Reshjet e dendura të dëborës që ranë gjatë natës duke u gdhirë e shtuna, nuk krijuan asnjë shqetësim në qarkullimin e automjeteve në segmentin rrugor që përshkon Qafën e Llogorasë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë.
Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha sot për ATSH-në se “ky proces është shoqëruar edhe me hedhjen e kripës në shtratin e rrugës, gjë që krijon parametrat e duhur për lëvizjen e mjeteve dhe shmangien e rrezikut të rrëshqitjes”.
“Kemi ngritur dy postoblloqe të policisë rrugore një në urën e Palasës dhe tjetra tek Mrizi i Pishave në Llogora me qëllim për të paralajmëruar mjetet të përdorin zinxhirët, pasi trashësia e dëborës është deri në 30 cm”, theksoi Mamaj.
Sipas tij, po ashtu borëpastrueset po punojnë intensivisht për pastrimin e dëborës.
Qafa e Llogorasë u mbulua sërish nga dëbora, pas reshjeve të rëna në fillim të muajit janar. Prania e shtresave të borës në mjediset e Parkut Kombëtar të Llogorasë, e ka bërë më tërheqës këtë mjedis pyjor malor edhe për të apasionuarit pas turizmit të bardhë.
Qafa e Llogorasë ka rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor./atsh