Mbi 10 mijë qytetarë u përgjigjën në harkun e 21 orëve në një pyetësor të Policisë Rrugore, dhe rreth 80% e tyre iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së parë, për ndalimin e përdorimit të celularit gjatë drejtimit të automjetit.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e konsideroi sot inkurajues reagimin e qytetarëve ndaj reformave të pritshme në fushën e sigurisë rrugore.
Në një pyetësor të publikuar nga Policia Rrugore nëse qytetarët janë dakord për ashpërsimin e masës administrative për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 78% e qytetarëve u përgjigjën pozitivisht dhe vetëm 22% nuk ishin dakord.
“Pyetjet e tjera do të vijojnë çdo ditë dhe një ekip i posaçëm do të mbajë shënim të gjitha përgjigjet dhe komentet. Deri në fund të muajit shkurt do të marrë trajtë të plotë paketa e reformave të sigurisë rrugore, në bashkëpunim të shumëfishtë me qytetarët, autoritetet, ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë. 2020 – Viti i sigurisë rrugore”, u shpreh Lleshaj./atsh