Jeta në Greqi ka qenë e vështirë sidomos në fëmijëri për shqiptarin që tashm është në majat e audiencës televizive në një serial komik që është bërë hit.
Joanis Apergis është i riu shqiptar i cili që 5 vjeç la vendlindjen dhe shkoi në Athinë ku jeton edhe sot.
Në serialin e ri të Antenna, “I pranishëm”, Jani luan rolin e një shqiptari, Elton Beja, një shofer furgoni. Situata komike që krijohen aty kanë bërë që ky telefilm episodik të jetë në krye të audiencës së prime time të hënave dhe të martave.
Këto ditë, Jani u intervistua në TV dhe për herë të parë u rrëfye për jetën e tij.
Aktori, foli për racizmin që përjetoi për origjinën e tij shqiptare, kur kishte ardhur në Greqi në moshën 5 vjeç.
Me prindër emigrantë nga Shqipëria, ai vetë erdhi në Greqi në 1995. Që i vogël, mësuesja e nxiti të bëhej aktor, duke parë talentin e tij.
Sidoqoftë, vitet e para në Greqi nuk ishin të lehta për të dhe familjen e tij, me disa incidente të racizmit ekstrem që u shfaqën.
“Unë gjithmonë kisha grekë pranë meje që ishin njerëz të shkëlqyeshëm, por në shkollën fillore, një fëmijë në klasë urinoi në çantën time dhe më hodhi tavolinën. Ky fëmijë nuk e dinte se çfarë po bënte!
Por erdhën kohë të tjera. Me këtë fëmijë sot, ne jemi shumë të lidhur. Madje dhe nëna e tij erdhi në teatër dhe qau teksa më shihte në rol. Ajo më tha se mori një mësim jete prej meje. Në fakt kujtoj kohën kur ajo vinte në shkollë dhe thoshte se nuk donte që i biri të kishte shok klase një shqiptar si Jani se mund të përfundonte në vepra të këqija dhe burg”, kujton aktori, kohën e shkollës fillore kur përballej me të tilla racizmi.
Duke u ndalur në talentin që spikatu ai tregon se Antenna u nxit ta merrte në serialin e ri pasi ai bëri zhurmë me disa video humori ku satirizonte jetën e disa njerëzve ballkanas.
“Në këto video unë satirizoj një Ballkan, me mënyrën e jetesës së një Greku dhe një Shqiptari. Më pas bëra një video ku demonstronim se si do të reagonte një qytetar shqiptar nëse koronavirusi vinte në Shqipëri,” tha ai në një pjesë tjetër të intervistës së tij, duke folur për suksesin e kanalit të tij në YouTube.
Sa i përket mënyrës se si e mori rolin e Eltonit në serialin e ri të ANT1, ai tha se kur u shfaq për një provë, menaxherët e produksionit e mbajtën atë në shesh xhirimi tërë ditën dhe me të vërtetë shijuan mënyrën se si ai luante rolin.
“Ata donin që dikush të ishte aktor, por të ishte në gjendje të imitonte gjuhët e huaja. “Për shkak se unë kisha bërë videot, bëra audicion dhe ata më morën,” vuri në dukje ai. /noa.al/