Loading...

Shifrat e çmendura/ Ja sa kushton 1 sekondë reklamë gjatë programeve te televizoneve shqiptare

E gjithë gara e ashpër për të tërhequr audiencën dhe ajo që është më e vështirë për ta mbajtur atë të mbërthyer pa ndërruar kanalin, në fund të fundit ka një qëllim: të tërheqë sa më shumë reklamues. Kjo po bëhet gjithnjë e më e komplikuar, teksa emisionet po shtohen, duke shpërqendruar audiencën, ndërsa reklamuesit sa vijnë e po ulin buxhetet.

Kjo vështirëson dhe rritjen e çmimeve, që prej disa vitesh nuk po shënojnë ndryshime të dukshme, ndonëse televizionet kanë nevojë për më shumë para përballë shtimit të investimeve e programeve. Programi më i shtrenjtë për të reklamuar është shfaqja e humorit “Portokalli”, që transmetohet në Top Channel dhe për vite me radhë mbërthen pjesën më të madhe të audiencës së të dielës.

Një sekondë transmetim kushton 8400 lekë, ose rreth 66 euro (tarifa e sezonit të kaluar, sepse këtë vit nuk janë bërë ende publike tarifat e reja). Tarifa të ngjashme kishte vendosur Vizion Plus për show-n televiziv “Dancing with the Stars” për sezonin e kaluar (7,700 lekë), ndërsa në ofertat zyrtare të këtij sezoni, mungon programi i vallëzimit, ndërsa pritet të fillojë një tjetër show televiziv të premten.

Politika, shtrenjtohet “Opinion”
E enjtja është jo vetëm dita e betejës së fortë politike në prime- time, – ku mbizotëron debati, ritmi dhe ndonjëherë dhe “sherret”, – por edhe e tërheqjes së sponsorëve dhe reklamuesve. Emisioni politik më i shtrenjtë është “Opinion” i Blendi Fevziut në Tv Klan, ku një sekondë kushton 50 euro (rreth 6,300 lekë me kursin aktual), ditën e enjte. Për transmetimet nga e hëna në të mërkurën tarifat e reklamës janë rritur ndjeshëm, me 74% në 40 euro për sekondë.

Në emisionin e Vizion Plus, “Top Story”, nga Sokol Balla, që konkurron në të njëjtin orar të enjten, një sekondë reklamë kushton, sipas tarifave zyrtare 6 mijë lekë. E njëjta tarifë është edhe të hënën në orën 21:00.

Më i lirë të enjten ka qenë programi politik i Top Channel. Në sezonin e kaluar, si tek “Top Story” ashtu dhe tek të “Pa Ekspozuarit”, një sekondë reklamë kushtonte 2,700 lekë.

Lajmet
Nga printi, tek online e deri në televizion, gara për lajmin e fundit është gjithnjë e ashpër. Media mbetet sipas një anketimi të INSTAT, të përpunuar nga Monitor, burimi kryesor i të mësuarit informal për shqiptarët, ku televizioni luan rolin kryesor.

Në Klan TV, tarifa arrin në 22 euro (rreth 2,800 lekë), e pandryshuar në krahasim me sezonin e kaluar, duke u renditur si më i shtrenjti.

Top Channel sezonin e kaluar kishte çmime prej 2,400 lekë për një sekondë, përpara transmetimit të lajmeve kryesore të orës 19.30

Pak më lirë është reklama në Vizion Plus, në 2,000 lekë për sekondë. Ky televizion i fillon lajmet gjysëm ore më parë se dy rivalët e tij.

Argëtimi
TV Klan ka shtuar programet me tematikë argëtimi, duke unifikuar çmimet në 40 euro për sekondë (rreth 5,100 lekë). Për “Zonë e Lirë”, të Arian Çanit dhe “Dance with Me”, të drejtuar nga Alketa Vejsiu, tarifat janë ulur nga 50 në 40 euro. Po 40 euro kushton një sekondë reklamë edhe për emisionet e reja “Duplex” dhe “Familja”. Përgjysmim të tarifave ka emisioni “Xing me Ermalin”, nga 50 në 25 euro për sekondë. E diela pasdite është e Ardit Gjebresë, me “E diela Shqiptare”, ku një sekondë reklamë varion nga 35-40 euro, e pandryshuar nga një vit më parë.

Në Vizion Plus, një sekondë në emisionin humoristik të së shtunës në “Al Pazar”, drejtuar nga Agron Llakaj, kushton 6,600 lekë, duke qenë më i shtrenjti në këtë televizion.

Teksa pritet të fillojë “Big Brother celebrity”, Top Channel në sezonet e kaluara të “Big Brother”, kishte tarifa prej 8,400 lekë për sekondë, njësoj me Portokalli.

Serialet
Telenovelat turke janë bërë magnet për audiencën shqiptare dhe po transmetohen nga TV Klan dhe Vizion Plus edhe në oraret e mbrëmjes.
Në TV Klan, më i shtrenjti është “Sulltanesha Kosem”, me 33 euro/sekondë (rreth 4,200 lekë), e ndjekur nga “Dashuri bardh e zi”, me 13 euro. Në telenovelën indiane “Bixhoz në dashuri”, një sekondë reklamë kushton 10 euro. Në Vizion Plus, serialet turke kushtojnë midis 1,400 dhe 2,200 lekë për sekondë.

Mëngjesi më i lirë
Më të lirat janë oraret e mëngjesit, teksa njerëzit nxitojnë për në punë dhe audienca është e shpërqendruar. Në “Aldo Morning Show” në TV Klan, një sekondë kushton 7 euro. Në Vizion Plus, në “7 pa 5”, reklama kushton 600 lekë për një sekondë. Në Wake Up në Top Channel gjatë sezonit të kaluar reklama kushtonte 420 lekë për sekondë dhe “Në shtëpinë tonë” 320 lekë. Tarifat e sipër përmendura janë sipas ofertave zyrtare, teksa është në politikën e televizioneve që të bëjë zbritje të ndryshme.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com