Loading...

Forcat e Armatosura, pjesë e misionit të OKB-së në Sudanin e Jugut deri 15 marsin e ardhshëm

Këshilli i Ministrave vendosi që pjesëmarrja e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Shtabin Rajonal të Forcës Mbrojtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Juba, Republika e Sudanit të Jugut, do të ketë një kohëzgjatje deri më 15.3.2021.

Vendimi vjen në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, dhe të aktit normativ të 20 marsit 2019 të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS).

Afati i misionit fillon të llogaritet nga data e dërgimit në mision. Periudhës së qëndrimit në mision i shtohen edhe ditët e qëndrimit për marrje e dorëzim detyre dhe të vonesave të transportit strategjik për ndërrimin me personelin e radhës.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com