Loading...

Vijon fushata sensibilizuese e policisë në shkolla për rritjen e sigurisë rrugore

Në kuadër të bashkëpunimit polici-shkollë dhe të fushatës ndërgjegjësuese për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, investimin në dije dhe njohuri bazë tek nxënësit si përdorues rruge sot dhe drejtues mjetesh në të ardhmen, efektivë të Policisë Rrugore të Tiranës zhvilluan një orë bashkëbisedimi me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Kosova”, mbi njohjen dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Shefi i Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, kryekomisar Erion Ahmeti, së bashku me Shefin e parandalimit dhe sigurisë në trafikun urban, specialistë dhe ndihmësspecialistë të Policisë Rrugore prezantuan para nxënësve shembuj dhe këshilla praktike mbi qarkullimin rrugor, mënyrën e sjelljes së tyre në raport me to, si dhe pasojat jo vetëm shëndetësore, por edhe materiale që shkaktohen nga aksidentet rrugore. Nxënësit u informuan mbi rëndësinë që ka njohja me rregullin dhe edukatën rrugore në moshën e tyre, me qëllim formimin e një brezi jo vetëm të edukuar me standardet më të mira të sigurisë në rrugë, por edhe garantimin e sigurisë së tyre në të ardhmen, si përdorues rruge.

“Edukimi i nxënësve është thelbi i sigurisë rrugore, me qëllim që vetë nxënësit të jenë misionarët dhe përçuesit e sigurisë rrugore. Shpejtësia vret, shkelja e rregullave të qarkullimit sjell pasoja fatale për jetën. Mos lejoni prindërit, motrat e vëllezërit apo të afërmit tuaj që kur udhëtoni me ta në makinë, të ecin me shpejtësi apo të drejtojnë mjetin në gjendje të dehur, mos lejoni drejtuesit e furgonave apo të autobusëve të flasin në telefon kur ju transportojnë ju e bashkëmoshatarët tuaj. Mos qarkulloni asnjëherë në mjet pa vendosur rripin e sigurimit dhe fëmijët nën 12 vjeç të ulen në sediljen fiksuese” – u shpreh Shefi i Policisë Rrugore.

Punonjësit e Policisë Rrugore u kanë shpërndarë nxënësve materiale sensibilizuese dhe simbole të Policisë Rrugore, si dhe u janë përgjigjur interesit të shtuar të fëmijëve në lidhje me çështje dhe aspekte të ndryshme të sigurisë dhe shërbimit të Policisë Rrugore.

Së fundmi, fëmijët u njohën për pak çaste me mjetet e patrullimit dhe ato teknike, si dhe mënyrën e përdorimit të tyre nga punonjësit e Policisë Rrugore./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com