Në Borsh ka nisur puna për rikonstruksionin e rrugës që të çon në kala, 1150 m e gjatë, e cila do të përmirësojë aksesin në një nga atraksionet historike kulturore të bregdetit të jugut, duke ofruar një mundësi alternative për turizmin në këtë zonë me aktivitet të lartë turistik.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se “rruga paraqitet në gjendje të amortizuar dhe ekziston vetëm bazamenti i saj. Ky aks krijon një lidhje mes pjesës lindore dhe perëndimore të Borshit dhe është një projekt me prioritet të lartë për bashkinë e Himarës”.
Sipas FSHZH-së, aktualisht po punohet për gërmim trup rruge për kasonetë, skarifikim asfalti ekzistues, si dhe gërmime trup rruge në shkëmb të fortë.
“Projekti parashikon një ndërhyrje thelbësore duke ndërhyre në nënshtresat profilime dhe asfalt, kuneta betoni në të 2 krahët dhe një krah trotuar në zonën e banuar. Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e mureve mbajtëse dhe pritëse sipas relievit të rrugës, punimet për disiplinimin e ujërave, ndriçimin në zonën e banuar si dhe sinjalistikë vertikale dhe horizontale”, – thekson FSHZH.
Ndërsa kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, bën të ditur për ATSH-në se “rikonstruksioni i rrugës turistike qendër Borsh – kalaja e Borshit me gjatësi 1150 m, ka një vlerë investimi prej 91 300 000 lekë”.
Sipas Goros, afati i punimeve është deri në fund të prillit, me qëllim që sezoni turistik ta gjejë të përfunduar.
Himara përveç burimeve të mëdha të turizmit detar ka resurse të mëdha edhe në turizmin kulturor apo të natyrës.
Në këtë kuadër me financim të Qeverisë Shqiptare, kjo ndërhyrje në kuadër të programit “Infrastruktura Vendore Rajonale” synon më tej rritjen e frekuentimit, përmes përmirësimit të aksesit sidomos gjatë periudhës së sezonit veror. Duke zhvilluar rrjedhimisht biznesin, ekonominë lokale dhe mundësitë e reja për investime që industria e turizmit ofron.
Kalaja e Borshit (ose Kalaja e Sopotit siç njihet në histori) ndodhet mbi një kodër të fshatit Borsh, që është 500 m mbi nivelin e detit dhe daton rreth shekullit IV-III p.k.
Në mesjetë kjo Kala njihej si Kalaja e Sopotit, ku përmendet dhe në kujtimet e Ana Komnenës, vajzës së Perandorit të Bizantit Aleksi I Komnenai në vitin 1192. Në periudhën e Ali Pashë Tepelenës u ndërtua dhe një xhami, që sot është në gjendje të mirë, paçka se minareja është rrëzuar./atsh