Bypass-i i Vlorës dhe tuneli i Kardhiqit pritet të mbyllen brenda verës së ardhshme, ashtu sikundër edhe punimet e rrugës së Arbrit.
Ministrja e Energjetikës dhe e Infrastrukturës, Belinda Balluku në një intervistë televizive, pasditen e së martës theksoi se, projektet infrastrukturore të qeverisë vijojnë pa ndërprerje dhe të gjitha projektet e nisura do mbyllen në kohë. Ministrja Balluku ka deklaruar se ndërtuesit e Rrugës së Arbrit kanë premtuar se, edhe pse projekti ka afat deri në nëntor të 2021, rruga do të jetë gati në pranverë.
“Në mandatin e parë PS-ja dhe qeveria është munduar që të bëjnë rregullat e shtetit. Në mandatin e parë janë bërë reforma shtetformuese dhe shtetekzistuese. Në mandatin e dytë po bëhen punë infrastrukturore që do t’i mbeten vendit për dekada me radhë. Në bërjen e rrugëve ne i bazohemi metodave të fizibilitetit, në mënyrë që të kenë dhe ndikim në ekonominë e vendit”, – tha Balluku.
“Duke qenë se Saranda ka qenë dhe pjesa më e zhvilluar turistike deri në Himarë, tashmë ka filluar të zhvillohet edhe zona turistike në Palasë dhe në Llogora. Turizmi ka nisur në Sarandë, Delvinë etj., ku janë dhe investimet më të mëdha energjetike dhe sot po punojmë për të rritur kapacitetet në pjesën tjetër. Infrastruktura rrugore është më e zhvilluar në Sarandë dhe në Delvinë dhe Kardhiq, pasi kemi 8 lote dhe kemi edhe një pjesë boshe ku do të jetë tuneli”, – shtoi ajo.
“Tuneli është i buxhetuar po ka ngelur në një ngërç administrativ që ka nisur vitin e kaluar. Ministrja Balluku dhe stafi i saj dizenjon strategjinë dhe politikat, pastaj pjesa tjetër zbatohet nga ARRSH. Unë po pres që ai problem të zgjidhet, sepse do të lidhej e gjithë pjesa tjetër që ka ecur më së miri. Ajo rrugë përfundon verën e vitit tjetër, dhe nëse nuk zgjidhet problemi me tunelin, do të hapet tenderi medoemos, pasi është rruga e lidhjes së tetë loteve”, – ka thënë Balluku.
Sa i takon Vlorës, ajo tha se po punohen dy projekte paralel. “E para e punës, këshilloj të gjithë drejtuesit e automjeteve të mos futen në Lungomare, por të përdorin unazën e Vlorës, që nxjerr të gjithë trafikun nga zona e bregdetit të Jonit në Adriatik. Trafiku është një fenomen që ndodh në të gjitha vendet ku ka turizëm. Unë sugjeroj të kalohet andej. Janë dy projekte paralel që po zhvillohen, tuneli i Llogorasë dhe bypass-i Vlorës. Unë e identifikoj problematikën e trafikut në dy pika, e para Orikumi dhe Radhima, hinkë që krijon problematika të mëdha që zgjidhet përmes bypass-it të Vlorës, i cili mbyllet brenda shkurtit 2021 dhe tuneli i Llogorasë”, – tha Balluku.
Më tej duke folur për tunelin e Kardhiqit, ajo tha se nuk ka lëndë radioaktive.
“Tuneli i Kardhiqit ndodhet në një zonë të virgjër dhe nuk ka lëndë radioaktive, por është vetëm çështje procedurale dhe administrative. Ndërsa tuneli i Llogorasë do pak kohë pasi tashmë është bërë projekti inxhinierik i tij që pritet që të miratohet në fund të vjeshtës, në nëntor dhe ne më pas të kemi mundësi për dizenjimin e projekteve teknike. Unë synoj që para vitit të ri ne të kemi përfunduar procesin e garës për ndërtimin e tunelit të Llogorasë. Ne po plotësojmë gjerdanin e rrugëve, dhe ky është si një gjerdan në Rivierën shqiptare”, ka thënë ministrja.
