Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, bulevardi i ri “Ismail Qemali” në Vlorë, do të jetë bulevardi më i bukur në Shqipëri.
I pranishëm në takimin që u zhvillua në Vlorë, ku u prezantua buxheti i vitit 2019 për infrastrukturën, Kryeministri tha se, “kemi nisur dhe do të intensifikojmë punën për transformimin urban dhe bulevardi i ri në qytetin bregdetar të Vlorës do të jetë bulevardi më i bukur i Shqipërisë”.
Natyrisht bulevardi i Tiranës ka vlera të tjera, theksoi Kryeministri.
Rikonstruksioni i bulevardit të ri “Ismail Qemali” në Vlorë, është një projekt i financuar nga qeveria shqiptare në kuadrin e Programit Kombëtar për Rilindjen Urbane dhe Banka e Këshillit të Europës, që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Në fazën e parë është parashikuar rindërtimi i bulevardit kryesor nga rrethrrotullimi pranë qendrës tregtare “Riviera”, deri në kryqëzimin e bulevardit kryesor me rrugën “Petrit Bisha”.
Gjatë realizimit të projektit në këtë segment parashikohen ndërhyrje në të gjithë infrastrukturën ekzistuese nëntokësore, projekt i ri i shtresave rrugore, si dhe urbanizim.
Punimet ndahen në disa segmente, me qëllim realizimin në kohë dhe me cilësi të projektit, por edhe për të shmangur ngarkesat në qarkullimin e makinave dhe këmbësorëve nëpër qytet. Bllokimi pjesor i bulevardit dhe devijimi i lëvizjes së mjeteve është parashikuar të fillojë në segmentin rrethrrotullimi pranë qendrës tregtare “Riviera”, deri në kryqëzimin e bulevardit me rrugën “Gjergj Arianiti”. /atsh