Loading...

Sherri për lekë në shtëpinë e Noizy-t dhe biseda me kërcënime, prapaskenat e djegies së lokalit të reperit

Një muaj jo i lehtë ka qenë për Noizyn dhe familjen e tij. Lokali i reperit u përfshi nga flakët dy herë, duke pasur probleme edhe në shtëpinë ku banon familja e tij. E teksa në media ishin ngritur shumë aludime rreth dorës që qëndron pas këtyre sulmeve, e vërteta paska qenë shumë më ndryshe
Së fundmi u zbulua se këto dy akte, përfshirë edhe një zjarrvënie në derën e banesës së nënës së reperit, kanë si autor kushëririn e Noizy-t, Eraldo Musteqja, i cili është arrestuar mëngjesin e sotëm nga Policia e Durrësit në flagrancë pasi i kishte vënë sërish zjarrin lokalit. Menjëherë pas arrestimit, përmes një postimi në “Instagram”,
Noizy shkroi:

“Ky është Eraldo, i rritur nga familja ime që në fëmijëri. Eraldo ndërroi fe, u bë një besimtar ekstremist dhe kishte besime të forta se lokalet s’duhet të shesin alkool dhe se muzika është haram. Prandaj vendosi që të bëjë atë akt terrorist. Gjithsesi jeta vazhdon, unë dhe familja ime jemi të gjithë mirë. Uroj që Eraldo të bëhet më mirë dhe të kuptojë gabimin. Unë s’mund ta urrej sepse jam rritur me të, ia kam lënë në dorë Zotit dhe drejtësisë. Lokali është shumë mirë dhe përherë do të jetë mirë. Ziliqarë dhe keqbërës do të ketë përherë, por varet sa i fortë qëndron ti dhe se si e menaxhon situatën. Të dua vëlla i vogël”.

Në një postim të dytë në “Instagram”, Noizy sqaroi se “s’ka të bëjë cila fe” pasi personi në fjalë “është i sëmurë, ekstremist dhe ka nevojë për ndihmë”. Burime të sigurta zbulojnë për “Anabel” se Eraldo, që është djali i dajës së Noizy-t, ishte konvertuar në një besim radikal me ide ekstremiste.

Në rrjete sociale, ai prezantohej si Abdullah, në vend të emrit të tij. Po të njëjtat burime, thonë se prej kohësh ai kërcënonte familjarët e Noizy-t duke u kërkuar vazhdimisht para. Në bisedat në vijim – të shkruara midis autorit dhe njërit prej familjarëve dhe njerëzve më të besuar të Noizy-t – ai lë të nënkuptuar se dëshiron para prej tyre dhe kërcënon duke përmendur familjen dhe kasafortën.

“Arsyeja e gjithë kësaj ngjarjeje lidhet me dëshirën për të zhvatur para, e përzierë me ide ekstremiste. Nuk ekziston asnjë arsye tjetër në mes”, tha burimi. Por, burime të tjera, zbuluan se konflikti me Eraldon kishte nisur kohë më parë.

Vetë reperi ka preferuar që të rrijë sa më larg nga kjo situatë, duke lënë njerëzit e afërt që të merren me këtë çështje. Nga ana tjetër, nuk kanë qenë të pakta edhe problemet që ai ka shkaktuar tek shtëpia e nënës së këngëtarit. Bëhet me dije se Eraldo, kishte shkuar disa herë në shtëpinë e hallës së tij ku kërkonte Noizyn, apo edhe para.

Megjithatë në të gjitha rastet Eraldo është toleruar, ku edhe pas kërcënimeve, familjarët e Noizyt nuk kanë bërë padi. Që pas incidenteve të para që ndodhën në fillim të qershorit, personat e afërt të Noizy-t kanë aluduar se Eraldo mund të kishte gisht, megjithatë pa pasur prova kanë preferuar mos të flasin, për të mos rënduar pozitat e tij. Vetë Noizy pas incidentit me kushëririn e tij, ka vijuar i pashqetësuar me rutinën e tij, duke vendosur edhe të fshijë postimet e bëra në rrjetet sociale për Eraldon.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com