Ndonëse “Big Brother” ka disa javë që ka mbaruar, “telenovela” Luiz Ejlli vijon ende. Fituesi i këtij edicioni është padyshim ndër personazhet më të përfolura aktualisht.
Çdo aktivitet i tij, apo çdo postim në rrjetet sociale, merr vëmendjen e të gjithë ndjekësve. E duket se gjithë kjo vëmendje përkthehet në para për këngëtarin, i cili tashmë i ka koncertet njëra pas tjetrës.
Nga ana tjetër, një vëmendje të madhe ka marrë edhe marrëdhënia me Kiarën. Pas postimeve plot dashuri, në rrjet nisi të përflitej një ndarje e mundshme mes tyre. Por, Luizi ka hyrë “live” në “Instagram”-in e tij për të përgënjeshtruar këtë lajm. Teksa po darkonte me bashkëshorten, Kiara Tito, fituesi i “Big Brother VIP” hyri “live” për t’u treguar të gjithëve se ata janë bashkë.
Madje, fansat i kërkuan që ai ta puthte Kiarën, në mënyrë që të hiqnin të gjitha dyshimet që kishin. Në ato momente, këngëtari i tha partneres së tij që të çoheshin nga tavolina dhe të dilnin jashtë, pasi aty kishte dhe fëmijë. Teksa po lëviznin, Luizi u vendosi një kusht ndjekësve të tij. Ai u tha se nëse do të shkonin 100 mijë fansa që po shikonin “live”-n, atëherë ai do e puthte Kiarën. E në pak minuta në “live”-n e fituesit të BB VIP arritën 103 mijë ndjekës.
E për këtë arsye, Luizi e mbajti fjalën dhe e puthi partneren e tij, duke hedhur poshtë të gjitha aludimet se ata janë ndarë. Por duket se ndonëse raporti i tyre është në ditë të arta, dyshja ka vendosur të marrë dhe pak kohë për vete.
Bëhet me dije se Luizi, aktualisht po kërkon të blejë një shtëpi të tijën, pasi nuk do të jetë te shtëpia e Kiarës. Ndonëse të dy kalojnë shumë kohë së bashku, këngëtari ende nuk e ka lënë shtëpinë ku banonte me qira dhe kjo është “streha” e tij për momentin.
Teksa pret edhe të marr çmimin e fituar, Luizi po e kalon kohën mes shtëpisë së Kiarës, shtëpisë së tij dhe shumë koncerteve ku është i ftuar. E nëse me Kiarën kanë vendosur ta marrin shtruar këtë marrëdhënie, fituesi i “Big Brother” ka folur edhe për raportin që ka tashmë me Jurgenën, ish-partneren e tij që i menaxhonte “Instagram”- in. Madje, ai tregoi se ka takuar babain e Jurgenës dhe u ndje keq, për mërzinë dhe problemet që i kishte hapur, duke u komentuar nga portale të ndryshme.
“Unë jam takuar me babain e saj, burrë zotëri erdhi e më tha që familja ime nuk e ka merituar këtë lloj vreri dhe me bëri të ndihem shumë keq. Nuk është gjithçka fama, po bëhem shkak për të shkatërruar një familje”, u shpreh Luizi.
Mikja e Luiz Ejllit, Jurgena, është bërë sërish “e gjallë” në rrjetet sociale. Nëpërmjet një adrese në “Instagram” që pretendon se është vajza në fjalë, ajo i ka hedhur sërish benzinë zjarrit. Një nga ndjekësit e kishte pyetur nëse ishte së bashku me Luizin në Gjakovë dhe përgjigjja e saj do t’ju befasojë. Jurgena konfirmon se ka qenë në Gjakovë së bashku me familjen e saj ditën që Luizi pati koncertin, ndërkohë që edhe janë takuar së bashku.
“Në Gjakovë isha me familjen dhe vendosëm që të takoheshim me Luizin. Të sqaronim disa gjëra rreth ‘Instagram’-it të tij që ka pasur”, shkruan Jurgena. I ftuar në “Më lër të flas” me vëllezërit Veshaj, Luizi tha se e ka njohur shumë pak kohë para nisjes së “Big Brother” dhe ka dalë disa herë me të.
