni gjatë në punë për një projekt të rëndësishëm. Do të jepni maksimumin për të realizuar atë çfarë dëshironi. Kushtojani mbrëmjen familjes suaj. Nëse një mik ju fton për një mbrëmje shumë të veçantë, mos e refuzoni.

Peshqit
Do ta kaloni ditën duke menduar rreth një plani të këndshëm për fundjavën. Dikush do të përpiqet t’ju afrohet, pasi ka ndjenja të veçanta për ju. Vlerësojeni situatën në mënyrë objektive dhe më pas vendosni.

Kujdes lidhjen tuaj! Ja çfarë parashikon horoskopi për sot Read More »

Bien masivë me gurë, bllokohet aksi i rëndësishëm kombëtar

Rrëshqitjet e gurëve pas reshjeve janë më se të zakonshme, sidomos në rrugët shqiptare. Mëngjesin e sotëm bëhet e ditur se rreshqitja e nje masivi te madh guresh ka bllokuar qarkullimin ne aksin Levan-Tepelene prane Poçemit.

ARRSH ben me dije se ne vend kane mberritur kompanite kontraktore per normalizimin e situates, nderkohe qe qarkullimi eshte devijuar. Gjithe te interesuarur duhet te perdorin rrugen e vjeter te Ballshit.

Njoftimi
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se per shkak te reshjeve intensive te shiut, ne aksin Levan-Tepelene prane Poçemit ka patur rreshqitje masivi guresh ne rruge. Kompanite kontraktore kane mberritur ne vend per te vleresuar situaten dhe zhbllokuar rrugen. Ndersa ne bashkepunim me policine rrugore eshte devijuar qarkullimi dhe mjetet po perdorin rrugen e vjeter te Ballshit.

Bien masivë me gurë, bllokohet aksi i rëndësishëm kombëtar Read More »