Nisur nga rëndësia publike dhe projekti ambicioz për ndërtimin e “Lungomare 2”, Dallëndyshe Bici, Kryeinspektore e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), po ndjek dhe kontrollon nga afër ecurinë e punës në Vlorë.
IKMT në kuadër të aksionit për t’i hapur rrugë ndërtimit të projektit, po vijon prishjen e objekteve pa leje në zonën e Radhimës.
IKMT falënderoi Policinë e Shtetit, për bashkëpunimin në përmbushjen e punës së këtij inspektorati për lirimin e hapësirave nga objektet e paligjshme.
“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit është në aksion në bregdetin e Vlorës prej më se tri javësh, në funksion të projektit të vazhdimit të shëtitores buzë detit. IKMT ka në planin e saj prishjen e mbi 60 objekteve pa leje. Deri tani janë prishur rreth 15. Në punën e tyre përgjatë këtij aksioni, inspektorët e IKMT janë ndeshur gati çdo ditë me kërcënime, sharje, fyerje dhe skena që ndjellin dhunë nga poseduesit e këtyre objekteve pa leje, të mbështetur nga të afërm apo të njohur të tyre. Nga ana e inspektorëve ka pasur përherë një sjellje për t’u përshëndetur, pa reaguar asnjëherë. Por këtë herë duam të falënderojmë në mënyrë të veçantë Policinë e Shtetit, e cila jo vetëm është sjellë korrektësisht dhe profesionalisht në çdo minutë që situata mund të përndizej, por edhe ka mbajtur një qëndrim më se komunitar, duke mirëkuptuar acarimin e qytetarëve, por duke zbatuar plotësisht ligjin. Policia e Shtetit ka qenë në krah të IKMT dhe jo pak herë kanë shmangur veprime dhe situata që nuk dihet si mund të precipitonin. E vërtetë se është e pazakontë të falënderosh një institucion pse kryen detyrën, por ndonjëherë varet dhe si e kryen detyrën. Ndaj jo vetëm falënderim, por edhe mirënjohje për punën e policisë gjatë aksionit tonë në Vlorë”, tha IKMT.
Lungomare, është shëtitorja përgjatë bregdetit në Vlorë do të zgjatet deri nga fushat e sportit deri te tuneli në zonën e njohur si Uji i Ftohtë.
Projekti për fazën e dytë të ndërtimit të shëtitores do të nisë të zbatohet në shtator dhe do t’i shtojë qytetit një tjetër hapësirë urbane buzë detit.
Zgjatimi që do të ndërtohet është rreth 640 m me një gjerësi 7 metra dhe do të ruhen të njëjtat motive të shëtitores ekzistuese. Me fjalë të tjera, do të kombinohet shtresa e betonit me zaje të bardha lumi, gjelbërim me pisha, ndriçim dhe mobilim urban.
Gjithashtu do të krijohen hapësira të reja publike që do të bëjnë të mundur shkëputjen nga shëtitorja dhe argëtimin jashtë saj.
Një tjetër element interesant është edhe lidhja e shëtitores me detin nëpërmjet shkallareve që zbresin deri thellë në det. Projekti parashikon ruajtjen e shkëmbinjve ekzistues dhe integrimin e tyre me shkallët, si dhe mbrojtje detare.
Projekti i Lungomares është unik në llojin e vet, jo vetëm për përmasat dhe rëndësinë që ka në rigjallërimin urban të qytetit dhe impaktin në turizëm, por edhe për vështirësinë e realizimit./atsh