Loading...

Meta: Kuvendi s’ka legjitimitet për ndryshimet kushtetuese, referendum për koalicionet

Presidenti Ilir Meta e ka quajtur të marrë idenë e opozitës për të djegur mandatet, ngjarje e ndodhur marsin e shkuar, teksa ka theksuar se Kuvendi s’ka legjitimitet për të realizuar ndryshimet kushtetuese, të cilat u miratuan dy ditë më parë në parim në komisionin e ligjeve.

Në komunikimin e përjavshëm me gazetarët, Meta deklaroi se një akt i tillë nuk do njihet nga Presidenti i Republikës. “Do ushtroj të gjitha funksionet e mia kushtetuese për të parandaluar një veprim të tillë të paprecedentë në 3 dekada pluralizëm. Një akt i tillë nuk do të njihet nga Presidenti i Republikës”, theksoi Meta.

“E cilësova të arritshme marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo marrëveshje, sikurse e dini, u mbështet nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë dhe nga Sekretari i Shtetit, Pompeo”, – tha Meta.

“Marrëveshja tjetër e prish atë të qershorit dhe dëmton edhe ministrin tonë të Jashtëm edhe në cilësinë e tij si kreu i OSBE-së. Marrëveshja i hap rrugën përmbushjes së të parit prej 15 kushteve. Këto ndryshimi kushtetuese janë në kundërshtim me parimet e Komisionit të Venecias dhe janë udhërrëfyesi i vetëm në zgjedhje demokratike. Edhe OSBE Tiranë ka bërë me dije se është shumë vonë për ndryshime”, – shtoi Meta.

“Propozimi për ndryshimet kushtetuese, zeron përpjekjet 9 mujore për gjetjen e një konsensusi. Është e domosdoshme që palët politike t’i qëndroje besnike marrëveshjes, aq më tepër që janë investuar dhe ndërkombëtarët. Ndryshimet ligjore duhet të bëhen 1 vit para zgjedhjeve”, – sqaroi Meta.

“E theksoj në mënyrë të përsëritur se Kuvendi nuk e ka legjitimitetin kushtetuese për të realizuar këto ndryshime. Kuvendi ka vetëm 82 deputetë legjitim që kanë fituar mandatin nga procesi zgjedhor ku përfshin dhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan me të drejt që të dorë-hiqeshin nga largimi i deputeteve të opozitës. Pas heqjes bllok të 58 deputetëve të opozitës së bashkuar, mund të themi se ata nuk ishin pjesë e Kuvendit”, – tha Meta.

“Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare, prej 18 muajsh, edhe sot Kuvendi ka formalisht 122 deputetë nga 140 deputetë, që është detyrim i Kushtetutës. Jo vetëm kaq, të gjitha proceduar e parashikuara nga Kushtetuta, nuk janë plotësuar. Kodi Zgjedhor nuk është respektuar në zëvendësimin e mandateve. Kodi Zgjedhor e ndalon heqjen në bllok të mandateve dhe asnjë nuk u thirr në KQZ për të hequr dorë nga mandati”, – tha Meta.

Duke folur për opozitën, Kreu i Shtetit theksoi se djegia e mandateve ishte një ide e marrë.

“Që kur u hodh ideja e marrë e djegies së mandateve, kam qenë kundër. Ia kam bërë të ditura të dyja palëve dhe atyre që i bekuan këto ndryshime. Kam kërkuar që qeveria të bëjë dy hapa pas që mos të digjen mandatet e opozitës madje ia kam thënë dhe ndërkombëtarëve. S’kam dalë unë t’i bekoj. S’ka njeri këtu dhe në botë, që këto që them s’janë të vërteta”, – tha Meta.

Presidenti Meta tha se hapja e listave mund të vendoset me referendum. “Duan ta heqin, ja ku është presidenti le të vijnë, edhe populli këtu është, më thonë nga 2 marsi shpërndaje, shpërndaje (parlamentin). Ti thërrasin mendjes, se koalicionet i ka vendosur populli shqiptar. Duan ta bëjnë pa koalicione ta vendosin në referendum. Nga ana ime nuk ka asnjë pengesë, por le të vendosë populli. Sovraniteti i takon popullit”.

Meta tha se “Kushtetuta thotë se asnjë rishikim nuk mund të bëhet kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme. Nisma është propozuar në Kuvend jo vetëm kundër rregullores por e kanë paraqitur në datë 15 qershor 2020, pikërisht në këtë datë Shqipëria ishte në gjendjen e fatkeqësisë natyrore të shpallur nga vetë Kuvendi, që përfundonte në datë 23 qershor. Pra ndërmarrja e nismës së këtyre deputetëve të frymëzuar nga kryeministri bie ndesh dhe është e pavlefshme. Po ashtu Kushtetuta në nenin 96 njeh koalicionin e partive politike, kur sanksionon se presidenti në fillim të legjislaturës dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën në Kuvend. Ndryshimet e propozuara nëse vazhdojnë dhe miratohen do të krijojnë përplasje të fortë me këtë dispozitë që i njeh kompetencën presidentit për emërimin e kryeministrit që ta pranojë nga partia apo koalicioni që ka marrë shumicën e vendeve pas procesit zgjedhor. Kjo sjellje thellon konfliktin politik e institucional në vend. Si garant i Kushtetutës dhe unitetit i bëjë thirrje të gjithëve për përgjegjshmëri dhe reflektimi dhe garantoj se si garant i Kushtetutës për të zhvlerësuar një akt të tillë të paprecedent në tre dekada pluralizëm. Një akti i njëanshëm nuk do njihet nga Presidenti, si garant i Kushtetutës”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com