Loading...

“Viti 2020 viti i sigurisë rrugore”, Lleshaj: Brenda shkurtit propozime konkrete për ndryshime në Kodin Rrugor

Viti 2020 do të jetë viti i sigurisë rrugore. Këtë theksoi Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, gjatë tryezës së mbajtur sot në Tiranë për të diskutuar mbi ndryshimet në Kodin Rrugor, që pritet ti propozohen Qeverisë.

Gjatë tryezës, ku merrnin pjesë edhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, si edhe specialist të Sigurisë Rrugore. Ministri nënvizoi se deri në fund të muajit shkurt do punohet për të pasur një listë të masave dhe ndryshimeve ligjore për kodin rrugor, që më pas do t’i paraqiten Qeverisë.

“Do të bëjmë shtim të masave të akteve ligjore për kufizimin e celularit gjatë përdorimit të mjetit. Po ashtu shtim të masës administrative për përdorimin e alkoolit. Ende ka një sjellje të lartë të papranueshme të përdoruesve të rrugës, ka gara shpejtësie dhe përdorim edhe të lëndëve narkotike”-, tha ministri.

“Sjelljet agresive që bien në sy në rrugë është e papranueshme. Presioni ndaj atyre që ecin normalisht nuk do tolerohet. Kemi raste kur një drejtues mjeti i ngjitet mjetit përpara duke ushtruar presion për ta detyruar tjetrin të largohet ose të eci shpejtë, kjo do të rregullohet. Rritja e përgjegjshmërisë për përdoruesit e rrugës, është kryefjalë”-, theksoi Lleshaj.

Sipas tij, edhe fëmijët duhet të kenë vëmendje më të madhe. “Duhet e njëjta mbrojtje për fëmijët si në Bashkimin Europian me karrige të posaçme. Kërkohet një program i gjerë masash”.

Ai tha se do futet edhe testi “I idiotit”. “Duhen teste të vazhdueshme psikologjike dhe disiplinë me e madhe. Për rastet e drejtuesve që nuk sillen normal, do të bëjmë testin e idioteve që quhet në Gjermani. Ky test bëhet pasi një drejtues mjeti merr patentetën pasi përfundon periudhën e pezullimit të lejes së drejtimit, pasi duhet të shihet se nëse është i aftë psikologjikisht për ta ri-fituar lejen e drejtimit”-, tha ministri Lleshaj.

Sipas tij, teknologjia do jetë pjesë e sigurisë rrugore. “Përdorimi i teknologjisë moderne në përmirësimin e rezultateve të sigurisë rrugore pjesë e rëndësishme e punës për modernizimin e Policisë së Shtetit. Në këtë funksion do të jenë dhe targat inteligjente”-, tha Lleshaj.

Një tjetër element i prekur nga Ministri i Brendshëm ishte dhe kufizimi i elementeve të krimit në rrugë. “Vrasjet mafioze ndodhin me mjete të vjedhura më së shumti. Do ta kufizojmë këtë, me targat e reja që të mos bëhet në dy mjete. Ta kufizojmë hapësirën për të përdorur makinat si armë. Mjetet e blinduara janë në përdorim masiv të krimineleve dhe kjo nuk do të tolerohet.”-, tha Lleshaj.

Ai tha se do ketë akreditime për auto-shkollat. “Një aspekt tjetër është marrja e masave për të rritur përgjegjësinë e auto-shkollave. Nuk është vetëm thashethem, por në shumë raste auto-shkollat nuk plotësojnë detyrat për të trajnuar një shofer të aftë. Do gjejmë mënyra për këto auto-shkolla, që të jenë më të përgjegjshme për nxënësit që nxjerrin, do të kërkojmë akreditimin e tyre”-, theksoi Lleshaj.

“Duhet të ndërtojmë instrumente të përshtatshme për trafikun rrugor ti monitorojmë të koordinojmë. Pushteti vendor të futet më mirë në këtë drejtim. Semafori është një “dukuri” vetëm në Tiranë, pasi në Shqipëri nuk ka semaforë përveç se në kryeqytet. Ka ardhur koha të investojmë në këtë fushë dhe të shtrimë semaforët edhe në qarqet e tjera të mëdha. Në fund të muajit shkurt do të kemi një tryezë tjetër në vijimësi të kësaj”-, tha Lleshaj./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com