Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore vijoi sot kontrollin në by pass-in Fier – Vlorë për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara, e cila është rrezik potencial për aksidente rrugore.
Policia e Shtetit bëri të ditur se gjatë ditës së sotme është konstatuar një automjet po lëvizte me shpejtësi 236 km/h.
“E papranueshme dhe e pajustifikueshme kjo që bën drejtuesi i këtij mjeti luksoz, i cili është konstatuar nga Policia Rrugore duke drejtuar automjetin me 236 km/h në kulmin e trafikut”, bën të ditur Policia.
Prej mëngjesit të sotëm deri tani janë tërhequr 21 leje drejtimi nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, në rrugën nacionale Tiranë – Vlorë gjatë kontrolleve me lëvizje.
Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të zbatojnë limitet e lejuara të shpejtësisë./atsh