Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se Lulzim Basha në krye të asaj partie dhe e gjithë opozita vetëm u ka ikur betejave elektorale.
“Më thoni ju, një parti opozitare në botë, e cila nuk do ta afrojë datën e zgjedhjeve, e cila nuk futet në zgjedhje me pasion për të fituar. Ikën në 2017, ikën në 2019. Tani ikën nga tryeza e reformës zgjedhore, pasi u prish Teatri Kombëtar”, tha Spiropali në fjalën e saj, në Kuvend.
Sipas Spiropalit, “nga një protestë me ndjeshmëri qytetarë të disave që janë në të drejtën e tyre për të qenë aty, ata e kanë kthyer atë në një skenë, ku Monika luan rolin e Penelopës, Luli të Odiseut që i ikën kësaj, dezhurnin nuk po dinë ta mbajnë, turnin nuk dinë ku e kanë “.
Spiropali theksoi se vendosin vija që nuk dinë ti mbajnë dhe më pas vendosin të braktisin një nga reformat më të rëndësishme për Shqipërinë e të ardhmen europiane.
Ata njerëz që janë aty, theksoi Spiropali, nuk kanë asnjë lidhje me artistët e mëdhenj që i kanë dhënë shpirtin atij teatri dhe janë për ndërtimin e një teatri dinjitoz kombëtar.
“Sepse është kombëtarizëm të duash këtë. Jo teatri ynë një furrik ndërsa teatri i Shkupit gjigand. Pse qenkeni ne të destinuar të mos kemi një teatër operash dinjitoz, një teatër kombëtar dinjitoz. Ato janë themele të shtetit, ato nuk kanë të bëjnë vetëm me artin, ato kanë të bëjnë me ardhmërinë tonë, me mënyrën se si fëmijët tanë shohin, e perceptojnë veten e tyre si shqiptar e qytetar“, deklaroi Spiropali.
Sipas Spiropalit, gjuha e përdorur nga disa deputetë të opozitës në Kuvend, është e ngjashme me gjuhën që vetëm me artin e qytetarinë nuk kanë të bëjnë.
“E pamë se si ju vërsulën me një egërsi të pashoqe aktorëve e regjisorëve që nuk mendojnë si këta por mendojnë se ne duhet të kemi një teatër tjetër kombëtar të ri, aty. Guxuan deri aty, këta të dashuruar me mendimin ndryshe, të sulmonin edhe Ismail Kadarenë, monumentin e gjallë të gjenialitetit, kombëtarizmit e europianizmit shqiptar, me gjuhë të fëlliqur e mendim të egër, duke i bërë gjyqe popullore. Protesta e tyre mund të quhet mirë edhe protesta makbethiane e kafshimit të veshit”, deklaroi Spiropali./atsh