Loading...

Këtë javë nis asfaltimi i bypass-it të Vlorës/ Rama: Brenda muajit hapet gara ndërkombëtare për “Korridorin Blu”

Bypass-i i Vlorës, një ndër veprat më të rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit, do të jetë gati brenda afateve të parashikuara në kontratë.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u ndalën sot në Fier ku panë nga afër punimet e kryera për ndërtimin e këtij bypass-i.

Balluku e informoi Kryeministrin Rama se punimet në bypass-in e Vlorës kanë ecur shumë mirë. Madje, tha ajo, edhe përtej parashikimeve.

“Këtë javë nisim asfaltimin në një pjesë të mirë të rrugës. Kanë ecur edhe veprat e artit, edhe në Belvedere kanë ecur punimet që kemi vendosur me bashkinë që ta bëjmë“, u shpreh ministrja.

“Me përfundimin e dy bypass-eve të Fierit dhe të Vlorës, Tunelit të Llogorasë si dhe aksit prej 120 km përgjatë gjurmës së “Korridorit Blu”, Milot – Thumanë – Rrogozhinë – Fier, që për këto dy vepra do të hapet gara ndërkombëtare brenda këtij muaji, do të transformohet qenësisht infrastruktura rrugore e Shqipërisë turistike”, tha Kryeministri Rama.

Ndërtimi i bypass-it të Vlorës do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit të automjeteve kryesisht gjatë sezonit turistik kur edhe fluksi i vizitorëve në qytetin e Vlorës, dhe gjithë bregdetin e jugut, është i lartë.

Bypass-i i Vlorës, me gjatësi prej 29 kilometrash, nis në fundin jugor të autostradës Levan-Vlorë, për të përfunduar në lindje të qytetit të Orikumit, ku bashkohet me rrugën nacionale Orikum-Sarandë.

E gjithë vepra do të jetë plotësisht e aksesueshme në fillim të vitit 2021./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com