Punimet për rikonstruksionin e rrugës së Lumit të Vlorës po vijojnë intensivisht në segmentet Ura e Gjormit – Brataj dhe Brataj – Ura e Laskos.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se në këtë periudhë ka patur vijueshmëri në gërmime dhe mbushje.
Të dy segmentet po aplikojnë teste sipas specifikimeve teknike, për shtresat dhe terrenin natyral. Gjithashtu po kryejnë spostimin e linjave elektrike, ngritjen e centralit të betonit dhe furnizimin me materialet e nevojshme për të.
Tashmë ka filluar dhe ndërtimi i veprave të artit si mure mbajtëse dhe pritëse, tombino të dimensioneve të ndryshme.
Ky aks do të ofrojë parametra të lartë të sigurisë, përmes zgjerimit të trasesë, përmirësimit të parametrave dhe nivelimin e saj me material shkëmbor dhe trajtimin e nënshtresave.
Për pjesët e rrugës që kalojnë në zona të banuara është parashikuar dhe sistemi i trotuarëve dhe ndriçimit.
Segmenti Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos, me një gjatësi 27.1 km do të sigurojë një rritje të përfitimeve ekonomike dhe sociale për popullsinë lokale.
Rikonstruksioni i rrugës së Lumit të Vlorës parashikon t’i japë zgjidhje të qëndrueshme infrastrukturës publike në zonën e Bregdetit të Jugut, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët dhe ridimensionim e sektorit të turizmit si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale dhe rajonale.
Rruga e Lumit të Vlorës është projekt i financuar nga Qeveria Shqiptare, Fondi Kuvajtian dhe Fondi Saudit për Zhvillim. Rruga përshkon fshatrat e bashkive Vlorë, Selenicë dhe Himarë dhe përfshin edhe një degëzim që mundëson lidhjen me qytetin e Vlorës./atsh