Loading...

Aksi Milot-Fier/ Qeveria nuk do garantojë më shumë se 10% të investimit prej 1.18 miliardë euro/Balluku: Mbi këtë tavan nuk pranojmë ofertat

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se Korridori Blu ka qenë një ëndërr dhe do vazhdoj të jetë për shqiptarët deri në momentin e realizimit.

Gjatë një interviste televizive një ditë pas hapjes së garës për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Fier, pjesë e këtij Korridori, Balluku tha se ne sot kemi nisur realizimin e kësaj ëndrre.

115 kilometrat e autostradës së re Milot-Fier do të jenë një rrugë e kategorisë A, me standarde të Bashkimit Europian, e cila do të ndërtohet tërësisht si një investim privat, por me një formulë të re.

Balluku, thotë se procedura e prokurimit parashikon që kompania private të hartojë projektin inxhinierik të rrugës dhe se nuk do të ketë shpërblim për kompaninë që bën projektin me pikë bonus në garë.

“Fituesi i kësaj gare fillimisht duhet të bëj projektin e detajuar më pas duhet të bëj ndërtimin e të gjitha segmenteve më pas operimin dhe pas 35 vjetësh transferimin sërish tek shteti dhe janë të gjithë të barabartë, pra askush nuk do marri bonus“, theksoi Balluku.

Ministrja vuri në dukje se në asnjë rast, qeveria nuk do të garantojë më shumë se 10% të investimit për trafikun e munguar.

“Kur kemi skenarin negativ dhe ky numër nuk arrihet, shteti shqiptar duhet t’i mbulojë diferencën me 10% të investimit e shtrirë kjo, shumë e rëndësishme, në 16 vitet e para të kontratës. Ky 10% është tavani mbi të cilin ne nuk pranojmë ofertat e garuesve.”

Aksi i ri do të ndërtojë nga e para 53 kilometra nga Miloti në Lekaj dhe 63 kilometra do të jenë zgjerim i autostradës nga Lushnja në Rrogozhinë e deri në hyrje të By Pass-it të Fierit.

Ministrja Balluku bëri të ditur se rruga do të ketë edhe veprat e artit si urat e saj, disa tunele edhe mbikalime, nënkalime, nyje të rëndësishme të cilat lidhin akse të tjera me këtë rrugë qendrore.

Sa i përket pagesës, Balluku tha se “qytetari duhet të zgjedh nëse do të marr rrugën e shpejtësisë duke paguar apo do të marr një rrugë nacionale e një cilësie të shkëlqyer, por që ka një shpejtësi më të ulët”.

Akuzave se gara është e paracaktuar, Ministrja Balluku i jep përgjigje duke thënë se konsulenti për tenderin është një kompani që është përzgjedhur si asistente në këtë projekt nga Bashkimi Europian.

Faza e parë e ndërtimit të rrugës përfundon në vitin 2024, ndërsa aksi i plotë do të jetë gati në vitin 2026.

115 kilometrat e segmenti Milot-Thumanë-Kashar-Pezë Helmes-Luz i Vogël- Rrogozhinë- Lushnjë-Fier do të përshkohen për 75 minuta, në një rrugë me standardet më të larta të kategorisë A dhe B, që do të ndërtohen sipas të gjithë elementëve të nevojshëm të sigurisë rrugore.

Me ndërtimin e këtij aksi rrugor, distanca nga Morina në Fier do të përshkruhet për 3 orë dhe aksesi i të gjithë turistëve që vijnë nga Kosova në bregun e Jonit, jo vetëm që do të jetë shumë më i shpejtë, por do të jetë edhe shumë më i sigurt./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com