Loading...

Bypass-i i Tepelenës, rruga panoramike, tashmë e hapur për përdoruesit e rrugës

Bypass-i i Tepelenës, një tjetër vepër e rëndësishme e infrastrukturës kombëtare, pjesë e aksit Veri-Jug, është hapur për qytetarët.

Investimi, i cili i jep një hov të ri zhvillimit ekonomik, por dhe turistik të gjithë qarkut, bën lidhjen e dy segmenteve rrugore, segmentin e sapondërtuar Levan-Tepelenë me segmentin Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë.

Punimet kanë qenë të shumta, jo vetëm sa i përket shtresave dhe ndërtimit të këtij bypass-i, i cili, duhet theksuar që në kilometrin e tij të parë ka një ramë konsol, e cila është e para në Shqipëri, që qëndron mbi lumin Vjosë, e ndërtuar mbi kollonata betoni.

Këtu ka pasur ndërhyrje shumë të thella edhe sa i përket pjesës së skarpateve të kalasë, të cilat tashmë janë të mbuluara me rrjetë teli dhe me bimësi vegjetale (Green Fix). Nga të dy krahët e rrugës ka trotuar për kalimin e qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama në përfundim të punimeve për ndërtimin e këtij bypass-i theksoi rëndësinë e këtij projekti infrastrukturor sa i përket zhvillimit turistik të Tepelenës, Gjirokastrës, por edhe të të gjithë zonës së jugut.

“Dalja në det e Tepelenës lidh komplet Qarkun e Gjirokastrës me Himarën, kështu që paketa turistike bëhet e plotë. Nga xhep fals, këtu kthehet në nyje zhvillimi,” u shpreh Kryeministri Rama, ndërsa theksoi se banorët e Tepelenës “kanë fatin që atë situatë të tmerrshme që kishin ta kthejnë në një situatë burimi ekonomik”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com