Duke folur për “Syrin e Kaltër”, Balluku tha se ka një angazhim të Bankës Botërore.
“Syri i Kaltër është pjesë e projekteve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, aty ka një angazhim të madh të Bankës Botërore për shpëtimin e asaj perle dhe ngritjen e një rruge për të mos prishur harmoninë e natyrës e të mos ‘kërcasë’ me habitatin që ndodhet në atë zonë”, – vijoi Balluku.
Duke kaluar në veri të vendit, Balluku tha se Rruga e Arbrit do të përfundojë brenda pranverës së vitit 2021, duke u mbyllur para afatit të paracaktuar.
“Rruga e Arbrit kam përshtypjen se është një kontratë që dhe pse mbaron në nëntor, ndërtuesit i kanë premtuar live kryeministrit dhe besoj se ajo rrugë do të përfundojë në pranverë të 2021. Ajo rrugë nuk e ka problemin te trasetë, janë duke u mbyllur urat dhe tunelet, tashmë është duke u mbyllur ura në fshatin Fshat, një ndër më të vështirat dhe pse është më e shkurtër se Ura e Vashës dhe është duke u mbyllur tuneli i Murrizit që pritet që të jetë pjesa e fundit e rrugës, dhe kur të hapet ajo do të jetë e plotë”, – tha ministrja.
Ministrja Balluku foli edhe për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, i cili do të jetë parku energjetik më i madh me energji solare në Ballkan.
“Çmimi prej 24,89 euro për megavatorë, i ofruar nga kompania fituese, është konsideruar si një çmim rekord, për leverdinë ekonomike që i sjell ekonomisë së vendit, nisur nga fakti se energjia elektrike me shumicë në Shqipëri llogaritet të jetë në nivelin 50-55 euro për MWh. Ky është çmimi më konkurrues për tregun e ardhshëm të energjisë, i cili do të reflektojë sinjale te konsumatori”, – tha ajo.
“Kemi bërë gjithçka për të qenë në kërkesat ambientale sipas kërkesave të BERZH. Kemi dalë jashtë zonës së mbrojtur të Karavastasë, duke mos e prekur zonën e mbrojtur. Kostoja e kompanisë franceze do jetë 120 milionë euro. Sipas marrëveshjes së arritur 50% e produktit të prodhuar do na shitet ne me çmimin 24 euro, teksa pjesa tjetër, pra 50% tjetër i prodhuar do shitet në tregun e lirë ku do kompensohet dhe çmimi i lirë i blerë prej nesh. Kjo marrëveshje është 15-vjeçare”, – tha Balluku.
“Çdo qindarkë e investuar në Shqipëri është e vlefshme dhe e respektueshme. Ne si Ministri, jemi të gjithë të angazhuar për të incentivuar dhe për të mbështetur çdo investim. Nuk u është ndryshuar kontrata e HEC-ve të vegjël. Nuk është ndryshuar kontrata, por bonusi. Në këtë ekuacion, ekziston elementi bonus, nga bonusi nuk falimenton askush. Nëse ai ishte 1.3, ia jep 1.2 nuk ka ndryshuar as kontrata as metodologjia. Ky 1.2 i bonusit mbështetet edhe në ligj, pasi dyshemeja është 6.85”, – tha ajo
Balluku shtoi se “fluturimet ajrore janë të lira që prej 22 qershorit, duke qenë rigoroz për protokollet shëndetësore. Në Shqipëri janë të mirëpritur të gjithë qytetarët. Për qytetarët shqiptarë kemi pritur me padurim 1 korrikun, por nuk u mor një vendim i tillë. Qytetarët italianë, grekë, por dhe të shteteve të tjera që shkojnë e vijnë s’kanë problem, ashtu si edhe shqiptarët me pasaporta të huaja që mund të lëvizin pa problem.” /atsh