Tuneli panoramik Lin-Pogradec është hapur para afatit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaroi se pas një pune intensive kanë përfunduar ditën e sotme punimet për stabilizimin e rrëshqitjes në aksin Lin- Pogradec, 3 muaj përpara afatit të përcaktuar në kontratë.
“Me stabilizimin e rrëshqitjes, u vu në përdorim edhe tuneli panoramik, tashmë në funksion të përdoruesve të rrugës. Rruga përfshin gjelbërim, trotuare te gjera si dhe korsi biçikletash për ta bërë sa më të aksesueshëm këtë aks si dhe ndriçim në të gjithë gjatësinë e saj. Tuneli tashmë është i aksesueshëm nga drejtuesit e mjeteve ndërkohë që vijojnë ndërhyrjet me impakt mjedisor për rigjelbërimin e zonës me pemë bliri dhe bimësi dekorative”, shprehet ARRSH.
Po ashtu ARRSH shtoi se përfundimi i këtij aksi, së bashku me ndriçimin përkatës përpos se lehtëson qarkullimin e turistëve drejt këtij destinacioni të bukur turistik, valorizon edhe më shumë sitin e bukur natyror të liqenit të Ohrit, tashmë pjesë e trashëgimisë botërore. /atsh