Temperaturat e ulëta dhe erërat e forta që kanë përfshirë vendin tonë 48 orët e fundit kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve në akset rrugore, kryesisht në veri dhe juglindje.
Por Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot se të gjitha akset rrugore janë të kalueshme.
“Gjatë natës ka pasur temperatura të ulëta dhe erë të fortë në të gjithë rajonin verior. Është punuar për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës në zonat ku ka prezencë ngricash. Si pasojë e erës së fortë që kthen borën në rrugë dhe temperaturave të ulëta në segmentet Kolesian-Lusen-Bushtricë, Kuben-Vasie, vetëm 10 km e fundit, Qafë Dragalicë – Steblevë kalohet me zinxhirë”, njoftoi ARRSH.
Në rajoni qendror, gjatë natës nuk ka pasur reshje. Sipas ARRSH-së, vetëm në segmenti Lunik-Steblevë, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të ngricave në rrugë.
Prezencë ngricash, njoftoi ARRSH-ja ka pasur edhe në segmentet Krujë-Sarisalltik, Elbasan – Gjinar dhe rruga e “Qafë Krrabës”. Është bërë shpërndarja e kripës nga kontraktorët dhe po mbahen në monitorim të vazhdueshëm.
Në rajonin jugor, gjatë natës ka pasur reshje bore në qarkun e Korçës, shoqëruar me erëra të forta në lartësitë mbi 900 m mbi nivelin e detit.
Në aksin Boboshticë-Dardhë, në km 5–14, dhe Gërmenj-Leskovik rekomandohet kalimi me zinxhirë, për shkak të ërës së fortë. ARRSH informoi se është bërë pastrimi dhe kriposja e aksit dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë.
Rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje, të përdorin zinxhirë në segmentet e rekomanduara, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
Sipas ARRSH-së, të gjithë kontraktorët janë në gatishmëri dhe po vazhdojnë punën për pastrimin e akseve dhe shpërndarjen e kripës./atsh