“Me Jurgenën jemi njohur, diku një muaj para se të hyja në ‘Big’. Kemi dalë dy-tre herë (qesh). Ajo ma hodhi si ide më tha mua, kur të hysh brenda të duhet një ‘Instagram’. Ç’më duhet mua i thash do jem brenda, duhet tha ta kesh kështu, ta mbaj unë. Mirë hape i thash se unë s’di dhe ajo e ka hapur”, tha Luizi.
Tashmë që lidhja me Jurgenën përfundoi, raporti mes tyre duket se ka mbetur i mirë, duke ruajtur respekt për njëri-tjetrin. Sakaq, Luizi sqaroi dhe marrëdhënien me Meridianin, të cilin tha se e njeh vetëm si fytyrë. Ai po ashtu deklaroi se Mario dhe Joni nuk janë miqtë e tij më të mirë, pasi para se të hynte në BBVIP, kishte 2 vite pa i takuar.
“Kam parë që jam njeriu me më shumë shokë në Republikën e Shqipërisë. Unë nuk jap emra, por ata e dinë kush janë dhe çfarë kanë bërë. Meridiani më ka mbështetur. Unë e njoh vetëm si fytyrë. Ai mund të thotë më ka shok, më ka mik. Ama të dalë jam menaxheri, jam kështu, kjo është e tepërt. Unë kam pasur shumë shokë që kanë marrë nënën time, ma sollën këtu, e pritën, që s’kanë pasur nevojë të lyejnë flokët dhe më ka thënë mos ma përmend emrin. Është Eni Bushati. Nuk e njeh asnjeri. Nuk ka tentuar kurrë të përfitojë. Unë me Marion dhe Jonin kam ndenjur shumë bashkë. Para se të hyja në BBVIP, kisha 2 vite pa folur me ta. Ishim shkëputur”, tha Luizi.
Në “Post Big Brother VIP”, Luizi deklaroi se duke marrë parasysh famën dhe vëmendjen e madhe që ka marrë që kur u bë pjesë e shtëpisë më të famshme, të gjithë u “sulën” për të marrë pak nga fama e tij duke e mbështetur dhe duke thënë vetëm fjalë të mira për të. E në mesin e atyre që e kanë mbështetur, ai tha se shumë prej tyre e kanë shfrytëzuar duke përmendur këtu edhe ata persona që nuk e kanë ndihmuar atëherë kur ka pasur më shumë nevojë për ta.
“Kam kuptuar këto ditë që shumë vetë më kanë shfrytëzuar gjatë qëndrimit tim brenda. Qofshin njerëz të thjeshtë, banorë. Për sa kohë jemi në një vend demokratik është e drejta e secilit ta bëj. Që të gjithë ata njerëz që më braktisën që më shkelën, sot kanë qenë në qindra emisione, studio, rrjete sociale duke u treguar se kush më ka njohur përpara. Në lojë në shtëpi, kam qenë më direkt se të gjithë. Ata e dinë shumë mirë se kush janë”, theksoi mes tjerash Ejlli.
Dhe duket se u është referuar pikërisht atyre. Të paktën kështu na ka bërë të mendojmë pasi Luizi i ka hequr të tre nga “Instagram”-i. Por teksa po shijon famën, problemet për rrjetet e tij sociale nuk kanë fund. “Instagram”-i i tij ka pasur probleme. Më vonë gjatë ditës, “Instagram”-i i fituesit të “Big Brother VIP 2” u rikthye, duke gëzuar kështu fansat e tij të shumtë, të cilët u shqetësuan se çfarë kishte ndodhur. Lidhur me këtë ka reaguar këngëtari i njohur, i cili i siguron fansat e tij se nuk do të ketë më probleme.
“Çapaçula mos u mërzisni për ‘Instagam’-in se këtë punë kanë. Nga ngarkesa, nga ku di unë, se unë nuk marr vesh për Zotin nga ‘Instagram’-i. Por, besoj se tani e kanë rregulluar dhe nuk do të ketë më probleme. Kështu që do shihemi këtu, do flasim, do qeshim. Ju puth të tanëve, ju dua fort”.