Nga dita e sotme, hyn në fuqi Marrëveshja për Njohjen e Ndërsjelltë të lejeve të drejtimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Helene.
“Tashmë, shtetasit shqiptarë dhe grekë mund të udhëtojnë lirshëm midis dy vendeve, ndërsa zbatimi i saj kursen barrën financiare dhe kohën për procedura burokratike për pajisjen me leje drejtimi”, thuhet në njoftimin e Ambasadës shqiptare në Greqi.
Parlamenti grek ratifikoi marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Greqisë më 29 janar.
Marrëveshja e firmosur që në 11 maj 2018, pjesë e paketës së çështjeve të pazgjidhura Shqipëri-Greqi, u vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë dhe grekë.
Marrëveshja lehtëson jetën e qytetarëve, shmang sorollatjen nëpër zyra, harxhimin e kohës dhe parave.
Rreth 700 euro kursejnë qytetarët, të cilët nuk do të kenë nevojë që të kryejnë nga e para procedurat për t’u pajisur me leje drejtimi.
Gjithashtu të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë përkohësisht drejt Greqisë për arsye familjare, pune, apo pushime nuk do të kenë më nevojë të pajisen me leje drejtimi ndërkombëtare./atsh