Gjon Muharremaj, i njohur me emrin artistik ‘Gjon’s Tears” gjatë pasdites së djeshme zbriti në aeroportin e Zyrihut dhe u mirëprit nga fansat e shumtë.
Ai përfundoi i treti në Eurovision, event që u zhvillua në Roterdam të shtunën në mbrëmje me këngën e tij “Tout l’ivers”.
“Ndihem jashtëzakonisht i lumtur, sepse ishte një përvojë e pabesueshme, e cila përfundoi vonë. Isha shumë i përqendruar,”, tha Gjoni për Keystone-ATS, pasi mbërriti pasditen e së dielës vonë në Zvicër.
“Festova me pjesëmarrësit e tjerë dhe nuk fjeta. As nuk e di se si po qëndroj akoma në këmbë,” tha 22-vjeçari.
Kur u pyet për vendin e tretë, këngëtari me origjinë shqiptare që ka lindur Frajburg thotë se nuk është penduar.
“Për mua, gjëja më e rëndësishme ishte të isha në pesë të parët. Kisha nevojë për konfirmim nga profesionistët, por edhe që cilësia e punës sime të shihej. Në fund përfundova i treti dhe madje i pari në votimin e ekspertëve të jurisë”.
“Të gjithë artistët e tjerë votuan për mua, gjë që është shumë prekëse”, tha ai.
Gjon Muharremaj, shtoi se “gjëja më e rëndësishme për mua është të jem afër me njerëzit, të ndikoj tek ta, si dhe të demonstroj cilësinë time si artist, gjë që mendoj se arrita ta bëj”, thekson 22-vjeçari.
Ai thotë se është shumë i lumtur me fitoren e Italisë, sepse është një këngë shumë autentike, e cila ngjan shumë me të tijën. Sidoqoftë, ai personalisht priste të fitonte Lituania.
Përfaqësuesi i Zvicrës Gjon Muharremaj, ka zbuluar më herët përvojën e tij në Festivalin e Këngës në vitin 2019, se si u ftua të aplikonte e më vonë nuk u përzgjodh që të ishte konkurrent.
Për “Abc e Pasdites”, këngëtari i njohur rrëfeu se pati komunikime me Alketa Vejsiun teksa u çudit nga përgjigjet që mori.
“Më kërkoi këngën për 4 ditë. Edhe ishte hajde apliko dhe pastaj më thirri disa ditë më vonë dhe më tha “Më fal Gjon, jeni 22 kandidatë dhe janë 20 vende. Më fal që nuk të thashë më herët, kemi ardhur shumë vonë tek ty, kënga është frëngjisht. Po ça është edhe më e çuditshme më tha do vish si i ftuar në Festival dhe nuk më ftoi, por s’ka problem”, është shprehur Gjon Muharremaj.
//NOA.al