Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emanuel Macron pritet të zhvillojnë sot një takim që, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, diplomatët e konsiderojnë si mundësinë e fundit për ta bindur Parisin që të ndryshojë qëndrimin për bllokimin e fillimit të planifikuar të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
”Shpresojmë se Parisi edhe njëherë do të mendojë për pozitën e vet dhe se nuk do të lejojë të izolohet në Europë për shkaqe të brendshme politike”, tha një diplomat në Bruksel për DPA, i cili nuk pranoi të identifikohej.
Ai vlerësoi se kush bllokon procesin inkuadrues do të jetë përgjegjës për destabilizimin e mundshëm të rajonit.
Qeveria gjermane konsideron se Shqipëria dhe MV i kanë përmbushur të gjitha kushtet që ka kërkuar prej tyre Komisioni Europian.
Mbështetje për eurointegrimin e MV dhe Shqipërisë dhe për mbarë Ballkanin Perëndimor këtë fundjavë shprehu kryetari i parlamentit austriak, Volfgang Sobotka, i cili deklaroi se ”gjithësecili që bllokon fillimin e negociatave inkuadruese me të dyja vendet rrezikon kursin europian të rajonit dhe e dëmton kredibilitetin e Unionit.
Ndërkohë, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev disa herë gjatë kësaj jave deklaroi se vendi meriton vendim për fillimin e negociatave me BE-në dhe pret që Unioni ta mbajë fjalën.
”Jam i bindur se Këshilli Europian më 17 dhe 18 tetor do ta sjellë vendimin e shumëpritur për fillimin e negociatave”, deklaroi Zaev./atsh
Loading...