Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “tuneli i Llogorasë do të financohet nga buxheti i shtetit”, ndërsa theksoi rëndësinë e projektit për ndërtimin e tij.
Në shpalljen e garës ndërkombëtare për projektin inxhinierik të Tunelit të Llogorasë, Rama tha se “Për tunelin e Llogorasë janë bërë të gjitha analizat dhe është bërë një punë mbresëlënëse nga ministrja dhe stafi i saj teknik për të matur të gjithë parametrat e nevojshëm që lidhen edhe me fizibilitetin e këtij projekti”.
“Janë eksploruar edhe rrugët e mundshme të realizimit të projektit me investime të huaja apo Partneritet Publik-Privat dhe është rënë në fund në konkluzionin se rruga më e mirë është që ky projekt të udhëhiqet dhe të çohet deri në fund nga vetë qeveria dhe të financohet nga buxheti i shtetit”, tha Rama.
Ai theksoi se “projekti do të detajohet imtësisht në një proces që do të jetë i hapur, ndërkombëtar, ku do të përzgjidhet një kompani e huaj me eksperiencë në këtë fushë dhe pastaj përsëri do të hidhet në një garë ndërkombëtare për të siguruar realizimin e tij sa më mirë”.
“Por e rëndësishme është e para. E dyta është më pak e rëndësishme, sepse ne kemi kompani vendasve me kapacitete dhe eksperiencë për të ndërtuar vepra komplekse edhe tunelin e Llogorasë. E rëndësishme është që të kemi në dorë një projekt serioz, të detajuar me të gjitha standardet, për të mos u gjendur siç u gjendëm në mandatin e parë të qeverisjes, kur i gjetëm të gjitha rrugët të lëna rrugëve dhe kjo lidhej gjithmonë me projekte skandaloze”, shtoi ai.
Kjo, sipas, kryeministrit “ka humbur shumë kohë dhe i ka kushtuar shumëfish publikut dhe buxhetit të shtetit”.
“Na ka detyruar t’i rikthehemi vetë projekteve. Dokumentacioni i atyre projekteve dëshiroj të kthehet në një album se si nuk duhen bërë punët dhe duhet të jetë në arkivin e gjithë autoriteteve që merren me infrastrukturën dhe duhet t’i shërbejë gjithë qeverive në të ardhmen se si nuk bëhen punët dhe nuk shpenzohen paratë publike”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “është një koleksion dokumentacionesh të paimagjinueshme. Ka shembuj që do të meritonin medalje për festivale komedish ku njëri nga më epikët është shembulli i projektit të rrugës Korçë-Qafë-Plloçë, ku diferenca mes njërës anë dhe anës tjetër të rrugës që duhet të lidhë 2 rrëpira ishte 17 metra”.
“Pra nëse do të realizohej siç ishte projektuar do të ishte rruga e parë në historinë e planetit që do t’i ngjante një strukture të aquaparqeve ku kush vinte nga lart duhej të rrëshqiste për poshtë dhe kush ngjitej do ta kishte të pamundur t’ia dilte deri në fund. Do të ishte sprova më e madhe për të vënë në dyshim të gjitha reklamat për ‘Benzin’, ‘Citroenin’ etj.”, tha Rama. /atsh