Loading...

“S’kanë të krahasuar me kohën e ‘rrugëve të lëna rrugëve”/ Rama: Investimet në infrastrukturë me standarde europiane

Kryeministri Edi Rama informoi sot se “po vijojnë punimet në rrugën ‘Ura e Mesit-Kala e Drishtit’, në Shkodër, një aks që lidh së bashku dy monumente të Trashëgimisë sonë Kulturore dhe është pjesë e Programit tonë Kombëtar të infrastrukturës në zonat rurale, ku jemi fokusuar tek akset me impakt të prekshëm në bujqësi e në turizëm, në funksion të rritjes ekonomike e punësimit në fshat”.

“Bashkëlidhur disa foto rrugësh rurale, në Itali, Francë e Zvicër, thjesht për të kthjelluar vështrimin e disa miqve në këtë faqe, që “çuditërisht” bëjnë sikur s’e kanë parë botën e tallen me këto “rrugë njëkalimshe”, shajnë për “kthesat vdekjeprurëse”, akuzojnë “për vjedhje asfalti”, fyejnë inxhinierët, sipërmarrjet, punën e mijëra njerëzve, që edhe në këto ditë përvëluese janë duke punuar në kantieret anembanë vendit”- shprehet Rama.

Kryeministri theksoi se “të gjitha investimet tona publike, në këtë rast qoftë në rrugët kombëtare e qoftë në ato rurale, bazohen në standarde europiane sipas kategorive të tyre dhe kryhen mbi bazë projektesh e me një cilësi që s’ka të krahasuar me kohën e “rrugëve të lëna rrugëve”…”

“Miq të dashur, qofshi dashamirës a jo me këtë qeveri apo me mua, sinqerisht ju them, ka plot arsye për të kritikuar çdo qeveri dhe padyshim edhe këtë qeveri, por në rastin e rrugëve të Shqipërisë dy gjëra janë të padiskutueshme: E para, qeveria e mëparshme hapi shumë fronte punësh nëpër Shqipëri, dmth bëri shumë e shumë tendera (pa buxhetin e nevojshëm) dhe preu shumë e shumë shirita, duke ndërtuar kudo nga një copë rrugë, që pastaj u la rrugëve bashkë me një mal borxhesh ndaj kompanive! E vetmja rrugë ku u bë më shumë se një copë rrugë, ishte Rruga e Kombit, vepër vërtetë ambicioze, por që u la edhe ajo e papërfunduar ose më mirë, e cunguar dhe pa asnjë plan mirëmbajtjeje”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se, të gjitha ato punë të nisura e të mbetura në rrugë, vazhduan më pas, me shumë vështirësi, jo vetëm financiare”. “Dhe këtu vjen e dyta: Projektet copë – copë dhe cilësia skandaloze e punimeve të bëra me ritmin e daulleve të inaugurimit, bënë që thuajse çdo projekt të rishikohej, e deri të bëhej nga e para, ndërsa kostoja e veprave të rritej deri edhe në trefish, siç ndodhi me Tiranë-Elbasanin, sa për një shembull se ka plot, ku s’kishte as studim gjeologjik e ku projekti ishte një paçavure e vërtetë, gjë që solli rrëshqitje masive, bllokime, riaplikime për financim e vonesa pafund”, tha Rama.

Rama shprehet se, “sa për rrugët rurale pastaj e kotë të flasim, shumica janë bërë pluhur në pak vite dhe projektet tona, përgjithësisht, bëhen mirë e zbatohen mirë”.

“Por patjetër që ka ende shumë për të përmirësuar nga ana jonë, pasi krahasimi me të kaluarën nuk na mjafton fare, ndërkohë që duam të matemi me standardet europiane dhe prandaj edhe ka plot për të kritikuar edhe sot, po ama kantieret e Shqipërisë tanimë kanë vërtetë lezet, kur sheh si projektohet, si punohet e si realizohet një projekt. Për këtë mjafton të duash të shohësh dhe nuk duhet ndonjë dashamirësi e madhe për të bëra dallimin si dita me natën”, shtoi ai./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com