Në portin e Durrësit dhe të Vlorës do të ndërtohen terminale moderne për kroçerat. Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Itali, ku foli në Asamblenë e Shoqatës së Industrialistëve të Detit.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama tha se, “po punojmë në këtë periudhë për të zgjeruar kapacitetet e porteve tona. Kemi firmosur një marrëveshje me kompaninë MSC, për të ndërtuar terminalin e parë modern për kroçerat dhe shpresojmë mirë që me “Costa Crociere’’ të ecim përpara në mënyrë që të mbulojmë si Durrësin, ashtu edhe Vlorën me dy terminalë mjaft modernë, të konceptuar, – si përherë që nga koha e Mbretërisë shqiptare, – nga arkitektë fiorentinë”.
“Historia detare e Shqipërisë është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me atë të Italisë që nga Antikiteti dhe me emrin e lashtë të vendit tonë, Iliria, 20 vite pas krijimit të CONFITARMA-s fillon edhe pushtimi modern shqiptar në det. Dhe ishte pikërisht jahti ‘’Iliria’’, një dhuratë italiane për mbretërinë shqiptare, që u shndërrua në simbolin e flotës sonë dhe të qëllimit tonë për të investuar në një sektor detar të qëndrueshëm”, – tha Kreu i Qeverisë shqiptare.
Kryeministri, duke folur për historinë detare të përbashkët me Italisë dhe Shqipërisë, thotë se, “qartazi ndajmë një histori të pasur e të njëjtë, por për fat të keq duhet të kujtojmë që, nëse për Italinë, deti ka qenë shpesh hapësira e një italianizmi triumfues, për shqiptarët ka qenë një burim brenge. Sa për të dhënë një shembull, gjatë 50 viteve të një komunizmi brutal, që e bëri Shqipërinë, Korenë e Veriut të Europës, kur praktikisht deti ishte një hapësirë e ndaluar dhe në vend që të bashkonte, ndante në një mënyrë shumë brutale”. /atsh