Loading...

Hapet bypass-i i Tepelenës/ I trashëguar ndër dekada si një shteg buzë kalasë së Ali Pashës, sot lidh dy segmente të rëndësishme, fuqizon ofertën turistike

Kryeministri Edi Rama ishte sot në hapjen e bypass-it të Tepelenës, një vepër tjetër e rëndësishme e infrastrukturës kombëtare që vihet në shërbim të qytetarëve e të sipërmarrjes.

“I trashëguar ndër dekada si një shteg buzë kalasë së Ali Pashës, sot segmenti që lidh dy segmentet e rëndësishme rrugore, Levan-Tepelenë dhe Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë, ofron dhe një panoramë fantastike për udhëtarët, si edhe një hapësirë të re lëvizjeje për këmbësorët, duke e fuqizuar më tej ofertën e Tepelenës turistike”, tha Kryeministri.

Rama tha se “nga një xhep fals, Tepelena kthehet në nyje zhvillimi”.

“Kur erdha për rrugën e Kurveleshit më thotë ai gjiganti, aman mos e thuaj këtë se as komandanti i madh nuk e bëri dot. I thashë kjo do të behet dhe dalja në det e Tepelenës lidh gjithë qarkun e Gjirokastrës me Himarën. Kështu që bëhet paketa turistike e plotë dhe nga xhep fallco Tepelena kthehet në nyje zhvillimi. Ishte një xhep fals, një grumbullim banesash në anë të një shtegu dhish që përdorej nga automjetet”, tha Rama.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se “jemi gati për të hapur bypass-in me një gjatësi prej 2.35 km”.

“Jemi gati për ta hapur, pavarësisht se ka mbetur edhe disa punime për t’u bërë, një shtresë asfaltike, por për shkak të sezonit bypass-i do të fillojë të jetë i aksesueshëm. Është një vepër që ka nisur në korrik 2018, me afat dorëzimi në gusht 2020. Pra jemi totalisht brenda afatit. Punimet vazhdojnë të shumta, jo vetëm sa i përket shtresave dhe ndërtimit të këtij bypass-i”, tha Balluku.

Ndërkohë, ajo theksoi se këtu ka pasur ndërhyrje shumë të thella edhe sa i përket pjesës së skarpateve të kalasë që janë të mbuluara tani me rrjet teli.

“Kemi ndërhyrë edhe në pjesë të tjera të kësaj rruge që është shumë e lidhur me qytetin. Të dyja anët e rrugës kanë trotuar me gjerësi 1.65 metra. Kemi bërë punime dhe kemi ndërhyrë edhe në urën e vjetër të Ali Pashës që është drejt përfundimit të restaurimit”, tha ministrja.

Ndërsa kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi u shpreh se “janë 20 milionë dollarë investime në gjithë njësinë administrative”.

“Ka përfunduar rruga e Kalasë me një gjatësi 7 km. Jemi duke përfunduar investimet brenda dhe jashtë kalasë. Rruga nga Gusmari deri në Kuç kemi ecur 6 km dhe vitin tjetër përfundon dhe Tepelena lidhet me bregun e detit”, tha Peçi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com