“Rehabilitimi i Unazës Ekonomike të bashkisë Konispol, loti II” pritet t’i japë frymëmarrje dhe nxitje bujqësisë dhe turizmit të zonës.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit, (FSHZH) njoftoi sot se, punimet në këtë aks rrugor po zhvillohen në kuadër të projektit zhvillimor “Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në funksion të zhvillimit të turizmit dhe agroturizmit në rajonin 4”.
Aktualisht ky segment rrugor paraqet dëmtime të mëdha të shtresave asfaltike dhe shtresave bazë në pjesën më të madhe të sipërfaqes së rrugës. Për shkak të ngushtësisë të saj edhe këmbimi i mjeteve është shumë i vështirë.
Me përfitues direkt 205,983 banorë, aktualisht FSHZH po kryen punimet në skarifikimin e asfaltit ekzistues, shtresës së çakëllit, stabilizimin e trupit të rrugës dhe bankinës, punime për vepra arti (mure mbajtës dhe pritëse), punime për veprat e kullimit (tombino rrethore)
Bashkia e Konispolit ka si aktivitet kryesor ekonomik bujqësinë dhe blegtorinë si dhe tregtinë ndërkufitare me Greqinë.
Ndërhyrja është e domosdoshme për përmirësimin e kushteve të kësaj rruge me qëllim grumbullimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore të zonës, drejt tregjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Me këtë ndërhyrje, nxitet mundësia e investimeve të reja në bujqësi, dhe sektorët përkatës të përpunimit e rrjedhimisht rriten mundësitë e punësimit të banorëve të zonës. /atsh