Loading...

Rruga e Lumit të Vlorës ritëm i lartë punimesh

Punimet për zbatimin e projektit të ndërtimit të rrugës së Lumit të Vlorës, po ecin me ritme të shpejta. Pas përfundimit të lotit të parë të kësaj rruge, deri në Urën e Gjormit dhe avancimit në lotin e dytë, Ura e Gjormit-Kuç, nga kompania STRABAG AG Austria, disa ditë më parë nisën punimet edhe në lotin e tretë, Ura e Laskos(Kuç)-Qeparo, ku, fituese e tenderit përkatës është shpallur kompania italiane INC, me qendër në Torino.

Ky është edhe loti i fundit i kësaj rruge, që pritet të përfundojë në pranverë të vitit 2022, çka shënon edhe finalizimin e këtij investimi madhor, më i madhi dhe më i rëndësishmi në historinë e kësaj zone me resurse të jashtëzakonshme natyrore.

Me ndërtimin e këtij segmenti(Ura e Laskos-Qeparo), me gjatësi rreth 24 km, që është edhe elementi lidhës i kësaj zone, me Bregdetin e Himarës dhe më tej me Sarandën, rruga merr formën e vet të plotë, jo vetëm në aspektin funksional por edhe në atë panoramik. Ajo përshkon një hapësirë pothuajse të virgjër, ndër më të bukurat në vend, ku natyra është treguar dorëlëshuar.

Në të dy lotet, makineritë punojnë me intensitet, ndërkohë që janë marrë masat për të respektuar rregullat që diktohen nga situata e pandemisë nga COVID-19.

Kjo rrugë, që përshkon këtë krahinë, duke u nisur nga Vlora me destinacion final bregdetin e Himarës dhe bashkon të gjitha fshatrat e Lumit të Vlorës, merr një rëndësi të jashtëzakonshme, për shkak se i jep frymëmarrje kësaj zone me potenciale të mëdha ekonomike, ku të paktën prej 30 vitesh, kanë munguar tërësisht investimet dhe gjithçka është lënë në tisin e harresës.

Pikënisja e këtij projekti u konkretizua, fillimisht, me një marrëveshje mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj të Kuvajtit, në vitin 2016. Në tërësi, vlera financiare e këtij investimi arrin në 97.4 milionë USD, prej të cilave, 27.4 milionë USD nga Qeveria Shqiptare dhe pjesa tjetër nga Kuwait Fund for ARAB Economic Development Fund.

Në këtë projekt, përfshihen edhe degëzimet e rrugëve dytësore të fshatrave që lidhen me aksin kryesor, me gjatësi respektive nga 5 deri në 10 km secila.

Katër vite më parë, punimeve në terren, i parapriu procesi i përzgjedhjes së firmës hartuese të projektit. Në përfundim të procedurave që kishte çelur Qeveria Shqiptare, u shpall kompania fituese, Gjeokonsult&CO& 47 EK 79&Iliriada P.K.S. me një vlerë prej 1.4 milionë euro, që financohej nga buxheti i shtetit.

Në tërësi, projekti i plotë i rrugës së Lumit të Vlorës, përfshin të gjithë sistemin infrastrukturor që lidh edhe pjesën tjetër të kësaj zone, ku përfshihen tre Bashki, Vlora, Selenica e Himara, ndërkohë që në fazat pasuese, parashikohet edhe ndërtimi i aksit që bashkon autostradën Levan-Tepelenë, me qytetin e Selenicës, përmes një ure në lumin Vjosë dhe vazhdimin deri në fshatin e Peshkëpisë.

Veç nxitjes që do t’i japë zhvillimit të qëndrueshëm të zonës, rruga do të mundësojë lidhjen e saj me bregdetin e Himarës, çka krijon një komunikim të ndërsjelltë për këto dy hapësira me veçori karakteristike. Me përfundimin e projektit, do të mundësohet gjithashtu një komunikim i natyrshëm mes fshatrave të kësaj zone me Himarën, një pjesë e të cilave përfshihen ne Bashkinë e re, që përmbledh mes të tjerash edhe territorin e ish- komunës Horë-Vranisht.

Kjo rrugë, ishte në një gjendje tepër të rënduar, për shkak të mungesës së investimeve prej më shumë se 30 vitesh. Vetëm për të përshkuar segmentin rrugor Vlorë-Kuç, me një gjatësi pak më shumë se 65 km, me një automjet “Fuoristradë” do të duheshin më shumë se 3 orë, ndërkohë që, është pothuajse e pamundur që me një mjet të zakonshëm të udhëtosh përmes saj për në bregdet.

Tre vite më parë, në ceremoninë e nisjes së punimeve, Kryeministri, Edi Rama, vlerësonte rëndësinë e kësaj rruge, ndërtimi i të cilës, sipas tij, do të ketë impakt në ekonominë kombëtare. “Rruga e Lumit të Vlorës nuk është thjesht një aks që që prek një numër të caktuar zonash dhe fshatrash, por është një aks shpirtëror, historik për këtë zonë dhe ky është projekti më i madh i ri i Qeverisë Shqiptare, i cili financohet nga fillimi në fund”, theksoi Rama.

Sipas tij, ky është një aks i rëndësishëm për të gjithë jugperëndimin e Shqipërisë dhe nuk do të sjellë thjesht një rrugë të standardeve evropiane, por do të sjellë një impakt të rëndësishëm social dhe ekonomik për të gjithë qarkun e Vlorës.

Përmes ndërtimit të kësaj rruge do të bëhet një lidhje përfundimtare, jo thjesht e fshatrave të Lumit të Vlorës, por mes Vlorës, Selenicës, Himarës e Sarandës, duke u krijuar mundësi edhe banorëve të Tepelenës apo turistëve që vijnë nga Gjirokastra, për të patur një akses më të shpejtë në bregdet.

Por, ajo do të krijojë edhe një hapësirë të re turistike dhe, gjithashtu, një dimension të ri zhvillimi për këtë zonë të re të turizmit, por edhe të bujqësisë e blegtorisë.

Segmenti i parë i kësaj rruge, me një vlerë rreth 40 përqind të të gjithë projektit, është ai që lidh “By Pass”-in e ri të Vlorës me aksin Peshkëpi-Gjorm, që tashmë ka përfunduar.

Me përfundimin e këtij aksi rrugor, pjesë e sistemit kombëtar, vlerësohet të ketë një rritje mesatare të fluksit të njerëzve dhe të mallrave me mbi 4% në vit, në shkallë vendi. Në këtë këndvështrim, ky projekt përfaqëson një investim të rëndësishëm strategjik me impakt kombëtar, me përfitues në tërësi rreth 129 mijë banorë, ndërkohë që, përmes tij është vendosur një standard i ri në realizimin e investimeve të kësaj kategorie.

Krahina e Lumit të Vlorës, me rreth 58 fshatra, një pjesë e të cilave përfshihen tashmë në hapësirën territoriale të Bashkisë së Himarës, vlerësohet për potencialet e mëdha ekonomike që mbart. Ajo nis me Kurveleshin e Poshtëm tek Buronjat dhe gryka e Kuçit dhe vazhdon deri në Myzeqenë e Vlorës me një gjatësi të përgjithshme prej rreth 80 km dhe sipërfaqe rreth 332 km2 dhe spikat me resurset e veta blegtorale, bujqësore, por edhe si një hapësirë për zhvillimin e turizmit natyror, kulturor, agroturizmit etj.

Në të ndodhen qytezat antike të Amantias e Olimpes, mjaft të njohura për vlerat e tyre të jashtëzakonshme, si qendra të spikatura të antikitetit.Harilla Koçi

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com