Loading...

Aeroporti i Vlorës, Balluku: Ndikim në zhvillimin ekonomik dhe turistik, ulje e tarifave të biletave për udhëtime ndërkombëtare

Ndërtimi i Aeroportit të Vlorës përbën një aset kombëtar që do t’i japë jo vetëm zonës, por dhe krejt vendit zhvillim ekonomik dhe turistik.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një intervistë në një nga mediet në vend, u ndal në detaje të tenderit tashmë të hapur ndërkombëtar për ndërtimin e këtij aeroporti.

“Me vënien në punë të Aeroportit të Vlorës, pritshmëria është që ky aeroport të ketë një ndikim të konsiderueshëm ekonomik, social dhe kulturor, në zhvillimin e kësaj zone, duke bërë të mundur hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e turizmit, ofrimin e shërbimeve ajrore për transportuesit me kosto të ulët, çka do të sjellë dhe uljen e tarifave të biletave për udhëtime ndërkombëtare për qytetarët”, – u shpreh ministrja Balluku.

Balluku siguroi se gara e aeroportit të Vlorës do të krijojë standarde të reja të konkurrimit në Shqipëri.

“Flasim për një garë ndërkombëtare dhe si e tillë kemi plotësuar të gjitha kushtet që konkurrentët kanë në garat ndërkombëtare, pasi bëhet fjalë për një fushë, ku peshën kryesore e merr eksperienca e konkurrentit dhe jo vlera e investimit”, – u shpreh ministrja Balluku.

Ministrja Balluku tha se bëhet fjalë për një shifër investimi rreth 90 milionë euro.

Ministrja shpjegoi edhe atë që njihet si garancia për pasagjerë, një ndër çështjet e diskutuara këto ditë në media.

Ky projekt mbart risqe të larta, pasi sipas ministres Balluku, për arsye se është një aeroport, i cili ndërtohet nga fillimi në një zonë te gjelbër (green field), dhe është e pamundur të parashikohet me saktësi trafiku dhe nuk ka një bazë të dhënash.

Në dhjetëvjeçarin e fundit, – sipas Ballukut, – janë ndërtuar vetëm 4 në të gjithë botën.

Autoriteti kontraktor do të marrë përsipër garantimin e te ardhurave minimale për një periudhe 10-vjeçare. Gjithashtu ne rastin kur të ardhurat e projektit do të tejkalohen përtej nivelit të parashikuar të të ardhurave në skenarin bazë, atëherë këto do të ndahen midis Autoritetit Kontraktues dhe koncesionarit në raport 50:50 .

“Ne jemi të detyruar të paraqesim tre skenarë, atë bazik, negativ dhe atë optimist. Në skenarin optimist përfshihet zgjerimi i zonës së jugut me kapacitete të turistike, tërheqjen e kompanive low cost, etj. Në skenarin bazik merret minimum i trafikut dhe skenari negative është në rastet kur volumi i punës shkon në zero”, deklaroi ministrja Balluku./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com