Shtëpia e Big Brother është shtëpia e mrekullive”, kështu është shprehur Luiz Ejlli në rrëfimin e tij në “Big Brother VIP”
Këngëtari i njohur, i cili u shpall edhe fitues i këtij edicioni të BB VIP, ka rrëfyer se të gjitha sulmet që ka bërë brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, kanë qenë fals.
Ndërsa për çdo lot që ka derdhur dh buzëqeshje që ka dhënë, ai ka qenë 100 për qind i vërtetë.
Rrëfimi i plotë i Luizit:
Deri në momentin që isha pas dere po mundohesha që të shkrija emocionet dhe hyra brenda. E dija çfarë lashë por nuk e dija se çfarë më pret. Kur pashë se kush ishte ulur në poltrona, i thashë vetes ‘ke bërë gabimin e radhës’. Unë e kam pasur suksesin para 20 viteve, këto e kishin të freskët, aktual. Para se të hyja kam parë Big Brother nëpër botë, e kam parë se cilat janë mënyrat që të ecësh, më efikasja ishte të bëheshe problem për shtëpinë dhe ashtu u bëra.
Fitorja e parë le të themi, ka qenë kur e gjithë shtëpia votoi për mua si banorin e preferuar. Pashë që këtu gjërat fitohen, nuk ti fal kush e për këtë arsye vendosa të bëja rrugëtimin që tashmë njihet, dihet dhe më solli deri këtu ku jam sot. I kisha studiuar nga pak secilin, banorja e parë që takova ishte Olta. Me të kishte dy rrugë, o do ishim shokë shumë të mirë o kundërshtarë dhe ndodhi kjo e dyta. Por thellë-thellë brenda nesh kishim respektin, dashurinë dhe frikën. Sinqerisht u mërzita shumë kur iku. Loja ose rrugëtimi ka qenë shumë ndryshe pa Oltën në shtëpi. Prime-n kur kam hyrë vetëm Kiara është çuar në këmbë, u dashurova që në atë moment me të, nga sytë e saj, nga buzëqeshja e saj.
Kujtova se çmimi është gjithçka por në të vërtetë fitova diçka që nuk ka çmim. Gjeta Kiarën që më jep forcë për të çuar kokën lart, për të besuar në vetvete, për të dashuruar dhe një herë. Gjërat e bukura dhe të vërteta janë shumë të vështira. Çdo mëngjes që zgjohesha, zgjohesha që të më kërkonte me sy e të më thoshte ‘ma bëj një kafe të lutem’.
Shtëpia e Big Brother është shtëpia e mrekullive. Momenti kur i ka ardhur velloja Kiarës dhe e kam parë te dhoma e gjumit, ishte femra më e bukur në botë. Unë nuk e besoja se do vinte kurrë të më puthte atë natë. Unë e kam thënë dhe do e them prapë ‘ajo është perfektja për mua, nuk e di a jam unë për të’.
Unë u faktorizova si një personazh i fortë, unë nuk kam empati, agresiv, por për hir të së vërtetës ajo ishte e vetmja mënyrë që unë të qëndroja në atë shtëpi, që të fitoja atë garë. Por në të vërtetë unë isha ai Luizi që kisha hyrë i pasigurte, i pafuqishëm, i pambrojtur dhe i paditur.
Bija të flija i fundit dhe zgjohesha i pari. Në ato mëngjese që ishte akoma pa zbardhur, aty isha 100 për qind vetvetja, plot vuajtje. Qaja më mëngjese rresht. Nuk e di se çfarë më pret jashtë. Do doja vetëm fytyra të buzëqeshura, vetëm krahë hapur që të përqafojnë. Njerëz që të thonë ‘na ke kënaqur’, uroj të jenë këto. Po frika qëndron, dyshimi, pikëpyetje.
Ai Luizi i mëngjeseve që qante dhe qanë prapë, mendon gjithë rrugëtimin e tij, gjithë gabimet. Falë jetës së vështirë që kam pasur me njerëzit, më detyruan që të vishja këtë petkun e personazhit agresiv, mosbesues. Sepse fakti që unë besova shumë, dhashë shumë, përfundova aq poshtë. E tani ishte koha mos me gabuar dy herë.
Në raport me sulmet që kam bërë, kam qenë i gjithi falso. Çdo lot që kam derdhur, çdo buzëqeshje që kam dhënë, janë të gjitha të vërteta. Unë do jem mirënjohës gjithë jetën gjithë atyre banorëve që ishin këtu, se falë tyre jam sot në finale.
Nga momenti që dal nga kjo derë, i kërkon faljet e mia më të sinqerta për çdo moment që mund ti kem bërë të ndihen keq. E pranoj se ka pasur momente që e kam tepruar. Pavarësisht fitues apo jo, unë e ndjej që jam kompletuar në shumë drejtime. Kam marrë shumë mësime, të cilat do të më shërbejnë nga momenti që do dal jashtë.
Kisha prekur fundin realisht. U mundova të ringrihesha dhe arrita këtu ku jam sot. Kjo është mundësia ime e fundit, edhe për të pasur një jetë shumë më të mirë, edhe për të vazhduar ëndrrën time në muzikë. Është një mundësi sonte, që mua të më ndryshojë jeta njëherë e përgjithmonë.