Një jetë e re për ish-bashkëshortin e Rudina Dembacajt. Pas divorcit, ai ka treguar që është në një lidhje të re. Duket se gjithçka po shkon më së miri për këtë çift aq sa kanë ‘formalizuar’ lidhjen e tyre në rrjetet sociale. Aleksandri ka publikuar herë pas here foto me partneren e re. Në fotot që ai publikon, përpiqet që në çdo pozë t’i mbulojë fytyrën.
Partnerja e re e tij nuk është një personazh i njohur, ndaj dhe ish-burri i aktores, duke ditur ndjekjen që mediat i bëjnë, ka preferuar ta fshehë nga interesimi i publikut. Ashtu si Rudina Dembacaj, edhe partnerja e re e Aleksit është një vajzë elegante dhe me flokë të zeza. Kjo është edhe e para fotografi e çiftit, që tashmë duket se nuk fshihen më. Vajza në fjalë quhet Marisa dhe imazhin e saj ka preferuar të fshehtë, ndonëse janë të shumtë njerëzit e medias që ajo ka miq.
Partnerja e re e tij është e angazhuar me një biznes për fëmijë. Duket se kjo lidhje ka shkuar drejt bashkëjetesës, duke kaluar kështu në një fazë tjetër të historisë së tyre. Pasi la pas martesën e dështuar me aktoren e njohur, Aleksandri ka vendosur që këtë histori ta jetojë në heshtje, duke preferuar të ndahet njëherë e mirë nga fama që i solli ish-bashkëshortja e tij. Ai dhe Marisa prej disa kohësh kanë një lidhje të konsoliduar, duke e bërë formale edhe në familjet e tyre. Marisa është mirëpritur nga familja e Aleksandrit.
Madje, partnerja e re tashmë është njohur edhe me Viktorian, vajzën që Aleksandri ka me Rudinën. Duket se çifti tashmë po shijon lidhjen e re me praninë e vogëlushes. Vetëm pak ditë më parë ata kanë kaluar kohë si një familje në Berat, ku veç çiftit me ta ishte edhe Viktoria. Vetë Marisa ka postuar në rrjetet sociale video të Vikit, duke e shijuar kohën me të. Në fotot dhe videot e ndryshme, çifti shihet në shoqërinë e vajzës që ai ka me Rudinën.
Ndonëse Aleksi nuk i përket botës së mediave, emri i tij u bë i njohur kur u martua me aktoren Rudina Dembacaj. Edhe më i famshëm u bë ‘mekaniku’, si Rudina e quante, kur çifti u divorcua. Rudina Dembacaj ka treguar përherë se ka një marrëdhënie shumë të mirë me ish-partnerin e saj. Fëmija që kanë në mes, Viktoria, ka qenë një nga arsyet kryesore pse ata të dy kanë ruajtur raportet e mira me njëri-tjetrin.
Ata dalin bashkë të tre si familje për shëtitje apo për të shijuar momente të veçanta dhe nuk ngurrojnë që këto t’i ndajnë edhe me ndjekësit në ‘Instagram’. Në rrjetet sociale nuk mungojnë shpesh që ata të tre bëjnë si familje. Në deklaratat e saj, aktorja e humorit e ka shprehur se ndonëse janë divorcuar, ajo dhe ish-burri ruajnë një marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin, duke qenë miq, veç se prindër të Viktorias.
Shpesh ndjekësit në rrjetet sociale e kanë pyetur për marrëdhënien që ajo ka me Aleksin. “Cili është sekreti që ke marrëdhënie të mirë me ish-partnerin?”, e ka pyetur dikush. “Të flasësh hapur dhe gjithmonë në të mirë të fëmijës! Me pak fjalë: Ta duash fort, sepse mrekullinë më të madhe të jetës (fëmijën) e keni të përbashkët. Kush bën ndryshe, thjesht tregon që është njeri i dobët, ose thënë ndryshe, njeri ‘vari lesht’. Faleminderit!”, i është përgjigjur aktorja. Në fillesat e historisë me Mark Frrokun, aktorja zbuloi për herë të parë edhe prapaskenat nga divorci i saj. Rudina tregoi se asnjë ndarje nuk është e lehtë, sidomos kur ka një fëmijë në mes, por ata morën këtë vendim se çifti nuk po funksiononte.
“Asnjë ndarje nuk është e lehtë. Unë dhe ishbashkëshorti krijuam një familje me shumë ëndrra, si të gjithë në fillim, por fati nuk ishte i tillë, ne vendosëm të divorcoheshim. Duke qenë se kohët kanë ndryshuar, sigurisht ne nuk kemi më mentalitetin e nënave tona, jeta ka ndryshuar dhe vendosëm të ndaheshim. Asnjë ndarje nuk është e lehtë, sidomos kur ka në mes fëmijë dhe për çdo nënë normale në këtë botë, fëmija është qendra e botës. Dhe duke pasur përpara të ardhmen e qendrës së botës, sigurisht divorci nuk është i thjeshtë.
Por ne si dy të rritur dhe si dy qytetarë të këtij vendi duke ngelur shumë miq dhe duke i dashur akoma dhe përgjithmonë të mirën njëri-tjetrit, morëm këtë vendim, duke parë se familja s’po funksiononte më, çifti s’po funksiononte më” do të shprehej Rudina në 2020, kur sapo kishte zyrtarizuar lidhjen me ish-deputetin Mark Frroku.
Duke folur edhe njohjen me deputetin, ajo ka zbuluar edhe komplekset që kishte në fillim teksa dilte në publik me Frrokun. “Unë dhe Marku në ditën e dytë të vitit bëmë një udhëtim jashtë shtetit dhe unë e kapa veten duke ulur kokën në aeroport. Nuk ia lejoja dot vetes këtë gjë, nuk kam pse ta fsheh dashurinë. Fati deshi që unë njoha një person të mrekullueshëm për mua, ne ndihemi aq mirë me njëri-tjetrin, sa pse duhet unë ta fsheh këtë gjë? Nuk është fare e vështirë të njihen dy veriorë, njëri në art, tjetri në politikë.
Jemi njohur prej kohësh, absolutisht nuk e kishim menduar ndonjëherë të kishim një marrëdhënie. Marku ka kaluar një periudhë shumë të vështirë të jetës së tij, ka humbur bashkëshorten para një viti e gjysmë. Pas kësaj humbjeje ndoshta ishte dhe situata delikate për jetën e tij. Sigurisht, unë isha një vajzë single, grua single, edhe ndodhi që u dashuruam, s’kishim pse ta fshihnim më”, rrëfente aktorja, duke konfirmuar se me Markun ishte njohur pasi ishte ndarë nga ish-bashkëshorti i saj, që ajo shpesh i referohej me shaka “mekaniku im”.