Kryeministri Edi Rama ka dhënë informacion për ecurinë e punimeve në Tunelin e Llogarasë.
Kreu i qeverisë njofton se deri më tani janë hapur mbi 1200 metra. Rama ia atribuon një pjesë të ritmit shumë të lartë të punës edhe formacioni gjeologjik, që sipas tij, deri në këtë fazë ishte tejet i favorshëm.
“Dhe me Tunelin e Llogarasë, ku janë hapur mbi 1200 metra me një ritëm shumë të lartë, falë edhe një formacioni gjeologjik deri këtu tejet të favorshëm për ecurinë e punës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Më herët ministrja Balluku ka njoftuar se në dalje të tunelit do të ndërtohet një urë që do të jetë më e veçanta në Shqipëri.
Kompania fituese ka afat 37 muaj që të përfundojë tunelin, i cili do të jetë i gjatë 5.9 kilometra dhe do të përshkohet nga qytetarët për rreth 7 minuta duke bërë të mundur shkurtimin e kohës që duhet aktualisht për të kaluar nga qafa e Llogarasë.