Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh gjatë një interviste televizive se “vendimi i Parlamentit holandez është një akt që tregon mosbesim ndaj qeverisë”.
Sipas Bashës, “Nuk ka lidhje Parlamenti shqiptar me atë që ndodhi sot në Parlamentin e Mbretërisë së Holandës”.
“Është hera e parë në botë, është e paprecedentë që një vend që ka votuar për heqjen e vizave, tani voton për rikthimin e vizave.
Është e paprecedentë. Nuk ka ndodhur diçka e tillë në botë”, – tha Basha.
“Ajo që ka ndodhur në Parlamentin e Holandës për rivendosjen e vizave për shqiptarët, ka 3 domethënie. E para, ky nuk është një akt racizmi ndaj popullit shqiptar. Ky është një akt i pastër mosbesimi ndaj qeverisë aktuale. Sepse, sipas Bashës, prej më shumë se 3 vitesh, policia holandeze dhe autoritetet e drejtësisë dhe ligjit në Holandë kanë konstatuar jo thjesht një rritje të numrit të krimeve të kryera nga rrjetet kriminale me bazë në Shqipëri, por rritje të influencës së tyre financiare dhe organizative”, – vijoi ai.
“Disa prej këtyre raporteve që janë publikuar edhe në median shqiptare tregojnë se këto rrjete kriminale duke operuar me bazë Shqipërinë, kanë futur në dorë edhe trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt portit të Roterdamit, apo Anversës në Belgjikë, sikundër kanë bërë edhe në qytete të tjera të rëndësishme të Europës, nga Londra në Hamburg e gjetkë”, – shtoi Basha.
“Me paratë e drogës, edhe nga Amerika Latine, këto banda janë bërë kaq të fuqishme saqë po të lexosh raportet e autoriteteve holandeze, kupton se tani kanë filluar të paraqesin një rrezik të madh edhe për pastrimin e parave”, – tha Basha.
“Një shtet i cili kërkon rikthimin e vizave do të votojë për hapjen e negociatave? Absolutisht që jo! As Holanda dhe as shtetet e tjera. Kjo është parathënie e keqe. Nëse nuk ka ndryshim të thellë, Shqipërisë prapë nuk do t’i hapen negociatat”, – tha Basha.atsh