Siguria Rrugore është prioritet i Ministrisë së Brendshme për vitin 2020 dhe për këtë qëllim kanë nisur diskutimet për ndryshimet në Kodin Rrugor.
Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë një tryeze të organizuar në Tiranë, ku marrin pjesë Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si edhe specialist të sigurisë rrugore, bëri një pasqyrim të situatës së aksidenteve rrugore në vend, duke vënë në dukje problematikat të cilat duhen tejkaluar. Po ashtu ai bëri dhe propozimet përkatëse.
Sipas Veliut, aksidentet më të shumta rrugore ndodhin në rrugë urbane kryesore. “Janë 426 aksidente rrugore në rrugë urbane kryesore, ndërsa në autostrada numërohen vetëm 31. Po ashtu problematike janë dhe rrugët urbane dytësore me 399 aksidente dhe rrugët lokale me 188 të tilla, si dhe rrugët inter-urbane kryesore me 150 aksidente”-, tha Veliu.
“Qarku më problematikë është Tirana, pasi është dhe qarku më i madh dhe mbart 50 të vrarë nga aksidentet gjatë vitit 2019, nga 227 të vrarë nga aksidentet në total në të gjithë vendin. Po ashtu qarqet Fier, Durrës dhe Elbasan kanë një numër të lartë të vrarësh nga aksidentet. Ndërsa Berati dhe Gjirokastra kanë numrin më të ulët të vrarëve ngaaksidentet me nga 4 të tillë”-, theksoi Veliu.
Drejtori i Policisë së Shtetit bëri të ditur se nga aksidentet rrugore gjatë vitit 2019 kemi pasur 227 të vrarë, një numër më të lartë se në vitin 2018, kur ishin 213 të tillë. “Ndërsa sa i takon numrit të aksidenteve, në vitin 2019 kemi pasur më pak aksidente se në vitin 2018. Pra, 1 498 në vitin 2019 dhe 1 718 në vitin 2018. Ndërsa sa i takon të plagosurve rëndë në vitin 2019 kemi pasur më pak të plagosur rëndë se në vitin 2018, 260 vitin e shkuar dhe 312 para dy viteve”-, tha Veliu.
Ai tha se sipas statistikave të dhjetë viteve të fundi, rezulton se grafiku i të vrarëve nga aksidentet rrugore ka ardhur në rënie deri në vitin 2017. “Nga 12.95 të vrarë për 100 mijë banorë nga aksidentet në vitin 2009, në vitin vitin 2017 kemi pasur 6.8 të vrarë për 100 000 banorë, teksa ka pasur një ngritje të këtij numri në dy vitet e fundit, në vitin 2018 kemi pasur 7.2 të vrarë nga aksidentet ëpr 100 000 banorë dhe në vitin 2019, ishin 7.9 të vrarë për 100 000 banorë”-, theksoi Veliu.
Veliu tha se oraret kryesore kur ndodhin aksidentet janë oraret e lëvizjes për në punë. “Janë oraret kur qytetarët nxitojnë për të mbërritur në vendin e punës, 08:00-12:00 apo 14:00-17:00, që është orari i kthimit nga puna apo përfundimi i procesit mësimor”-, theksoi Veliu.
“Rrethrrotullimin pranë qendrës tregtare në rrugën që të çon në Elbasan vetëm në 3 muaj ka pasur 7 aksidente me pasoja fatale. Po ashtu edhe rrethrrotullimi i Kolonjës në 2 muaj ka pasur 5 aksidente me pasoja fatale. Sipas Veliut, numri më i madh i aksidenteve ndodhin ditën e hënë, 283, të premten 230 dhe 214 të dielën”-, shtoi Veliu.
Kreu i Policisë së Shtetit, duke u nisur nga analiza e bërë propozoi shumëfishim të gjobave për disa nga shkeljet rrugore. “Duhet shumëfishim të masës administrative për “Përdorimin e Celularit gajtë drejtimit të mjetit”, “Parakalimin e gabuar”, “Mosdhënien e përparësisë”, si edhe “Lënien e gjurmëve në historikun e shkeljeve të drejtuesit të mjetit”-, tha Veliu./atsh