Kryeministri i vendit, Edi Rama ka uruar mirëmëngjes përmes pamjeve nga kantieri i punës për ndërtimin e rrugës së Lumit të Vlorës.
“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje nga kantieri i punës për ndërtimin e rrugës së Lumit të Vlorës, ju uroj një ditë të mbarë”, -thotë Rama.
Punimet në kantierin e rrugës së Lumit të Vlorës vijojnë në lotin e dytë Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos, me gjatësi 27,1 km.
Projekti parashikon edhe punime civile, vepra arti, elementët e sigurisë rrugore, sistemi i ndriçimit, vendkalime për këmbësorët. Ndërkaq, qendrat e fshatrave janë parashikuar të trajtohen si zona urbane duke përfshirë ndërtimin e trotuarëve, sistemit të ndriçimit dhe gjelbërimin. E konsideruar si zemra e Labërisë krahina ka 50 000 banorë në 100 fshatra.
Peizazhi piktoresk, uljet dhe ngritjet e relievit, historia dhe traditat përbëjnë një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim.
Përveç lidhjes së fshatrave të krahinës me Vlorën, projekti ka për qëllim të lidhë Vlorën me Himarën dhe të krijojë akses më të afërt dhe të shpejtë për Gjirokastrën e Tepelenën drejt bregdetit të jugut. z.tosku/atsh