Ecuria e procedurës së shpronësimeve të banorëve, të cilët janë prekur nga ndërtimi i Rrugës së Lumit të Vlorës ishin në qendër të takimit të zhvilluar mes deputetit të Partisë Socialiste të qarkut të Vlorës, Vullnet Sinaj me Drejtorin e Shpronësimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi.
Gjatë takimit, Elezi e njohu deputetin Sinaj se ARRSH ka kërkuar nga Kadastra e Vlorës hartat kadastrale me përditësimet e fundit, për pasuritë, të cilat janë prekur nga zbatimi i projektit, në mënyrë që të evidentohen pronarët që do të shpronësohen.
“Nxjerrja e certifikatave të pronësisë, është detyra kryesore e çdo pronari që do të përfitoj dëmshpërblim nga procedura e shpronësimit, ndaj i bëj thirrje të gjithë banorëve, të cilët janë prekur nga ndërtimi i rrugës së Lumit të Vlorës, të shpejtojnë të nisin procesin me pajisjen me certifikata pronësie”, – tha Sinaj.
Deputeti Sinaj bën të ditur se për tokat bujqësore duhet të bëjnë gati certifikata familjare e 1 Gusht 1991, planin e rilevimit të pasurisë nga një topograf i licencuar dhe i miratuar nga Administratori i Njësisë Administrative përkatëse dhe akti i marrjes së tokës në pronësi”.
Sipas Sinaj, qytetarët këto dokumente duhet t’i dorëzojnë në bashkinë përkatëse, e cila i përcjell pranë Kadastrës, ose t’i depozitojnë drejtpërdrejtë në sportelet e Kadastrës.
Sinaj i bëri thirrje gjithashtu bashkisë së Selenicës dhe Himarë si edhe Kadastrës së Vlorës, të trajtojnë me përparësi kërkesat për pajisjen me certifikata pronësie të qytetarëve, të cilët preken nga zbatimi i projektit të ndërtimit të rrugës së Lumit të Vlorës./atsh