Loading...

“Lungomare 2”/ Leli: Ritëm i kënaqshëm punimesh për ta bërë sa më shpejt të prekshëm këtë investim

Pavarësisht situatës së pazakontë të krijuar nga përhapja e COVID-19, në Vlorë po vazhdojnë punimet për zbatimin e projekteve të financuara nga Qeveria shqiptare, donatorë të ndryshëm dhe bashkia dhe që po e transformojnë tërësisht këtë qytet, në funksion të turizmit.

Kryebashkiaku, Dritan Leli, inspektoi dhe ndoqi nga afër sot punimet për ndërtimin e “Lungomare 2”, në segmentin që shtrihet nga mjediset sportive të këtij objekti, që përfundoi dy vite më parë, deri tek Tuneli.

Leli, mjaft aktiv gjatë këtyre javëve, teksa menaxhon e drejton punën e strukturave që drejton, të përfshira në aksionet e dezifektimit dhe higjienizimit të mjediseve publike, apo ato humanitare të mbështetjes dhe ndihmës për kategoritë e njerëzve në nevojë, të moshuarit, pensionistët, familjet që po përballen me vështirësi, paralelisht ndjek në vijimësi investimet që po kryhen në territor.

Në kantierin e ndërtimit të “Lungomare 2”, ai bisedoi me specialistë, punonjës, inxhinierë e arkitektë të përfshirë në këtë projekt të rëndësishëm, jo vetëm për Vlorën, por edhe për të gjithë bregdetin shqiptar, veçanërisht të Jugut, duke rakorduar me ta ritmin dhe zbatimin e grafikut të punimeve.

Për kryebashkiakun vlonjat, në këto ditë është e nevojshme të krijohet një ritëm tjetër, një disiplinë e ndryshme, krahasuar me periudhat normale, të tregohet kujdes dhe vëmendje.

Vetëm kështu do të mund të ruhet qetësia, optimizmi dhe synimi për të realizuar objektivat. Punohet sot, që gjithçka të jetë gati për nesër, atëherë kur Vlora dhe bregdeti i saj, do të jenë oazi për të shijuar pushimet.

Prandaj dhe ai duke theksuar atmosferën e këtyre ditëve të jashtëzakonshme, evidentoi se, ritmi i punimeve dhe volumi i tyre gjithashtu, janë të kënaqshëm dhe garantojnë përfundimin e investimit në kohën dhe momentin e duhur.

“Pavarësisht kësaj situate, po punohet duke respektuar kufizimet orare, për të garantuar ecurinë e nevojshme dhe për ta bërë të prekshëm këtë projekt, për qytetarët vlonjatë, për të rinjtë, fëmijët, të moshuarit dhe për të gjithë ata vizitorë dhe turistë që presin rikthimin e normalitetit, për të ardhur në Vlorë dhe Jugun e vendit”, thotë Leli.

Ai thekson se, kjo karantinë, masat e marra nga Qeveria shqiptare për kufizimin e lëvizjeve që po respektohen nga qytetarët vlonjatë, përbëjnë një garanci për rikthimin e normalitetit dhe vijimin e jetës në të gjitha dimensionet e saj, ku sezoni turistik përbën një nga momentet më të rëndësishme.//atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com